12/17/10

MARK PREÇI :NJE MISTER DHE NJE VEND I MUNGUAR NE TEMPULLIN E LETRAVE SHQIPE

Dhe ky i përket shkrimtarit, poetit, përkthyesit ende të panjohur priftit Jak Zekaj.

imageJak Zekaj

         Njeriu që lindi e u rrit jetim, punoi gjithë jetën i rrethuar nga privacionet e shumta, e së fundmi vdiq si në hije, quhet Jak Zekaj. Jak Zekaj nuk bën pjesë në turmat shumta të njerëzve që janë udhetare te zakonshem në këtë botë. Ai bën pjesë në atë grup njerëzish rishtare  për të qenë “dikushi”, për të qenë shembëlltyra e së mirës, e prosperitetit. Në gjallje gjithkush e ka njohur dom Jakun. Tashmë që ai prehet në parajsë opinioni ka filluar ta njohë si shkrimtarin, përkthyesin, poetin, piktorin Jak Zekaj. ..

    Kush ishte Jak Zekaj!

      Jak Zekaj lindi në fshatin Baqël të Zadrimës më 13 korrik 1906. ishte i dhjeti fëmijë i çiftit Prend e Dilë Nikolli dhe i vetmi që jetoi. Në moshën 20 muajshe i vdes e ëma, duke ju privuar përgjithmonë dora e saj. Mëson shkrim e këndim tek Ipeshkëvi në Nenshat. Në moshën 11 vjeçare, pikërisht në vitin 1917 futet në Seminarin Papnuer në Shkodër. Të 5 klasat e para, falë inteligjencës së lartë, dhuratë prej natyrës, i përfundon në 3 vjet. Më pas vazhdon gjimnazin, liceun dhe teologjinë. Në gusht të vitit 1932 dha meshën e parë në Nenshat, në zemër të dioqezit të Sapës. Në shugurimin e tij si meshtar, i dërguar i Selisë së Shejtë ishte Gjon della Pietra, personalitet i dëgjuar i kohës. Vitet e shkollës dëshmuan, zgjuarsinë, talentin dhe vullnetin e Jak Zekajt për të mësuar e për t’u bërë njeri i zoti. Libri nuk mungoi asnjëherë këtij njeriu, ndoshta buka po. Për këtë arsye ndonëse ishte nxënës, shpeshherë ishte dhe “shok” i profesorëve  gjermanë, austriakë apo italianë që e mësonin. Por afër e mbante edhe mësuesi shqiptar Gjergj Fishta. Jo thjeshtë se ata, që të dy vinin nga Zadrima, por sepse i bashkonte horizonti dhe vështrimi me të cilin rroknin hapësirat e jetës.
      Jak Zekaj zotëronte në mënyrë perfekte italishten, latinishten, greqishte e vjetër, gjermanishten, frëngjishten, por njihte edhe serbokroatishten, ebraishten, spanjishten, pak njihte edhe rusishten e anglishten.
      Ja çfarë shkruan dom Jaku: “Jam tepër i dhanun mbas literaturës, sidomos poetike, e gadi si i marrë entusiazmohem në leximin e klasikëve greko-romakë, edhe të poetëve të tjerë botnorë. Mundohem me krijue vjersha jo vetëm në shqip, por edhe në    gjuhë të tjera. Zotnoj fare mirë literaturën greke, latine e italiane, por kam njoftuni bukur të hapët edhe për leteraturë të kombeve të tjerë sidomos europianë, aq sa profesorët dhe shokët më thërrasin letrari enciklopedik, nodshta për tallje. (Nga dorëshkrimi, “Ditari i një të harruemit”).
      Në periudhën gusht-dhjetor 1932 punon në ambasadën e Vatikanit. Ne vitin 1932 perkthen nga autori gjerman Bernard Arens Djali i Myftise  ( me nr.inventari 000202813,127 faqe BK).
Po në këtë vit emërohet meshtar në Kryezi të Pukës, e pas 6 vjetësh në Qelëz deri në vitin 1946. Plot 14 vjet Zekaj i kalon në malet e Pukës, kohë gjatë së cilës ai shpërndan fjalën e Zotit, lajmëron të vërtetat hyjnore, por edhe shkruan libra. Pikërisht gjatë kësaj kohe, ka dalë nga mendja, zemra dhe dora e Jak Zekaj, ndoshta dhe kryevepra e tij “Java e gjakut” me 1864 faqe dorëshkrim, me rreth 42000 vargje.  Kjo vepër e themi me bindje se përbën dhe “Lahutën...” e Jak Zekajt.
      Jeta e malësorëve në malet e Pukës, madje shumë primitive, por fisnike, peisazhet hollivudiane të maleve të kësaj zone, me siguri kanë frymëzuar priftin shkrimtar për të krijuar vlera e përgjithësime të dobishme për njerëzimin. Krahas kësaj klima e vështirë i dhuroi fizikut të dom Jakut trupin e drejtë e të shëndetshëm dhe që nga ajo kohë ai çdo mëngjes lante kokën me ujë të ftohtë.
      Si për të gjithë klerikët edhe për Zekajn rregjimi komunist i rezervoi heqje të lirisë. Në muajt fundit të vitit 1946 ,pikerisht me 26 tetor, rregjimi komunist duke provokuar me te ashtuquajturen Organizim te armatosur te klerit kataolik ,me  futjen nga ana e sigurimsave të armëve, në Kishën katedrale “Shen Shtjefni” te Shkodres, si dhe    për organizim të kryengritjes së armatosur të Postribës më 9 shtator 1946,  zhvilloi nje vale arrestimesh vetem te klerikeve katolik ku u arrestuan: Imzot Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikoll Deda, At Mati Prennushi, At Çiprian Nika, At Donat Kurti, At Frano Kiri, At Pal Doda, Don Tomë Laca,
At Karlo Serreqi, At Çiril Cani, At Filip Mazrreku, Don Pjetër Gruda, Don Mark Xhani, At Augustin Ashiku, At Bernardin Palaj, Don Ndoc Nikaj, Don Ndue Suma, Don Nikoll Mazrreku, Don Jak Zekaj, Don Ded Plani, Don Pal Gjini, Don Ejëll Deda, Don Luigj Prendushi, At Serafin Koda, Don Nikoll Shelqeti, At Gjon Karma S.J. At Mark Harapi S.J. At Florian Berisha S.J. Fratel Gjon Pantalia S.J. Don Anton Muzaj, Don Mark Hasi, Don Nikoll Laskaj, Don Pashko Muzhani, At Gaspër Suma, At Aleks Baqli, Fra Ndue Vila, Fra Zef Pëllumbi, At Mëhill Miraj, At Rrok Gurashi, Don Ndoc Sahatçija etj.
    Sipas autorit te nderuar Fritz Radovani,  në Shkodër numëroheshin 10 burgje, ndërsa sipas funizuesit të bukës duhet të ishin 17. Ishin kthyer në burgje Kuvendi i Franceskanëve, ndërtesa e Jezuitëve, shtëpitë e tregtarëve, i Prelës, i Pogut, i Ulqinakut përvec burgjeve të njohur si Burgu i Madh, Burgu i Gestapos, Burgu i Prefekturës etj
”Ishim shumë të dënuar me vdekje në një dhomë, dëshmon Rakip Meta. Ja lista:
1. Hafiz Dërguti (pushkatuar),2. Ëngjëll Deda,3. Rrok Mirashi
4. Mikel Koliqi,5. Mark Hasi,6. Ndue Suma,7. Mark Harapi
8. Karlo Serreqi,9. Agostin Ashiku,10. Marjan Prela,11. Aleks Baqli,12. Zef Pllumi,13. Filip Mazreku,14. Frano Kiri,15. Anton Luli,16. Gaspër Suma,17. Injac Gjoka,18. Jak Zekaj,19. Lekë Dredhaj,20. Ciril Cani,21. Mëhill Cani,22. Bonat Gjecaj,23. Toëm Laca,24. Nikollë Shelqeti,25. Gjon Karma,26. Mëhill Karaj,
27. Donad Kurti,28. Leon Kabashi,29. Pjetër Gruda,30. Pal Dedaj
          Qellimi ishte i qarte;asgjesimi i mendjeve me te ndritura qe mund te ndriconin arsyen e njerzeve te thjeshte se ku po i conte “fara komuniste” dhe ku realisht i coi per pesedhjete vjet ne diktaturen me te eger ne Europen e pasluftes.
       
Pasi arrestohet, burgoset dhe dënohet me dy vjet burg.
Akuza: agjitacion dhe propagandë. Pikëpamjet dhe qëndrimet e hapura publike të Jak Zekës nuk shkonin në të njëjtin krah me ato të udhëheqësve komunistë. Vetëm burgu shikohej si mundësi për t’i mbyllur gojën atij dhe mijëra të tjerëve që ja vinin veshin fjalës së urtë të Zekës. Edhe jeta e burgut në Kavajë dhe në Shkodër i ofroi subjekte për poezi e tregime, e mundësi për të përkthyer  kolosë të letërsisë botërore.
      Me daljen nga burgu, ai kthehet si meshtar,   në Zadrimën e tij të dashur që e kishte lindur. Shërbeu në Nenshat , Hajmel, Baqel, Kodhel, Shelqet, Naraç, Pistull etj., deri më 19 mars 1967, ditë në të cilën largohet nga famullia e Hajmelit pas mbylljes inkuizioiniste nga “populli” të objekteve fetare.
      Ikjen e kujtonte me mjaft dhimbje. Mbi të gjitha për librat e shumtë që u keqpërdorën dhe humbën gjatë transportit, edhe për të tjerë që u morën nga oganet e sigurimit dhe nuk u kthyen më. Në “karvanin” që e shoqëronin këtë ikje, bënin pjesë dy qerre vetëm me libra. Një arkë nusesh zadrimore u “varros” për t’u zhvarrosur pas pak muajsh për shkak të rrezikut të persekutimit komunist. Të gjitha këto vetëm me libra, fjalorë, fletore të shkruara, piktura, përkthime, etj.
      “Unë gjamtar i lanun vetëm, fillova gjamën përmbi therrorët e këputuna prej duerve të tiranëve...e kjo gjamë e përzieme me lotët e mi, kullue mbi kufomë të grumbullueme e mbi gjak të ngrimë, asht operacioni për të cilin ka nevojë shoqnija njerëzore... tue ndie vajin e fëmive që të unshëm lypin bukën e s’ka kush jua nep, e, tue pa lotët e tue ndi ofshamat e nanave të shkreta e dënesat e gocave të shtyeme në poshtërim prej nevojave të jetës... qita britmën e zani em i namët kje lutë, drejtue Hyjnisë, që ta sillte shikimin mbi këto zaje... e të lëshonte rrfenat e veta mbi dhunuesit e të drejtave njëzore...”
      Ky pasazh është mjaftueshëm për të kuptuar qëndrimin e shkrimtarit-prift.
      Nga viti 1967 deri më 5 dhjetor 1996 kur vdiq, Jak Zekaj, jetoi i “atashuar” pranë nipave, gjatë kësaj kohe vazhdoi të kryente ritet fetare dhe të shkruajë e përkthejë. Për 28 vjet me radhë Jak Zekaj nuk e kaloi kurrë portën e oborrit. I zhytur në vetmi, ai lutej dhe shkruante, madje ai ka shkruar e kënduar për “E lumja vetmi”.
      Midis autorëve të përkthyer mund të përmendim: Eskili, Sofokli, Euripidi, Theokriti, Vitorio Alfieri, Ugo Faskola, Hajne, Shekspir, Herodoti, Rousessau, Plutarku, Virgili, Ciceroni, Tomas Hobs, Charl Monteskje, Xhulio Ubertozzi, Volteri, Seneco, Dante Aligieri, etj., etj. Ja ky është Jak Zekaj, autori i mbi 90 mijë vargjve që pret ende të futet në botën e lexuesit, aq të etur për vlera të mirëfillta, larg tregtisë e boshllëkut, të vlerave letrare.
      Në atë ditë të ftohtë, të vranët, të 5 dhjetor it ’96 kur po përcillej për në parajsë, trupi i pajetë i dom Jak Zekës, pak kush e dinte që po shoqëronte shkrimtarin, përkthyesin, njeriun e letrave shqipe. Ai tashmë duhet “zbardhur” falë dorëshkrimeve të shumta që ka lënë si trashëgimi, e që ruhen me kujdes nga nipi i tij Pal Zeka. Ndoshta pas librit poetik të Jak Zekës “Vandaku i ferrave” që tashmë ndodhet në duart e lexuesve, edhe libra të tjerë, me zemërgjerësinë e sponsorëve do të shohin dritën e botimit.
      Ndihesh keq kur ke përpara gjithato vlera dhe për shkak të pamundësisë financiare mbeten ende në sirtare.

Libra në dorëshkrim të Jak Zekës

1.                   Java e gjakut – tragjedi (në tri pjesë), 1864 faqe me 42000    vargje
2.                   Ngushëllimet e vetmisë – vepër me 1064 faqe me përkthime, tregime të shkurtëra, poezi.
3.                   Ndër mrize ilire, poezi 212 faqe me 4000 vargje.
4.                   Andrrat e rinisë, poezi 430 faqe me 6450 vargje.
5.                   Varret e zemrës, poezi 502 faqe me 7500 vargje.
6.                   Gjamë disprimi, poezi 718 faqe me 10800 vargje.
7.                   Kapuçat, parodi 120 faqe me 2000 vargje.
8.                   Zogu i Parë – mbret i shqiptarëve, parodi 872 faqe me 17000 vargje.
9.                   Ditar i çuditshëm, roman psikologjik me 430 faqe.
10.                Ish kapteri Vokrri, roman 352 faqe.



     Por vetëm për njohje po botojme një esse filozofike me titull  “Tash”.
      
Mark Preçi

“Tash”

      Sot mue më dridhet zemra në krahnuer, nën kërcënimin e dekës, pse m’a ngulë në true, se gjindem përpara nji grumbulli gjyqtarësh mizorë i rrethuem prej munduesve të panumërt, të cilët të gatshëm presin shenjën e këtyne me i sjellë me duar të palodhuna, thuprat me tanë kthuça, mbi pulpat e trupit tim, para se me më nisë në vendin e të fshimëve të qytetit. I mnderuem ngulshoj e gadi më merrte fryma e as unk jam i zoti të çfajësohem, vetëm i rrotulloj sytë për rreth tue kërkue ndihmë e mbroje por megjithëse këto i kam hapë, nuk dalloj kund gja, pse friga i ka këputë njohuritë e shqisave tëmija e ma ka çapërdinë lamshin e truve.
      Gjyqtarët para të cillve unë qëndroj i mnderuem prej të cillve pre çdo vendimësi për dekë, e zbatuesat e këtij vendimi të cillët gjenden përherë gati të kënaqun me i krye urdhnat e tyne kundra mehet, janë për mue pjestarët e shoqënisë njerzore.
      E çka asht pra kjo shoqni njezore që unë krenar e ndoshta eçentrik ngel arbitër i saj e pickoj e tue sjellë grushta mbas grushtash, përgatitë ndër farka shqitpare, e baskaroj kesh me i ba autopsinë per me i njoftë sëmundjet e saje
      Unë këtë shoqni të njerzve të arsyeshëm, e mbaj kore shtazore, e kjo prej anës së vet e përplasë mbi mue mallkimin tye më dhanë dënimin e padiktuem.
      Kujtova se kam këndue, por vjershat e radhituna prej meje janë gjamë e disprimit, vikamë e padame namesh, ulërimë mallkimi e jehonë e pakëputme kushtrimit, mbas të cillit nuk ka me ra kush. Kot brita, kot thirra, kot qita kushtrimin e ma kot kjava, pse dy kombsat e arsyeshëm, veçmas o grumbullue në shoqni të ndryshme, kan me i përgjigjë zanit timme tallje e qeshje sarkastike un’, i asgjësuem prej vendimit të gjyqtarëve të tyne kam me pushue i dispruem në vetmi e në harresë.
      Kritikët e pa kriter janë zgjatë, para syve të hapun mbi mikroskope, përmbi këto vjersha, e shterngue në duar pincat e prehuna farka Ballkano - Anadollake, kanë me hulutmue nder to bakteret e celulat e infektueme, e tue rrahë me shplakë të mëdhaja koshtë e veta tulake, kan me lëshue me një za të shqyem thirrjen: Ruajuni prej këtyne shprehjeve imorale e antishoqnore, pse kte mund të mutrojsin zemrat e pastra të popullit të tij! E të kënaqun për këtë vendim kan me pritë me buzëqeshje e levdata të hjedhuna prej xasave të  diplomuem nëpër rrugina të drejtorinave të arsimit.
      Opologjisti fetar, automoralisti i frymëzuem prej kensit, të cilin e ka sendergjue aj vetë në kundërshtim me të vërtetat ungjillore, tue ngërthye vetullat e trasha, e gjen helmin e pakenun në prëshkrimet e jetës së njëmendët, e i mësuem si asht me numru pika e presa nder shkrime të shenjta, i zgjatë gishtat me thoj të papreme e vizatë me to fjalë e thanje, tui shqiptu ngultas me autoritet që nuk ka gjashtërrokëshin gjygjsuer, e i kënaqun për ket vendim ka me çue sytë e përlotun kah qiella tue mendue, se kjo prej sërralli do të shesë bekimi të paqtueme. Femna e mbajtme me mendemadhësi kryeneçe, virgjin e infektueme me virusin e sfilizit ndër të rrokme të padame seksuale skutave, ka me shterngue ndër gishtat e zverdhtë stilografin e bukur e me ta ka me firmosë gjykimin për këto vjersha: Tepër pesimiste, shkaktojnë çrregullime në jetën e sotme shoqnore dhejanë kundra moralit popullor. E po atë stilograf “Made in Peking, China” ka me i dergue kaçurrelit Lysien një biljetë të perfumueme me kokainë per një rende - ous notet në skutën pranë Gripit në Parkun e Madh.
      Për rreth tryezave ovale të zbukurueme me mbuloje plasmasi për mes saksijave të vogla laracike lulesh të zbeta serrash ballkanike shtri profesorat e pa të njëmendtë kulltukë të butë nder anda shumëcopash t’Universiteteve e t’Instituteve  të larta, kna me i sjellë nëpër duer tanë lesh, këto shkrime e si Rabinët e Synedrit t’Israelit kna me lshue denimin mbi to tue përsëritë me shoshojnë vikamën “e kajfasit: Ouditis blasphemin! e: ç’nevojë kemi per dëshmitarë të tjerëe, e unë i harruem prej të gjithëve, miqve e shokëve, mbas sa mundit e djerset, do t’i shtrohem vendimit të tyne, pse rrogat e majme u hapën ktyne tager dhe të drejtën mbi gjithçka, e sherbimet e bame të mdhajve janë tituj akademika të mjaftueshëm me i vue mbi tjerët. Fjala e tyne është hyjnore, vendimi i tyne asht i padiktim, e këta ba zeusa bumbulluesa qëndrojnë fatlum tui da gjygje tui pre vendime nder shkulme të reve të prarueme prej rrezeve të Apollit mbi kreshta t’Olimpit shqiptar, e ofshe për të mjerët, po ba me ju mbush mendja me i flakrue rrfenat e veta ditunore mbi krenat e atyne, që nuk u bindën urdhnave e vendimeve politiko - shkencore.

***

      Nën hijen e skelave të nalta, mbulue prej pluhnave të çimentos e të tullave, punëtorët e zheluem, të pikalosun ndër flakë e vetulla me sterpika gelqere, ndigjojnë me vëmendje spjeguesat e vjershave të pandijme ndonjë herë... e u bajnë me ditë se detyra e tyre asht me bajtë gurë e llaç: per ne daçin me i ngulë dhambët në ndonjë koje buket për vete e fëmijët e tyne.

***

      Këta grumbuj të rrasun njerzish, intelektualë e malokë, janë gjygjtarët e veprave të mija,... të nxjerrun prej shkollave o të diplomuem prej profesorave pa diplomë, janë zbatuesat e vendimeve, që gjygjtarët kanë lëshue, e atëherë unë do t’i qëndroj i patronditun e guximtar me i dalë zot vedite

***

      Por kush jam unë, që tui shkelë mbi botëkuptimin e krejt shoqnisë së tashme e të kalueme shqiptare guxoj me dalëkirurg, e kapë shoqninë per krahut e shqyej per dhuni nën thika të mprehta në tyrsen kirurgjike me i ba operacion, pe me i hjekë mullajt e qelbit e që nuk e lanë me marrë frymëe
      Jam lajmëtar i pandigjuem i të vërtetave hyjnore jam thirrësi me za të shkyem i drejtësisë, jam gjamtari i therorve të kushtuem prej fuqisë së të mdhejve e për më tepër e kam shpallë vedin mjek kirurg të sëmundjeve morale, të cillat e kanë infektue, ma tepër se kurr, këtë shoqni njerzore, e pa u topitë e pa neveritje mundohem me hjekë llomin e qelbsinen që kan mbulue dhen.
      Por tui shtrydhë këto mullaj qelbsinet a me njollosi qelbi tyne muee Tue iba shoqnisë njerzore operacione të flliqta, nder pjesë të infektueme, a u infektova unëe Tui i vue balsamin sherues a mu zhyen muee
      Jo. E vërteta nuk asht dhunë! lakuriqësia nuk asht imorale! njimendesia nuk asht poshtenim!, por njerzit e pa kulturë të njëmendet janë imoralë të mbuluem me dhuni e të poshtër, ku nder këto shofin vetëm kënaqen shtazarakë e shfrimin e nepseve të veta.
      Mjeku specialist i sëmundjeve venerjane, para se të vërtetohet në se varra asht e shkaktueme nga spiroketa palida o nga gonokoket domemos, do ti hapë sytë e do ti shtijë gishtat në plagë, e për këtë kërkuej nuk i shkon mendja me e quejt mjekun imoral e të dhanun mbas veprave shtazarake me i vikatë botës t ëruhet prej tij.
      E pse atëherë mue vargu qesharak i pedantëve e i pseudoletrarëve do të më thërrasin pershkruesi i shtyem i imoralitetit, mbasi unë me përshkrimet e mija zbulova sëmundjet imorale të shoqnisë njerzore e ja qita në dritë e në diell varrët e shpirtrave të këtij kensit, që mbahet shpirt e asht shtasë, mbahet i bukur dhe asht i përçudun, mbahet i shëndoshë dhe asht i mbuluem me mullaj dhe dregcae
      Unë krenin e njeriut e mallkova dhe mallkimi im asht i vetmi barë që e shëron ma sëmiri. Posë mizorisë së tij, bërtita në kupë të qiellit që të merreshim vesht njerzit e drejtë e të ruheshin e kjo britmë asht karantinë e domosdoshme me ruejtë pjestë e shëndoshta të shoqnisë. Zbulova nepsin e qita në shesh ndyesinën shpirtnore, të këndueme prej kangtarëve shtazarakë, si dahuni natyret, e me tallje sarkastike lëvdata therëse i vueme gazin, e këto tallje dhe ky gaz janë i vetmi mjet, që mund ti frenojë prrjet e njeriut shtasë.
     
***

      Vallë tash kanga e qokthit, vaji i qyqes, vallet e bylbylave, gungatjet e pëllumbave e krrokjet e korbave bashkë me gurgullimën e gurrave e fishkullimet e erës janë monotonee
      Kanë thanë të vjetrit se vetëm gomari nuk i shijon vallet e natyrës, vetëm veshët e tij, megjithse të gjatë, nuk i ndijnë tingujt e kangëve të shpendëve as jehonet e rrjedhave të përrenjve.
      E po atëherë çka mund të bajnë njerzit, që edhe ky të hijnënë varg me të tjerëte A mund t’ja ndërrojnë vallë natyrën e me ba që edhe ky ti ngreho veshët sa herë të jehojnë ndonjë tingull sado i largët; e gomari të përkundë kokën në shenjë pëlqimi me veshë të ngrehun tui, shiju kangët e vallete

***

      Heu poshtërsi njerzoree I verbti bërtet se të gjithë kan verbue e se shofin dritën e diellit; shkjepani  tue perdredhë ma tepër shan shokë që ecin drejt; i fëlliqtë mbyll hundët e bërtet se e qelbën të tjerët e nuk e shef veden ba shtrekt tanë trupi; kangtari me një za kakofonik gervallet tue përbuzë zanat e tjerve, pa kujtue se me zanin e vet, në mos tash sado vonë bahet gazi i shoqnisë, pse e vërteta, e mira e bukura megjithëse të salvueme e të nëpërkambuna e çilin vetë udhën e dikur do të vehen në krye të vendit.
      Por unë pse i ve këto shënimee Ç’më duhet mue shoqnija e sotme shqitpare e shitme të huejve, shtrue nën thuper të fuqishmit...
      Jo e per njimend jo. E çpalla vedin gjygjtar të paanshëmn per shoqninë njerzore që kje, asht e ka për të kenë.
      E kjo botë shqitpare gjysmake e qesharake nuk ka me pas tjetër përgjigje prej mejet vetëm këto gjashtë fjalë: Honi soit qui mal y pense dhe betohem se nuk kam me shkrue ma, veç kam me u strukë në një qoshe i vetmuem tue u tallë e u zgerdhi për vepra të saja.
Vjeshtë e parë 1967
Jak Zekaj

No comments:

Post a Comment