Veprimtari Adem Demaçi: Të mos harrohet sakrifica e dëshmorëve

Veprimtari Adem Demaçi ka bërë thirrje të mos harrohet sakrifica e dëshmorëve të luftës. Ai të premten, në përvjetorin e 12-të të betejës së UÇK-së që ishte zhvilluar më 24 maj të vitit 1998 te vendi i quajtur te Tabet në fshatin Llapashticë të Podujevës, ka thënë se rikujtimi i bëmave historike është shumë i rëndësishëm.
“Beteja e zhvilluar këtu në fundvitin ’98 i sensibilizoi edhe skeptikët tanë edhe ata të Evropës se UÇK-ja është e gatshme që të sakrifikojë dhe të çojë përpara procesin çlirimtar që kishte nisur”, ka thënë Adem Demaçi.
“Nuk duhet mbetur peng i së kaluarës, por nuk duhet as të harrohet sakrifica e dëshmorëve. Rikujtimi i bëmave historike është shumë i rëndësishëm, sidomos tash kur Beogradi ka nisur të dërgojë emisarë në Zvicër dhe në vendet e tjera evropiane”, është shprehur ai, duke aluduar në raportin e Dick Martyt për “Shtëpinë e Verdhë”.
Sipas tij, nëse përpara populli ka qenë i gatshëm të sakrifikohet 10 për qind, tash është i gatshëm për 50 për qind.
“Populli nuk do të lejojë që dikush ta copëtojë Kosovën. Disa ‘bishta’ të sistemit të kaluar kanë ngritur krye nëpër media. E kaluara e personave të tillë mund edhe të falet, por atyre nuk u falet kur duan të ‘riciklohen’ dhe të bëhen pengesë për ecjen përpara”, ka thënë Demaçi.
Ai ka folur edhe për pakicat, siç thotë ai, që është për t’iu dhënë të drejta, “por nuk mund t’i kuptojmë persona sikur Rada Trajkoviqi, e cila nuk e pranon shtetin e Kosovës, por në të njëjtën kohë do që të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës dhe të marrë pagë nga buxheti ynë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, kryetari i Degës së Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Maçastena, ka theksuar se do të dështojë çdo përpjekje e atyre që synojnë që të vënë në dyshim vlerat e luftës çlirimtare.
“Dëshmorët e rënë në këtë betejë dhe në betejat e tjera janë shëmbëlltyrë për të ardhmen”, ka thënë Maçastena.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri