3/1/11

Ernest Koliqi(1901 - 1975)

Nuk janë shum shkrimtarët t´onë, emni i të cilvet të njifët aq mirë në shtresat letrare shqipe sá ai i Koliqit; të pakët janë atá, prodhimet e të cilvet të kenë marrë aq hapt në çdo kând të Shqipnís, sá ato qi emnin e tij në çfaqje kulturore gjithëfarësh, në botime nëpër fletore e revista të ndryshme, disá prej të cilavet themelue dhe mbajt prej tij vetë, në botime veprash qi janë të pacaktueme të zánë nji vend të dukshëm, dashtas e padashtas, në historín e letrave t´ona.,- Karl Gurakuqi[1]

Ernest Koliqi (1901 - 1975) është poet, prozator, dramatist, studjues letrar e përkthyes letrar. Këtë veprimtari e krijimtari letrare e ushtroi gjatë gjithë jetës.
Skeda:Ernest Koliqi.jpg

Lindi në Shkodër me 20 Maj 1901 (1903), në një familje të njohur patriotike. Ndoqi mësimet e para në Kolegjin Saverian të Jezuitëve. 1918 - Ishte 15 vjeç. I ati, Shan Koliqi, e dërgon për të studjuar në Itali. Studion në Kolegjin Jezuit Arici në Breshia. Në gazetën “Noi giovani” (“Ne të rinjtë”) , të cilën e themelon vetë me disa bashkënxënës, boton poezitë e tij të para në italisht. 1921 - Kthehet në Shqipëri dhe ristudjon shqipen me themel. Në një konkurs për himnin kombëtar, mes krijuesve te rinj e jo të rinj, merr pjesë edhe Ernesti i cili vlerësohet me çmim të parë nga një juri e përbërë prej emrash të shquar si: Gj.Fishta, F.Noli, M.Frashëri, L.Gurakuqi. Ku dy vjet më pas themelon së bashku me patër Anton Harapin dhe Nush Topallin, revisten "Ora e Maleve". 1924 Bën pjesë në Shoqërinë patriotike "Bashkimi", e krijuar nga Avni Rustemi. E thërret L.Gurakuqi në Tiranë si sekretar personal. Më vonë bëhet sekretar i Ministrisë së Brendshme. I nxitur nga L.Gurakuqi dhe miqtë e tij, dërgon në shtyp poemthin dramatik “Kushtrimi i Skëndërbeut”. Kjo vepër i dha shpresën për të hyrë përgjithmonë në botën e letrave shqipe. Për shkak të lidhjeve të tij të reja politike, detyrohet t'emigrojë për pesë vjet në Tuzla, Bosnje[2], për t'i shpëtuar ndonjë goditje nga forcat zogiste, pas revolucionit të dështuar të Nolit. 1929- I ndikuar nga ky rreth shqiptarësh, Koliqi shkruan vëllimin me tregime “Hija e maleve”, vëllim i cili e pagëzon edhe si krijuesin e prozës moderne shqiptare. Me një stil të mrekullueshëm narrativ, ai arrin të paraqesë në këtë botim një sërë episodesh të jetës malësore nën ndikimin e rregullave të ashpra të Lekë Dukagjinit por pa munguar edhe skenat e jetës qytetare shkodrane. Me këtë vëllim ai mirëpritet të kthehet në qarqet letrare në Shqipëri. 1930 - Mbretëria shqiptare e fal Koliqin dhe e emëron mësues të thjeshtë gjmnazi. Nga viti 1930 ishte mësues në një shkollë tregtare në Vlorë dhe në gjimnazin e shtetit në Shkodër, derisa shtrëngohet, sërish për arsye politike, të largohet në Itali. Në vitin 1932 botoi vëllimin e parë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” (me një parathënie nga Fishta), një antologji me 280 faqe që u përdor menjëherë si tekst letërsie në gjimnazin klerik të Shkodrës dhe përmban katër poetët më të mëdhenj të Italisë: Aligierin, Petrarkën, Arioston, Tasson. 1933-34 Jep dorëheqjen nga arsimi dhe regjistrohet në Universitetin e Padovës për të vazhduar studimet. Edhe pse me punë në Padova, Koliqi nuk i shkëput lidhjet me Shqipërinë. Bashkëpunon me redaksinë e të përjavshmes kulturore “Illyria”. Gjitha vjershat e veta i përmbledh në vëllimin “Gjurmat e stinëve” ku paraqiten me një frymë krejt të re skenat e jetës shkodrane dhe gjejmë të pasqyruar shpirtin e poetit të ndjeshëm me ndjesina atdhedashurore. Ndërsa, autodafeja e vendosur në krye të këtij libri vlerësohet si një ndër aktet më të rëndësishme në fushë të mendimit estetik shqiptar. Në një sërë botimesh periodike dhe veprash të tij, Koliqi afirmohet si një talent i letërsisë shqiptare. 1935, Itali - Pas suksesit të vëllimit të parë me tregime, boton një libër me 16 novela me titull “Tregtar flamujsh” me lëndë të nxjerrë nga mënyra e jetesës së popullit tonë, sidomos të atij të qytetit të Shkodrës. Ngjarjet dhe problematikat sociale që prekin veprën gjithnjë i nënshtrohen një analize të thellë psikologjike. Ky vëllim novelash, siç vëren Miaser Dibra, i përket një shkalle pjekurie më të madhe të autorit. Po këtë vit boton edhe poemthin në prozë “Quattuor”. 1936 - Emërohet Lektor i Shqipes pranë Universitetit të Padovës që drejtohej nga K.Taliavini. Boton vëllimin e dytë të antologjisë “Poetët e mëdhenj të Italisë” (me parathënie nga Karlo Taliavini). Ky vëllim përfshin vjersha të përkthyera të katër poetëve italianë: Parini, Monti, Foskolo, Manxoni. Edhe vëllimi i tretë ishte i përgatitur por nuk u botua. 1937 - Në moshën 34 vjeçare kryen studimet (5 vjeçare) në Padova me tezën “Epica popolare albanese” (“Epika popullore shqiptare”), tezë doktorate e cila u vlerësua nga shumë albanologë si N.Jokli, M.Lambertz etj. 1939- Emërohet titullar i Katedrës së Gjuhës dhe letërsisë Shqipe në Universitetin “La Sapienza” në Romë por nuk do të rrijë gjatë pasi po këtë vit nis punën si ministër arsimi në qeverinë shqiptare. Me të marrë në dorë ministrinë e arsimit, ai mblodhi rreth vetes njerëzit e kulturës, shkrimtarët më të shquar dhe i vihet përpilimit e botimit të teksteve shkollore. Sa qe Koliqi ministër u arrit:

* botimi i historisë së letërsisë , me kritere të shëndosha, në dyvëllimshin “Shkrimtarët shqiptarë”(1941).
* botimi i të parës antologji në shqip: “Bota shqiptare”(1943).
* mbledhja e folklorit për të plotësuar veprën “Visaret e kombit”(vëllim me materiale nga folklori ynë)
* thirrja në Tiranë e Kongresit Ndërkombëtar të Studimeve Shqiptare në vitin 1940(Instituti i Studimeve Shqiptare me qendër në Tiranë, pararendës i Akademisë së Shkencave).
* botimi i vëllimeve “Rreze dritë”, “Te pragu i jetës”, “Studime e tekste”.
* themeloi e drejtoi të përkohshmen “Shkëndija”.
* hapja e shkollave shqipe në Kosovë; hapi edhe një shkollë të mesme në Prishtinë dhe mundësoi dërgimin e studentëve nga Kosova me bursë në Itali dhe Austri.

Duhet thënë se produktiviteti në kohën e Ernestit mbetet punë e pamohueshme.

Në këtë periudhë ai ka bashkëpunuar me revistat “Hylli i Dritës”, “Leka”, “Përpjekja shqiptare”, “Minerva”, “Besa” etj.

Si Ministër i Arsimit në kohën e pushtimit italian në kabinetin e Sh. Verlacit e n'atë të M. Krujës, gjatë Luftës së Dytë Botërore; në shtatorin e vitit 1941 kur me një vendim, mbi 400 arsimtarë normalistë dhe të shkollës amerikane të Fullcit, shkuan në Kosovë, trojet shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, si dhe në Çamëri. Një akt i tillë ka qenë dhe mbetet përjetësisht sublim se ai dha frutet e veta në hapjen e shkollave shqipe, në hapjen e dëshirës për të mësuar dhe rrënjosur shqipen në të gjithë trojet shqiptare.[4] 1942-43 Nga 1942-43 ishte kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare dhe largohet nga Ministria e Arsimit. Martohet me arsimtaren Vangjelije Vuçani dhe patën dy fëmijë: Markun dhe Elizabetën.[2] Në një letër dërguar më 16 tetor 1941 nga ministri i arsimit të Qeverisë së atëhershme shqiptare Ernest Koliqi drejtuar konsullit shqiptar Nikollë Rrota në Vjenë thuhet se ka angazhuar N. Joklin si organizator të bibliotekave të Shqipërisë me një rrogë mujore prej 600 frangash ari[5]. 1944 - Largohet n'Itali, i dënuar nga qeveria e re komuniste, si bashkëpunëtor i fashizmit[3]. Vepra e tij letrare u ndalua edhe pse nuk përmbante asfarë shenje a parashenje politike. Ajo u ndalua, për shkak të veprimit politik të autorit, përkatësisë fetare dhe dialektit. “L’Albanie Libre” është një e përkohshme e sapo dalë në Romë me të cilën Koliqi fillon bashkëpunimin. Ndër të shumtat shkrime, këtu nis të botojë, nga viti 1954 deri më 1961, studimin krahasues “Dy shkollat letrare shkodrane-e Etënve jezuitë dhe e Etënve françeskanë”. Në këtë studim të tij vërehet përpjekja për të hartuar një histori të mirëfilltë të letërsisë shqiptare, jashtë ngjyrimeve ideologjike. 1957 - Me dekret të Presidentit të Republikës së Italisë, më 2 shtator 1957, për njohje të prestigjit, Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e Universitetit të Romës, nderohet duke u bërë Institut i Studimeve Shqiptare.

Në Firenze boton vëllimin “Poesia popolare albanese”(“Poezia popullore shqiptare”) ku spikat si studiues i merituar i traditave artistike dhe folkloristike të atdheut të tij Shqipërisë. Vëllimi ka tekste shqip e përkthime në italisht.

Themelon të përkohshmen “Shêjzat”(“Le Pleiadi”)që e drejtoi për 18 vjet.

“Shêjzat shërbyen si tribunë dhe dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë. Ato regjistruen në kroniken e tyne edhe ngjarje shoqnore që në të ardhmen do të vlejnë sadopak si dokumentacion historik e kultural për nji periudhë rreth njizet vjeçare”. Martin Camaj

1959 - Boton vëllimin “Kangjellat e Rilindjes”(“I canti della Rinascita”) me përkthimin në italisht, kushtuar arbëreshëve të Italisë, ku i nxit ata të ruajnë gjuhën e zakonet e të kenë besim në pavdekësinë e fisit. 1960 - Boton romanin “Shija e bukës së mbrûme” për të cilin Koliqi vetë shprehet: “Ky tregim parashtron edhe përpiqet imtësisht të hulumtojë dramin shpirtnuer të nji të riut shqiptar flakrue jashta atdheut nga pasojat e së dytës luftë botnore.”(Paraqitje në “Shija e bukës së mbrûme”, Shkodër, 1996) Boton studimin “Gabriele D’Annunzio e gli Albanesi”(“Gabriel D’Anuncio dhe Shqiptarët”). 1963 - Boton “Antologia della lirica albanese” (“Antologjia e lirikës shqiptare”) ku për herë të parë paraqiten në një gjuhë europiane përkthimet e lirikat më të mira të autorëve shqiptarë të vjetër e të rinj ku theksohen autorët kosovarë me qëllim që të njihen më mirë. Riboton “Shtatë Pasqyrat e Narçizit” (që e kishte botuar së pari në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936) ku paraqiten shtatë copa proze poetike që përshkruajnë gjendjen shpirtërore të shkrimtarit. 1965 - Del në dritë “Albania”, një monografi italisht, botuar në “Enciclopedia dei popoli d’Europa”, Milano ku paraqet një pasqyrë të gjërë mbi Shqipërinë si në pikëpamjen gjeografike, ashtu edhe letrare e historike. 1969 - Më 4 Maj i vdes bashkëshortja Vangjelija. Zhdukja e saj i shkaktoi një mungesë të pazëvëndësueshme e ndoshta shpejtoi edhe humbjen e tij. 1970 - Riboton poemthin “Simfonia e Shqipeve” (që e kishte botuar për herë të parë në fletoren Gazeta Shqiptare të Bari-t më 1936),që është si një testament poetik që nënvizon trashëgiminë kombëtare, lashtësinë dhe traditat e popullit. Kjo vepër ka për argument lartësimin e kohës së kaluar të fisit tonë. 1972 - Botohet vëllimi “Saggi di Letteratura Albanese”, Firenze. Është një përmbledhje e mirë shkrimesh e konferencash përpunuar gjatë disa vjetëve. 1973 - Vazhdon të përkthejë në italisht pjesë nga Lahuta e Malësisë, këngët II-III-IV-V (punë kjo e nisur që në vitin 1961 kur përktheu këngën XXVI; më 1971 këngët XII-XIII-XIV dhe XV). 1975 - Vdes në shtëpinë e tij në Romë 15 Janar dhe u varros po në këtë qytet me datën 18, i nderuar nga i gjithë komuniteti shqiptar n'emigrim, por i mohuar nga vendi i tij. Në ceremoninë e asaj dite kishin ardhur personalitete të ndryshëm, kolegë, shqiptarë, arbëreshë, miq të ardhur nga vende të ndryshme.


Koliqi ishte themelues e drejtues revistash, ku botohej e trajtohej letërsia e kultura shqiptare si : Ora e Maleve, Shkëndija, Shêjzat, etj. Si letrar Ernest Koliqi shquhet si krijues në prozë, madje së bashku me Mitrush Kutelin konsiderohet themelues i prozës moderne shqipe. Përktheu në gjuhën shqipe poetët e mëdhenj italianë: Dante, Petrarka, Ariosto, Tasso, Parini, Monti, Foskolo e Manconi, që i përmblodhi në dy vëllime të librit Poetët e Mëdhej t’Italís I dhe II. Përgatiti, përktheu në italisht dhe botoi Antologjinë e lirikës shqiptare në vitin 1963. Me librat e tregimeve : Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936), Koliqi sjell një botë krejt unike shpirtërore shqiptare, ndërsa gjuha e tij dhe stili janë krejt të veçantë. Vepra poetike me pretendime më të mëdha e Koliqit është Gjurmat e Stinve (1933). Poezitë më të mira të këtij vëllimi janë ato të shkruara në formë të tingëllimit (sonetit). Shkroi nën pseudonimet Hilushi, Hilush Vilza, Borizani.

Pasardhës të Koliqit, sidomos në këmbënguljen e gjetjes së veçantive vendore në gjuhë e në jetë, në letërsinë shqipe bashkëkohore para së gjithash konsiderohet Anton Pashku.

Tituj të veprave


* Kushtrimi i Skanderbeut, (1924)
* Hija e maleve (1929),
* Gjurmat e stinëve (1933),
* Tregtar flamujsh (1935) [7]
* Pasqyrat e Narçizit (1936),
* Symfonia e shqypeve (1936),
* Kangjelet e Rilindjes (1959),
* Shija e bukës mbrume (1960),
* Albania (1965),
* Epika popullore shqiptare (1937).

Të tjera

* Themelues i Fletores Ora e Maleve - 1923
* Drejtues i revistës Shejzat - Romë
* Epika popullore shqiptare - temë e doktoraturës pranë Universitetit të Romes - 1937.

Mirënjohjet

* Medalje arit e Shoqnis “Dante Aligheri”.
* Ylli i artë për Meritë të Shkollës.
* Akademik ordinar i Akademisë Tiberiane.
* Akademik Nderi i Akademisë Teatine të Kietit për Shkencat.
* Antar i Akademisë së Abrucit për Shkencat dhe Artet.
* Antar efektiv i Akademisë së Mesdheut.
* Antar Nderi i Qendrës Ndërkombëtare për Studimet shqiptare.
* Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë

Burimi i të dhënave

1. ^ Në Shéjzat, Vj. VII, 1963, nr.5-8, faqe 163.
2. ^ a b c d e f g Ndër vite me Ernest Koliqin
3. ^ a b Nga jeta e vepra e E. K.
4. ^ Hyqmet Zane
5. ^ Forumi shqiptar
6. ^ Tue ndertue ledhe permbi troje t`ona.
7. ^ a b c Gjovalin Shkurtaj dhe Enver Hysa : Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut

Përgatiti:F.Bruqi

No comments:

Post a Comment