Hiret e lavires


Nga: Ervin Qafmolla

Gerta, studentja prostitutë rrëfehet për MAPO: “Italianët janë më perversët dhe më parellinjtë”

Nuk është aspak siç e prisja. Zhgënjimi në vetvete e në çdo rast, është një element që e shndërron pasigurinë në ankth, dhe unë isha sakaq i pasigurtë, para se ajo të vinte. Tani ajo qëndron përballë meje dhe më sheh qetësisht në sy, si të ma lexonte skuqjen e fshehur përposh cipës së zbehtë të lëkurës. Ndihem disi idiot. Kemi veç pak sekonda që qëndrojmë kështu, duke lexuar sytë e njëri-tjetrit, tek mundohem të zbus panikun brenda meje...

***
Ajo erdhi në 10 fiks. Orari më i papërshtashëm për të lënë takim me një prostitutë. E veshur gati si punonjëse zyre përshkoi lokalin me një hap të lehtë, por të vendosur. Asnjë tik tekanjoz në lëvizje, as kërcitje takash – veç vithet i regëtinin në një vallëzim, njëherësh elegant dhe diskret. Ajo ishte dhe ndihej... e vëzhguar, shtatlartë mbi burrat e kruspullosur karrigeve. Flokët e gjatë ngjyrë gështenjë i vareshin lëshuar supeve, shikimi pyetës, teksa ia jepte sytë çdo mashkulli të vetmuar nëpër tavolina, para se të takonte shikimin tim. Një nënqeshje iu shqua që nga larg, tek lëvizi drejt meje. Cepi i përthyer me kujdes buzëve dhe sytë e errët të ulur përdhe, ishin krejt mimika që të bënte të dyshoje se diç komike apo cinike i përshkonte trurin tek afrohej. “Ti je...”, pyeti qetësisht, por pa pikëpyetje në fund. Tunda kokën, u ngrita dhe shtrënguam duart. Një shtrëngim i plotë, aspak delikat.

***
Jemi vetëm ne, të ulur përballë. Duhet të jetë rreth të njëzëetepestave. Është e bukur, shumë e bukur. Pret t’i bëj të njëjtat pyetje që i bëjnë klientët, kur pas orgazmave, të squllur si butakë i zgërlaqen në shtrat para syve. Ndaj dhe përgjigjet që pres duhet të jenë mekanike. E pyes për emrin. “Gerta, - thotë tek ndez një Marlboro; – nuk është se ka shumë rëndësi nëse është emri i vërtetë apo jo”, thotë në një gjuhë krejt letrare. Banaliteti qëndron në kontekst. Unë ngre supet. Porosit një kafe dhe falënderon kamarierin, i cili ka një lloj mirësjellje të përzier me kapadaillëk kur u drejtohet klientëve. Ajo e ndjek vëngër me vështrim tek ai largohet. Jemi ulur në “Grand Kaffe de Paris”. Lokali është relativisht i qetë dhe njerëzit flasin gjithashtu qetësisht. Muzika, aq e lartë sa për të kamufluar bisedën tonë.

- Sa kohë ke që e bën këtë punë?
- “Punë?! Ha ha! Kam ca...”
Më studion përmes tymit të cigares, duke mbajtur mes dhëmbëve majën e gishtit të madh. Thonjtë i ka veç pak të gjatë, pa manikyr. Kamarieri sjell kafen. Gjendem i gjithi brenda syve të saj të mëdhenj. Truku në fytyrë është thuajse i padukshëm, veç pak rimel dhe një buzëkuq i lehtë - më tepër i kafenjtë se i kuq. “Në fakt, punë është, pavarësisht si e quan”, thotë papritur.
Përzgjedhja e fjalëve dhe përdorimi i saktë i “ë”-ve nuk arrijnë t’ia fshehin plotësisht dialektin verior. “Jam nga Tropoja”, thotë, duke m’u zgërdhirë me pyetjen, e unë nuk di, nëse tallet apo thotë të vërtetën. Duket që situata e zbavit disi. Shkund cigaren dhe fillon të flasë shtruar. “Punoj veç me një njeri në natë dhe jetoj me dy vajza të tjera. Ato nuk punojnë... Kur shkoj, rri gjithë natën. Nata është te 100 dollarët. Kur kërkojnë gjëra të tjera shkon 150, me raste 200. Nuk i mbaj të gjitha vetë; i ndaj me një person tjetër”. Po flet për protektorin e saj, të cilin ajo preferon ta quajë “menaxheri”. Me sa duket, ai e trajton mirë. Tregon se është shumë e rrezikshme të punosh vetëm, pa mbrojtjen e askujt. “Nganjëherë njerëzit janë kafshë. E ngatërrojnë seksin me gjëra të tjera. Kurse unë përgjigjem vetëm për atë punë. Thashë punë apo jo?” Qesh me zë të lartë. I pëlqen të luajë me fjalët e veta dhe të analizojë të miat. Vihem në siklet.

Duhet t’i bëj pyetjen që ajo me siguri e pret: “Po pse e bën?” Qesh sërish, kësaj radhe më shumë me hundë se me kraharor. Pastaj bëhet menjëherë serioze. “Po ti pse e bën atë që bën?” Vetullat i harkohen për poshtë, duke formuar një rrudhë të vogël e të thellë mes syve. Kemi të njëjtin tip rrudhe në të njëjtin vend. I them se e bëj ngaqë më paguajnë dhe ngaqë më pëlqen ajo që bëj. “Mua nuk më pëlqen. E bëj ngaqë më paguajnë”, thotë pa m’i ndarë sytë. “A të ndodh ty në punën tënde që të bësh gjëra që nuk do t’i bësh, por detyrohesh thjesht ngaqë paguhesh?”, vijon, kësaj radhe pa më parë në sy. “Po, por është çështje rrethanash”. Pohimi im përgjysmë nuk i pëlqen: “Jo. S’ka rrethana. Ti zgjedh - unë zgjedh!”. Nuk mundem ta kundërshtoj. Ajo buzëqesh duke ulur sytë dhe tund kokën majtas-djathtas. “Jam prostitutë, jo kurvë”, thotë papritur duke fikur ashpër cigaren. “Kurvat janë tjetër muhabet, janë një lloj kafshe. Unë jam njeri”. Më pyet nëse kam të dashur. Mimika ime e çuditur nuk e kënaq si përgjigje. “Nuk po të pyes nëse bën seks. Të kesh të dashur është një gjë tjetër... është edhe fat”.

Jemi në cigaren e dytë. Fjalët e saj më mbërrijnë përmes një perdeje tymi. Muzika në sfond është orientale. Tani më duket shumë larg. Bën muhabet për meshkuj e femra. Bisedë sociale. E pyes për klientelën. “Nuk janë ordinerë. Shumica shqiptarë, por ka edhe të huaj. Nga të huajt, më shumë ka italianë. Ata janë edhe më perversët. Rrallë qëllon që të paguajnë çmimin normal. Kërkojnë gjëra për të cilat nevojiten më shumë para. Nganjëherë, ato që kërkojnë, unë nuk i bëj.
Do t’i dish? I sigurt që do t’i dish?”, pyet duke i lëshuar bashkëtingëlloret butësisht mes dhëmbëve. Tregon shkurt dhe shpejt. Më shikon për pak çaste në sy. “Nuk janë muhabete për t’u treguar në fakt”, thotë duke parë përqark. Më buzëqesh sërish, kësaj radhe më ëmbël. Nuk flet më. Nga fundi i lokalit, dy gra rreth të pesëdhjetave na shohin me dashamirësi, duke biseduar me njëra-tjetrën. Ndoshta u ngjajmë si çift. Në fakt, sipas ndonjë stereotipi romanesh – unë gazetar dhe ajo prostitutë – do të ishim çift ideal. Por, të kundruar nga jashtë, unë nuk ngjaj si gazetar dhe ajo, aspak si prostitutë.
Ervin Qafmolla

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit