Prof. Dr Anton Nikë Berisha : RËNDËSIA E LETËRSISË ARBËRESHE PËR RUAJTJEN DHE PASURIMIN E BOTËS DHE E SHPIRTIT ARBËRESH




Gjuha arbëreshe dhe të folurit arbërisht ka qenë dhe mbetet përbërësi më qenësor i gjallimit dhe i ruajtjes së botës dhe shpirtit arbëresh nëpër kohë. Mirëpo, letërsia arbëreshe, gojore dhe e shkruar, po ashtu pati një rëndësi të madhe dhe luajti një rol të shumëfishtë për ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote. Themi kështu duke pasur parasysh faktin se letërsia arbëreshe është shprehje e botës, e mendësisë dhe e fatit të arbëreshëve; në të gjetën jehonë, po njëherit edhe përjetësim artistik në një nivel të lartë, dukuri të shumta, që i përcollën ata në rrjedhë të gjallimit për pesë shekuj, ç’prej kohës kur u shpërngulën nga atdheu dhe u vendosën në Itali.

Rëndësia dhe roli i jashtëzakonshëm i letërsisë arbëreshe u shprehën në forma e në rrafshe të ndryshme dhe në mënyrë të pandërprerë. Kjo lidhet së pari me vetë gjuhën, nëpërmjet së cilës u krijua kjo letërsi, komunikoi dhe bëri ndikim të shumëfishtë. Në qenësinë e tyre, veprat letrare arbëreshe, siç ndodh edhe me artin e fjalës në përgjithësi, janë struktura gjuhësore, mesazhe që shprehen nëpërmjet një të foluri të veçantë brenda gjuhës përkatëse. Pra, gjuha e veprave letrare, gojore ose të shkruara, është gjuhë poetike, të themi më qartë, të folur i zgjedhur që mundëson dhe shkakton një shqiptim më të ndërliqshëm të botës e të dukurive të saj dhe kushtëzon një komunikim të ngritur e më kompleks nga të folurit e zakonshëm dhe si i tillë është në gjendje të bëjë një ndikim më të madh estetik në marrësin, receptuesin. Teksti poetik si qëllim kryesor ka informacionin poetik, kumtin poetik. Ai ndryshon nga çdo tekst tjetër pikërisht për shumësinë dhe për pakufijshmërinë kuptimore që ka ose që mund të ketë. Këtë gjë nuk e kushtëzojnë vetëm gjuha e zgjedhur, leksiku i pasur, leksemat me nuanca e ngarkesa kuptimore të shumënduarshme, ngjyrime emocionale e tingëlluese (muzikore), por para së gjithash marrëdhënia e ndërsjellë e fjalëve dhe e kuptimeve të tyre të ndërlidhura e të varura mes veti si dhe me njësitë e tjera më të mëdha ose më të vogla të tekstit, që brenda sistemit përkatës bëjnë të veçantën po njëherit dhe tërësinë unike shprehëse poetike. Pra, siç do të thoshte Lotmani, “Teksti artistik, për çka edhe kemi mundur të bindemi, mund të trajtohet si mekanizëm që është i ndërtuar në mënyrë të veçantë dhe është në gjendje të përmbajë në vete informatë jashtëzakonisht të lartë të koncentruar.”

Duke e parë në këtë rrjedhë çështjen themi se letërsia arbëreshe luajti një rol të dyfishtë: me një anë mundësoi mbijetimin e gjuhës arbëreshe si element qenësor dhe, më anë tjetër, krijoi dhe pasuroi artistikisht botën dhe shpirtin arbëresh dhe kushtëzoi mbijetimin e tyre nëpër rrjedhë të shekujve. Kështu, ndodhi ajo që Karl Gustav Jung-u e theksonte me të drejtë:“...arti përfaqëson një proces vetërregullimi shpirtëror në jetën e kombeve dhe të epokave të ndryshme.”

Edhe njohësi më i zakonshëm i letërsisë gojore dhe i letërsisë së shkruar arbëreshe do të theksojë se këto dy shtresa të atit të fjalës u cytën dhe u frymëzuan nga bota arbëreshe, dhe në formën e artit të fjalës, të mesazhit poetik, iu kthyen po asaj bote, po atyre njerëzve, duke mundësuar një përafrim dhe një njohje më të gjithanshme të saj. Në këtë mënyrë, realiteti arbëresh, qoftë ai i kaluar, historik, ose ai i përditshëm, u shqiptua nëpërmjet strukturës gjuhësore të veçantë, nëpërmjet mesazhit poetik dhe si i tillë, si realitet i ri, që ekziston e funksionon nëpërmjet shenjave, përkatësisht fjalëve - tekstit, u bë përsëri pjesë e arbëreshëve. Së këndejmi, shndërrimi i jetës në tekst, siç do të thoshte Lotmani, nuk është shpjegim, por inkuadrim i ndodhive në kujtesën kolektive. Ky realitet i ri, i krijuar në veprat letrare, është një realitet tjetër, i veçantë dhe më i pasur. Ai nuk është imitim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë i jetës dhe i botës arbëreshe, po një shqiptim i ndërliqshëm i dukurive të saj, një realitet artistik i përftuar dhe i përshkuar nga uni e nga ndjenjësimi individual-subjektiv i krijuesve.

Këtë realitet shkrimtarët arbëreshë nuk e krijuan vetëm për kënaqësi vetjake, por para së gjithash për të tjerët, për njerëzit e tyre, të cilët duke kënduar, recituar ose lexuar veprat letrare, e njohën më mirë pikërisht vetveten, të kaluarën e tyre dhe realitetin e përditshëm. Fakti se kjo njohje arrihet nëpërmjet artit të fjalës, nënkupton njohje më të thellë dhe shumëfish më të rëndësishme. Për këtë arsye krijuesit arbëreshë, qoftë ata të letërsisë gojore, qoftë ata të letërsisë së shkruar, trajtuan çështje thelbësore, që lidheshin me gjallimin shpirtëror dhe me ruajtjen e etnitetit e të mendësisë arbëreshe, të gjuhës e të gjithë asaj që ishte qenësore dhe që ata e kishin trashëguar nga paraardhësit dhe shprehte botën e tyre.

Brenda artit letrar arbëresh letërsia gojore, me llojet e saj të ndryshme, pati një rëndësi parësore. Nëpërmjet komunikimit gojor, pra nëpërmjet veprave të “shkruara në mendje”, ajo bëri të mundur që të ruhej pasuria e madhe shpirtërore e trashëguar, përkatësisht e marrë me vete nga atdheu, Shqipëria, nëpërmjet së cilës (pasurisë shpirtërore) ata ia dolën t’i bëjnë ballë ndikimit dhe asimilimit italian dhe shuarjes si etnitet. Qëndresa shekullore që bënë arbëreshët përballë këtij asimilimi nuk ishte pasojë e vendeve të izoluara e të braktisura, ku ata u vendosën, po shprehje dhe fryt pikërisht i pasurisë së tyre shpirtërore e kulturore që kishin, që ruanin dhe që krijonin.

Për arbëreshët rol të veçantë luajti sidomos poezia gojore, e cila me format e shumta të shtjellimit dhe me sinkretizmin e saj (tekstin, këndimin, vallëzimin) jo vetëm transponoi e shprehu disa nga tiparet dhe cilësitë kryesore të botës e të gjallimit arbëresh: nderin e krenarinë, trimërinë e flijimin, fatkeqësinë e pësimin, pastaj ngjarje e dukuri të lashta, që në vetëdijen e tyre kishin marrë përmasa gojëdhënore e mitike, siç ndodhi me Motin e Madh e me kryetrimin, Gjergjin e Kastriotëve, Skanderbeun, por me gjerësinë e komunikimit dhe të ndikimit u bë pjesë e pandashme e gjallimit nëpër kohë. Në këtë poezi bota arbëreshe u shpreh nëpërmjet një strukture gjuhësore poetike të ngritur dhe kuptimisht të pasur dhe pikërisht si e tillë bëri ndikim të ndjeshëm estetik dhe kushtëzoi pasurimin e vijueshëm shpirtëror arbëresh. Pra, poezia gojore pati për botën arbëreshe një rëndësi të shumëfishtë dhe të përhershme për arsye se, siç vente në dukje me plot të drejtë De Dada, “kultivimi i së bukurës është kërkesa më e lartë e çdo vepre arti...Edukimi i shpirtit me të bukurën është një punë e lodhshme dhe e gjatë sa edhe vetë jeta” dhe se poezia, pra kënga, “zbulon dhe paraqet me qartësinë më të madhe dhe në mënyrë më të gjithanshme kuptimin dhe rendin e sendeve, ajo qëndron mbi artet e tjera reprezentative”1.

Me botën tematike, me mënyrën e shtjellimit gjuhësor-shprehës “si model i madh stili të thjeshtë, të kulluar, të fuqishëm”, me shumësinë kuptimore që del nga struktura e tekstit dhe e nëntekstit poetik, me funksionnimin sinkretik poezia gojore arbëreshe ishte dhe është jo vetëm dëshmi e trashëgimisë së pasur shpirtërore, por dhe e dashurisë ndaj njerëzve që e bënin këtë botë dhe ndaj atdheut, nga ishin shpërngulur të Parët e tyre.

Për të dëshmuar rrafshin e lartë shtjellues dhe shprehës poetik të poezisë gojore të arbëreshëve të Italisë, për të cilën do të flitet në punimin përkatës kushtuar asaj, po sjell vetëm dy pjesë nga këngët “Ligjërojnë di kunata” dhe “Mbeta mot mot më rrogë”, ku është përdorur një sistem i ngritur dhe i pasur i të shprehurit poetik, janë gërshetuar krahasime dhe metafora, të cilat, të njësuara e të ndërlidhura mes veti, funksionalizohen mjeshtërisht në tekstin dhe në tërësinë kuptimore dhe shprehëse artistike të krijimeve përkatëse.

Thoj e para, Dhriza e Bardh:

- Jam e mir më“ u se ti.

Kám anaka t'arëtaz,

kural' e margharitare

vëlus e mundashëra

ndër sënduqe, e kamarvet

kam kriate çë më gjegjënjin,

gjith çë m' i dha zot' im,

zoti jim e zonja mëm.

- Më“ e lum jam u se ti

(thonej jetëra kunat,

bardha bil je Misistratit).

Kam prë sqep qiellin me ilëz,

keza ime dielli,

kam për coh detin,

imi thron ë“ jeta e gjér,

tek rri zgjuat e, si dua, fjë“2.

ose

Mbeta mot mot më rrogë

prë një qenjezë“ të leshmë“ndafshtë.

Porsa bëra mot e monë,

u i lipa qengjezënë,

mua qenjenë s'm' e dhanë,

po më“ dhanë zgledhësinë,

zgledhësinë në trí-vo vasha:

njëzë“ e bardhë e njëze e kuqe

njëzë“ e zeshkë e hjeshë“me.

Jes t' e marr, jes të mos marr,

jes t' e marr të bardhëzë“në,

ishtë zborë e mua më ftohë“n;

jes t' e marr të kuqezënë,

isht zjarr e mua më djeg;

jes t' e marr të zeshkë“zë“në,

mua më nxin zë“më“rënë.

Ndon më ngrohën, ndon më ftohn,

u të bardhë“zë“në m' e dua,

se m' e gëzon zë“më“rënë3!

Pra, krijesa tekstore të tilla, që ishin trashëguar ose krijoheshin, të një rrafshi të lartë shprehës artistik, përcilleshin duke u kënduar prej një subjekti te tjetri, prej një brezi në tjetrin ose vallëzoheshin me raste të ndryshme dhe në këtë mënyrë bëheshin pjesë e pandashme e gjallimit të përditshëm dhe e pasurimit të vijueshëm shpirtëror.

Edhe veprat e letërsisë së shkruar arbëreshe patën një rëndësi dhe një rol të madh në ruajtjen dhe pasurimin e botës arbëreshe. Në rrafshin tematik dhe motivor, në disa elemente të qenësishme, veprat letrare të shkruara u ndërlidhën me veprat e letërsisë gojore, sidomos me poezinë, gjë që ndodhi edhe në rrafshin e shtjellimit të strukturës tekstore e të sistemit shprehës si dhe të komunikimit e të ndikimit në marrësin. Mirëpo, shkrimtarët arbëreshë me veprat e shkruara e ngritën dhe e pasuruan traditën letrare paraprake në shumë aspekte e përbërës, qoftë si mënyrë perceptimi e shqiptimi, qoftë si strukturë gjuhësore shprehëse poetike.

Ndërlidhja e fortë e shkrimtarëve arbëreshë me botën që i përkitnin dhe me traditën letrare gojore, ndodhi për dy arsye. E para: ata e njihnin mirëfilli këtë botë dhe veprat e tyre i shkruanin para së gjithash për arbëreshët si receptuesit kryesorë të krijesave të tyre letrare dhe e dyta: tradita letrare gojore arbëreshe ishte e pasur si art i fjalës, si sistem shprehës artistik. Për këtë arsye, poetët arbëreshë i krijonin shpesh veprat e tyre të shkruara mbi bazën e poezisë gojore, në mënyrë që ato të gjenin një pranim, një receptim sa më të gjithanshëm e më vijimor dhe të bënin ndikim sa më të madh në marrësin. Kështu, disa prej tyre, si E. Bazile, Z. Skiro, G. Dara (i Riu) veprat e veta të shkruara i shpallën të traditës gojore, pra të burimit gojor.

Ndërlidhjet dhe përkimet në disa pikë e rrafshe të veprave të letërsisë së shkruar dhe të letërsisë gojore arbëreshe dëshmohen edhe nga një dukuri tjetër e rëndësishme: pjesë të veprave të shkruara të poetëve arbëreshë si të De Radës, Zef Serembes, Françesk Santorit, Zef Skiroit, Jul Varibobës etj. u mësuan përmendësh nga arbëreshë dhe vazhduan të gjallojnë e të komunikojnë edhe nëpërmjet procesit të gojshmërisë, cilësi tipike e veprave letrare gojore. Në këtë mënyrë veprat letrare të shkruara, me anën e artit të tyre të madh, përmes mënyrës së komunikimit të dyfishtë, të shkruar e gojor, bënë ndikim të madh në ruajtjen dhe pasurimin e botës dhe të shpirtit arbëresh4.

Qëllimi i shkrimtarëve arbëreshë ishte që përmes veprave të tyre të shkruara, me një anë të ndikonin në zhvillimin e shijes për artin, për të bukurën, pra që ato të bënin një ndikim sa më të ndjeshëm estetik dhe të kushtëzonin e të ndihmonin në këtë mënyrë pasurimin shpirtëror dhe, në anën tjetër, nëpërmjet trajtimit poetik të dukurive të ndryshme të nxitnin e të forconin vetëdijen për përkatësinë e tyre etnike, dashurinë ndaj trashëgimisë shpirtërore, ndaj botës së tyre e ndaj atdheut të të Parëve, që tek arbëreshet mori një përmasë mitike.

Një përcaktim i tillë shprehet që në veprën e Lekë Matrangës, Dottrina Christiana - E mbsuame e krështerë, botuar më 1592 në Romë, që është një përkthim i veprës së jezuitit spanjol Ledesma. Me këtë katekizëm Matranga dëshironte t’u vinte në ndihmë arbëreshëve të Pianës, po dhe të Siçilisë, të Kalabrisë e të ngulimeve të tjera arbëreshe të Italisë, që të mësonin besimin e fesë në gjuhën e tyre.

Kjo përpjekje për ruajtjen e botës arbëreshe mori një përmasë më të ndjeshme në shekullin XVIII- të me veprimtarinë e priftërinjve arbëreshë të ritit bizantin: Nikollë Brankatit, Nikollë Filjes e Nikollë Ketës, të cilët bënë përkthime të tjera në arbërisht të literaturës liturgjike, po dhe vetë shkruan poezi me përmbajtje fetare dhe, duke i kopjuar, si dorëshkrime, i shpërndanin nëpër qendra të ndryshme arbëreshe, sidomos në kishat arbëreshe, ku ato bëheshin të njohura dhe komunikonin me një rreth më të gjerë lexuesish ose dëgjuesish.

Rëndësia e letërsisë së shkruar arbëreshe u bë më e gjithanshme në shekullin nëntëmbëdhjetë me veprat e Jeronim De Radës, Françesk Anton Santorit, Gavril Darës së Ri, Zef Serembes, Zef Skiroit e të tjerëve. Ajo mbërriti një rrafsh të lartë poetik dhe, para së gjithash, si art luajti një rol të shumëfishtë në ruajtjen e botës dhe në formimin e shpirtit arbëresh. Këta krijues, por edhe pasardhësit e tyre, pra poetë bashkëkohorë, vijuan të përftojnë vepra vlerash të rëndësishme, duke trajtuar çështje nga më të ndryshmet, që lidheshin, qoftë me të kaluarën e largët e të afërt arbëreshe, qoftë me kohën kur ata jetonin dhe krijonin. Shkrimtarët arbëreshë iu kthyen të kaluarës për arsye se, siç thuhet me të drejtë, ajo është pjesë e pandashme e jetës së përditshme; në secilën kohë e vend njeriu ngacmohet dhe është nën ndikimin e vijueshëm të së kaluarës, përkatësisht të vetëdijes historike të popullit e të kulturës që i përket. Së këndejmi, Thomas Elioti me të drejtë thoshte se e kaluara e përcakton në mënyrë të ndjeshme të tashmen, ndërsa Gadamer-i vinte në dukje se “Tradita nuk është vetëm një përmbledhje mendimesh e gjykimesh të njëpasnjëshme, po një e treta organike e potenciale, që aktualizohen e riaktualizohen në mënyrë të domosdoshme në çdo gjykim të ri.”

Duke trajtuar periudhat më qenësore të së kaluarës, në të vërtetë poetët arbëreshë synonin zgjimin e ndërgjegjes së njerëzve të tyre për të përditshmen, për çastin e gjallimit konkret, po edhe për të ardhmen. Kjo gjë përmbushej në mënyrë të veçantë duke trajtuar e përjetësuar artistikisht sidomos Motin e Madh dhe Skanderbeun, që shenjëzonin kohën e “asaj lumturie”. Veprohej në këtë mënyrë nga fakti se duke shqiptuar të kaluarën, ngjarjet, personat, luftërat dhe flijimet që bënë shqiptarët për ruajtjen e lirisë e të pavarësisë, po dhe legjenda e mite, që i përkitnin botës etnike, shkrimtarët arbëreshë zërit të kohës së tyre në të cilën jetonin, ua shtonin shumësinë e zërave e të përvojave të kohëve paraprake të botës e të paraardhësve të tyre, të ngjarjeve e të ndodhive në të kaluarën, që e kishin cilësuar botën gjithëshqiptare. Kjo shprehet në mënyra të ndryshme në veprat e De Radës, Skiroit, por edhe të poetëve bashkëkohorë si Vorea Ujko, Lluka Perrone, Zef Del Gaudio-s e të ndonjë tjetri. Pra, pikërisht nëpërmjet poezisë – këngës ata shprehen qëndresën e njerëzve të tyre në kushte të vështira, duke krijuar kështu realitetin përkatës shpirtëror, si formë e qenësishme e qëndresës dhe e mbijetimit: Shekujt kanë kaluar / nën qiej të flakët / kanë kaluar shekuj / nën akullin e voresë /e ti i barabartë /si një tokë që pret. /Ke gjetur këngët /përtej jetës së ditëve /ke gjetur malet /ku shkëlqei lumërua /ke gjetur vallet /ku ndrit trimëria /dhe vazhdon /tue mbyllur në sy /ëndrra të mëdha (Këngë arbëreshe VIII)5.

Nëpërmjet trajtimit të atdheut të të Parëve, të trimërisë, të nderit, të besës, pastaj të personaliteteve të rëndësishme nga e kaluara, poetët gjakonin që t’i vetëdijësonin arbëreshët për të ruajtur edhe më tej gjuhën, doket e zakonet e trashëguara nga të Parët, mendësinë, kulturën dhe artin e tyre. Kështu kujtimi i atdheut bëhet nëpërmjet formave të ndryshme, edhe nëpërmjet valleve e këngëve, si del në këtë pjesë të poezisë “Vallet këndojnë Arbrinë” të Lluka Perrones: Sëmenatë shkepti dielli /e gjërat duken më t’shkëlqyera./Vallet me t’bukura kopile /dualltin e këndojnë Arbrinë./Dhe mua hidhërimi /sot s’më tërbon6...

Mirëpo, nëpërmjet veprave të tyre, krijuesit edhe i kritikonin njerëzit e tyre për pakujdesin që tregonin ndaj botës arbëreshe, për pasyçeltësinë e për zotimin e tyre jo të duhur për ta ruajtur atë botë; theksonin “vetëdijen e fjetur”, ose siç thoshte Dhimitër Kamarda, “të pafatën gjindje arbëreshe”, të keqen si dhe tragjikën që arbërorët dhe arbëreshët ia sollën vetit jo një herë dhe jo vetëm në një kohë.

Kështu, Zef Skiroi, duke trajtuar të tashmen dhe të kaluarën arbëreshe e shqiptare, u drejtohej dhe i kritikonte arbëreshët e kohës së tij për mosveprim e për vetëdije të ulët etnike, duke u treguar rrezikun që u kanosej. Për këtë arsye rrëfimi poetik bëhet herë-herë i drejtpërdrejtë dhe merr ngjyrim të këshillës e të porosisë, siç ngjet në këngën e fundit Agullími të veprës së tij Te dheu i huaj, ku poeti kërkon që prindërit arbëreshë t’i edukojnë e t’i vetëdijesojnë fëmijët për botën e tyre, duke ua përcjellë, në formë amaneti, domosdonë e ruajtjes së asaj bote; të njëjtën gjë duhet të bënin edhe fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijëve të tyre.

Po të mbahij Arbëreshë

e te ruani gluhën tënë

me kujdes e me të dashur,

si një gjë të shêjtëruame,

si më t’mirën ngá të dhênat

e t’yn’ Zoti;e ashtu edhe veset

çë na lanë ata të parët7.

Kjo kërkesë mbështetet në faktin se shumë katunde arbëreshe ishin asimiluar e shuar dhe s’kishte mbetur asnjë gjurmë e tyre. Ngulimeve të tjera u kanosej i njëjti rrezik. Kjo del sheshazi në poezinë e Vorea Ujkos Unë kam shkuar, ku autori jep tablo të pazakonshme të katundit të mbetur thuaja pa njerëz, me shtëpitë pa emër e me rrugë të heshtura. Poeti shkon në katund se të ngarkoja trishtimin, në një gjendje kur koha (meqë katundi ngjan në diçka të vdekur) ka mbetur pa të nesërmen, gjë që shenjëzon se katundi ka mbetur pa njerëz, pa të rinj8.

Duke qenë të vetëdijshëm për këtë gjendje, intelektualët arbëreshë, pra dhe shkrimtarët, nëpërmjet veprave të tyre, gjakuan, si përmendem edhe më parë, vetëdijësimin e arbëreshëve për ruajtjen e botës e të shpirtit të tyre etnik, të gjuhës e të trashëgimisë së tyre, si thuhet poetikisht, për ruajtjen e rrënjëve. Kështu, në një poezi të poetit Zef Skiro Di Maxho-s, Laerti i përcjell të birit, Odiseut, qenësoren e gjallimit e të veprimit, siç vepruan e duhet të veprojnë përherë edhe arbëreshët.

Kërko t’i vizatosh tët bir

profilin e tokës sate

që ta mbajë ngulur në kujtesë

e ta dashurojë. Bëj që të kuptojë

se u përket shpirtrave fisnikë

ruajtja e rrënjëve të veta9.

Nevoja e ruajtjes së botës arbëreshe shprehet dhe në poezitë e përshpirtshme, ku poetët kërkojnë ndihmë prej Hyjit. Kjo ndonjëherë del fare konkrete, siç ndodh kur poeti, Zef Skiroi, i drejtohet Shën Mërisë Virgjër, që e emërton Mburojë e Shqipërisë - t’i ruajë ata, t’ua ruajë fenë dhe botën e tyre, pastaj gjuhën arbëreshe, me të cilën ata do t’i luten Zotit, ashtu si bënë të Parët e tyre dhe kryetrimi Skanderbeg.

ti, çë ruajte gjyshrat tanë

të mos zbirjën shêjten besë,

te ku ndodhen edhe janë,

Arbëreshvet kíj kujdes.

Sot edhe, si kurdoherë,

një dëshír ka zëmbra e jonë;

Arbëreshë e të Krështerë,

të qëndrojëm për gjithmonë;

Sa t’i falemi t’in’ Zoti

po me gluhën çë na dha;

po si falej Kastrioti

e gjëría ngá zbresjëm na10.

Kjo mënyrë e shqiptimit letrar artistik pati një rëndësi të madhe e luajti një rol të pazakontë për botën arbëreshe dhe për mbijetimin e saj.

Natyrisht punën që bëri dhe rolin që luajti arti letrar arbëresh e ndihmuan dhe e plotësuan edhe format dhe veprimet e tjera të shumta që arbëreshët bënë gjatë gjallimit nëpër kohë, sidomos doke e zakone të ndryshme të traditës, riti fetar bizantin11, pastaj shoqatat, revistat, publikimet, po edhe format e tilla siç ishin kongreset e gjuhës arbëreshe të organizuar nga De Rada në bashkëpunim me arbëreshë të tjerë.



1 Jeronim De Rada, Parime të estetikës. Në Jeronim De Rada, Vepra letrare 3. “Naim Fra-shëri”, Tiranë 1987, f. 276.

2 Anton Nikë Berisha, Antologji e poezisë gojore arbëreshe. Antologia della poesia orale arbëreshe. Transkriptimin e teksteve Françesko Altimari, Përktheu dhe rishikoi përkthimet Vinçenco Belmonte. Rubbettino, Soveria Mannelli, Catanzaro, 1998, f. 226.

3 Anton Nikë Berisha, Antologji e poezisë gojore arbëreshe, vep. e cit. f. 80. Shih më gje-rësisht për këtë në punimin Mbi poezinë gojore të arbëreshëve të Italisë.

4 Shih për këtë dukuri më gjerësisht në punimin për veprën e J. Varibobës Gjella e Shën Mërís Virgjër.

5 Vorea Ujko, Gërmime në dhimbje. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë Be-risha. Editrice “il Coscile”, Kozencë 1998, f. 129.

6 Lluka Perrone, Ujëvarë lotngrirë. Zgjodhi, shtjelloi dhe shkroi parathënien Anton Nikë Be-risha. Radhonjtë: Shkrimtarë arbëreshë 1, Kozencë 1999, f. 35.

7 Giuseppe Schirò, Opere IV. Te dheu i huaj (ed. del 1940). A cura di Matteo Mandalà. Rubbettino. Soveria Mannelli, (Catanzaro, Italia) 1997, Kënga IX, v. 180 – 185, f. 358.

8 Shih punimin Mbi disa qenësi të poezisë së Vorea Ujkos.

9 Giuseppe Schirò Di Maggio, Dove antico dollore. Dhembje e ngrirë. Scelta, note e intro-duzione di Anton Nikë Berisha. Quaderni di Biblos, Palermo 1998, f. 19.

10 Giuseppe Schirò, Canti Sacri delle colonie albanesi di Sicilia, Napoli 1907, f. 74 - 75.

11 Duke folur për rëndësinë që pati riti greko-bizantin për arbëreshët, Françesko Altimari thekson ndër të tjera: “Është e njohur që në të kaluarën, duke filluar nga koha e vendosjeve të para në Itali (shek. XV – XVI), gjuha arbëreshe dhe riti fetar greko – bizantin paraqitnin dy instrumente themelore të vetidentifikimit dhe tiparet e veçanta të identitetit vetjak etnik për të gjitha komunitetet arbëreshe.” Shih, Francesco Altimari, Studi sulla letteratura albanese della “Rilindja”. Quaderni di Zjarri, n. 11, Grottaferrata 1984, f. 84.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri