REQUIEM PËR MIQTË QË NUK VDESIN DY HERË, HERËN E DYTË KUR HARROHEN

image 

  Lublin Dilja


















Me një karrierë tejet të spikatur në arsimim, njeri me cilësi të rralla qytetare dhe profesionale, i qetë, i matur, tolerant e i kulturuar, me aftësitë e një qytetari me formim të plotë akademik dhe intelektual, ishte nga pedagogët e parë që do të përfshihej në lëvizjen demokratike për ndryshimin epokal të shekullit shqiptar, shndërrimin e Shqipërisë socialiste në një Shqipëri demokratike, dhe njëkohësisht të bëjë të njohur botërisht çështjen e lirisë e të pavarësisë së Kosovës.
 
Nga Mëhill VELAJ
            Për ndokënd kur humb njerëzit e dashur ose miqtë, fillon sfida e trishtë mes ritmit të jetës e vdekjes. Sikush mundohet të gjejë fjalët për të lehtësuar dhimbjen e pikëllimin, por është tejet e vështirë. Gjithsesi miqtë e mirë dhimbjet e hallet i ndajnë me njëri-tjetrin, me njerëzit që i rrethojnë, sepse sfidat e jetës nuk janë për të ulur ritmin e saj, por janë për të na ndihmuar të njohim vetveten, miqtë dhe njerëzit e dashur që nuk vdesin dy herë, herën e dytë kur harrohen.                Kur humba mikun tim, njeriun që rrezatonte mirësi e fisnikëri, bujari e urtësi, inteligjencë e maturi, optimistin dhe humanistin, njeriun e dijes e të kulturës, të arsyeshmin e njerëzorin, diplomatin Lublin Dilja, ndjeva se krahët e shqipes kishin harruar të fluturonin për një çast.                                                                                                                               Megjithëse ka kaluar për më shumë se një vit që ai nuk ndodhet më midis nesh, ne kemi kontributin e tij, veprën e tij që merr vlerësim dhe rivlerësim. Lublin Dilja për mua do të mbetet etaloni i atdhetarisë, qytetarisë, patriotit që për çështjen kombëtare shqiptare e të Kosovës tonë kurrë nuk u lodh, nuk u dorëzua edhe pse sëmundja e rëndë kishtë shtrirë kthetrat në trupin e tij të imët. Me një karrierë tejet të spikatur në arsimim, njeri me cilësi të rralla qytetare dhe profesionale, i qetë, i matur, tolerant e i kulturuar, me aftësitë e një qytetari me formim të plotë akademik dhe intelektual, ishte nga pedagogët e parë që do të përfshihej në lëvizjen demokratike për ndryshimin epokal të shekullit shqiptar, shndërrimin e Shqipërisë socialiste në një Shqipëri demokratike. Është për t’u vlerësuar kontributi i tij në postin më të rëndësishëm të përfaqësimit të Shqipërisë, si një nga diplomatët e parë në SHBA-s, pas hapjes me botën demokratike. Duke iu përkushtuar kësaj detyre të rëndësishme me ndershmëri e maturi, ai arriti të forconte jo vetëm miqësinë mes popullit amerikan, por edhe bashkëpunimin e frytshëm në shumë aspekte të jetës e të shoqërisë shqiptare, me informimin dhe përpjekjet e tij, duke ftuar opinion zyrtar amerikan, duke ngritur zërin dhe duke kërkuar mbështetjen e padiskutueshme amerikane për të ndihmuar në zhvillimin e proceseve të brishta demokratike në Shqipërinë postkomuniste, pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike, si një pasardhës i diplomatit Faik Konica e Nolit të madh.                                    Diplomati Lublin Dilja, me përvojën e tij jetësore, i veshur me virtytet e atdhedashurisë, patriotizmit e të përkushtimit të tij ndaj kombit, dashurinë për tokën martire të Kosovës, do të ishte ndër ata diplomatë që do të ngrehte zërin e tij në favor të çështjes  së lirisë e të pavarësisë së Kosovës, deri në Departamentin e shtetit amerikan, kur komuniteti botëror e konsideronte Kosovën si pjesë të ish-Jugosllavisë dhe shumë pak e dinin historinë e Shqipërisë. Ai ia bëri me dije se Kosova e Shqipëria ishin Iliria, duke sjellë një natyrë të re në marrëdhëniet diplomatike. Bëri që gjendjes tejet të vështirë për kombin e trojet shqiptare t’i japë kahje pozitive. Edhe kur sëmundja po e afronte më afër vdekjes, Lublini merrte hapa të guximshëm, jo vetëm për ta përballuar sëmundjen, por edhe për të qenë i pranishëm dhe për të çuar përpara proceset pozitive të çështjes së identitetit shqiptar. Pjesëmarja e tij në një numër takimesh kombëtare e ndërkombëtare forcoi dhe rigjeneroi besimin e diplomacisë botërore për zgjidhjen sa më parë të cështjes së Kosovës dhe pavarësinë e saj.                                                                  Unë kam pasur mundësinë, si edhe shumë bashkëkombas të tjerë, të jem disa herë pjesë e këtyre takimeve, të cilat përbënin potencialin e besimit ndaj përkushtimit dhe kontributit të tij, qasje të kujdesshme në çështjen kombëtare në rrugë diplomatike, e njohur tashmë si një çështje e kompleksitetit të madh e dramatik, që duhej trajtuar me përgatije profesionale dhe kujdes të veçantë, për shkak të precedentëve historikë.                                                                                                                       Kur u zgjova atë mëngjes shkurti, nuk u besova veshëve për lajmin e hidhur që dëgjova, vdekjen parakohe të mikut tim Lublin Dilja, të njeriut të mirë e të urtë, të diturisë e diplomacisë, intelektuali i paepur për të mirën, të drejtën morale e njerëzore. Edhe pse për gati një dekadë bashkëjetoi me sëmundjen e rëndë, në fytyrën e tij të zbehtë kurrë nuk u shfaqën shënja dobësie e lodhjeje të karakterit e personalitetit të tij. Gjente forca morale e fizike për t’i përballuar. Nuk u dorëzua, por e sfidoi atë, duke vazhduar rrugën që të punojë për Shqipërinë e shqiptarët, për çështjen kombëtare. Ishte aty përherë si një përfaqësues i interesave të shtetit shqiptar, të diasporës dhe komunitetit shqiptaro-amerikan.                                            Lublin Dilja është shembulli i një politikani dhe diplomati shembullor që kurrë nuk u korit. Madhështia qytetare, njerëzore, intelektuale rrezatonte afër e larg, respekt e dinjitet, sinqeritet e dashuri, patriot e atdhetar, që rrallë ia gjeje shokun.                                                                                                                                                                         Teksa shkruaj këto rradhë, këtë requiem për njeriun e mirë e të mrekullueshëm, Lublin Dilja, sjell ndërmend historinë e lavdishme të popullit, përpjekjet, sakrificat dhe kalvarin e dhimbjeve e të fitoreve të popullit tonë, të cilin diplomatë, si Lublin Dilja, e sollën në vëmendje të kancelarive të botës, duke e vendosur çështjen shqiptare në bazën e të barabartëve të botës së qytetëruar e demokratike.       Humba mikun tim të shtrenjtë, të të gjithë shqiptarëve brenda e jashtë trojeve të Dardanisë. Sa herë e takoja, më bënte të ndjehesha krenar për mençurinë dhe urtësinë e tij, për forcën e inteligjencës dhe dashurisë njerëzore që transmetonte me fjalën e tij. Mungesën e tij e ndjeva edhe më shumë Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, për atë pavarësi që Lublini kontribuoi dhe nuk mundi ta shijonte se vdekja e pashmangshme e mori ndër kthetrat e saj dy javë para atij realiteti dhe ideali historik, të cilit diplomati i dha vitet e tij dhe vetë iku në amshim.                                                                                                                                                                      Jeta dhe vepra të diplomatit që vinte nga kërthiza e Shqipërisë, Elbasani, do të forcojnë akoma më shumë themelet e altarit të trojeve etnike.                                                  
Bacë, u kry! Ëndrra jote për pavarësi u bë realitet.                                         
   I përjetshëm qoftë kujtimi për ty, bir!                                                                                           
 Pusho në paqe, miku im!                                                                                                                             
 Amen!
Stamford, CT USA
Tetor, 2010
Kryeministri shqiptar duke firmosur ne kujtim te Diljes

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri