nga Alma Mile : Mit’hat Frashëri, një apologji për shqiptarët

I njohur si polemist, si njeri që nuk tutej të përballej me këdo, të thoshte hapur mendimin e tij, në vitin 1919, në Lozanë, një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë së fillim shekullit XX, ulet të shkruajë për cilësitë e shqiptarëve. “Shqiptarët” (“Les albanais dans leur pays et à l’etranger”) titullohet vepra e Mit’hat Frashërit (Lumo Skëndo), e cila vjen në shqip si pjesë e koleksionit “Memorie” të shtëpisë botuese “Zenit”. “Shqiptarët”, i përkthyer nga origjinali në gjuhën frënge nga Ferdi Tirana, është një lloj apologjie që mendimtari shqiptar i bën bashkëkombësve të vet, në një kohë të trazuar. Vende-vende mund të duket patetik, por kjo për një kauzë të drejtë. Është viti 1919, Shqipëria ka kaluar kohëra të turbullta në dy dekadat e para të shek. XX, copëtime territoriale, ndërrime qeverish, princër të dështuar, luftëra ballkanike e botërore. Dhe Frashëri merr përsipër t’u tregojë të gjithë atyre që shqiptarët i quanin “barbarë, të egër, etj”, se kjo nuk është e vërtetë. Dhe këtë e bën jo thjesht duke u bazuar në mendimin e tij personal, por duke cituar studiues, historianë, udhëtarë të huaj, që kanë kaluar në Shqipëri, apo kanë shkruar për të. Libri paraprihet nga një parathënie të Eugene Pittard, i cili e vlerëson shumë kërkesën që Frashëri i bëri aso kohe për të shkruar disa reshta për librin e tij. Në këtë libër të shkurtër Frashëri mundohet të vërë në dukje cilësitë më të mira të shqiptarëve, si nderi, sqima, solidariteti, etj, por nuk ka sesi të mos ngrenë krye edhe prapambetja, mentaliteti mesjetar, etj.
“I lutemi lexuesit të ketë pak durim për të na lejuar që të përshkruajmë këtu një pjesë të librit të Brailsfordit që flet për karakterin e shqiptarëve: “Ndjenja e nderit tek shqiptari nuk është krejt e jashtme. Ai mund të vrasë, pa e vrarë ndërgjegjja, nëse ofendohet, siç e pësuan në kurrizin e tyre oficerët turq dhe konsujt rusë, dhe nëse vrasësi, një i jashtëligjshëm i vetmuar, e konsideron këtë veprim si armiqësor ndaj fisit, ai do të luftojë deri në fund, më mirë se sa t’u dorëzohet autoriteteve. Ai është gjithashtu i përpiktë në fjalën e dhënë. Për ta mbajtur këtë fjalë, ai do të përballojë vetë çdo rrezik dhe fisi e ndihmon atë me çdo sakrificë. Është jashtëzakonisht mesjetare, pa dyshim, kjo ndjenjë nderi tek shqiptari; ka mizori dhe çmenduri gjakësore, por ka njëfarë dinjiteti të brendshëm të një shpirti kalorësiak...”, shkruan ai. Ndër të tjera ai i referohet mendimit të Frederik Gilbert, i cili në librin e tij “Vendi i shqiptarëve dhe historia e tyre” shkruan ndër të tjera se “ka midis shqiptarëve njerëz që kanë një aftësi kaq të madhe për tregti saqë mund të konkurrojnë edhe çifutët”. Mit’hat Frashëri na kujton edhe ca tradita të mira, që në kohërat moderne kanë filluar të zbehen. “Në Shqipëri nuk ndodh që një nënë, motër, hallë apo teze të braktiset nga njerëzit e vet. Gratë dhe pleqtë mbahen gjithmonë nga fëmijët dhe në mungesë të tyre nga nipërit, kushërinjtë, madje deri në një shkallë edhe më të largët ndonjëherë... Ky solidaritet i madh i familjes e shpjegon qartë solidaritetin e klanit dhe atë të kombit. Dy shqiptarë të krahinave të ndryshme dhe feve të ndryshme, që takohen jashtë shtetit, konsiderohen si vëllezër; ata do ët ndihmojnë njëri-tjetrin dhe do të ndajnë mes tyre deri edhe paranë e fundit. Në Shqipëri, grindjet lokale dhe hakmarrjet nuk e ulin këtë djenjë” thotë Frashëri. Ai e njihte mirë natyrën e shqiptarit dhe qysh aso kohe ai zbërthente psikologjinë e tij. “Për të vlerësuar më mirë aktivitetin e shqiptarëve, qëndresën e tyre ndaj lodhjes, këmbënguljen në punë, ata duhet t’i njohësh jashtë atdheut, atje ku puna e tyre çmohet më mirë. Shqiptari ikën jashtë Atdheut me lehtësi, jo se ai emigron, po ai shkon të kërkojë fatin gjetiu dhe është mbase ky eksod që pengon vendlindjen e tij që të kultivohet më mirë. Është gabim të mendosh se shqiptari kërkon jashtë një punë ku ai mund të përballojë shumë mundime. Viktor Berardi ka thënë plot frymëzim dhe me shumë arsye: “Bullgarët janë të shëmtuar dhe të zymtë... kostumet e tyre, pa hire e pa lezet, janë qëndisur në mënyrë të trishtuar me ngjyrë të gjelbër të errët dhe të zezë. Sa i bukur duket pranë tyre shqiptari me veshje të kuqe, tek vjen para nesh madhështor mbi kalin e vet, pushkën e vendosur anës shalës, me një pamje prej fitimtari dhe me ecje prej zotnije. Ai vjen nga Korça dhe pa asnjë pasuri tjetër veç pushkës dhe trimërisë shkon të kërkojë fatin në Stamboll. Ai do të bëhet zaptije, prefekt, ambasador, mbase vezir i madh dhe kudo do të mbajë rangun e vet”.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri