Imagjinata poetike dhe strukturat metapsikologjike në poezi

imageLutfi Alia
Duke lexuar dhe studiuar poezinë e poetit Alia


Fatmir Terziu
Një tufë poezish tërheqëse të dërguara para disa ditësh nga poeti shqiptar Lutfi Alia, më bën të shkoj më tej leximit. Më bëri kjo për vetë faktin se ky poet gati i ‘braktisur’ nga kritika shqiptare dhe po aq edhe nga mediat e kolegët, në një kohë që nga viti 2005 - 2010 ka marrë 21 çmime në konkurse ndërkombëtare dhe nacionale të poezisë, çmime për poezi dhe për vëllime me poezi. Ai është botuar në gjuhën italiane me disa vëllime të tilla si:
1.       “Luna senese”, Poesie - Nicola CALABRIA Edizioni. 2007 –  Patti - Palermo
2.       “Notturno senese”, Raccolta di poesie - BETTI Edizioni – 2006 Siena
3.       “Tutto…in una notte senese”, Poesie - VITALE – Edizioni, Sanremo 2005.
4.       “Il vento d’amore senese” – Poesie, VITALE _Edizione. Sanremo 2008
5.       “Le categorie etico-morali del Codice Consuetudinario albanese. Kanun di Lek Dukagini
         (Saggistica) Edizione Albalibri - Milano 2009
Në fakt jashtë këtyre sukseseve dhe botimeve, më bën poezi të tilla si “Dritë spirale”, “Ti je Sheherazadia ime”, “Po të pres”, “Flokët e tua”, etj., të hyj në imagjinatën poetike, teorinë e ndërlikuar të Zigmund Frojdit dhe Martin Heidegerit. Dhe teksa lexoja me vëmendje këto poezi arsyeja dhe logjika më shpinte të shihja punën krijuese të Aliajt, në një temë, një ide: imagjinatën poetike. Kështu analiza e ndërmarë më diktoi të diskutojë marrëdhëniet në dialektikën mes krijimtarisë dhe realitetit, dy fenomene të para nën dritën e teorive të lartcituara. Ajo fillon me strukturat metapsikologjike të teorisë së Zigmund Frojdit rreth arsyes së shpjeguar në mënyrë teorike studimore rreth mendjes njerëzore. Këto koncepte janë të para më pastaj, ngushtë me vargun e perceptimin e poetit, në dialog me këndvështrimin e Martin Heideger-it. Ky diskutim i lidhur me këto teori, me thelb aspektin e imagjinatës poetike natyrshëm përfshin në kërkim elementin poetik, në jo vetëm ndikimin që kjo teori e bën nëpërmjet veprës së artit, por edhe mes strukturave metapsikologjike të poetit si artist. Në poezi të tilla si “Unë, Ti dhe Hëna”, struktura metapsikologjike e poetit si artist është një formë semantike e vetës së parë: “A e kujton atë natë/kur flladi i puthjeve/i ngrohu shpirtat tonë /e nga lart hëna e fildishtë/hyri nga dritarja me dritën e zbehtë,/na njohu menjëherë/u befasua nga zjarri i dashurisë sonë/e turpëruar/iku të fshihej prapa reve.”
Duke u kthyer së pari përmes teorisë të Frojdit, tek poezia tjetër “Sirena”, ne gjejmë se imagjinata poetike dhe kreativiteti janë paraqitur në mënyrë tipike në aspektin e fantazisë, ëndërrat me sy hapur dhe nata e ëndërruar. Këto fenomene janë të lidhura me parimin kënaqësi. Frojdi thotë se imagjinata poetike është një formë e zëvendësimit dhe mund të shihet si në një lojë të fëmijërisë. Fantazia është lojëplotësi. Fantazia është potenciali i një të rrituri për të luajtur. Ajo përfshin një fluturim nga realiteti. Poezia “Një natë në Piza” paraqet këtë fantazi sërish në një anatemë ku protagonist është autori dhe na shfaq një kontekst të ndryshëm motivues: “Mbuluar me dritë të butë/shkrihet Piza në rrugica vetmitare,/e shpërfillur/mbledh jehonën e hapave tona,/që të çakorduara shkelin mbi gurët e ftohtë. /Eshte një natë pa emer,/një natë e bukur,/e ne të dy/shetisim/në rrugicat e zbrazëta,/lidhur në intimitetin tonë të zakonshëm,/dora ime mbi supet tua/delikate/hëna mbi mal,/qielli i yllëzuar mbi krye/e me mendime që na nxisin të imitojmë,/ritualin e takimeve tona klandestine./Më vështron butësisht /kokën e mbështet mbi/gjoksin tim /ku zemra rreh me rrëmbim/puthja ime u ndal lehtë mbi gojën tënde, /piva dashuri nga buzët e tua/deri sa shuajta etjen për ty.” Mes konceptit të Frojdit, këtu amorfia ‘fëminore’ e lojës si kopje është një vegim që secilit i vjen nga një kontekst i vendosur mes dëshirës. Nga ana tjetër, tashmë i rrituri i kësaj poezie, e di se çfarë pritet nga konteksti “të rriturit” dhe është i detyruar për këtë arsye nga parimi realitet të intrigojë me fantazinë dhe imagjinatën. “Të rriturit” si nocion i kësaj poezie në gjuhën e stilin e poetit ndërlikon më tej teksa ‘duhet të mbajë disa dëshira sekret. Frojdi thotë se këto dëshira të fshehta rrjedhin nga kënaqësia dhe shpesh ndodhin mes strukjes, që në këtë rast mes vargjeve “kokën e mbështet mbi/gjoksin tim /ku zemra rreh me rrëmbim/puthja ime u ndal lehtë mbi gojën tënde, /piva dashuri nga buzët e tua/deri sa shuajta etjen për ty”, dalin tej lojës së imagjinatës poetike.
Vetë Frojdi përdor veprat poetike për të ilustruar këtë proces. Ai mbështetet mbi shpalosjen e njohurisë së poetit në drejtim të komplekseve psikologjike për të plotësuar lidhjet kryesore të poetit me punën e artit dhe lexuesit. Frojdi përdor një metodë të dyfishtë, duke përshkruar një metodë emocionale identifikimi. Ai sheh pikërisht këtë aspekt të ‘vetëndërgjegjshëm’, që ndodh me poetët dhe mesazhin e përvojën ndaj lexuesit të krijimtarisë së tij poetike. Këto, janë edhe komplekse që shpallen me artin e fjalës poetike.
Shprehja e këtyre komplekseve me përvojë universale psikologjike është ajo që të shpie tek pena e imagjinatës poetike. Kjo është sikur një e prekur thelbësore, ku luhet ndjenja dhe fshihet imagjinata për të gatuar mes vargut dëshirën e tjetrit. Poeti me poezitë e lartcituara, tregon në vetën e parë për të tjerët dhe përcjell konfigurimin e dëshirat e thella, mes një imazhi të errët e të fshehtë në art.
Brenda këtij koncepti dhe nën ndikimin e teorisë së Martin Heidegerit poezi të tilla mes imagjinatës funksionojnë si perceptime logjike dhe kryejnë në fshehtësi “lirimin e tensioneve në mendjet tona”.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri