Vullnet Mato:Ç’BËRE, O BIR!...


Pas gjashtë orësh udhëtim, dalja nga toka greke dhe hyrja në superstradën Kakavi - Gjirokastër, iu duk Simonit një çlirim shpirtëror i vërtetë.
Nga kjo anë rruga ishte krejt bosh këtë mesnatë dimri dhe flluskat e shiut të ndriçuara nga projektorët e bencit, ngriheshin mbi asfalt si një re e dendur fluturash..

Gruaja e tij, te ndenjësja e prapme flinte gjumin e thellë të lodhjes nga udhëtimi i gjatë dhe i kishte i detyruar të dy babë e bir mos bisedonin me zë. Nga ky shkak, djali student përkrah tij, dremiste nga pak e zgjohej herë pas here, për të mos e lënë të atin ta zinte gjumi.
Teksa xhami i parë rrihej pa pushim nga purtekat e zeza të fshirëseve, që shtynin rrëketë e ujit me zemërim, Simoni, me zë të ulët dhe pa i larguar sytë nga timoni, i pëshpëriti të djalit se po i afroheshin Gjirokastrës.

Ndërkohë Altini mendonte me habi, se i ati kishte vërtetë nerva çeliku. Ai nuk ishte mposhtur nga gjumi për ta ndalur makinën të pushonte diku pas gjithë atyre kilometrave tepër të lodhshme. Ndonëse ishin nisur vonë nga Athina dhe i ati kishte pirë pak atë mbrëmje para ndarjes me miqtë e familjes në Greqi.

Pikërisht në këto çaste, sikur mendimet e Altinit të kishin qenë ndjellakeqe, ndodhi hataja. Burri që kaloi si hije e zezë para bencit, ndanë fshatit Sofratikë, ishte zhdukur nga rruga papritmas. Rrotat e tërbuara e kishin rrufitur si me magnet, për të kaluar sipër tij, si mbi një kufizuese shpejtësie të butë, që e luhati makinën fare pak. Simoni vetëm sa rënkoi një çast dhe pa i thënë të birit asnjë fjalë, vijoi udhëtimin drejt Gjirokastrës, për të mos u zgjuar gjakprishur e shoqja prapa.

- E palose, o babi ! - i tha Altini duke zënë kokë me duar.
- Shëëët!...- i pëshpëriti i ati i tronditur. - Nuk dihet, mbase ka mbetur i plagosur! - Po, ti sus, të mos marrë vesh mami që është me zemër!...
Djali heshti i i tmerruar dhe Simoni po mallkonte brenda vetes fatin e keq, që atë natë skëterre i nxori para rrotave një njeri aq të pakujdesshëm, për t’i prerë rrugën shpejtësisë së tij marramendëse.

Ende pa gdhirë mirë, përshkuan qytetin e fjetur dhe ngjitën kalldrëmin e gurtë te shtëpia e tyre në lagjen Palorto. Gruaja me të birin u shtrinë të bënin gjumin e copëtuar. Por jo Simoni, që bashkë me njeriun, kishte vrarë për vdekje edhe gjumin e tij. Gjatë gjithë kohës risillte në përfytyrim aksidentin vdekjeprurës. Dhe në mendje i vërtitej një gjeratore e frikshme, se çdo të ndodhte pas natës tragjike, kur të dy me viktimën ishin fajtor. Por kryesisht ai njeri i çuditshëm që i preu rrugën marrëzisë së rrotave, në atë orë kur dhe vetë nata po flinte e qullur nën shi...

Të nesërmen në mesditë, mjetet e informimit bënë të ditur se gjatë natës së kaluar ishte aksidentuar me vdekje një gjashtëdhjetepesëvjeçar, te banesat ndanë rrugës së fshatit Sofratikë në aksin Kakavi - Gjirokastër dhe policia hetimore ishte vënë në kërkim për të identifikuar mjetin dhe drejtuesin e tij.

Simoni, mendoi me zemër të ngrirë, se ai nuk mund të ishte i vetmi zog nate që kishte fluturuar nëpër atë rrugë. Në arteriet e degëzuara të saj, zgjatnin dejet prej gome drejt veriut në çdo orë natës, veç Greqisë edhe Saranda me Delvinën. Pra, s’kishte pse hija e dyshimit të binte vetëm mbi të dhe makinën e tij. Ky arsyetim sikur ia zbuti disi frikën që po e mundonte pareshtur.
Kaloi java pa asnjë sinjal të frikshëm dhe Simoni doli për të përcjell të birin te autobusi i Athinës, ku ai vazhdonte studimet për të drejtë ndërkombëtare. Gjatë kthimit, në hyrje të qytetit, policia rrugore i kërkoi dokumentet e makinës dhe papritmas i bllokoi bencin për hetim. Ata i bënë të ditur se nga regjistri i kalimit kufitar në orët e vona, figuronte edhe emri i Simon Ndrekos me bencin e tij me targë të Gjirokastrës.

Megjithatë, nga kontrolli i kujdesshëm i pjesës së poshtme të shasisë së mjetit, nuk u zbulua asnjë gjumë gjaku. Gjithçka ishte fshirë nga gurgullimat e shiut të asaj nate, të shpërndarë fuqishëm nga rrotat dhe nga larja me sprucim të fortë që i kishte bërë ai të nesërmen te lavazhi. Por pas dy ditësh të tjera, ndonëse mendja e autorit të krimit mund të përgjumej nga ky mbulim fakti, vdekja e njeriut rrinte zgjuar derisa të gjendej fajtori.

Simonin e arrestuan dhe e morën në pyetje të rrepta. Ai e kundërshtoi kategorikisht krimin, si në prokurori ashtu edhe në gjykatë, ku nuk kishte përmendur prezencën e të birit në atë udhëtim, për të mos i krijuar Altinit telashe me shkollën. U thirr dëshmitare e shoqja, por dhe ajo u betua disa herë me gjithë shpirt për kokën e djalit të vetëm, se atë natë nuk kishte ndodhur gjë prej gjëje.

Kështu, pas dy seancave gjyqësore, u arrit në përfundimin, se ai mund të lirohej nga paraburgimi për mungesë provash. Por gruaja e vetëdijshme, që vërtetë nuk kishte ndjerë asnjë pipëtimë për krimin, lëshoi padashur nga goja të vërtetën, për të cilën thuhet, se vonon por nuk mungon. Kur u pyet përse kishin qenë në Greqi, përmendja e prurjes së djalit për pushime në shtëpi, bëri që të thirrej në një seancë të tretë edhe Altini nga shteti fqinj.

Gjykata e rrethit gjyqësor të Gjirokastrës e solli atë pikërisht ditën e gjykimit të tretë dhe e nxori përballë të atit që ndodhej brenda kafazit prej hekurash. Altinit iu kërkua të betohej e të nënshkruante se do të tregonte të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Pikërisht, këtë kishin kërkuar prej tij edhe i ati më të ëmën qysh në vegjëli, të tregonte gjithmonë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

Për disa çaste ai heshti paksa i menduar, duke sjellë ndërmend, se gjatë gjithë kohës së kthimit në Greqi nuk i hiqej nga mendja lemeria e asaj nate me njeriun fatkeq, të cilit i kishin marrë jetën. Kufoma e imagjinuar dhe kuja e njerëzve të familjes, i shfaqeshin në gjumë dhe i rëndonin në shpirt, duke e bërë të ndjehej në çdo kohë rob i dhimbjes së fshehur. Më së fundi ai mori guxim dhe foli me sytë nga fytyra e të atit që kishte filluar të zverdhej:

- Të thashë, o babi, që atë natë, se ishe pak me shpejtësi dhe pak kishe pirë, kur u nisëm!...
Simonit iu ngritën qimet e kokës përpjetë nga kjo e papritur e tmerrshme dhe e ëma shqeu sytë mbi të birin.
Kaq ishte dashur, që trupi gjykues të tërhiqej për të caktuar dënimin e vërtetuar nga ky dëshmitar okular tepër i besueshëm. Dymbëdhjetë vjet burg për aksident të rëndë me pasojë vdekjen e viktimës. Seanca përfundimtare u mbyll me një heshtje varri për të gjithë te pranishmit.
Duke zgjatur duart për vënien e prangave brenda kafazit të hekurt, Simoni e shoqëroi të birin me ca sy të llahtarshëm që i pikuan lëng të hidhur, derisa e nxorën nga salla e gjyqit.

- Ç’bëre, o bir? - mundi t’i thotë e ëma e tmerruar ende pa dalë nga dera e gjykatës.
Altini psherëtiu një çast me dhimbje dhe më pas u gjegj me trishtim:
- Babi është gjallë dhe atje brenda do hajë një pjatë supë, moj nënë, po ai i mjeri që do hajë dhé derisa të tretet nën tokë!?

- Për një fjalë goje, le në burg babanë tënd, që të kishte si syrin e vetëm!
- Po të kisha gënjyer, babi do lirohej, po do mbeteshin të burgosur përjetë të tre shpirtrat tanë. Kështu shkon haka tek i zoti dhe secili nga ne e ka shpirtin të lirë, moj nënë!...

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit