Kosova: Raporti i Martit, nga shërbimi sekret serb

Mediat kosovare kanë publikuar dje, faktin se eurodeputeti zviceran i është referuar raportit të Shërbimit inteligjent të Serbisë, BIA (Bezbednosno-Informativna Agencija), për të hartuar raportin e tij. Gazeta kosovare, “Koha Ditore” ka arritur të sigurojë një raport të vitit 2003, të shkruar nga ky shërbim inteligjent serb. Në këtë raport, BIA bën përpjekje që të përshkruajë “rrjetet terroriste tek shqiptarët”. Raporti nuk flet për trafikimin e veshkave, por përmend grupe të ndryshme të shqiptarëve, të lidhur me trafikim të armëve, drogës dhe qenieve njerëzore. Siç pritet, raporti i inteligjencës serbe përshkruan UÇK-në, pastaj UÇPMB-në, por edhe Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare si grupe terroriste, të cilat merren edhe me krimin e organizuar. Ngjashmëritë mes raportit të BIA-së dhe atij të Dick Martit janë në gjuhën që përdor për të përshkruar funksionimin e shoqërisë shqiptare, në referencat që i bën Grupit të Drenicës dhe në mënyrën se si shkruhet mbiemri i kryeministrit Thaçi. Anëtari i Këshillit të Europës, Dick Marti i ka dorëzuar javë më parë Këshillit të Europës, një raport ku ka përmbledhur aktivitetet e supozuara kriminale të ish-udhëheqjes së UÇK-së dhe ka rikthyer në vëmendjen e botës akuzat se pjesëtarë të UÇK-së kanë hequr veshkat nga civilë serbë të vrarë dhe i kanë përdorur organet për trafikim. Në raportin e tij, anëtari i Këshillit të Evropës, Dick Marti, tregon se burime të hetimit të tij janë raportet e shërbimeve të ndryshme inteligjente, por jo edhe ato të BIA-s.
Marti, shkruan se ka përdorur raportet e shërbimit inteligjent gjerman BND, se i është referuar shërbimit italian SISM-i, shërbimit britanik MI6 dhe atij grek EYP. Ish-prokurori zviceran thotë se raportet e këtyre shërbimeve japin “të paktën një bazë solide për të dëshmuar përfshirjen e Grupit të Drenicës dhe të sponsorëve të këtij grupi në shpëlarje parash, kontrabandë me drogë dhe duhan, trafikim me qenie njerëzore, prostitucion, dhe monopolizimin e sektorëve më të mëdhenj ekonomikë, përfshirë tregtinë me derivate dhe ndërtime”, shkruan Marti. Në lidhje me të gjitha akuzat që ngre raporti pati reagime të shumta si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë. Ndërkohë që kohë më parë, prokurorë të Hagës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme të Shqipërisë kanë zhvilluar një hetim që ka rezultuar me mosgjetjen e provave për pohimet lidhur me trafikimin me organe njerëzore, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri