1 + 1 = 3

(“Kjo botë, nuk është e keqe vetëm pse në të ka njerëz të këqij, por ajo është e tillë, pikërisht pse ne të tjerët nuk ndërmarrim asgjë ndaj atyre“- Ajnshtajni)


 NGA ADNAN  ABRASHI


Edhe pse titulli i këtij artikulli, në shikim të parë duket si gabim, ai nuk është shkruar rastësisht ashtu! Shikuar realisht, shuma e llogarisë matematikore 1 + 1, në të vërtetë, bëjnë 2,  e jo 3, por, nëse kësaj logjike valide të të menduarit abstrakt i qasemi me një përsiatje më të thelluar alternative, atëherë, ka mundësi që si postulat matematikor të konstatojmë se, 1 + 1 bëjnë 3, e jo 2. Argumentimi i thjeshtë i kësaj logjike të favorizuar postulateve këtu, është se, gjithnjë në mes të njëshit të parë dhe njëshit tjetër në llogaritje, ekziston edhe një hapësirë e zbrazët që i ndanë ato. Andaj, po të shërbehemi me këtë logjikë irracionale:1 + (hapësira e zbrazët dhe e padukshme në mes) + 1, do ta fitojmë shumën 3, dhe jo 2. Edhe pse këtë artikull e fillova në mbrojtje të kësaj hipoteze të logjikimit ndryshe nga ai standard valid, qëllimi im i vërtet është që, gjatë shtjellimit në vazhdim, atë ta përdori si metaforë krahasuese. Gjatë vitit që e lëmë pas, në lidhje me shtetin tonë më të ri në botë -  Kosovën, kanë ndodhur shumë ngjarje dhe aktivitete të rëndësishme shtetërore - politike. Në bazë të një kriteri seleksionues të lënies së efektit sa më të fuqishme opinionbërës, sikur brenda ashtu edhe jashtë saj, nga të gjitha këto ngjarje të ndodhura, i kisha përmendur vetëm 3 si më relevante: 1. Dhënien e mendimit pozitiv nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë (GJND), rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës;  2. Afera e madhe me përmasa botërore në rastin e publikimit të dokumenteve sekrete të diplomacisë amerikane nga ana e portalit virtual “Wikileaks” në internet, prej të cilave disa kishin të bënin edhe me Kosovën, dhe, së fundi, 3. Shpallja dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë.
1. Sado që mendimi pozitiv vlerësues i GJND në Hagë, ishte një favor i madh për Kosovën, sepse me këtë qëndrim ajo edhe juridikisht licencoi pavarësinë e shtetit tonë, deri në minutat e fundit të komunikimit zyrtare të saj, edhe ekspertët tanë më të udhëzuar në këtë punë, së bashku me elitën politike në pushte si dhe shumë analistë nëpër medie... të gjithë ishin kategorikisht skeptik se ky mendim i GJND do të jetë aq konkret dhe dicidiv në favorin tonë. Mbi të gjitha, ky rezultat i shumëpritur erdhi dhe ishe ashtu sikur duhet të jetë. Racionalisht dhe në dukje, thuhet se me të fitoi e drejta, por irracionalisht, ky vendim buroi si rezultat i taktikave dhe strategjive më parë të përgatitura në prapavijë dhe heshtje, nga ana e shteteve të fuqishme me ndikim në botë. Shkurt e trup, ATA që e shpallën, ATA që e njohën, ATA edhe ditën ta mbrojnë këtë drejtësi të pavarësisë tonë pran kësaj gjykate të cilën vetë e kanë themelua. Pra, shprehur sipas atij krahasimi tonë metaforik, ky vendim u morr pikërisht në atë hapësirë të zbraztë dhe të padukshme të logjikës postulateve matematikore, ku, 1 + 1 = 3, e jo 2. 
2. Se politikat nuk bëhen ashtu sikur deklarohet nëpër konferencat për shtyp dhe se ato vërtet nuk janë në përputhshmëri me konformizmin tonë të përhapur dhe të pranuar si realitet, na dëshmoi qartë afera e fundit e publikimit të shumë dokumenteve komunikuese sekrete të diplomacisë amerikane nga ana e portalit virtual WikiLeaks në internet. Të gjitha prej tyre ishin vetëm e-maile kofindenciale komunikuese në mes të ambasadave të SHBA-së në botë dhe Departamentit të Shtetit Amerikan. Por, merreni me mënd, sikur ky portal të dispononte edhe me dokumentacionin “top sekret” të veprimtarisë së shërbimeve sekrete të shteteve më të fuqishme në botë, dhe të njëjtat t’i publikonte haptas në internet ?! A thua, tek atëherë, me çfarë realiteti zhgënjyes për këtë botë të “lumtur” në të cilën jetojmë, do të ballafaqohej gjithë njerëzimi?!  Pa dyshim se, para vetes do ta kishim edhe një realitet tjetër që vërteton atë postulat tonin të mësipërm matematikor se, në mes te dy njëshave 1 + 1 që bëjnë 2, ekziston edhe një hapësire tjetër e pavërejtur irracionale?!
3. Zgjedhjet e fundit të parakohshme dhe të jashtëzakonshme, për ne janë një kujtesë më e freskët e tematikës së këtë artikulli në vazhdim. Tanimë, të gjithë e dimë se, gjatë mbajtjes së tyre, në tërë territorin e Kosovës u regjistruan shumë manipulime flagrante. Me këto veprime të paligjshme dhe mafioze, u dëshmua edhe një herë se, politika kosovare fuqishëm mbisundohet nga mentaliteti arkaik shtet-formues. Jo vetëm kaq! Sjellja e dëshmuar e papërgjegjësisë së skajshme të KQZ-së, si organ legjitim shtetëror i organizimit dhe mbikëqyrjes së këtyre zgjedhjeve, nga njëra anë, dhe të monitoruesve tjerë të licencuar nga shoqëria civile, alla “Demokracia në veprim”, nga ana tjetër, sikur të gjithë së bashku reflektuan një bashkëveprim të orkestruar manipuluese të planifikuar më parë nga dikush. Me të gjitha këto dyshime, edhe më shumë u dëshmua vërtetësia e veprimit të atij postulati matematikor të cekur në shembullin si më sipër se, 1 + (hapësira e zbrazët dhe e padukshme në mes) + 1, bëjnë 3, dhe jo 2. Fatkeqësisht, vërtetësia e kapshmërisë logjike i këtij postulati matematikor, te ne në Kosovë është e shprehur në dy drejtime: e para vepron në mes të pushtetit politik kukull dhe servil vendor, në njërën anë, dhe bashkësisë sunduese ndërkombëtare, në ana tjetër; ndërsa e dyta vepron,  në mes të partisë politike fituese në pushtet, nga njëra anë, dhe popullit të manipuluar votëbesues, nga ana tjetër. Te rasti i parë, mes “njësheve” që bëjnë 2, si “hapësirë e padukshme”e tretë, qëndrojnë planet konspirative që si synime të tyre me çdo kusht tentohen të realizohen nga bashkësia ndërkombëtare në Kosovë (bisedimet me Serbinë për ndarjen e Kosovës, privatizimi i PTK-së dhe KEK-ut, etj.), ndërsa, tek rasti i dytë, mes “njësheve” që bëjnë 2, si “hapësirë e zbrazët dhe e padukshme”, është ndikimi konspirativ i veprimit të papenguar i një organizate të fshaftë para-politike dhe jashtë-institucionale partiake
Disa kuriozitete parashikuese
Pas shumë viteve të rangimit të kosovarëve në “top listë” si populli më optimist në botë, një hulumtim i fundit ndërkombëtar, këtë herë tregoi të kundërtën. Ne nuk jemi më populli më optimist në botë! Por, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit, sikur ky vullnet i pakënaqësisë nuk u shpreh në veprim?! Aty, ne sërish zgjodhëm politikanë dhe politika të dështuara. Andaj, dëshirën time të bërjes së një parashikimi të Kosovës pas-zgjedhore, do ta kënaqi duke e cituar atë postulat të pagabueshëm religjioz se, ”Çdo populli, Zoti do t’ia dhuroj asi udhëheqësi, të cilin ai vërtet e meriton”. Me sa duket, ne kësi udhëheqje politike të dal pas zgjedhjeve të fundit edhe e kemi merituar?! Me një përleshje të armatosur si provokim që ndodhi në fund të nëntorit të këtij viti, në kufirin mes Kores Veriore dhe Koresë Jugore, parashikimet e parashikueses së famshme bullgare, Vangelia Gushterova – VANGA , për mundësinë e fillimit të Luftës së Tretë Botërore, më vitin 2010, si top lajme, me të madhe u aktualizua në të gjitha mediet e shkruara dhe elektronike të botës. Edhe pse kjo profeci nuk u përmbush me saktësi, gjendja në këtë pjesë të botës mbahet ende e tensionuar. Kur jena tek parashikimet e parashikuesve të famshëm botëror, si kuriozitet tjetër të radhës, do ta paraqes një varg sfidues tek profecitë e Nostradamusit, ku thuhet:“Në mes të “V” dhe Serbisë, do të zhvillohet një luftë e ashpër...” Për atë “V” të cituar aty, një kohë të gjatë isha në dilemë interpretuese të domethënies së tij. Gjatë fushatës së fundit parazgjedhore, simbolika e kësaj “V” si shpesh mu perceptua tek logoja e Vetëvendosjes. Andaj, me hyrjen e kësaj lëvizje si forcë e tretë politike në Parlament, dhe rritjes gjithnjë e më të madhe të autoritetit të saj në popull, nuk dyshoj se shumë plane konspirative të Serbisë dhe të tjerëve për Kosovën në të ardhmen nuk do të kalojnë në heshtje. Kuptohet, ky është vetëm një kuriozitet parashikues, të cilën, unë vetë, sinqerisht e kisha dëshiruar që të përmbushet?!! Duke e përgatitur këtë artikull, nga arkiva e artikujve të vjetër, krahasova një shkrim timin të vitit të kaluar, i cili, po ashtu ishte edituar disa ditë para Vitit të Ri 2010. Më kujtohet mirë se, nga shumica e miqve të mijë, atëbotë, ajo analizë ishte vlerësuar si e ashpër dhe shumë pesimiste. Mirëpo, kur të njëjtën tashti e lexova edhe një herë, vërejta se, nga të gjitha ato shqetësime para një viti të ngritura aty, edhe sot e kësaj dite asgjë nuk është ndryshuar për së miri në Kosovë. Andaj, a thua, bota si gjetiu, ooo njerëz, fare nuk sillet këtu te ne?!
Krejt në fund: Gëzuar Vitin e Ri 2011, më e dashura dhe dhembja ime Kosovë...!

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri