2/24/11

"Rreth botës për 80 ditë" (1872)

Është një titull i thjeshtë dhe përshkrues. Po a e ka zanafillën vetëm tek ideja e Jules Vernes për librin e tij shumë interesant? Vetë autori francez është shprehur se ideja për librin i lindi teksa po lexonte një artikull të Tomas Cok, në lidhje me një udhëtim përreth botës. Nga ana tjetër ekziston një person, karriera e të cilit është shumë e ngjashme me udhëtimin 80-ditor rreth botës të personazhit kryesor, Phileas Fogg, dhe nuk do të ishte e ndershme ta lije pa përmendur një person të tillë. Ai është manjati amerikan i hekurudhave, me emrin George Francis Train. Ai lindi në vitin 1829 dhe e nisi gjithçka si një lundërtar që merrej me tregtinë e opiumit. Më pas shkoi në Britaninë e Madhe, ku futi në vend tramvajin e parë, i cili prej andej u përhap më pas si mjet udhëtimi urban në të gjitha qytetet më të mëdha të Evropës. Me pasurinë që grumbulloi, George u kthye në Amerikë dhe financoi hekurudhat e vendit. Pas atij realizimi, ambicia e tij ishte politika. Ai filloi fushatën në vitin 1869, me një ambicie të qartë: marrjen e presidencës së vendit. Në mesin e fushatës ai deklaroi se kishte ndërmend që të kryente një udhëtim rreth botës për vetëm 80 ditë, ose ndoshta edhe më pak. Udhëtimin e nisi nga Nju Jorku në fund të korrikut të vitit 1870, duke marrë rrugëtimin me tren deri në Kaliforni dhe në 1 gusht i hipi anijes për në Jokohama. Prej andej, në Hong-Kong, Singapor, Kanalin e Suezit dhe Marsejë. Në Marsejë pati probleme, pasi revolucioni e pengoi të shkonte më tutje. Atij iu kërkua nga revolucionarët të fliste në favor të tij, por gjërat nuk shkuan vaj dhe ai përfundoi në burg. Më në fund, pas një apeli për ndihmë, bërë nga media ndërkombëtare, arriti të lirohej, por jo para 13 ditësh, çka bën që objektivi i tij për një rrotullim rreth botës brenda një kohe të caktuar të mos realizohej sipas parashikimeve. Ai u kthye në atdhe në fund të dhjetorit, duke humbur nga afati 2 muaj. Gjithsesi, zgjedhjet presidenciale të vitit 1972 u fituan nga Ulysses S. Grant. Udhëtimi i tij nuk pati ndonjë jehonë, por tërhoqi vëmendjen e të famshmit shkrimtar i cili ishte në kërkim të temave interesante. Në fund të vitit 1870 ai e përpunoi idenë e udhëtimit të Phileas Fogg-ut dhe ia shiti atë në formë seriali tregimesh gazetës "Le Temops", që e publikoi në copëza të përditshme. Vetë Verne nuk e ka pohuar kurrë faktin që frymëzimi i librit të tij ishte nga udhëtimi i amerikanit aventurier. Vetë George jetoi deri në vitin 1904 dhe kreu edhe tri udhëtime të tjera rreth planetit, duke thyer rekordin e parashikuar dhe duke e përshkruar distancën për vetëm 60 ditë, pra në dy muaj. Në një intervistë shumë kohë pas botimit të librit ai e akuzoi Verne si "hajdut" të idesë së tij, për t‘i rënë botës në 80 ditë. Por për lexuesin që e ka shijuar dhe vazhdon ta shijojë udhëtimin e Phileas Fogg, pak rëndësi ka nga i erdhi autorit ideja. E rëndësishme është se ajo aventurë nuk humbi, por u përjetësua në një vepër të mrekullueshme.

No comments:

Post a Comment