Prof. Dr. Adem Zejnullahu(, Rrënjë e Degë, Tiranë,2008, f.257.)

Degët larg trupit i thyen era






Mërgimi ndër shqiptarëtnjihet si plagë e vjetërkombëtare, e cila asnjëherë nuk arriti të shërohej. Për kurbetin shekuj me radhë është kënduar në poezinë popullore, është rrëfyer në kallëzime popullore dhe janë shkruar forma të ndryshme të zhanrit letrar. Qe pesë shekuj në poezinë popullore, lirshëm mund thuhet se askund, nuk mund të gjendet ndonjë varg që e lavdëron atë, përveç që e mallkon rëndë, ngase bart me vete barrë të rëndë dhembjeje, mallëngjimi, dramë jetësore që jo rrallë është shndërruar në tragjedi individuale, familjare e kombëtare. Deri tash për mërgimin janë kënduar shumë këngë popullore për nizamët, për kurbetin, balada popullore historike etj., janë shkruar shumë poezi, tregime, romane, drama të autorëve të shumtë, e janë bërë shumë filma etj.,që kanë për objekt trajtimin e lëngatës shekullore të kurbetçinjve tanë.

Që nga kohërat e hershme ka pasur migrime popujsh të ndryshëm, prej një vendi në një vend tjetër, të cilat kryesisht bëheshin për të mira materiale, duke pushtuar tokat e popujve më të dobët, nga më të fuqishmit, dhe duke marrë popullin e tyre si robër lufte për përfitime të ndryshme. Më vonë fillojnë lëvizje popujsh prej një kontinenti në një kontinent tjetër, prej një vendi në një vend tjetër. Kryesisht këto migrime bëhen për kushte më të mira jete e pune, ose për shkak të klimave më të përshtatshme etj.

Shpërngulja e shqiptarëve dhe paraardhësve të tyre për në vende të ndryshme të botës ka filluar shumë herët, që nga viti 167 para erës sonë, atëherë kur mbreti ilir Genti u mund nga forcat romake dhe me dhunë u depërtua në Romë nga konsulli romak Pal Emili, duke bartur me te edhe një numër tejet të madh banorësh të cilët i shndërroi në skllevër. Që nga ajo kohë e keqja si hije e ndjek pas popullin tonë.

Historikisht mërgimi te shqiptarët është bërë për shkaqe ekonomike, sociale dhe politike. Populli ynë me shekuj i robëruar nga të huajt, mbi të ka rënduar, veç barra e rëndë ekonomike dhe dhuna e pandërprerë e sunduesve, të cilët kanë bërë çmos që në trojet shqiptare të mos ketë shqiptarë.

Mërgimi, si e keqe kombëtare, fatkeqësisht nga mbarë trojet shqiptare po vazhdon edhe sot e kësaj dite, me intensitet të pa zvogëluar, nëpër vende të ndryshme të botës, duke e dëmtuar rëndë atdheun dhe imazhin e tij. Kjo dukuri ka marrë përmasa të mëdha shqetësuese e cila do shqyrtuar me seriozitetin më të madh nga qeveritë shqiptare dhe institucionet e tyre përkatëse, po qe se duam t'ia ndalim hovin, ose edhe ta zhdukim tërësisht.

Kohëve të fundit dëgjohen zëra intelektualësh të cilët edhe shkruajnë me përkushtim artikuj e vepra të ndryshme lidhur me këtë problematikë të ndërlikuar. Këta intelektualë, me angazhimet dhe shkrimet e tyre, mundohen që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë sado pak në ndaljen e kësaj rrjedhë të turbullt. Shkrimet dhe veprat e tyre ua tërheqin vëmendjen qeverive dhe institucioneve shtetërore shqiptare që të merren më seriozisht me këtë problematikë sa nuk është bërë vonë.

Në këtë grup intelektualësh, Sabit Alidema, zë një vend të rëndësishëm me veprën e tij "Rrënjë e Degë"( Mërgata dhe kujdesi ndaj saj). Ai deri me tash ka botuar edhe këto vepra: Dallëndyshet braktisën foletë e veta, 1958; Drangonjtë e Anamoravës, Prishtinë, 2003; Njeriu me shpirt të blertë, Tiranë, 2003; Meteorë Lirie, (Monografi për Halil e Teuta Alidemën), Tiranë, 2006.

Në veprën: Rrënjë e Degë, Sabit Alidema, mërgimin, gjegjësisht inkuadrimin e punëtorëve tanë të inkuadruar përkohësisht në botën e jashtme e kundron nga shumë aspekte, duke filluar nga shkaqet e mërgimit, dhunën institucionale të shtetit robërues serb, vështirësitë e shumta për t'i kaluar kufijtë e shteteve të ndryshme, vendosja e tyre, jeta dhe veprimtaria e tyre, gjeturia në vende të caktuara, e deri tek brengat, mallëngjimet, dëshirat, ëndrrat, revolta dhe synimet e tyre për t'u kthyer në atdhe. Pra, vepra në fjalë, ngërthen në vete të dhënat të shumta për mërgatën tonë, pa lënë anash kontributin e diasporës që dha për popullin dhe për Kosovën, deri te vërejta se tani këta duhet të merren më tepër me hallet e saj.

Titulli i veprës "Rrënjë e Degë", në mënyrë simbolike, paraqet rininë tonë e cila lë atdheun e vet dhe vendoset nëpër vende të ndryshme të botës. Struktura tekstore e veprës ngjesh në vete momente të rënda dramatike jetësore e historike, madje nganjëherë edhe tragjike. Vështirësitë me të cilat ballafaqohen kurbetçinjtë mund t'i dinë dhe t'i kuptojnë vetëm ata që i kanë përjetuar ato rrugë ferri dhe e kanë ngrënë atë bukë të mundit e të mallëngjimit.

Vepra "Rrënjë e Degë" përmban në vete shkrime publicistike, zyrtare, historike, fjalime me rastin e përvjetorëve të ndryshëm të figurave të shquara të kombit tonë, e veçanërisht rrëfime të drejtpërdrejta, të mara nga goja, jeta dhe veprimtaria e mërgimtarëve tanë nëpër mjedise të caktuara. Pra, ka këtu shkrime publicistike, kujtime, dialogë, shkrime në formë ditari, krijime artistike etj. Libri ndahet në tetë kaptina kryesore të cilat përfshijnë në vete një tematikë të nduarnduarshme, me disa nën kaptina të tjera të cilat e plotësojnë njëra-tjetrën duke sajuar tërësinë e veprës.

Këtij shkrimi të rëndësishëm i paraprinë një parathënie e autorit, në të cilën ai njofton lexuesin në mënyrë të hollësishëm për përmbajtjen e veprës, arsyet dhe shkaqet të cilat e kanë shtyrë që t'i rreket një problematike kaq të rëndësishme, por edhe të ndërlikuar. Deri më tash, askush nuk e ka trajtuar mërgimin në mënyrë aq të përkushtuar sesa Sabit Alidema me këtë vepër, i cili nuk ndalet vetëm në trajtimin e punëtorëve tanë të inkuadruar në botën e jashtme përkohësisht nga treva e Anamoravës, por këtë problematikë e trajton edhe në përmasa më të gjera të hapësirës gjithëkombëtare. Autori në këtë vepër i bën një analizë të gjithanshme mërgimit si dukuri dhe si plagë shoqërore e kombëtare. Vepra flet në mënyrë të vaçantë për kontributin e diasporës që ka dhënë me vite të tëra për rezistencën, qëndresën, përgatitjen dhe Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të vitit 1999.

Në kaptinën e parë: "Rrënjë e degë", autori me shkathtësi të veçantë depërton në mesin e bashkë atdhetarëve tanë, pa marrë parasysh moshën dhe gjininë e tyre. Ai më këtë rast zhvillon një dialog të zhdërvjelltë, duke provokuar vëmendjen, ndjenjën, fshehtësinë dhe nga ata merr atë që do ta shkruajë në letër. Sipas shkrimit të tij, ai arrin të depërtojë thellë në botën intime të mërgimtarëve, duke ua zbuluar fshehtësitë e tyre që i ndryjnë thellë në vete, siç janë dashuria për fëmijët, për prindërit, për gratë, për vendlindjet, për yjet e qiellit për Kosovën etj. Ata vuajnë që s'kanë mundësi të kthehen në vendlindje, aty ku çdo gjë që ka e s'ka shpirt i thërret, i fton e i do, ku kanë lindur, ku kanë folur gjuhën e nënës, ku janë rritur dhe ku kanë kujtimet më të mira në jetën e tyre. Shumë prekëse janë rrëfimet e mërgimtarëve kur ata shikojnë në vetmi qiellin dhe mendojnë, duke i bërë vetes pyetje - a thua a ndriçojnë këto yje edhe mbi shtëpitë dhe vendlindjen tonë të dashur?! Ka të tillë që deri vonë zhvillojnë dialog me yjet me hënën, me qiellin për fatin e tyre. Nga biseda që zhvilloi autori i kësaj vepre, jo pak vijnë edhe ankesa të ashpra drejtuar Qeverisë së Kosovës se nuk ka bërë asgjë për kthimin e tyre. Nga rrëfimet dhe kujtimet e mërgimtarëve, lexuesi mëson për momentet më të rënda në jetën e tyre, duke filluar nga ndarja me familje, farefisin dhe atdheun, të cilët në largësi u sjellin vuajtje mundim e mallëngjim....

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri