4/30/11

E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët - Libër nga Pashko Vasa



(Një studim kritik historik)

Ashtu si jeta e individëve të veçantë, po ashtu edhe jeta e kombeve i është nën-shtruar ndryshimeve të mahnitshme. Koha – kjo barazuese e madhe e të gjitha gjërave dhe qenieve, ia nënshtron gjithçka, çfarë jeton dhe merr frymë, të njëjtave ligje. Ne shohim kudo të njëjtin ligj të rritjes, të venitjes, - ligjin e transformimit.
Të gjithë popujt duhet të kalojnë të njëjtën rrugë zhvillimi; të gjithë i paguajnë fuqisë së kohës tributin e tyre. Te të gjithë, shikojmë ne ngritje dhe rënie.
Ekzistojnë popuj, që pas periudhave të bumit dhe pasurisë, të fuqisë, janë shkatërruar, megjithatë në histori, - brezat e ardhshëm, kujtimin për ekzisten-cën e tyre dhe për rangun e tyre të dikurshëm e mbajnë gjallë, - jetojnë akoma me të; të tjerë janë më të trishtuar, megjithëse ndoshta janë përpjekur shumë fort për ekzistencën e tyre, nga historia ata janë fshirë dhe vetëm gjurmë të zbehta na japin sugjerime ndaj tyre, vetëm legjenda kujtohet për ta!
Përveç këtyre dy klasave - nga të cilat njëra përfshin popujt, të cilët e kanë humbur ekzistencën e tyre dhe kanë rilindur dhe janë ngritur lart brenda popujve të tjerë dhe tjetra përfshin në vetvete ata popuj, që janë zhdukur krejtësisht nga skena botërore, që janë shuar pa lënë mbrapa as edhe një gjurmë të ekzistencës së tyre – ka edhe një grup të tretë, dhe këtij i përkasin ata popuj, fillesa e të cilëve humbet në errësirën e lashtësisë, dhe megjithëse në mes të vështirësive shumë të mëdha, rrethuar nga armiq, megjithatë e kanë kuptuar se si të ruajnë një ekzistencë të pavarur, dhe historia e tyre na ofron ne një problem të mrekullueshëm.
Në kategorinë e fundit bën pjesë populli i shqiptarëve.
Nga vjen? Çfarë është? Si jeton?
Këto janë pyetje të vështira, që nuk kanë marrë deri tani akoma përgjigje të mjaftueshme.

No comments:

Post a Comment