Thesi me gënjeshtra i Dik Martit


Nga Fatos Çoçoli
Pretendimet e anëtarit të Parlamentit Evropian, zviceranit Dik Marti në raportin e tij për të ashtuquajturat krime të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në veçanti të Kryeministrit të sotëm, Hasim Thaçi, janë të vështira për t’u besuar, edhe nëse të gjitha rrethanat e hamenduara nga Marti do të plotësoheshin. Edhe sikur të supozonim se drejtuesit e UÇK-së donin të nxirrnin para me trafikimin e organeve jetësore të trupit të njeriut, për ta realizuar këtë, u duheshin kushte të posaçme. Nuk është e vërtetë që një veshkë e nxjerrë nga një trup njeriu mund të ruhet në frigorifer. Mjafton të pyesësh edhe mjekun më të thjeshtë. Në kushtet e shtëpisë së verdhë në Mat, ku pretendon Marti të jenë kryer nxjerrjet e organeve jetësore për trafikim, një veshkë në frigorifer të zakonshëm nuk do të jetonte as edhe 4 orë. Për të mos folur për zemër apo organe të tjera. Dhe në Mat nuk ka aeroport, ku veshka e nxjerrë të fluturojë në destinacionet që të japin para. Duhen tre orë rrugë për në Tiranë, pastaj për në aeroportin e Rinasit, si mënyra më e shpejtë. Nga ana tjetër, në Kosovë janë deportuar, marrë nga shtëpitë e tyre dhe zhdukur për në vende të panjohura në Serbi me qindra e mijëra shqiptarë. Familjarët e tyre i kërkojnë edhe sot e kësaj dite, duke dyshuar për varre masive në Serbi. Deri tani, nuk kemi dëgjuar një familje të vetme serbe të ankohet për djalin e vet-ushtar, të zhdukur në Kosovë. Që të kërkojë e të ketë të dhëna, sado të pakta, se ky ushtar i zënë rob nga UÇK, është deportuar në Shqipëri dhe pastaj vrarë, për t’ia shitur organet.
Për të hedhur pandehma duhet të paktën të kesh zëra nga ana e viktimës, z. Marti. Ishin me mijëra familjet e të zhdukurve në Argjentinën e largët në kohën e regjimit të kolonelëve aty apo në Kilin po aq të largët, në kohën e sundimit të Pinoçetit, katër dekada më parë, që kërkonin të dashurit e tyre. Dhe në bazë të këtyre kërkesave, u zhvilluan hetimet që zbuluan krime të atyre juntave ushtarake.
Një fantazi e sëmurë mund të bazojë në pandehma të paqarta një raport si yti, por jo një mendim i pastruar nga pasione dhe që synon vetëm gjetjen e së vërtetës. Në atdheun tim, në Shqipëri, media është e lirë. Do të ishte gjetur qoftë edhe një dëshmitar i vetëm për lëvizje të dyshimta të njerëzve të UÇK-së në Shqipëri në ato vite 1999-2000, të gjenocidit millosheviçian ndaj kosovarëve. Nuk do të mungonin informacione për grupe ose qoftë dhe emisarë të vetmuar që lëviznin me shpejtësi nëpër kalimet shqiptare të kufirit perëndimor, për të shitur mallin e shtrenjtë-organ jetësor.
Asnjë rast nuk është, të paktën raportuar nga dhjetëra e dhjetëra media të Shqipërisë, të shkruara apo elektronike, që zakonisht janë shumë të vëmendshme për çdo gjë në vendin tim të vogël. Janë denoncuar trafiqe të naftës që shkonte kontrabandë në veri të vendit, raste zhdukje personash edhe në zemër të Tiranës, me sfond konfliktin kosovar, por asnjë rast i vetëm trafiku organesh. Prandaj z. Marti, i ke servirur botës mbarë një thes me dëngla. Nuk ka pasur një zë të vetëm shtetëror apo publik, madje edhe nga institucionet përgjegjëse serbe, që t’i ketë bërë jehonë broçkullave të tua. Ato shumë shpejt do ta gjejnë vetë koshin e historisë, pse ashtu tërësisht të pabazuara në fakte apo dëshmi personash me gjak e kocka, janë të padenja për t’i konsideruara si llambushka të një të vërtete të fshehur.
Në të kundërt, ato nxorën në pah, në mos ndonjë gjë tjetër, fantazinë e sëmurë të një parlamentari evropian që bën prokurorin, pa e ditur se puna edhe e prokurorit më të thjeshtë është hulumtimi, gjetja e fakteve kokëforta. Me halucinacione të tipit Marti kauza e Kosovës nuk mund të lëkundet, as dëmtohet imazhi i shtetit më të ri të Evropës. Thesi me dëngla i quajtur raporti Dik Marti është tashmë pjesë e koshit të marrëzive politike.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri