2/8/11

Si e treti sëmundja shkrimtarin e madh Franc Kafka

Puna si detyrim, hierarki, formalizëm, ndiqte një aktivitet shkollor të dominuar nga figura autoritare e të atit, tregtarit Hermann Kafka, që donte për të birin, çek dhe hebre, integrimin maksimal të mundshëm me minorancën gjermane në Bohemi, që e mbështetur nga Vjena, dominonte aktivitetet ekonomike të vendit.
Si e treti sëmundja shkrimtarin e madh Franc Kafka





ARMIN TIRANA

Deri në ekspozitën e madhe parisiane lidhur me "Shekullin e Kafkës" në vitin 1984, raporti i shkrimtarit me botën e punës nuk ishte studiuar akoma sa duhej dhe në të vërtetë një prej gjashtë pavioneve të saj, "Sigurues apo Shkrimtar"?, kish qenë vendimtar për të demonstruar sesa e lodhshme kishte qenë jeta e dyfishtë e Kafkës, shkrimtar e nëpunës dhe sidomos sesi nga puna Kafka kishte nxjerrë pjesën më të madhe të dijes së tij për jetën. Puna si detyrim, hierarki, formalizëm, ndiqte një aktivitet shkollor të dominuar nga figura autoritare e të atit, tregtarit Hermann Kafka, që donte për të birin, çek dhe hebre, integrimin maksimal të mundshëm me minorancën gjermane në Bohemi, që e mbështetur nga Vjena, dominonte aktivitetet ekonomike të vendit.

Prej dëshirës së të atit, Kafka kishte frekuentuar gjimnazin shtetëror në qytetin e vjetër të Pragës, që ishte një prej gjimnazeve humaniste tipike në gjermanisht, nga të cilët monarkia habsurge nxirrte funksionarët dhe profesionistët: për të atin, regjistrimi i të birit në këtë shkollë përbënte një manifestim shkëputjeje nga etnia çeke dhe nga feja hebraike. Pas 8-vjetësh, Franz Kafka, dha provimet e maturës në korrik të vitit 1901. Përpara provimeve kishte menduar që të regjistrohej në Fakultetin e Letërsisë, por babai, gjithmonë vigjilent dhe autoritar, ia kishte kthyer mendjen. Filloi kështu një karrierë universitare të pavendosur dhe me luhatje. Fillimisht nisi studimet e kimisë me mikun Oskar Pollak, por dy javë më pas ishte regjistruar për jurisprudencë, por ku mërzitej për vdekje. Në verën e vitit 1902 u duk se donte të studionte historinë e artit e të gjermanistikës dhe mendoi ta linte Pragën, (tema e vazhdueshme në ekzistencën e tij, për më tepër e realizuar e gjitha në qendrën e vjetër të qytetit), që të shkonte të studionte në Mynih.

Ndoshta i ati nuk i dha paratë e nevojshme, por është fakt që Kafka qëndroi në Pragë dhe rifilloi studimet e jurisprudencës, të cilat i dukeshin një torturë e kotë, e dëmshme edhe për shëndetin e tij të brishtë, (në korrik të vitit 1905 Kafka u shtrua për herë të parë në një sanatorium). Më pas iu desh që të përgatisë tezën e diplomës me Alfred Weber, profesor ekonomie, një fushë që në rendin shkollor austriak përfshihej në Fakultetin e Jurisprudencës. U diplomua, më 28 qershor të vitit 1906, me 3 vota nga 5 të tilla.

Ashtu siç kishte qenë i pavendosur për studimet që do të krytente, po kështu i sapodiplomuari nuk dinte së çfarë profesioni të ushtronte. Donte njëherazi pavarësinë nga i ati dhe kohën e lirë për të shkruar. Megjithatë, qysh përpara se të diplomohej, kishte hyrë si stazhier në studion e avokatit Löwy, megjithëse duke u deklaruar se nuk mendonte për profesionin e lirë. Në tetor, pas diplomimit dhe pushimeve, filloi vitin e praktikës ligjore pranë gjykatës, e detyrueshme për këdo që aspironte për një vend pune në administratën shtetërore. Ndërkohë, thonë dëshmitë e miqve të tij, ëndërronte që të studionte për tregti në Vjenë apo të emigronte në Amerikën e Jugut. Por ndërkohë i ati kishte vënë në lëvizje një xhiro shumë të komplikuar rekomandimesh, që e bëri Kafkën të hyjë në një punësim privat, pak ditë pas mbarimit të vitit të praktikës, i përfunduar më 1 tetor 1907.

Rekomandimet nuk janë vetëm një ves bizantin dhe ato të Kafkës qenë deri ndërkombëtare. Një vëlla i së ëmës, Alfred Löwy, kishte emigruar në Madrid ku kishte bërë karrierë, deri sa kish arritur të bëhej Drejtor i Përgjithshëm i hekurudhave spanjolle. Daja Alfred i kishte folur për Franzin mikut të tij Weissberger, përfaqësues në Madrid i "Assicurazioni Generali" në Trieste. Weissberger i shkroi të atit, i cili ishte zëvendëskonsull i Shteteve të Bashkuara në Pragë. Kështu, me prezantimin e Weissberger, doktori i ri Kafka i paraqiti agjencisë prageze të shoqërisë së sigurimeve, më e madhja e perandorisë Austro - Hungareze, më datë 2 tetor 1907 kurrikulumin e mëposhtëm: "Kam lindur më 3 korrik të vitit 1883 në Pragë. Kam frekuentuar deri në klasën IV shkollat popullore të qytetit të vjetër. Më pas kam hyrë në gjimnazin gjerman shtetëror të qytetit të vjetër. Në moshën 18-vjeçare fillova të ndjek studimet në universitetin gjerman 'Karl Ferdinand' të Pragës. Pasi kam dhënë provimin e fundit shtetëror, më 1 prill 1906 hyra si praktikant në studion e avokatit Löwy, në Aldtstädter Ring. Në qershor dhashë provimin e historisë dhe po në të njëjtin muaj mora diplomën në jurisprudencë. Siç ia kam sqaruar menjëherë avokatit, kisha hyrë në studion e tij me qëllimin e kalimit të kohës, pasi ishte qysh në fillim qëllimi im që të mos mbetesha në avokaturë. Më 1 tetor nisa praktikën gjyqësore, të cilën e përfundova më 1 tetor 1907".

Në pyetësorin që shoqëria e sigurimeve i bëri që të mbushë, Kafka deklaroi se përveç gjermanishtes, njihte edhe gjuhën çeke, frëngjishten dhe anglishten, por, rrëfente ai, "në këto dy gjuhë të fundit jam jashtë loje" dhe pohonte se njihte stenografinë gjermane. Për hir të së vërtetës, zotërimi i vërtetë i gjuhës çeke nga ana e tij është mjaft kontradiktor, ndërsa nuk ekzistojnë dyshime lidhur me stenografinë gjermane, nga momenti që shumë prej letrave të tij të zyrës përbëhen nga stenograma.

Kur i nënshtrohet vizitës shëndetësore, Kafka gjendet nga mjeku "i përshtatshëm në mënyrë të pakushtëzuar" për të kryer shërbim. Nuk kishte gjurmë të asnjë sëmundjeje fëminore apo të rritur, përveçse disa gjurmë rakitizmi rinor. Trupi i tij ishte i hedhur, (gjatësia 181 centimetra), por i brishtë. Në kompleks, "një njeri delikat, por i shëndoshë".

Në këtë pikë, shtytja hispano - çeko - amerikane që shoqëronte kurrikulumin dhe kërkesën për punësim funksionoi: 24-vjeçari Kafka hyri në punë në agjencinë prageze të kompanisë së sigurimeve, në postin e asistentit, i destinuar për Degën e Jetës.

Shefi i zyrës i kompanisë "Generali" të Pragës ishte Ernest Eisner, më i madh se Kafka vetëm 1 vit dhe për fat të shkrimtarit, njeri i kulturuar në letërsi dhe kushëri i muzikantit Adolf Schreiber dhe i shkrimtarit Pavel Eisner.

Shefi i zyrës Eisner, tregon Max Brod, "e admironte thellësisht jetën ëndërrimtare dhe të shkujdesur të djaloshit Kafka dhe bënte me të diskutime të gjata letrare". Por Kafkës nuk i pëlqente të konsiderohej një personazh i prapambetur me kohën, si figurat e romancierit Robert Walser me të cilat e krahasonte Eisner ose të lëvdohej për paaftësinë që të jetonte si njerëzit e zakonshëm. Brod ka ruajtur një letër të Kafkës për shefin e zyrës së tij, që hedh dritë për atë që shkrimtari i ri mendonte për vetveten: "Mendo pak për spektaklin e parë nga kali që përshkon pistën, ku mund të mbahen të fiksuar sytë; spektakli i parë nga një kalë që kalon pengesën zbulon thelbin ekstrem, të vërtetë të hipizmit. Uniteti i tribunës, uniteti i publikut të gjallë, ai i peisazhit aty përreth, në një sezon të caktuar etj., me shtesën e valsit të fundit të orkestrës, si përdoret të luhet tani. Por nëqoftëse kali kthehet, nuk do të kërcejë dhe e shmang pengesën apo ikën dhe tërbohet në lëndinë apo deri më hedh nga shala, atëherë patjetër që panorama është më e pasur. Në publik formohen boshllëqe, ka që marrin arratinë dhe të tjerë rrëzohen: duart lëvizin sikur të lëvizura nga erërat në drejtim të kundërt, një shi marrëdhëniesh të shpejta më kapllon dhe është e mundur që disa spektatorë ta kuptojnë dhe të më brohorasin teksa unë përfundoj si krimb në bar. Po kjo çfarë provon?".

Por për shumë aspekte Kafka ishte akoma i ri dhe ndërsa fillonte të vuante nga kufizimet e punës, ëndërronte arratisjen dhe aventurën. Pak ditë pasi ishte punësuar, ai i shkruante mikes së tij Hedwig: "Tani jeta ime është në çrregullim të plotë, por orët jashtë zyrës i gllabëroj si një bishë e tërbuar. Përderisa deri më tani nuk isha i mësuar që ta kufizoja jetën ditore në 6 orë dhe përveç kësaj mësoj italishten e nuk dua t'i kaloj jashtë netët e këtyre ditëve kaq të bukura, dal shumë pak i shtrënguar nga dara e orëve të lira. Jam tek "Assicurazioni Generali", por ushqej shpresën që të ulem një ditë në stolat e vendeve shumë të largëta, të shikoj nga dritaret e zyrës mbi fusha kallamsheqeri apo varreza myslimane edhe dega e sigurimeve më intereson shumë, por për momentin puna ime është e trishtuar. Për punën nuk ankohem, ashtu si për ngadalësinë e kohës moçalore. Në fakt, orari i zyrës nuk mund të ndahet, deri në gjysmë orën e fundit ndjehet pesha e tetë orëve ashtu si në të parën. Shpesh është si të udhëtosh me tren natë e ditë kur në fund bëhesh i frikësuar dhe nuk mendon as për punën e lokomotivës, as për peisazhin e valëzuar apo të sheshtë, por i atribuohet çdo efekt sahatit që mbahet gjithmonë me vete në pëllëmbën e dorës. Të gjithë njerëzit që e kanë një profesion të ngjashëm janë kështu. Trampolina e gëzimit të tyre është minuta e fundit e punës".

Kjo është shenja më e parë e mosdurimit të tij ndaj punës së mërzitshme, ndaj orarit që hante të gjitha ditët dhe shpesh zgjatej, gjë e shpeshtë në fillimet e shekullit, deri në mbrëmje vonë dhe të dielën, "pa pasur të drejtën për një kompensim të veçantë", siç e thoshte rregulli i kompanisë; për më tepër, pushimet përbëheshin nga 2 javë çdo 2 vjet. Ankimet e Kafkës vërshojnë nga ky moment në epistolarin dhe në konfidencat me miqtë Max Brod e Gustav Janouch.

Pesha e orarit, syri i fiksuar pas orës, mërzia, hollësitë e praktikave e ushqyen sigurisht predispozicionin e tij ndaj pesimizmit dhe vizionit të jetës së tij, të dominuara nga autoritete misterioze dhe të pakapshme.

Djaloshi që ëndërronte të punonte në vende të largëta, rijetoi në punë të njëjtat mekanizma psikologjike që i kishin trishtuar vitet e shkollës. Paira që qysh i vogël kishte provuar për të atin, ftohtësia që kishte thithur në familje, qenë transformuar fillimisht në mosbesim për vetveten, në frikë nga provimet, nga "leksionet e tmerrshme të profesorëve" dhe në pamundësinë për të parë sesa vlerësohej nga shokët e shkollës. Tani i ndodhte e njëjta gjë edhe në zyrë, ku nuk e kuptonte se vlerësohej, se nuk konsiderohej i sjellshëm, por edhe simpatik.

Kafka ndjehej pashërueshmërisht i ndarë nga të tjerët. Tek "Përgatitjet e dasmës në fshat", tregimi i shkruar në fillimet e jetës së tij të punës, që i paraprin me 5 vjet temës së "Metamorfozës" së famshme, shkrimtari i përshkruan kështu raportet që vendosen në mjedisin e punës, "Në zyrë punohet aq shumë sa në fund je shumë i lodhur për të shijuar pushimet. Por e gjithë kjo punë nuk e jep akoma të drejtën që të trajtohesh me dashuri nga të tjerët, mbetesh gjithmonë i vetmuar, krejtësisht i huaj ndaj atij që ke afër, objekt i thjeshtë i kuriozitetit të tij. Deri kur ti thua "po" në vend të "unë", gjëja mund të ecë, mund ta tregosh sikur kjo të mos të përkiste fare, por kur e kupton se kjo "po" të përfshin edhe ty, atëhere ndjehesh realisht i goditur dhe i shastisur. Ka mundësi të tjerët nuk janë të padrejtë, por jam shumë shumë i lodhur sa për të kuptuar gjithçka".

Vuajtja dhe shqetësimet nervore që i buronin prej saj nuk e penguan Kafkën që të ndjekë nga shkurti deri në mars të 1908 një kurs lidhur me sigurimet punëtore në Institutin Teknik Tregtar të Pragës, mësuesit e të cilit qenë të gjithë funksionarë të Institutit të Sigurimeve kundër aksidenteve për punëtorët e Mbretërisë së Bohemisë. Instituti kundër të aksidentuarve iu duk Kafkës si një shpresë e re, sidomos pasi si të gjithë punët shtetërore kërkonte vetëm 6 orë në ditë punë, nga ora 8 deri në orën 14. Por në Austrinë e Vjetër, për të cilën sot flitet shumë mirë, në një rivlerësim mitik sa dënimi i lashtë rilindas, hebrenjtë nuk konsideroheshin qytetarë të barabartë me të tjerët. Antisemitizmi ishte shumë i përhapur dhe përjashto programet në Poloninë austriake dhe në Sllovaki, për ta ishte shumë e vështirë futja në administratën publike. Kafka punoi shumë për t'i kaluar këto vështirësi: lodhja e kishte bërë që ta linte të shkruarën dhe nuk rezistonte më në punësimin privat.

Një punë me dobishmëri sociale

Kafka siguroi mbështetjet autoritare që ishin të nevojshme për të hyrë, ai hebre, në Institut kundër aksidenteve: rekomandimi i doktor Otto Pribram, baba i një shoku të shkollës së tij, që ishte përfaqësues i Shoqatës së Industrialistëve në këshillin administrativ të Institutit.

Kështu, 10 muaj pas marrjes në punë, Kafka dha dorëheqjen nga kompania e sigurimit dhe agjencia në Pragë i komunikoi Drejtorisë së Përgjithshme: "Prej disa kohësh doktor Kafka është i sëmurë dhe shumë nevrik. Na ka paraqitur një raport mjekësor të doktor Hann, nga i cili rezulton se doktor Kafka vuan nga shqetësime nervore të bashkuar me një eksitueshmëri të madhe të zemrës, për të bërë kështu jashtëzakonisht të nevojshme braktisjen e çdo lloj aktiviteti".

Pas 2 javësh pushime, i pajisur edhe me kursin e tij lidhur me sigurimet punëtore, Franz Kafka hyri në Institut, akoma me postin e asistentit, në një moment rinovimesh të mëdha. Robert Marschner, drejtori i ri, po ndërmerrte një seri reformash për ta bërë më efikase përkrahjen punëtore. Shumë herë punonjësi i ri u dërgua në Boheminë veriore, domethënë në zonën industriale më të rëndësishme të Perandorisë, për të bërë inspektime në kompani dhe për të përcaktuar inkuadrimin e tyre sipas klasave të rrezikut.

Në fillim të vitit 1910 Kafka u emërua "funksionari draftues" dhe brenda një kohe të shkurtër u bë praktikisht krahu i djathtë i drejtorit Marschner, (në vitin 1913 u emërua zëvendëssekretar, në vitin 1920 sekretar dhe në vitin 1922 sekretar i lartë). Kafka iu kushtua sidomos shqyrtimit të protestave të sipërmarrësve kundër shkallës së rrezikshmërisë të caktuar në kompaninë e tyre, studimit të masave për t'u marrë për parandalimin e aksidenteve dhe propagandës për të parandaluar fatkeqësitë në vendin e punës.

Instituti duhej të luftonte kundër rezistencave të kompanive më të mëdha që tentonin t'u shmangeshin kontributeve të detyrueshme, kundër shoqatave industriale, kundërshtuese parimore të sigurimit të detyrueshëm, por edhe kundër indiferencës së punëtorëve. Max Brod na përcjell një shprehje shumë njerëzore, të thënë nga Kafka lidhur me punëtorët e aksidentuar: "Sa të përulur që janë! Vijnë tek për t'u lutur. Në vend që ta marrin me gurë Institutin dhe të shkatërrojnë gjithçka, vijnë për t'u lutur".

Kafka shkroi artikuj të ndryshëm, jo të firmosur, për të propaganduar në gazeta nevojën e sigurimit të detyruar dhe të masave për të parandaluar dëmtimet. Është kurioze të lexosh në "Relacionin vjetor të Institutit" (dhjetor 1909) një artikull të tij, ku demonstronte nevojën e adoptimeve të trungjeve të rrumbullakta të sigurisë për pjalat mekanike në vend të atyre të vjetra katërkëndore ("Tehet e trungut katërkëndor të kapura me vida drejtpërsëdrejti në të, bëjnë nga 3800 në 4000 xhiro në minutë me teh të zbuluar, shkruan veç të tjerash. Rreziqet që largësia e madhe midis trungut me tehe dhe planit të makinerisë prerëse duken evidente").

Veç kësaj, nga një notë tek "Ditaret" e Kafkës, (10 tetor 1911: "Një artikull jo i mbështetur në realitet pro e kundër Institutit, i botuar tek Tetschen Bodenbacher Zeitung"), nxirret siguria se ishte i tiji një artikull i nënshkruar P.O., kundër të cilit kishte polemizuar "Arbeit", revista e shoqatës së industrialistëve austriakë. Për pasojë, është akoma e Kafkës replika e P.O., e botuar më 4 nëntor 1911 në të njëjtën gazetë, (në parantezë, duhet kujtuar për jashtëzakonshmërinë e tij një rast bashkëpunimi gazetaresk më i lirë: në vitin 1909, gjatë një udhëtimi në Riva del Garda, Kafka shkoi në Lombardi për Javën e Aviatorëve të Breshas dhe botoi një artikull me titull "Aeroplanët në Breshia" që është ndoshta përshkrimi i parë i pajisjeve të reja të botuar në gjermanisht).

Në artikullin e dytë të firmosur P.O. (4 nëntor 1911) Kafka shkruan veç të tjerash: "Në artikullin tonë të parë, të botuar pas përmbledhjes të vitit 1909, kemi pohuar se shkaku i situatës pasive të Institut të Pragës deri më sot është për t'u kërkuar në radhë të parë në faktin që, nga ana e sipërmarrësve, nuk i janë deklaruar gjithmonë Institutit ato shuma të rrogave për deklarimin e të cilave ata do të detyroheshin prej ligjit dhe se pikërisht ky evazion ka qenë shkaku kryesor i pamjaftueshmërisë së kontributeve. Mbështeteshim mbi faktin se në vitin 1909 kontributet e papaguara të Institutit të Pragës, të ardhura nga praktika të mëparshme, qe prej 800000 koronash, për të mos folur për citimin e rasteve të veçanta heqjesh të konsiderueshme kontributesh të paraqitura në faqen 14 të relacionit vjetor të 1909".

Artikulli, i gjatë dhe i mbështetur nga kompetencë e madhe administrative dhe siguruese, vazhdon duke i çmontuar një e nga një mbrojtjet dhe objeksionet e avancuara nga revista e industrialistëve. Dhe nuk mrekullon fakti që kjo mund t'i atribuohet Kafkës, edhe prej aftësisë analitike të jashtëzakonshme, për mprehtësinë dhe prej logjikës së pamposhtur.

Kafka vinte në këtë punë jo të dashur një impenjim në të cilin ndjehet i njëjti moralitet i socializmit të tij jo vetëm rinor. Në moshën 16-vjeçare kishte aderuar në një socializëm jomarksist dhe humanitar, prej iniciativës të shokut të gjimnazit Rudolf Illowy. Me kurajën e pazakontë, në shkollë mbante karafilin e kuq; në një mbledhje të shoqatës studentore Aldtstädter Kollegentag, kur të tjerët filluan të këndojnë këngën e famshme nacionaliste gjermane Wacht am Rhein ("Sogjëtari i Rinit"), Kafka qëndroi i heshtur dhe i ulur dhe kështu që u përzu nga shoqata.

Kishte aderuar më pas në Klub Mladych (Klubi i të rinjve), që u shkri në vitin 1910 prej iniciativave të tij kundër militarizmit dhe për festimet e përvjetorit të 40-të të Komunës, përveçse për protestën kundër ekzekutimit të Francisco Ferrer. Në vitin 1912 funksionari doktor Kafka, që ndërkohë kishte lexuar Kropotkin, Bakunin, Belinskij, Herzen, mori pjesë në mbledhjen e protestës kundër ekzekutimit të anarkistit francez Liabeuf, e shpërndarë nga policia. I ndaluar dhe i detyruar që të zgjedhë midis gjobës prej 1 fiorine apo 24 orëve burg, Franz Kafka preferoi që të paguajë gjobën që të mund të ishte rregullisht në zyrë të nesërmen. Ia vlen barra qiranë të kujtohet se ndërsa Perandoria po rrëzohej drejt fundit, Kafka në mars të 1918 shkroi një projekt për punëtorët pa gjë prej gjëje, i ndarë në "të drejta" dhe "detyrime".

Jeta e dyfishtë e doktor Kafkas

Në të vërtetë, Kafka bënte një jetë të dyfishtë, shumë të mundimshme. Në Institut vlerësohej nga eprorët për impenjimin, për dijet juridike dhe për përzemërsinë e tij. Është tregues fakti që pak javë pas marrjes së tij në punë të zgjidhej për të mbajtur diskutimin zyrtar në emër të personelit me rastin e emërimit si drejtor të doktor Marschner. Diskutimi i Kafkës kishte një konkluzion shumë të vendosur, ka mundësi të akorduar me Marschner: "Ankesa kundër Institutit, të justifikuara apo jo, janë akumuluar me kalimin e viteve. Ama një gjë është e sigurtë: do të kryhet një punë e mirë dhe reformat e dobishme, të mundshme në kuadrin e ligjeve aktuale, do të miratohen".

Miku Max Brod kujton se në zyrë Kafka nuk kishte armiq dhe bile "ishte shumë i mirëpritur". Ottokar Wirth, një koleg i tij, në një letër për Klaus Wasenbach, një biograf i shkrimtarit, flet për huatë që Kafka i jepte një daktilografisti në vështirësi, duke ia refuzuar shlyerjen e tyre me shprehjen: "Ju keni nevojë për ndihmë dhe unë jam në gjendje që t'ua jap atë".

Edhe pse e thënë me thonjëza, në mjediset intelektuale që Brodi e bënte të frekuentonte, Kafka vlerësohej akoma më shumë: "Askush, përveç meje, shkruan Brod në biografinë e mikut të tij, nuk i njihte veprat letrare të tij. Për këto nuk ishte nevoja: njeriu bënte efekt për vetveten dhe megjithë ndrojtjen, konsiderohej nga njerëz të shquar si një qenie e jashtëzakonshme".

Por përzemërsia e zyrës dhe vlerësimi i intelektualëve nuk i mjaftonin. Brenda vetes Kafka kishte filluar të urrente edhe punën e dytë, ashtu si tashmë detyrën në sigurimet private. Orari nga 8 deri në 14 ishte më pak ideal nga sa e kishte menduar: ishte njeri shëndetlig dhe nevrik, që kishte nevojë për të gjithë pasditen që ta merrte veten nga lodhja dhe të përgatitej për të shkruar, duke fjetur nga ora 15 deri në orën 19. Pastaj dilte shëtitje, darkonte vonë me familjen dhe i kushtohej shkrimit nga ora 23 deri në 2 apo 3 të natës (duhej të shkruante natën, përveçse që t'ia kushtonte pasditen rekuperimit të energjive të harxhuara në zyrë, edhe prej ndjeshmërisë së tepruar ndaj zhurmave). Kështu i shpëtonte një rrethi vicioz, që e linte të lodhur qysh nga mëngjesi dhe e bënte të ndjente punësimin si një skllavëri, jetën si një konflikt midis të shkruarit e profesionit, midis vokacionit dhe nevojës.

Në vitin 1915 meditoi seriozisht që të jepte dorëheqjen edhe nga Instituti, por një vit më parë, pak pas shpërthimit të luftës, e kishte lënë shtëpinë atërore për t'i bërë vend një motre dhe fëmijëve të saj. Megjithëse e kish braktisur shtëpinë atërore praktikisht i detyruar dhe duke qenë se i kish kaluar të 30 vjetët, tashmë nuk donte që të kthehej më: dorëheqja do ta rivendoste në varësinë e të atit dhe nuk ishte vetëm çështje krenarie, legjitime për një burrë 32-vjeçar. Është qysh fëmijë, që fëmija Franz e kish urryer të atin, i bëshëm, i sigurtë në vetvete, i dhunshëm, tiranik. Duke u rritur, kontrastet e shtuan dhe gjatë viteve të luftës, pati një lloj aleance midis Franz dhe motrës së vogël Ottla kundër babait, deri sa në vitin 1919 Kafka shkroi të famshmen "Letër për babain" në të cilën akuzon edukimin atëror të dështimit të jetës së tij, të shëndetit të dobët, të martesave të munguara: "Ti posedoje për mua dhuntinë enigmatike të tiranëve, që e mbështesin të drejtën e tyre mbi personin e tyre, jo mbi arsyen. Përpara teje kisha humbur besimin tek vetvetja dhe e kisha zëvendësuar me një ndjenjë faji masakruese". Jo rastësisht, "të jesh i akuzuar është pothuajse një dënim", thotë një prej personazhe kafkjanë.

Kështu, për t'u kthyer në familje as që bëhet fjalë, por Kafka refuzonte edhe atë që atij i dukej një kompromis i turpshëm: gazetarinë, kritikën letrare, pse profesion edhe art, për të, duhej të mbeteshin totalisht të ndara. Atëhere më mirë të vazhdoj në mizoren "jetë të dyfishtë" nga e cila, "ekziston vetë rrugëdalja e çmendurisë pleqërore". Për punën, i kish shkruar të atit: "Paraqitja e përgjithshme e punës time si në zyrë, (ku ngathtësia nuk bie shumë në sy dhe nga ana tjetër mbahet në limite të caktuara nga frika ime), ashtu dhe në shtëpi, ishte minimale: Për nga natyra, besoj se nuk jam aspak i ngathët, por nuk ka asgjë për të bërë. Atje ku jetoja, isha i lodhur, i gjykuar, i mundur". Këto rreshta lexohen me trishtim të madh. Ndoshta Kafka, në zyrë, nuk e kish kuptuar kurrë se vlerësohej dhe mirëpritej. Hija e babait sanguin, nga energjia e të cilit kishte frikë se mos binte në gjunjë dhe katandisej në insekt, gjatë jetës së tij të dyfishtë, ishte e përzier me fuqinë e pavetishëm të Institutit, me frikën e gabimit, me ritet e përsëritura dhe mekanikë të kështjellës së përditshme.

Sëmundja dhe vitet e fundit

Në gusht të vitit 1917 Kafka fillon që të kollitet gjak. Një muaj më pas i diagnostikohet tuberkulozi pulmonar dhe shkrimtari siguron nga Instituti një leje 8-mujore, që e kalon në Zürau, një fshat ku motra e parapëlqyer Ottla zhvillonte një aktivitet bujqësor në fermën e të kunatit. Në kthim, ambienti i zyrës i duket gjithnjë e më "absurdo" ose, për të përdorur një tjetër shprehje të tij, një "çerdhe burokratësh". Pavarësisht kësaj dhe pavarësisht sëmundjes, i reziston Institutit edhe 5 vjet të tjera, megjithëse me mungesa të shpeshta për t'u kuruar. Shtrohet në një sanatorium të Tirolit dhe më pas në Karpate. Në janar të 1922, fillon të shkruajë "Kështjellën" dhe po atë vit vendos që të kërkojë më së fundi pensionin e parakohshëm për motive shëndetësore. Në korrik të 1923 njihet në Berlin me 20-vjeçaren Dora Diamant: më së fundi është i lumtur në jetën e tij të re berlinze me një femër. Por uria e dimrit 1923 - 1924 i jep goditjen vendimtare: tuberkulozi i arrin trakenë, Max Brod dhe një dajë shkojnë ta marrin. Kafka bën xhiron e sanatoriumeve të ndryshme vjeneze, i asistuar nga Dora dhe nga Robert Klopstock. Vdes në sanatorumin Kierking, në afërsi të Vjenës, në qershor të vitit 1924, një vit përpara se të mbushë të 40-at.

Në pjesën më të madhe, dorëshkrimet e tij u shpëtuan nga Max Brod, të tjerë u shkatërruan nga nazistët në vitin 1939. Të tri motrat u vranë në kampet e shfarosjes: Ottla në Auschwitz, Elli dhe Valli në Lodz, kurse Brod, ndërsa gjermanët qenë afër portave të Pragës, kishte arritur të arratisej natën e 15 marsit 1939, i drejtuar për në Kostancë. Nga Rumania gjeti strehim në Tel-Aviv.

No comments:

Post a Comment