Berisha: Marty, Janë shpifje raciste

Intervista e kreut të qeverisë për agjencinë e lajmeve AFP për akuzat e gazetës serbe

“Politika”: Kryeministri tregtar kryesor i armëve në luftën e Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka hedhur poshtë shkrimet e gazetës së Beogradit, “Politika”, për pjesëmarrjen në tregtinë me armë gjatë luftës në Kosovë 1998-1999. Gjatë një interviste për agjencinë e lajmeve AFP, kreu i qeverisë shqiptare i ka cilësuar ato “shpifje raciste”. “Pretendimet e Politik, që është zëdhënëse e ultranacionalizmit serb dhe avokate e gjenocidit serb në Bosnjë dhe Kosovë, nuk janë asgjë tjetër, pos shpifje raciste”, ka thënë Berisha për agjencinë e lajmeve AFP. Gazeta në fjalë ka hedhur akuza të rënda ndaj Kryeministrit shqiptar, duke shkruar për të se “Berisha ka qenë një nga tregtarët kryesorë me armë në kohën e luftës në Kosovë, ndërsa shtëpia e tij në Tropojë ka qenë qendër për blerjen e armatimit”. Po kjo gazetë pohon gjithashtu se emri i shefit të ekzekutivit shqiptar përmendet nga katër dëshmitarë në dokumentet e Prokurorisë serbe për Krime të Luftës. Por Kryeministri Berisha shkrimin e gazetës “Politika” e ka lidhur me atë që ai e quan “histerinë antishqiptare të udhëhequr nga Dik Marti”, ku këtë të fundit e ka quajtur “një racist, që pa asnjë provë është duke u përpjekur të hedhë baltë në luftën e shqiptarëve të Kosovës”. “Forma në të cilën janë bërë akuzat, vetëm mund të më nderojnë. Shpifjet që Politika e Beogradit dhe Dik Marti janë duke propaganduar sërish, dëshmojnë racizmin, verbërinë e tyre dhe zhgënjimin e madh të tyre me çlirimin e një populli”, ka deklaruar numri një i qeverisë shqiptare. Në përfundim të deklaratës së tij për këtë çështje, në intervistën për AFP-në, Kryeministri Berisha është shprehur i gatshëm për tu hetuar. “Shqipëria do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi që ndërlidhet me luftën në Kosovë dhe rastet e tjera nga ana e EULEX-it dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës”, tha ai. Së fundmi, Shqipëria është përfshirë në raportin e anëtarit të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili ka ngritur pretendime mbi krime që janë kryer nga UÇK-ja, duke akuzuar Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçin, apo dhe për trafikim të organeve njerëzore, realizuar kjo, sipas këtyre pretendimeve, në territorin e Shqipërisë, në Burrel. Kryeministri Berisha e ka cilësuar raportin e Martit të bazuar në pretendimet e mëparshme të ish-prokurores së përgjithshme në Gjykatën e Hagës, Karla del Ponte. Ai është deklaruar i hapur për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë ndërkombëtare që do të duan të hetojnë krimet e luftës dhe gjenocidit në ish-Jugosllavi. Ai i bëri ftesë EULEX-it të ndërmarrë hetimin lidhur me pretendimet e raportit të senatorit Marti.

Hetimi i “Politika”

Në intervistën e dhënë për agjencinë e lajmeve AFP, Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, është shprehur i gatshëm për tu hetuar, referuar akuzave që gazeta serbe “Politika” ka bërë për të, në shkrimet e saj. “Shqipëria do të jetë e hapur për çfarëdo hetimi si nga ana e EULEX-it, ashtu edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës, që ndërlidhet me luftën e zhvilluar në territorin e Kosovës dhe rastet tjera”, ka deklaruar ai.

Hetimi i “Martit”

Kryeministri, në emër të qeverisë shqiptare i ka bërë ftesë EULEX-it të ndërmarrë hetimin lidhur me pretendimet e raportit të senatorit Marti, duke garantuar se qeveria do të ofrojë të gjitha lehtësirat dhe bashkëpunimin e plotë. Po ashtu delegacioni shqiptar në KE do të nisë punën me kërkesën që Dik Marti tu dorëzojë provat autoriteteve të EULEX-it, përndryshe ai ka bërë një abuzim shumë të rëndë me besimin e këtij institucioni.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri