Dëshmi e krimit të organizuar dhe gjithëpërfshirës ndaj shqiptarëve


nga Akademik prof.dr.sc. Pajazit Nushi



Para veti kam veprën Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999 e dalë nga shtypi para pak kohësh dhe e botuar në dy vëllime me 1152 faqe.


Në këtë vepër në formë individuale dhe komulative jepen të dhënat e faktuara për humbje e zhdukje kapacitetesh njerëzore të të gjitha moshave, gjinive e kombësive në format më makabre që nuk kompensohen me asnjë formë dhe karakterizojnë një kohë ndër më të vështirat për Kosovën dhe, sidomos, për popullin shqiptar të saj.

Nga këto fakte arkivore lexuesi i kësaj vepre ose i pjesëve të kësaj vepre do të formojë një gjykim bindës se mendja njerëzore është shumë më fleksibile se ngurtësia e fakteve objektive që janë të parrëzueshme në çdo rrethanë, në çdo grup kushtesh e raportesh dhe vetëm si të këtilla ngelin në arkivat shtetërore.

Agjencia shtetërore e arkivave të Kosovës ka bërë punë të mirë që është marrë me saktësim të këtyre fakteve dhe të njëjtat do t’i plotësojë vazhdimisht duke krijuar dosje për të vrarët, të zhdukurit, të masakruarit, dosje për masakrat, për djegie pronash dhe asgjësim të ekonomisë së përbashkët të krijuar me mund, djers e gjak me vite, dekada dhe shekuj të tërë.


Arkivi shtetëror me këtë kryen detyrën e vet imediate duke u krijuar mundësi studiuesve shfrytëzimin e lëndës së arkivuar. Por, le t’i kthehemi përmbajtjes së kësaj vepre, që sot përurojmë.

Nga leximi i kujdesshëm i kësaj vepre mësojmë se iniciativa e përpilimit të një projekti për mbledhje dhe sistemim të dëshmive mbi konfliktin e armatosur në territorin e ish Jugosllavisë ka dalë nga Këshilli i Evropës që nga nëntori i vitit 2002. Por, për një projekt të përbashkët nuk treguan interes arkivat e disa vendeve federale të ish Jugosllavisë, kurse Kosova i ka hyrë kësaj pune pavarësisht nga qëndrimet e institucioneve shtetërore të vendeve të tjera.

Qëllimi i këtij projekti, siç thuhet në parathënie të kësaj vepre është: ‘’ ...prezantimi i fakteve, që paraqesin dokumentacion për krimet e Serbisë në Kosovë gjatë viteve 1989 dhe 1999 dhe të periudhave të mëhershme, të cilat i kanë paraprirë këtij krimi’’.

Për këtë qëllim ekipi i angazhuar ka arkivuar lëndën e duhur nga kuvendet komunale, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, nga Grupi Ndërkombëtar për vlerësimin e dëmeve dhe të shkatërrimeve të luftës të Komisionit Evropian për Kosovë, nga Fondi për të Drejtën humanitare dhe nga disa organizata e institucione nivelesh ndërkombëtare, shtetërore, komunale dhe nivelesh të vendbanimeve.

Grumbullimi, stratifikimi ose shtresëzimi i fakteve dhe përpunimi i tyre i është nënshtruar standardeve arkivore ndërkombëtare. Duke pas për bazë qëllimin hulumtues dhe standardet arkivore ndërkombëtare lënda e këtij hulumtimi është sistemuar sipas karakterit të krimeve. Lidhur me këtë lënda është ndarë në vështrim të dëmeve të mëdha në kapacitete njerëzore, ku flitet për dhunime, tortura, trauma, për të vrarë, të masakruar, të pagjetur, të burgosur, të zhvendosur, të dëbuar dhe të depërtuar.

Ngushtësisht lidhur me dëmet e mëdha në kapacitetet njerëzore është përpunuar hollësisht lënda e dëmeve dhe e shkatërrimeve lëndore e materiale në nivel të të gjitha komunave dhe në nivel qendror. Në këtë mënyrë për herë të parë kemi paraqitje sintetike të dëmeve materialo-ekonomike dhe të dëmeve njerëzore me format e çrregullimeve të sjelljeve sociale dhe me forenzikë karakteristike të natyrës mjeko-ligjore.

Nga materialet e arkivuara mësojmë se dëmet materiale të luftës janë më të mëdha së që është menduar më parë.

U dëmtuan 100.389 shtëpi dhe 100. 1fshatra. Ndër objektet e dëmtuara ka komplekse objektesh të trashëgimisë kulturore, objekte të veprimtarisë edukativo-arsimore, shëndetësore, objekte të shërbimit publik dhe objekte ndihmëse. Autorët e përpilimit të kësaj vepre i kanë paraqitur të diferencuara dëmet dhe shkatërrimet si edhe efektet e tyre në 30 komuna të Kosovës, në vendbanimet dhe në fshatrat e secilës komunë të Kosovës.

Ja si duket tabela gjithëpërfshirëse e dëmtimeve dhe e shkatërrimeve të shtëpive dhe objekteve të tjera. (Tabela nga fq. 469 e librit 2). Nga këto të dhëna dallojmë karakterin e përgjithshëm dëmtues e shkatërrimtar të ndërtimeve të Kosovës. Vlerësimi financiar ende i karakterit preliminar llogaritet të jetë 10,830.073.00 €(Euro).

Dëmet dhe shkatërrimet e kapaciteteve prodhuese në bujqësi e blegtori, në industri, në xehetari e metalurgji, etj. do të përpunohen në botim të veçantë nga ana e institucionit’’Agjencia shtetërore e arkivave të Kosovës’’. Disa nga këto komplekse shkatërrimtare janë paraqitur të përpunuara edhe në botime të veçanta në gjuhë të huaja, por tërësia e tyre, gjithsesi duhet të përpunohet dhe të botohet së paku vetëm në anglishte.

Autorët e kësaj vepre kanë gjurmuat edhe rrënjët, shkaqet dhe pasojat e këtij krimi të rëndë dhe kanë ardhur në përfundim: ‘’Pushteti okupues serb,... me plotë paramendim aplikoi rrënimin e ekonomisë kosovare dhe shndërrimin e Kosovës në tokë të djegur duke ua bërë shqiptarëve autokton të pamundur ekzistencën dhe duke i dëbuar pasivisht nga vatrat e veta shekullore.

Lidhur me këtë përfundim dhe duke i komentuar të dhënat e faktet si edhe raportet kruciale ndërmjet tyre Këshilli redaktues dhe renesuesit e kësaj vepre përmbajtjen e saj e përdorin më tepër për të argumentuar karakterin e gjenocidit të konfliktit në Kosovën e viteve 1998 e 1999 pavarësisht nga titulli qendror, ku përmbajtja e kësaj vepre emërtohet me termin krim në kontekstin e titullit ‘’ Krimet e Serbisë në Kosovë 1998-1999’’.

Por duke mos u ndalur në këtë raport domethëniesh të termave dhe të koncepteve themelore për këtë vepër, përmbajtja e kësaj vepre i është përkushtuar më tepër dëmtimeve dhe asgjësimeve të kapaciteteve njerëzore gjatë luftës në Kosovën e viteve 1998 e 1999.

Në kaptinën kryesore të kësaj vepre është shkruar gjerësisht për burgosjet, dëbimet, depërtimet, zhvendosjet dhe eksodin e shqiptarëve përgjithësisht, për vrasjet në burgje, për vrasjet e inskenuara, për vrasje të fëmijëve, të të rinjve, të familjeve të tëra, për vrasje masive e për masakra dhe për të pagjetur, përkatësisht për të zhdukur. Këtu është vështir të bëhet fjalë për secilën formë të krimit.

Për këtë rast të kuptuarit e kësaj pjese të rëndësishme të kësaj vepre do të na mundësohet nga paraqitja e tabelës përgjithësuese për të vrarët, të pagjeturit dhe dëshmorët në Kosovë nga janari i vitit 1998 deri me 12 qershor 1999. (Ekspozohet tabela2.’’Të vrarë, të pagjetur dhe dëshmorë në Kosovë, janar 1998-12qershor 1999’’ nga fq. 470 e librit 2.

Format më të rënda të krimit ndaj njerëzimit u zbatuan ndaj popullsisë së Kosovës të të dy gjinive, të të gjitha moshave, të të gjitha shtresave të popullsisë dhe këto u zbatuan kryesisht ndaj popullsisë shqiptare, por edhe ndaj serbëve, boshnjakëve, romëve, hashkalive, turqve, etj.

Nga popullsia e 30 komunave me përbërje pjesëtarësh të kombësive të ndryshme, por me sasi strukturore heterogjene, përkatësisht të ndryshueshme popullsia e këtyre komunave i është nënshtruar vuajtjeve, vrasjeve dhe zhdukjeve në forma shumë të rënda pak të njohura në luftërat mëhershme. Këto fakte të pathyeshme dhe të padiskutueshme i japin krimeve në Kosovë karakter të krimit të organizuar dhe gjithëpërfshirës ndaj shqiptarëve në rend të parë.

Nuk është e tepërt edhe me këtë rast të thuhet se në vargun e këtyre fakteve dhe sistemit të kompozimit të tyre nuk duhet të kemi eksploziv ndjenjash dhe sulme agresive as ndaj raportit të Dick Martit, por të përgatitemi që në rrugëtimin e këtij raporti prej komisionit ligjor të të drejtave të njërit të Këshillit të Evropës ti furnizojmë anëtarët e këtij forumi me argumente të padiskutueshme për rolin e ushtrisë çlirimtare të Kosovës në mbrojtjen e thurjes dhe të asgjësimit të popullsisë shqiptare së Kosovës nga ana e ushtrisë, e policisë dhe paramilitarëve serb.

Në fund duke falënderuar përgatitësin e këtij botimi Prof.Dr.Jusuf Osmanin, i bëjë disa propozime për botuesin: Dokumentet autentike të luftës në Kosovën e viteve 1998-1999 dhe të pasojave të saja të arkivuara të botohen në vepër të posaçme, ku do të bëhej përkthimi dhe komentimi i tyre në gjuhë të huaj;

Disa nga dokumentet më të rëndësishme të luftës në Kosovë dhe të pasojave të kësaj lufte të lëshohen në qarkullim intermediatik bashkëkohor; Të bëhet përkthimi i kësaj vepre ose i pjesëve të saja në gjuhë të huaj, dhe të sajohet dosja e posaçme për të pagjeturit, përkatësisht për të zhdukurit dhe të plotësohet sistematikisht dosja e secilit prej tyre, sepse zhdukja e njerëzve dhe e gjurmëve të zhdukjes së tyre përbën karakteristikën kryesore të krimeve në Kosovë dhe formën më të rëndë të krimeve në Kosovën e viteve 1998-1999.

Madje, do të ketë mbetje mortore të të zhdukurve që do të zbulohen dhe identifikohen nga gjeneratat e mëvonshme.
Currently 5.00/5
12345

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri