Shuhet albanologu i mirënjohur hungarez Ishtvan Shyc

Flori Bruqi

Albanologu Istvan Schütz, i cili kontribuoi që letërsia shqiptare të bëhet e pranueshme për evropianët me përkthimin e disa veprave shqiptare, është përkujtuar në Prishtinë. Në kujtim të veprës së tij në fushën e letërsisë, akademik Rexhep Ismajli tha se me përkthimet e veprave letrare si romani “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Kadaresë dhe shumë veprave të tjera, ai ka bërë që letërsia shqipe të jetë pjesë e asaj botërore. Schützi ka hartuar dhe botuar edhe një dorëshkrim të vëllimshëm të gramatikës shqipe për hungarezë. Libri me titull “Libri i Gjuhës Shqipe” dhe ‘’Njollat e Bardha në Ballkan”, që u botua në vitin 2002. Istvan Schütz u lind me 27 mars 1923 në një fshat rumun në kufi me Hungarinë dhe u nda nga jeta me 27 nëntor 2010.

Istvàn Schütz (Ishtvan Shyc), një emër i mirënjohur në fushën e studimeve albano-ballkanologjike dhe në fakt, përfaqësuesi më i denjë i albanologjisë hungareze të ditëve tona u nda nga jeta në moshën 87-vjeçare, më 27 nëntor (u varros më 7 dhjetor) të vitit 2010.

Studimet albanologjike në Hungari, ngushtësisht janë të lidhura me emrin e Istvàn Schütz-it, i cili për 62 vjet më radhë, u mor me studimin e gjuhës shqipe. Ishte shumë këmbëngulës, kishte durim të jashtëzakonshëm dhe nuk u trembej sfidave debatuese, duke mos llogaritur se kush ishte emri me të cilin debaton, ai dha një 
kontribut të çmueshëm dhe të lëvdueshëm në lëvrimin e gjuhës shqipe.

I gatshëm për ndihmë për të dhënë konsultime, i papërtueshëm për saktësime të hollësishme, dashamirës dhe shumë mikpritës, profesori, siç e thërrisnim ne, do të mbetet në kujtesën tonë për këto veti të mrekullueshme.

Gjatë njohjes sonë shumëvjeçare me të, në takimet e shumta në Tiranë, Prishtinë e Budapest, asnjëherë nuk bezdisej me pyetjet e diskutimet tona. Nuk ishte e huaj, pos gjuhësisë dhe të gjitha disiplinave të saj, për të, as historia, etnologjia, folklori, letërsia, përkthimet etj., ku shquhej për një njohje të thellë prej eruditi, duke folur në një shqipe të pastër toskërishte, që ishte mjaft vështirë, për ata që nuk e njihnin, ta dallonin që nuk ishte shqiptar.

Istvàn Schütz lindi më 27 mars 1923 në një fshat rumun në kufi me Hungarinë. Duke qenë në kufi, shkolla e fshatit u kushtonte shumë rëndësi gjuhëve të huaja, si klasike, ashtu edhe moderne, kështu që djaloshi Schütz doli nga kjo shkollë me njohuri shumë të mira jo vetëm në hungarisht e rumanisht, po edhe në latinisht e frëngjisht. Gjatë Luftës së Dytë Botërore përfundoi ndër trupat francezë, duke bërë punën e përkthyesit, dhe pas luftës u vendos përfundimisht në Hungari ku vazhdoi studimet universitare për gjuhë e letërsi hungareze dhe latine.

Istvàn Schütz ishte 25 vjeç dhe sapo kishte mbaruar studimet e larta për gjuhë e letërsi hungareze e latine, kur ra në kontakt me studentët e parë shqiptarë që shkuan në Hungari, në vitin 1948, dhe që kishin nevojë të mësonin brenda një kohe sa më të shkurtër hungarishten (një gjuhë joindoeuropiane, me strukturë gramatikore tepër të veçantë). Meqenëse u duhej një profesor me të cilin të merreshin vesh në frëngjisht ose në italisht, Schützi u pranua menjëherë si profesor i hungarishtes, dhe ai filloi menjëherë nga puna, jo vetëm t’u mësonte atyre hungarisht, por të mësonte edhe vetë shqip.

“E kam mësuar shqipen si jevgu muzikën” – thoshte i ndjeri prof. Schütz kur e pyesje se si e kishte mësuar shqipen, dhe pastaj tregonte të gjitha peripecitë e tij për të mësuar një gjuhë për të cilën nuk kishte asnjë fjalor apo libër gramatike për ndihmë, por vetëm pasionin e tij të pamposhtur për të mësuar gjuhën dhe kulturën e një populli të lashtë. Fjala e parë që mësoi prej studentëve shqiptarë, tregonte Schützi në një intervistë para disa muajsh, ishte fjala qukapik. Në fakt, kjo ishte fjala e dytë pas fjalës mbret që e kishte mësuar gjatë studimeve të tij kur kishte bërë latinisht, ku profesori i latinishtes u kishte thënë që emri perandor në shqipe është rrudhur në mbret. Fjalën qukapik studentët e parë të Schützit nuk e kishin kuptuar në asnjë nga gjuhët e shumta që njihte Schützi, e atëherë ai e kishte vizatuar atë në dërrasë të zezë, e të gjithë kishin thirrur “qukapiku”. E kështu me copa letrash me fjalë shqipe nëpër xhepa, Schützi thoshte: “në vend të gjuhësisë fino-ugrike zura një dashuri për jetë me gjuhën shqipe, me letërsinë e me kulturën shqiptare”. Ishin pikërisht ato fletëza nëpër xhepa që me kalimin e ditëve dhe të muajve do të shumoheshin në qindra e mijëra, baza materiale mbi të cilën Schützi përpiloi fjalorin e parë shqip-hungarisht që u botua në vitin 1953 me kryeredaktor gjuhëtarin Lajos Tamàs, si botim i Akademisë së Shkencave të Hungarisë. Në atë kohë, fjalori i tij ishte i vogël, në krahasim me fjalorin disa-vëllimësh të hartuar prej Schützit e që pret të botohet, pra fjalori është në dorëshkrim. Ky fjalor i ri hungarisht-shqip, përmban mbi 80.000 fjalë, dhe ka rreth 1.700 faqe. Fjalori përmban edhe fjalë që shumë prej brezit të ri nuk i njohin më. Është pra një fjalor enciklopedik i gjuhës shqipe.
Krahas punës leksikografike, prof. Schützi ka hartuar dhe botuar edhe një dorëshkrim të vëllimshëm të gramatikës shqipe për hungarezë, dorëshkrim ky që në fakt duhet të botohej që në fillim të viteve ’60, por që u botua vetëm tani vonë. Libri me titull “Libri i gjuhës shqipe”, me format të madh dhe me një kapak të kuq me shqiponjën e zezë në mes, u botua në Budapest në vitin 2002 nga shtëpia botuese “Balassi”. Në 25 mësime, autori ka dhënë njohuritë gramatikore dhe një fond të mjaftueshëm fjalësh (rreth 4 mijë fjalë), që i japin studentit kompetencë të mjaftueshme për të kuptuar tekstet dhe për të folur shqip. Njohuritë për gjuhën këtu janë ndërthurur mjeshtërisht me njohuri për kulturën dhe qytetërimin shqiptar.

Prof. Schützi nuk i është ndarë kurrë mësimit të gjuhës shqipe për hungarezë, madje dhe për të huaj të tjerë të interesuar. Për shkak të rrethanave politike mësimi i rregullt institucional i shqipes filloi në fakt vetëm në vitin 1983. Në Fakultetin e Letërsisë të Universitetit “Lóránt Eötvös” [ELTE] në Budapest u hap një degë e mësimit të gjuhës shqipe, që mblidhte të interesuarit për këtë gjuhë, njerëz me motive nga më të ndryshmet, që përfshinin jo vetëm ato thjesht intelektuale për të njohur një kulturë ekzotike, por edhe emocionale të të rinjve e të rejave hungarezë të dashuruar me shqiptare apo shqiptarë. Edhe pse motive të tilla mund të mos zgjasin shumë, prof. Schützi arrinte t’i shndërronte ato në afatgjata, madje edhe në jetëgjata për disa prej tyre, siç tregonte edhe vetë. Veprimtarinë dhe përvojën e tij për mësimdhënien e gjuhës shqipe në Hungari prof. I. Schützi e ka përmbledhur në artikullin “Mësimi i shqipes në Hungari”, botuar në revistën “Gjuha jonë” e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2000, f.106-114.

Deri në moshën 67 vjeç, kur doli në pension, ai e ka zhvilluar mësimdhënien e gjuhës shqipe vetëm në kohën e lirë, si një dëfrim e si një pasion të vërtetë. Për të fituar jetesën dhe për të ushqyer gjashtë fëmijët e tij, ai ka punuar vazhdimisht në fushën e shtypit.

Krahas mësimdhënies së shqipes, prof. Schützi u lidh shumë edhe me folklorin e me letërsinë shqiptare, dhe jo vetëm me fjalët e urta të shqipes që i mbante gjithmonë në gojë, por edhe nëpërmjet përkthimeve në hungarisht. Që në vitet ‘50 studioi në radhë të parë folklorin shqiptar, duke lexuar të gjitha vëllimet e serisë “Visaret e kombit” që gjendeshin në bibliotekat hungareze. Ndërkohë, filloi të botonte përkthimet e para të letërsisë shqipe në hungarisht: më 1952 botoi Antologjia e poetëve shqiptarë, më 1957 një vëllim me përralla popullore E bukura e dheut, më 1960 novela Tana e Fatmir Gjatës; dhe më 1968 arriti të botojë një vëllim nga poezia popullore shqiptare me titullin “Po lulëzon shega,” të përgatitur që para ngrirjes së marrëdhënieve ndërshtetërore. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” u bë i njohur për lexuesin hungarez më 1972 nga përkthimi i tij, dhe kjo vepër u ribotua edhe më 1975. Më 1978 ai përktheu edhe një vepër nga gjinia e humorit: Karriera e zotit Maksut e Qamil Buxhelit për të cilin pati edhe shumë probleme politike. Më 1994 në vëllimin Öskönyv u botuan edhe gjashtë tregime të shkrimtarëve të rinj shqiptarë, përkthyer prej tij, dhe, më 1998, në një numër të posaçëm të revistës së përmuajshme Magyar Naplo, të Lidhjes së Shkrimtarëve Hungarezë, ai botoi një vështrim mbi lindjen dhe zhvillimin e letërsisë shqipe, mbi rrugën e saj të mundimeve gjatë diktaturës dhe mbi rimëkëmbjen e saj pas ndërrimit të regjimit; në këtë numër ai ka përkthyer edhe disa tregime e poezi të shkurtra, si edhe një intervistë të akademik Rexhep Qosjes për shqipen letrare të njësuar (marrë nga revista Universi shqiptar i librit). Magjia e verbit dhe e imagjinatës së I. Kadaresë e ka bërë për vete prof. I. Schützin dhe ai ka përkthyer e botuar esenë Eskili, ky humbës i madh; njëkohësisht po përgatitet përkthimi e botimi në Hungari edhe i disa veprave të tjera të I. Kadaresë.

Istvàn Schütz është marrë jo vetëm me gjuhën shqipe dhe me studime gjuhësore e përkthime, por edhe me historinë e popullit shqiptar, dhe ka botuar disa reagime ndaj tezave antishqiptare. 

Ka përkthyer në hungarisht veprat e Dritëro Agollit, Qamil Buxhelit, Mihal Hanxharit, Ismail Kadaresë, Fatos Kongolit, Petro Markos, Fatmir Gjatës,  Rexhep Qosjes, Ali Podrimjes, Brunilda Zllamit dhe Përparim Kabos. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri