4/15/11

Shkrim me shkas: Aktori që po pushton botën e filmit shqiptar

 
Me aktorin tonë tashmë të mirënjohur, Avni Dalipin biseduam për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me kulturën në trojet shqiptare. lidhur më organizimet e aktiviteteve në prag të “Ditëve të Kulturës Shqiptare në Maqedoni”, që do të mbahet nga 22-28 Nëntor, si dhe rreth shumë çështjeve me të cilat ballafaqohet sot kultura jonë, teatri si dhe filmi ynë kombëtar.

INA: Shkas i kësaj bisede mbetet Manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare”, të cilin, tre vjet radhazi po e organizoni ju me stafin tuaj të angazhuar në “Teatri Lirik Skupi & Friends”...



Avni Dalipi: Ishte një ide të cilën e kisha bluar shumë kohë më parë! Ajo hasi në përkrahje vetëm kur Ministrinë e Kulturës filluan ta menaxhojnë shqiptarët! Ky vit është viti i tretë me radhë në të cilin përjetohet Manifestimi “Ditët e Kulturës Shqiptare”, që mbahen më 22-28 Nëntor, me rastin e festave kombëtare, Ditës së Alfabetit Shqip e që përmbyllen me ditën e Flamurit Kombëtar. Është një manifestim që i thenë klishetë, nuk organizohet në forma strikte akademike e të lodhshme, por, ka formën e një feste që zgjatë një javë e që mund ta përjetojnë të gjithë, të gjithë shqiptarët e vendit. Cdo vit kemi ndryshuar konceptin organizativ, dhe e kemi formësuar si arenë e shprehjes së formave te reja krijuese artistike.

INA: Do me thënë se, edhe sivjet pritet të kemi aktivitete të tjera nga ai i vitit të kaluar?

Avni Dalipi: Po, koncepti i sivjem përbëhet nga shfaqet teatrale, nga ekspozita e pikturave, pastaj të fotografive artistike, me ditën e filmit të shkurtër, me recitale poetike e muzikore etj. në të cilat janë të angazhuar emra të respektueshëm artistësh nga vendi, Kosova e Shqipëria. Risi e sivjemë do të jetë promovimi i CD me recital poetik. Do kemi nderin që në këtë mbrëmje të kemi mysafire edhe të madhen tonë, Tinka Kurtin! Një ditë e veçantë do të jetë edhe dita e shfaqjeve të filmave të shkurtër, ekspozita tematike e fotografisë e Greta Lamit nga Tirana si dhe recitali i Flamurit që do të mbahet më 27 nëntor për nder të ditës së flamurit përgaditur nga aktori ynë i madh Vasjan Lami !

INA: Të gjitha aktivitetet do të zhvillohen vetëm në Shkup ?

Avni Dalipi: Fatkeqësisht, pjesa më e madhe, po! Buxheti aktual nuk na mundëson që këto aktivitete t’i shtrijmë nëpër të gjitha viset ku jetojnë shqiptarët! Një shfaqje planifikojmë të mbajmë në Tetovë dhe, ekspozitën e shoqatës së piktorëve shqiptarë “Draudakum”, nga Shkupi ta bartim në Gostivar! Me rastin e 22 Nëntorit do të kemi një manifestim kombëtar të organizuar nga strukturat shqiptare në Qeverinë aktuale të Maqedonisë, ndërsa, festimit të 28 Nëntorit do t’i bashkangjiten edhe sërë asociacionesh shqiptare të vendit. Natyrisht, këto organizime do të jenë të vetësishme, ndërkohë që do t’ia shtojnë begatinë dhe laryshinë programit të ditëve të kulturës. Gjithësesi, do të ketë programe akademike të organizuara nga asociacionet e ndryshme shqiptare të vendit e të përkrahura nga strukturat shqiptare qeveritare e komunale.

INA: Të kalojmë në një temë tjetër, veçanërisht për profesionin të cilit i takoni! Ku gjendet momentalisht me aktivitete profesionale Avni Dalipi ?

Avni Dalipi: Artisti i mirëfilltë, në çdo pore të hapësirës e në çdo fraksion kohe ndien se është aktiv në fushën e vet profesionale. Edhe në gjumë ëndërron tek shkel dërrasat e skenës apo tek kaluron apo ik nëpër shiritin filmik. Artisti i mirëfilltë, edhe me veshje të përditshme, edhe me ecje, edhe me qëndrim, edhe me komunikim, edhe me shikim... pandashëm reflekton profesionin e vet. Pra, aktivitetet profesionale të një artisti janë permanente, janë si dhëmbët e mekanizmit që pandërprerë e mbajnë në jetë një makinë. Sa i përket asaj se si përmbusha këtë vit aktivitetet e mia aktoreske, po theksoj se, më aktiv isha në sferën e filmit, më konkretisht, në film të metrazhit të shkurtër. Luajta tashmë në filmat e përfunduar RRUGA dhe PROCESI, ndërsa këtë muaj do të përfundojë edhe filmi MARATONISTI ku luaj rolin kryesor. Pse ky angazhim për film të metrazhit të shkurtër? Për nga vlera filmi i shkurtër është po aq i rëndësishë sa edhe filmi me metrazh të plotë. Duke u nisur nga rrethanat dhe kushtet materiale në regjion, filmi i shkurtër realizohet më lehtë, më komod dhe më me pak buxhet, ndonëse si krijim është shumë më vështirë të shprehen të gjitha ato që duam t’i themi e të cilat shumë me më komoditet do t’i shprehnim në një film me metrazh të plotë, pra ky zhanër i filmit krijon mundësi më të mëdha për të ardhur në shprehje krijuesit filmic. Filmi i shkurtë më lehtë gjenë hapësirë të shprehjes duke u bazuar edhe në bashkëpunimet e mundshme me televizionet nacionale apo locale, në të cilat me lehtë do të gjendej hapësirë në skemat e tyre programore për shfaqje. Pra, filmi i shkurtër më lehtë depërton e me këtë, aktorët, regjisoret e skenaristët me lehtë realizohen.

INA: Çdo të thotë të jesh artist shqiptarë, sidomos në Kosovë e Maqedoni ?

Avni Dalipi: Të jesh artist në Kosovë, do të thotë që t’i ngjeshësh bërrylat dhe të futesh në luftë në të mirë të njërit nga shumë fraksionet, do të thotë, së pari të fraksionohesh e pastaj të ndjeshë dërrasat e skenës. Të jeshë aktor në Kosovë do të thotë të pranosh faktin që si “artist i pavarur” je më i suksesshëm dhe më i nderuar. Fare në fund, të jem korrekt, të jeshë aktor në Kosovë do të thotë të jeshë pjesëtar i një konkurrence të madhe profesionale. Në Kosovë, për momentin, nëse nuk je aktiv përhershëm, “shkelesh” nga gjeneratat që po vijnë pa pra. Kjo prurje aktorësh gjithnjë e më të mirë të detyron të jesh në pikun e gatishmërisë profesionale, paçka që me vite mund të mos gjesh vend në skena teatrale të Kosovës.
Të jesh artist në Maqedoni do të thotë të jesh pak entuziast, pak i politizuar, pak profesionist e shumë më tepër i përgatitur për të punuar. Dorën në zemër, të jesh aktor në Maqedoni do të thotë të jesh në raporte miqësore të përditshme me aktorë të kalibrit të lartë, të disiplinuar e të palodhshëm. Ndryshe, nuk mund të mbahet një repertoar me dymbëdhjetë premiera e me një festival ndërkombëtar (Skupi Festival) siç arriti ta mbajë këtë tempo Teatri i Shkupit në dy vitet e shkuara. Të jeshë aktor në Maqedoni, do të thotë që të jesh i gatshëm që më tepër të jetosh me entuziazëm se sa me duartrokitje nga publiku. Të jesh aktor këtu do të thotë që me publikun të ndeshesh vetëm në premierë. Këtu të bësh jetën e aktorit do të thotë që të “lëngosh” nga një sëmundje që e cila shkaktohet nga mungesa e publikut! Zoti e bëftë mirë!
Të jeshë aktor në Shqipëri, do të thotë të jeshë në luftë të përhershme me gjenerata, me shkolla e me drejtime teatrale. Të jeshë aty aktor do të thotë të mohosh çdo gjë në të mirë të materializimit të profesionit tënd. Aty shumë shtrenjtë shkon pasuli.
Krejt në fund, të jesh aktor shqiptar, do të thotë të jesh në maratonë të përjetshme drejt famës së Bekim Fehmiut, Sandër Prosit, Margarita Xhepës e Tinka Kurtit, Faruk Begollit, Xhon e Xhim Bellushit, Rexhep Mitrovicës etj. Pra, të jesh aktor shqiptar do të thotë të jesh personalitet botëror. Na ka rënë kjo hise – ikje nuk ka!

INA: Si do e vlerësoni një dilemë! A po i kthehen shqiptarët kultivimit të traditës kulturore, duke e ndërthurur ate në vepra artistike, në këtë rast kam parasysh teatrin apo filmin ?

Avni Dalipi: Jo vetëm teatrin dhe filmin. Unë do të thosha që të kemi parasysh edhe sfera të tjera kulturore! Shikoni se çka po bëjnë balerinët shqiptarë nëpër botë! Operistët, instrumentistët, shkrimtarët... Natyrisht, kemi edhe shumë shund e kiç, kemi “vepra” pseudovlerë por që, populli ynë di dhe të shoshisë, e ka këtë kapacitet e këtë forcë – shoshën në dorë dhe vlerat në tavolinën e bukës e bykun në pleh!
Drejt institucionalizimit të jetës kulturore si dhe të avansimit të traditave krijuese në Kosovë e në Shqipëri punët kanë ecur mirë e mbarë. Në Maqedoni deri para dy viteve, çdo gjë ka qenë në suaza të entuziazmit, të dëshirës për t’u dëshmuar se edhe shqiptarët e këtushëm kanë vlera e potencial kulturor. Dhe jo rastësisht shumë shpejt u arrit para dy viteve që të kemi i nstitucionete para kulturore shqiptare në Maqedoni. Teatri i Tetovës, Galeria e Arteve në Tetovë, Qendra për konzervim në Gostivar, Instituti për trashëgimi kulturore “Pjetër Bogdani” – janë i nstitucione nacionale shqiptare të cilat perceptohen si lopatat e para me beton në themelet e një jetë të pathyeshme kulturore shqiptare. Nuk ka kulturë pa institucione përkatëse. Mungesa e këtyre institucioneve prodhon vetëm vetëkënaqësi, antivlerë e kultura të diskutueshme!

INA: Në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri kemi pasur një plejadë të artistëve të njohur të ashtuquajtura si “legjenda” të teatrit apo filmit. Çfarë po ndodh me brezin e ri ?

Avni Dalipi: Pak më parë folëm për legjendat e filmit dhe të teatrit shqiptar. Ata emra meritojnë të flitet gjërë e gjatë. Janë emra që bënë shumë për ne, si komb, pavarësisht se kombi akoma nuk ua kthehu borxhin atyre. Nuk i studiuam sa duhet, nuk ngritëm asociacione me emër e mbiemër të tyre, nuk themeluam ndonjë shpërblim që do të mbante emrin e tyre, nuk botuam monografi e studime mbi personalitetin e tyre. Legjendave tona u kemi shumë borxh! Mbase ky mund të jetë ndonjë formë mallkimi i cili po na mban të mbërthyer dhe nuk po na lë të shpërthejmë e të prekim atë zenit ku bëjnë jetën këta personalitete tona legjenda të filmit e të artit.
Pa dyshim që kemi edhe aktorë të rinj shumë të mirë, madje me vlera ndërkombëtare, të cilët do të performonin nëpër filma! Problemi është se filmat janë komercializuar aq shumë sa që tashmë kemi të bëjmë me filmin jo vetëm si art por mbi të gjitha, me industri me një “fabrikë” që sjell miliarda dollarë! Për të ardhur deri te ky nivel filmi shqiptar nuk ka mundësira finansiare. Loja blihet por dhe shitet shumë shtrenjtë. Ne kemi artistë të rinjë loja e të cilëve mund të shitet shumë shtrenjt, por, ku ta gjejmë blerësin shqiptar!
Të merremi vesh, jemi në periudhën e tranzicionit politik, përgjithësisht si komb. Ky tranzicion po na zgjatë shumë dhe ka të ngjarë që të na zgjasë edhe ca dekada! Deri atëherë prodhimi i kuadrove të rinj do të jetë i pandalshëm ndërsa arritja e famës “legjendë” do të jetë i rëndë, sepse shoqëria shqiptare edhe më tej do të merret me politikë. Kulturën do ta ketë të dorës së dytë, tretë, katër...

INA: Cilat janë lidhjet e tuaja me botën e filmit ?

Avni Dalipi: E dua filmin. E dua edhe skenën e teatrit! Role kam interpretuar shumë më tepër nëpër filma se sa në teatër, ndonëse në teatër jam prezantuar shumë herë më tepër se në filma. Këtë e bazoj në reprizim të shfaqjeve! Shfaqja “KOMEMORATIVISHT” apo “KOSOVARS” ku interpretoj rol kryesor, pra, këto shfaqje kanë përjetuar dhjetra e dhjetra reprizime si në vend ashtu edhe në festivalet ndër më të mëdhatë në botën e teatrit.
Megjithatë, siç thashë, bota e filmit më ka aktivizuar shumë më tepër se sa bota e teatrit. Kam luajtur në filma të ndryshëm të të gjitha zhanreve, për ç’gjë opinioni ynë më nderon dhë respekton. Aktorët e mëdhenj kanë lindur në skenën e teatrit ndërsa përjetësinë e kanë arritur në botën e filmit.

INA: Si e komentoni faktin që auditoriumet e teatrit në Kosovë e Maqedoni gjithnjë po humbin artëdashësit. Ku qëndron defekti rreth kësaj ?

Avni Dalipi: Nuk di, mbase në keqmenaxhim! Në mungesë të i deve se si të ftohet publiku në shfaqje. Jeta është bërë shumë dinamike! Shtëpi punë, punë shtëpi! Në të tilla rrethana duhet të ngriten metodologji të veçanta për sjelljen e publikut në teatër! Teatri gjithnjë ka qenë art i aristokracisë, por aristokracia kurrë nuk e ka mbushur teatrin, aristokracia ka mbyshur lozhat e teatrit! Kështu ishte në teatrin anglez të viteve 1650-1700. Në lozhën përballë skenës gjithnjë uleshin beqaret, gratë e pamartuara apo të divorcuara! Në rreshtat e parë uleshin të rinjtë dhe beqarët, të cilët hynin në teatër pasi që të i shin ulur të gjithë. Në brendi Gruaja Portokalli shëtiste poshtë e lartë gjithnjë duke e mbajtur shikimin te beqarët, të cilët e paguanin një portokall dhe i thonin Gruajës që mbante shportën plotë me portokalla që t’ia dhuronte asaj beqareje të cilës i a kishte hedhur syrin me të hyrë në teatër! Në këtë periudhë pikërisht kjo Grua i shte më meritorja për mbushjen përplot me publik të teatrove angleze. Sot shkenca e marketingut e bën të veten. Marketingu dhe menaxhmenti sot po joshin dhe po drejtojnë botën. Të dyja këto janë shkencë më vete. Ndërsa ndër ne, me këto shkenca, sot merren entuziastët – jo profesionistët! Aktori, po as regjisori e dramaturgu, nuk janë të thirrur e as njerëz të duhur për të krijuar publikun, ata krijojnë veprën për publikun. Është një sistem i tërë që kujdeset jo vetëm për kultivim të vlerave por edhe për konsumues të atyre vlerave! Dikur publik patëm shumë, sot nuk kemi menaxherë as propagandë për ta bindur publikun se më tepër pushon në një shfaqje njëorëshe se sa në shtëpi. Ky edukim duhet t’i prekë të gjithë, nxënësit, studentët, mësuesit, profesorët, bartësit e jetës publike e shoqërore si dhe, pa dyshim, edhe prindërit.

INA: Në çfarë mase është përkujdesja i nstitucionale për filmin, teatrin në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup?

Avni Dalipi: Filmi më së miri është duke kaluar në Shkup! Qeveria e Maqedonisë çdo vit po e rrit buxhetin e filmit, kështu që, filmi maqedon jo vetëm që po kultivohet mirë e mbarë por edhe po gjen gjithnjë e më shumë hapësira ndërkombëtare. Në Shqipëri filmi shqiptar jo rallë po mbështetet në koproduksione, madje finansime ka përjetuar edhe nga Ministria e Kulturës së Maqedonisë derisa ministrohej nga shqiptarët. Buxheti i filmit shqiptar është pak më i mirë se ai i Kosovës. Këtë vit ministri Arifikmet Xhemaili nënshkroi vendim për ta ndihmuar filmin e Gjergj Xhuvanit me 250 mij euro, ndërsa i tërë buxheti i filmit kosovar i shte 300 mijë euro!
Edhe në Teatër punët më së miri qëndrojnë në teatrot e Maqedonisë! Finansohen shumë teatro profesionale e amatore, shumë shfaqje, shumë manifestime kombëtare e ndërkombëtare! Nuk është keq as Kosova! Teatrot nëpër Kosovë, në këto kushte, janë aktive dhe funskionojnë varësisht nga buxheti që mund të krijojnë nga ministria përkatese, nga donatorë e sponsorë të ndryshëm, që nuk janë të paktë. Shqiptarët në Kosovë e duan artin, e çmojnë ndaj dhe, kur është në pyetje përkrahja finansiare, nuk mungon edhe vullneti për ta përkrahur materialisht qoftë një teatër, qoftë një shfaqje apo edhe një manifestim.
Në Shqipëri, sikur ka filluar të ndryshojë koncepti i menaxhimit të Teatrove. Qeveria e Berishës ka mundësuar që të gjithë aktorët të kenë të siguruar rrogën bazë, përafërsisht në vlerë prej 500 euro. Pastaj, aktorët, sa më tepër të angazhohen, sa më tepër të kapin role “të mëdha” aq më tepër edhe do të paguhen ekstra! Kjo metodë nxitë konkurrencën, nxitë aktivizimin e çdo aktori si dhe përkushtimin më të madh për t’u marrur me këtë profesion. Në Shqipër aktorët kanë filluar të jetojnë prej këtij profesioni.

INA: Bisedën po e përfundojmë me temën e fillimit: a keni hasur në përkrahjen e strukturave aktuale për ditët e sivjeme të kulturës shqiptare në Maqedoni?

Avni Dalipi: Pa dyshim! Sepse këto ditë nuk janë ditë ekzkluzivisht për mua apo për një grup të caktuar njerëzish. Këto ditë janë për të gjithë shqiptarët e vendit dhe më gjërë. Uroj që prej vitit të ardhshëm ky aktivitet të mos jetë vetëm projekt i një asociacioni apo i shoqërisë civile. Do të ishte mrekulli më vete që kjo të shëndrrohej në institucion, për të cilën gjë gjakoj që nga fillimi i këtij aktiviteti; të kalonte në drejtori të përhershme, në suaza të Ministrisë së Kulturës të përceptohet si manifestim nacional (si Vera e Ohrit, Netët e Operës së Majit, etj) pra, të shkëputej nga ojq-të dhe të kalonte në menaxhim të sektoreve përkatëse në këtë Ministri, dua që ky manifestim të mbetet i përhershëm me n jë drejtori profesionale. Kam bindjen e plotë se kjo do të bëhet! Shqiptarët e Maqedonisë meritojnë që, një herë në vit, shtatë ditë rresht të kenë Ditët e tyre të Kulturës. Dhe, në mënyrë më dinjitoze gjithësesi që do të festoheshin ditët nga 22-28 Nëntor, festa kombëtare këto që i dhanë kuptim shtetësisë dhe kombit shqiptar.





Shfaqjet në teatrot profesionale:


1. “The KosoWars” regjia Haqif Mulliqi- Teatri Alternativ Kosova
2. “ Ruleti Ballkanik” regjia Gëzim Kame- Teatri kombëtar i Kosovës
3. “Dredhëzat mbi varre” regjia Jeton Ahmetaj – Teatri kombëtar i Kosovës
4. Profesor …jam talent…(1) regjia Faruk Begolli
5. Ditë Vere – S. Mrozhek, regjia Melihate Qena
6. Borgjezi Fisnik – Molier, regjia Luan Daka
7. Karavani i bubrrecave – sipas filmit amerikan, “Fluturimi mbi folenë e qyqes” – Regjia Isa Qosja
8. Zhvarrimi I Pjetër Bogdanit – Teki Dervishi, regjia Fadil Hysaj etj.
9. “Komemorativisht”- Haqif Mulliqi,




Nga filmat:


1. “Djelmoshat e rrezikshëm” – Halil Budakova
2. Vallja e çmendur – Isa Qosja ( Ky film u prezentua në festivalin e Brukselit “Cinema Mediterraneen a Bruxelless” në nëntor të vitit 1998) etj..
3. Vesa – Isa Qosja
4. Rruga pa kthim – Ekrem Kryeziu
5. Te Pulat Tona – Sunaj Raça
6. “Palaço i pa kulturuar” – film per fëmijë.




Filmat e shkurtër:


1. “Procesi” – Robert Bacaj
2. “Rruga” – Osman Demiri
3. “ Jeta Ime” Agron Maliqi
4. “Visible Dream” – Hareza Basha
5. “Ruhani i IV”
6. “Piktura”
7. “Jeta Ime”
8. “ Njerëzit e humbur”- film në proces të realizimit.


Nga shfaqjet për fëmijë:

1. Princesha Zobeidë – teatri Dodona – regjia M. Qena
2. Pylli është I të gjithëve – Teatri Dodona – regjia M. Qena
3. Besimi I Humbur – Teatri Dodona – regjia Adem Zhitopotoku
4. Babadimri midis nesh – QDAKFR Qeshu – Smile – Regjia A. Dalipi etj..
5. Lojra Për Fëmijë – Lojra pa Kufinj në organizim të shoqatës italiane Ai.Bi., me koncept, përzgjedhje, regji dhe udhëheqje të A. Dalipit

(Intervistoi: Naser Pajaziti/Iliria News Agency)

No comments:

Post a Comment