Raporteri Martin dhe Nils Holgersoni “Trafik truri” në “shtëpinë e ….Evropës?”

Edhe këtë dimër, Evropa e zbardhur nga bora priste surprizat e Babagjyshit të Krishtlindjeve e Vitit të Ri, por befas ai e theu mitin dhe u shfaq para kohe në selitë kyçe të Brukselit, për të dhënë një lajm të kobshëm: “UÇK-ja e shqiptarëve çante barqe serbësh dhe u shiste veshkat”. Blerësit mund të ishin kudo. Ja, daja i një gazetari izraelit që i rëndonte fletës së bardhë për të marrë shënime, mund të ishte një tregtar i zi potencial. Njëherë ai i pat rrëfyer për një udhëtim misterioz në atë që ai e quante vendin e shqiponjave. Edhe tezja e sekretares franceze sështë pa gjë. Iu kujtua që ajo vuante nga veshkat, i trembej vdekjes së saj, por pas disa kohësh u bë mirë. Njeriu me mjekër të bardhë, të cilit po i fiksonte në kompjuter çdo germë të raportit, po ia zbardhte enigmën. “Familja porositi dy veshka dhe tezja shpëtoi…Ja mu kështu duhet të ketë ndodhur”, -pëshpëriti pa zë. Virtuozët e pranishëm në sallë përpunuan skenarë e jetësuan regji filmash horror, sfidues për Hollivudin. Prokurori Martin u dha një dorë. Të lexonin librin “gjuetia” të koleges së tij në profesion, Karla Del Pontes. Gjëma kish ndodhur në një vend të largët për mendimet e tyre, por jo dhe aq në metra. Shtëpia e verdhë në Shqipërinë e plakut Katuçi, në vitet 1999-2000, strehoi terroristo-kirurgë. Turp për Evropën që se ndali masakrën dhe Amerikën që e lejoi. Thesi i dhuratave të fundvitit kësaj radhe mbante raportin e Dik Martit. Ky është versioni i tij, këtë dëgjuam të gjithë. Mikrofonat e kamerat u shuan, teksa dhomën e qendrës elitare të Evropës e pllakosi heshtja. Mbyll sytë një çast e imagjinoj impaktin e raportit tek të gjithë banorët e këtij kontinenti. Zemra e dobët e gjyshes malazeze lëndohet teksa mendon që kushëriri i saj serb mund të ketë pasur një fund të tillë. Luka, një vogëlush italian, u xhindos me këtë babagjysh mistrec. “Sa çudi, domethënë babai i Enkelejdit, shokut tim më të ngushtë, që është shqiptar, qenka vrasës i frikshëm?!”, - belbëzoi fëmija. Atëherë, për ta qetësuar vogëlushin italian po i tregoj një përrallë të bukur suedeze, që duhet ti kujtohet edhe sekretares franceze dhe do ti shuhet misteri gazetarit izraelit për udhëtimin e dajës së tij në Shqipërinë time. Në fillim po tregoj versionin origjinal të “Aventurave të Nils Holgersonit”. Ai ishte 14 vjeç, i biri i fermerëve të varfër, dembel abuzues me kafshët e fermës e familjes së tij. Një ditë Nilsi kap një krijesë mitike në një rrjetë, ndërsa familja, që ishte në kishë, e kishte lënë atë në shtëpi për të mësuar përmendsh kapituj nga Bibla. Nils refuzon ofertën për ta liruar dhe bëhet i vogël fare. Kafshët iu mblodhën afër të zemëruara dhe të uritura për hakmarrje. Ndërsa kjo po ndodhte, rosat e egra po fluturonin mbi fermë. Pata e bardhë shtëpiake Morten u bashkua me tufën e egër, teksa Nilsi u kap pas qafës së saj dhe bashkë me Carrot, mikun e tij brejtës, nisën udhëtim aventuresk në të gjitha krahinat historike të Suedisë. Ata ndeshen me shumë aventura dhe karaktere si dhelpra Smirre. Përgjatë udhëtimit shumë situata dhe karaktere, mes tyre kryesorja ishte Aka, prijësja e patave, e bënë Nilsin të mësonte për të ndihmuar njerëz të tjerë dhe të mos jetë egoist. Kështu, Nilsi mëson shumë dhe dëshmon se ka ndryshuar për mirë. Aventura mbaron dhe vogëlushi kthehet në shtëpi, pranë familjes dhe me madhësinë e tij normale. Vogëlushi italian Luka mund të pyesë: “Po çhyjnë këtu këto personazhe të aventurës së Nils Holgersonit me këtë xhaxhin reporter të KE-së dhe protagonistët e kësaj drame me therje njerëzish e shitje organesh?” Po ta shpjegoj në çast, kështu do ta kesh prapë shok të ngushtë Enkelejdin. Në fillim duhet bërë lidhja strukturore e logjike e të dyja fabulave, për tu dhënë më pas sensin e satirës e humorit, pa asnjë dashakeqësi dhe pa akuza, ashtu siç e meritojnë të trajtohen. Të paktën derisa të vërtetohen akuzat e raporterit Marti (ai vetë hetoi në 2003-shin e gjeti veç gjak bagëtish në shtëpinë e Katuçit). Kryeministri Berisha hapi dritën jeshile për hetime të reja, Presidenti Topi e mbylli reagimin me fjalinë: “Ky komb di të falë, por jo të harrojë”. Ndoshta e kishte fjalën për rreth 12 mijë shqiptarë të masakruar në spastrimin etnik të çetnikëve serbë dhe rreth 3000 kosovarë të zhdukur. Kryeopozitari Rama e quajti “sharlatan”, teksa kryeministri Thaçi premtoi së fundmi se tërë jetën e tij do tia kushtojë drejtësisë, për të hedhur poshtë akuzën si orkestrues i trafikut të organeve. Kështu që derisa Dik Marti të qetësohet nga makthi, po i them vetëm frazën e famshme të një filmi shqiptar: “Gërmo Tare, gërmo, aty kam fshehur gomarin e ngordhur!”). Le të kthehemi te Nils Holgersoni. Në fillim duhet thënë se raporti i Martit ka ngjashmëri të theksuar vetëm me gjysmën e aventurës së Nilsit. Dhe ja si ka ndodhur…

Nils Holgersoni (kombi serb dhe raporteri Martin) jetonte me familjen e tij (kombi shqiptar) dhe kafshët e zbutura të fermës (shqiptarët e Kosovës). Prindërit ishin besimtarë të devotshëm, kurse Nilsi djalë i prapët, sepse nuk i dëgjonte prindërit dhe sillej keq me kafshët e fermës. Që ta thjeshtoj përrallën, po rendis disa argumente të sakta historike... Prej mijëvjeçarëve kjo tokë popullohej nga ilirët, grekët e kombet evropiane, gjermanët, galët, etj. Në shek e parë pas erës sonë të parët e serbëve erdhën nga stepat ruse, ku gjermanët i detyruan të fushonin në veri të Danubit. Fisi Serboi mundi ta kalonte lumin në vitin 580 pas erës sonë dhe në shek. e shtatë pas erës sonë u ngulit në Kosovë. Apostujt botërorë ortodoksë, vëllezërit Circili dhe Metodi, në shekullin e nëntë pas erës sonë, u përhapën përmes kishave e manastireve në tokën e populluar nga dardanët prej qindra vitesh (përmendur nga Herodoti e Tuqididi). Në betejën e Fushës së Mëllënjave, në vitin 1389, Sulltan Murati i parë u vra nga një shqiptar, kur bashkë me serbët, bullgarët dhe hungarezët luftuan kundër turqve. Këtu u ngjiz edhe “miti kombëtar serb”. Pra, Nilsi (kombi serb e raporteri Martin) abuzonte me besimin e prindërve (kombi shqiptar) dhe me kafshët e fermës (kujtojmë masakrat e Raçakut, spastrimin e pastër etnik të mijëra shqiptarëve nga kasapi i Ballkanit, Sllobodan Millosheviçi). Nilsi kap një krijesë mitike në rrjetë dhe refuzon kërkesën për ta liruar e të merrte monedhën e artë (përpjekjet e vazhdueshme për influenca e strategji gjeopolitike të serbëve apo sllavëve) dhe kështu dënohet duke u bërë i vogël si kafshët (bombardimet e NATO-s mbi Serbi). Këtu Nils Holgersoni dhe dy miqtë e tij: patoku i zbutur Morten dhe brejtësi Carrot, nisin aventurën e famshme drejt vendeve historike të Suedisë (aventura e Nilsit është vetë raporti i Dik Martit, një shpifje e ulët për të denigruar kombin shqiptar). Por dhelpra Smirre (Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi) nuk i linte të qetë në aventurën e tyre. Më pas takojnë prijësen e tufës së patave, Akën (tufa e patave është Evropa, teksa Aka krerët e saj). I dashur vogëlush italian Luka! Përralla ime mbaron këtu, pasi deri këtu ka shkuar edhe aventura e Dik Martit. Raporti i tij, i miratuar nga KE-ja, kaloi për shqyrtim në sektorin juridik. Tashmë Nilsi ndodhet ende në fluturim… Nga përralla origjinale dimë që ai bëhet djalë i bindur, jo egoist dhe i dhembshur. Në fund kthehet në shtëpi. Të shpresojmë që edhe raporteri Martin dhe kombi serb të kompletojnë strukturën e kësaj fabule të mrekullueshme. Jam i bindur që hetimet e reja (sprovat e Nilsit për tu bërë djalë i mbarë) do të mbarojnë me sukses. Nilsi do të kthehet pranë familjes dhe kafshëve të fermës (pra serbët do të bashkëjetojnë me shqiptarët dhe Martin do përgënjeshtrojë akuzat), teksa tufa e patave do vazhdojë fluturimin ndër qiej (Evropa do të vërtetojë se kombet e lira kanë nevojë për ajrin e tyre).

MARIGLEN MULLAI

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri