"E VETMJA RRUGË" ËSHTË MARKSIZËM – LENINIZËM





NGA REXHEP SHAHU,TIRANË...

SHKRIM EKSLUZIV  NË ,,FLORIPRESS,, 

"E VETMJA RRUGË" ËSHTË MARKSIZËM – LENINIZËM

Kur pashë e dëgjova për herë të parë slloganin e fushatës së Partisë Socialiste “ E vetmja rrugë…” instiktivisht kujtesa çeli derën dhe shtova me vete “…marksizëm – leninizmi”. Se kështu ka qenë kjo parullë në kohën e diktaturës. Më erdhi keq dhe u trishtova. Dhe mendova se nuk kanë faj të huajt që e konsiderojnë ende Partinë Socialiste  me hipoteken si parti komuniste, si Partinë e Punës të Shqipërisë.
Pse Edi Rama qënka e vetmja rrugë? Pse, nuk paska rrugë tjetër për shqiptarët? Dhe pse u dashka të kushtëzohemi vetëm nëpër këtë rrugë? Pse na u ndalokan rrugët e tjera? A nuk është dhunë e tepërt kjo gjë, ky diktim, ky kushtëzim?
Fushata elektorale e 8 majit 2011 për njësitë vendore, që një palë i quan politike e tjetra jo, ka ndezur motorët dhe zhurmat po ngrihen në qiell. PS po i konsideron politike, po detyron njerzit të mos zgjedhin por po i “urdhëron” që të hyjnë në të “vetmen rrugë”, ndërsa PD po i fton të “shkrihet” me qytetarin dhe qytetarët të zgjedhin lirisht vetë.
Duket se vemendja është përqëndruar në Tiranë ku basti është më i madh për shkakun se është në lojë drejtuesi i opozitës së vendit, i cili për të mbetur në lojë nuk pati zgjidhje tjetër.
Duke synuar të vë veten në pozicionin e atyre njerzve që janë jo të nxehtë, si në zgjedhjet legjislative, po shtjelloj sipas meje pse nuk duhet të fitojë e nuk mund të fitojë Edi Rama përballë Lulzim Bashës.
Edi Rama, kryetari me korespondencë i bashkisë së Tiranës, që kur u bë kryetar i Partisë Socialiste, kërkon votën për herë të katërt.
Çelja e fushatës së socialistëve më trishtoi me ato arkivola, me atë hije zie, me ato imponime të viktimave për tu bërë zëdhënëse të socialistëve. Thjeshtë u trishtova në atë lojë të pështirë me vdekje e arkivola.
U trishtova dhe për një  fakt të thjeshtë. Edi Rama dhe PS duke u betuar ditë natë se janë për shtet ligjor, duke mbrojtë publikisht prokuroren e vendit, në mënyrën më abuzive i vënë këmbën në fyt prokurores dhe shtetit ligjor sepse përfundimet i kanë nxjerrë.
Qartë dhe pa dridhje zëri thonë se Sali Berisha apo Lulzim Basha vranë 4 veta.
Një kronikë e pandershme zie e pandjerë, krejt e shtirur, e zgjeruar e çeljes së fushatës, me argatë të çuditshëm, me ekspertë mbi prokurorinë, që bënë shurrën mbi institucionet që po bëjnë hetim me përkrahje të qartë e të fortë ndërkombëtare, ishte gjithë çfarë ofron PS për qytetarët. Dhe në fakt e gjitha në funksion të Ramës, i cili nuk i dha shans asnjëherë prokurorisë, gjykatave, drejtësisë të vendosin por jep parahetime e paravendime e paragjykime duke imponuar djallëzisht opinionin. Viktimat duan shpërblim politik…
Edhe vezë me katër të kuqe të na bësh, mjaft më, se nuk i duam ato vezë z. Rama.
Fitove zgjedhjet e para se të besuan qytetarët dhe shpresuan. (Pa hyrë për asnjë çast në lojën, u vodhën apo jo vota, u manipuluan apo jo votues). U krijua fryma e tillë në opinionin publik dhe fitove mandatin e parë.
Fitove mandatin e dytë sepse shumë njerëz menduan, panë e besuan se punove gjatë mandatit të parë. Përvetësove aksionin e politikës që u bë bashkë kundër kioskave.
Fitove të tretin, me shumë kundërshti e akuza për manipulim e fallsifikim edhe për faktin se shumëkush atëhere ra pre e asaj thënies …për inat të sime re… por dhe se nuk u angazhuan në fushatë, nuk u ftuan të kontribuonin mjaft njerëz me peshë dhe u dha besim më shumë se sa duhej, sipas meje gjithmonë, të rinjve që u lodhën gjatë rrugës dhe u verbuan edhe nga pasqyrat gjatë numërimit të votave…
Këtë mandatin e katërt ti nuk e don as vetë sepse nuk ke dhe nuk di çfarë të bësh me të. Thjeshtë e don për të qenë Kola në punë, për të mos mbetur i papunë.
Nuk ka më magji fjala jotë para qytetarëve. Ngutshëm u thua “futni votën nënë… të tjerat rregullohen… të heqim Saliun… kusaria… regjim kusarie…”. Kaq. Kjo është e gjitha. Je shterrë zoti Rama. Bukur, ngrohtë para kamerave e montimeve të kontrolluara i takon njerzit, por nuk i sheh më në sy. Nuk ke çfarë tu thuash. Nuk ke çfarë jep më në bashki.
Fillove të premtosh se do bësh këtë e atë. Po pse nuk i bëre? Kush të ndaloi të bëje? Ato që thua do t’i bëj tani, pavarësisht qeverisë, pse nuk i bëre deri tani, pavarësisht qeverisë, për 11 vjet që je në atë karrige.
Unë e kuptoj se edhe vetë je mërzitë me atë vend pune. 11 vjet janë shumë.
E kuptoj se dyzimi mes kryetarit të bashkisë më të madhe të vendit, mes kryetarit të partisë më të madhe opozitare, mes ëndrrës se një ditë do të bëhesh kryeministër i vendit, të ka futur në një qerthull, në një rreth e nuk din nga t’ia mbash.
Ta dorëzosh bashkinë pa luftë elektorale, nuk e çmon të arsyeshme dhe druhesh se të ndëshkon partia.
Dyshimi në veten dhe trazimi që të shkakton gabimi që nuk u bërë deputet të shoqëron.
E ke kuptuar tashmë se politika nuk bëhet në konferenca shtypi, sado kamera e mikrofona të kesh përpara.
Edhe ata mbështetës që të votojnë dhe besojnë, e kanë një fije dyshimi se do t’i lësh në baltë në qershor 2013, kohë kur, nëse do jesh kryetar i PS, do të dalësh në zgjedhje politike për të garuar për kryeministër, ose së paku për deputet, sepse nuk gabon më që të mos bëhesh deputet, duke dorëzuar mandatin e kryebashkiakut.
Edhe besuesit më fanatikë e besojnë se edhe po fitove bashkinë për herë të katërt, nuk do të kesh kohë, vullnet e deshirë të jesh më asnjë orë kryetar bashkie se je vjelë fort me atë zyrë, me atë rutinë të njëjtë, por do të mbetesh në luftën politike kundër qeverisë, gjithmonë rrugëve, sepse ti nuk je në tribunat e tryezat ku bëhet politika..
Pra do të vazhdosh të bëhësh si nxënësi më i keq i mundshëm i korrespondencës që ka mik. Nuk ke kohë më as nuk don që të jesh kryetar bashkie.
Ëndrra për më lart ta ka zvjerdhë kryebashkiakun. Nuk je më i vemëndshëm për njerzit. Po tradhëton vetën duke bërë premtime për ato gjëra që duhej dhe paske patur mundësi t’i bëje, por nuk ke patur kohë as deshirë sepse bashkinë e ke lënë në plan të dytë duke u marrë me partinë. Ik, merru me partinë, aspiro për më lart.
Tradhëton veten sepse nuk bën më gjë për më mirë sepse ke bërë edhe mjaft gjëra keq e shkeleshko.
Ajo që ta tregon përshtjellimin, frikën, pasigurinë, joseriozitetin është gjithë sjellja jote fushatore. Përballë ke një njeri jo të pasuksesshëm në karierë, dhe ngaqë e ke frikë, e ngre stekën dhe merresh me kryeministrin. Po bën fushatë me parulla e jo me sytë e njerzve.
E ke frikë Lulzim Bashën sepse ai në fund të fundit po na ofron qetesisht vetën duke na thënë, pa ulërima e çjerrje zëri, pa cingërisje nervash, provomëni.
Dhe kur ti ke guxim të kalërosh për herë të katërt dhe kërkon besimin tonë, pse të mos i besojmë njëherë Lulzim Bashës. Ta provojmë. Të duruam 11 vjet, tre mandate, dhe tash je shterrë. Pse të mos provojmë njëherë Lulzim Bashën që është më i prekshëm për njerzit, më i çiltër, më i afërt e tokësor dhe jo kryetar bashkie me korespondencë që ta ketë punën në bashki si punë të dytë. 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri