Shtypi perëndimor: Zhvillime rreth raportit të KE për Kosovën

Shtypi perëndimor: Zhvillime rreth raportit të KE për Kosovën

Në shtypin perëndimor analizohet raporti i Dick Martyt për Kosovën. Ky raport shihet edhe në kontekstin e problemeve që dalin në ngritjen e një shteti të ri.
FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG duke përshkruar raportin e Dick Martyt për Kosovën, ndër të tjera veçon: "Si burim shërbejnë ndër të tjera, siç thuhet, raporte sekrete, të lexueshme në internet të BND (Shërbimit Informativ Gjerman) dhe një studim i hartuar për Ministrinë Federale të Mbrojtjes, të cilat në substancën e tyre nuk janë shumë më tepër se përmbledhje të thashethemeve që qarkullojnë në Kosovë, të shoqëruara nga shënime, të cilat u referohen burimeve të tjera të shërbimeve të fshehta, ku citohen artikuj në medie".
Ngritja e shtetit kërkon kohë
Gazeta NZZ AM SONNTAG tërheq vëmendjen në numrin e së dielës se me gjithë dëshirat e mira një shtet nuk ndërtohet në pak vite: "Vendi mbetet ekonomikisht i rrënuar dhe politikisht një sistem klientelist i prapambetur. Dhe problemet e koordinimit midis ndihmuesve ndërkombëtare i ofrojnë qeverisë justifikime të mira për mungesën e progresit. Aktualisht është arritur pika më e ulët. Fituesi i zgjedhjeve në Kosovë, Hashim Thaçi karakterizohet në një raport të KE si kriminel; në zgjedhje duket se ka pasur falsifikime. Në perceptim, Kosova është bërë brenda një kohe të shkurtër nga vend i lirisë, në çerdhe cubash. Por të dyja këto pamje janë të gabuara. I drejtë është përfundimi, se shtetet, me gjithë synimet e menduara për mirë, nuk ndërtohen brenda vitesh, por për këtë duhen breza".
Ndërsa në numrin e së hënës, NZZ përshkruan metodën që përdor Dick Marty për të akuzuar, në këtë rast shqiptarët: "Kur Dick Marty paraqet një raport hetimor investigativ është për të pasur kujdes. I ngarkuari i posaçëm i Këshillit të Evropës nga njëra anë ka tendencë që t'i paraqesë evidencat rrethanore si dëshmi. Nga ana tjetër, anëtari i Dhomës së Lartë të Parlamentit Zviceran rregullisht nënvleftësohet nga të tjerët. Një raport mund të jetë përfundimi i një hetimi ose fillimi i tij, tha njëherë Marty në lidhje me burgjet e CIA-s. Raportin e tij të parë të publikuar në vitin 2006 për Këshillin e Evropës e panë me shpoti, kurse për raportin e dytë, në të njëjtin vit buzëqeshën. Ndërkohë, qeveria britanike i ka kërkuar falje Marty-t, kurse disa vende evropianolindore kanë ngritur komisione hetimore parlamentare.
Marty e quan metodën e tij "dialektikën e së vërtetës". E thënë troç: ai përpiqet në fazën e parë të hetimeve që të mbledhë sa më shumë material rëndues që të jetë e mundur, e dendëson të gjithën me pohime anonime të dëshmitarëve, shpall zbulime shokuese, ua dërgon projektin e raportit medieve të caktuara, qëndron i tërhequr dhe në kulmin e tensioneve del para kamerave dhe mikrofonave. Synimi i këtij ushtrimi: të ngrihet sa më shumë pluhur, në mënyrë që të lajmërohen dëshmitarë të tjerë dhe informatorë dhe të aktivizohen aktorë të tjerë.
Kur e pyesin për dhuntinë e tij, për të inskenuar raporte hetimore, ai tërheq vëmendjen jo për kohën kur ka qenë gjahtar i mafias në Tessin, por flet për një person: "Unë jam një admirues i madh i Steve Jobs." 65-vjeçari admiron talentin e shefit të koncernit Apple, për t'i mbajtur produktet kaq kohë të fshehura, derisa prej tyre të presësh mrekulli. Por metoda Marty ka një anë tjetër. Raporti i tij akuzon persona me emër, se kanë kryer krime të përbindshme, pa paraqitur dëshmi. Luftëtarët e UÇK-së, të cilët paraqiten me të padrejtë ose me të drejtë si kasapë, nuk mund ta çojnë në gjyq Martyn dhe as të vërtetojnë të kundërtën.
Kundërshtar i njohjes së Kosovës
Aq më e rëndë është kritika e kosovarëve, se Marty nuk është vetëm hetues, por edhe palë. Me të vërtetë, tesinasi, i cili është prej 15 vjetësh anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit, është shprehur në mënyrë të përsëritur me vendosmëri kundër një njohjeje të Kosovës. Ai u përpoq që ta relativizonte përfytyrimin e "serbit të keq" dhe të "kosovarit të mirë". Në Beograd ai gjeti vitet e fundit dyer të hapura dhe dëshmitarë të gatshëm për bisedime. Në Prishtinë, kryeministri Thaçi shpalli të enjten se do ta padisë Martyn.
Gjahtari i mafias, që ka marrë shumë dekorata, vepron për sa i përket punës së tij i vetëm. Marty i mbërthehet një rasti dhe nuk e lëshon më. Kur merr një mandat të ri, atë nuk e frenon më dot askush. Më parë ishin gjykatësit ata që vendosnin për vlerën e një materiali konfirmues, sot është publiku. Dhe ky publik nuk është i korruptueshëm".(dw)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri