4/25/11

Si lindi “Lahuta e Malcis”

http://www.scribd.com/doc/17180142/Lahuta-e-malsis



Si u krijua një nga veprat më të njohura të letërsisë shqiptare? Autori, një studiues i njohur i Fishtës, tregon rrugët e saj, të cilat ndahen mes mitit dhe realitetit. Akoma më shumë, ai mundohet që përmes Fishtës të tregojë madhështinë e njërit prej njerëzve më të kulturuar të letërsisë shqipe të të gjithë kohërave, por edhe rrekjen se si mundi që kjo vepër të ishte në Panteonin e letërsisë shqiptare. Shkrimi botohet ekskluzivisht për ABC...

1. Hyrja: kur shkruhej Lahuta e Malcis
Këngët e para të Lahutës së Malcis, që kanë si protagonist kryesor Marash Ucin (1110 vargje), Gjergj Fishta i shkroi në verën e vitit 1902 dhe i botoi si libërth më vete më 1905 , ndërsa variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis me 30 këngë (rreth 16 mijë vargje ) e botoi më 1937.

Edhe në këtë këndvështrim, pra, të kohëgjatësisë, në të cilën u shkrua, Lahuta e Malcis është një vepër e veçantë, sepse autori i saj nuk e hoq nga dora për 35 vjet, ndërkohë që krijonte dhe botonte vepra të tjera të rëndësishme letrare e publicistike; ndërkohë që bënte një jetë politike dhe shoqërore tepër aktive, duke qenë protagonist i ngjarjeve të tilla, si: Kongresi i Manastirit (1908), Kryengritja e Përgjithshme për Pavarësi Kombëtare (1910-1912), Rrethimi i Shkodrës (1912-1913), Lufta e Parë Botërore (1914-1918), Konferenca e Paqes në Paris (1919-1920), Parlamenti i Parë Shqiptar (1921-1924), Revolucioni Demokratik Borgjez (1924) etj.

Të gjitha këto pika kulmore të historisë së Shqipërisë janë reflektuar drejtpërdrejt në veprën letrare të Fishtës (kujtojmë këtu poezinë “Surgite mortui”-1920(?) dhe poemën satirike “Gomari i Babatasit”-1923) dhe janë pasqyruar gjërësisht në publicistikën e tij (revista “Hylli i Dritës”, gazeta “Posta e Shqypnis” etj), por ai i kthehej dhe i rikthehej Lahutës së Malcis, ndonëse zhvillimet historike në atë vepër ndalojnë me njohjen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Si duket, Fishta ka menduar gjithmonë se kombi i ripërtërirë shqiptar do të kishte nevojë të përhershme të njihte rrënjët e veta epiko-historike, etno-kulturore e deri mitologjike. Dhe këto rrënjë të genit shqiptar (iliro-shqiptar), megjithëse të pashkruara deri atëherë (ose pjesërisht të thëna dhe të (sh)përdoruar prej kujdo), janë më të thellat në truallin ballkanik në krahasim me të gjithë popujt e tjerë fqinjë të shqiptarëve, përfshirë sllavët, përballja me synimet ekspansioniste të të cilëve ndaj trojeve shqiptare përbën konfliktin kryesor të këngëve të para të Lahutës së Malcis , dhe ashtu mbetet edhe në variantin e saj përfundimtar kur ai konflikt zgjerohet duke përfshirë Perandorinë Osmane dhe kancelaritë diplomatike të shteteve më të fuqishëm të kohës.
Ky mesazh artistik i Lahutës së Malcis, për nevojën e njohjes së vazhdueshme të rrënjëve historiko-kulturore, është i rëndësishëm edhe sot në kohërat moderne, kur shqiptarët dhe fqinjët e tyre të Ballkanit synojnë integrimin rajonal dhe më gjërë, sepse integrimi (edhe globalizimi) nuk mund të realizohet duke fshirë kujtesën historike të popujve apo duke shuar kulturat kombëtare. Përkundrazi, pluraliteti i kulturave të pupujve në Evropën e Bashkuar dhe i gjuhëve, përfshirë edhe kulturën dhe gjuhën shqipe, do të stimulohet, sepse, edhe pa njërën prej tyre, mozaikut kulturor të Evropës do t’i mungonte një ngjyrë.
2. Mitizimi i fillesës poetike
Si për çdo vepër tjetër madhore a zbulim me përmasa universale, edhe për Lahutën e Fishtës është kërkuar një frut që bie nga pema mbi kokën e dremitur të autorit për të zgjuar tek ai frymëzimin, si thuhet për mollën e Njutonit. Për Gjergj Fishtën na kanë mbërritur dy tregime që e shpjegojnë zanafillën e Lahutës së Malcis si rastësi, me fjalë të tjera, janë dy përpjekje për ta mitizuar mesazhin ideo-artistik të epopesë kombëtare të shqiptarëve, që, në një farë mënyre, kanë shërbyer edhe për ta keqvlerësuar atë vepër letrare, duke thjeshtëzuar impenjimin e mundimshëm të krijimtarisë më se 35-vjeçare, duke e zhveshur veprën prej vlerave të papërsëritshme e krejtësisht origjinale, duke shkëputur autorin e Lahutës së Malcis prej Zanës së tij të Frymëzimit.
Tregimi i parë e shpjegon lindjen e idesë për t’u shkruar një vepër madhore si Lahuta e Malcis me takimin e rastësishëm të autorit të saj me malësorin e urtë, Marash Uci.
Gjergj Fishta, i lindur në fshatin Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871 dhe shkolluar në Shkodër, në Troshan, dhe në Bosnje (Guçagora, Sutiska e Livno) ku kreu studimet e larta për teologji e filozofi; filloi karrierën e priftit franceskan në Troshan (25 shkurt 1894), në Lezhë e Gomsiqe për t'u vendosur përfundimisht më 1902 në Shkodër. Shokët e tij e njohën si poet që në bankat e shkollës, por në shtyp u shfaq duke botuar me pseudonime të ndryshme poezi në revistën “Albania” të Faik Konicës në vitet 1899-1904. Pikërisht në këto vite (më saktë në pushimet verore të vitit 1902) ai u njoh më bariun, Marash Uci, kur ishte përkohësisht në Rapsh të Hotit për të zëvendësuar meshëtarin e atjeshëm në shërbesat fetare.

Marash Uci (vdiq më 1914), malësori i pashkolluar, që kishte shërbyer si ushtar i Perandorisë deri thellë shkretëtirave të saj, i la Fishtës një përshtypje të veçantë për mënyrën si i gjykonte dhe i tregonte "historitë" e malësorëve të tjerë, protagonistë të pafatë të ngjarjeve heroike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), ku Marash Uci kishte qenë një pjesëmarrës aktiv për mbrojtjen e trojeve shqiptare.
Kur Gjergj Fishta u kthye nga Malësia, u tregoi miqve më të afërt vargjet që ai kishte shkruar atje për Marash Ucin. Ata do të këmbëngulnin që ato vargje të botoheshin si libër më vete. Madje edhe e ndihmuan, së bashku me Faik Konicën, duke ndërmjetësuar te Ministria e Jashtme e Austrisë, për mbështetje financiare. Në vitin 1904\5 u botua në Zarë (Kroaci) libri i parë i Lahutës së Malcis.
U botua pa emrin e autorit: Lahuta e Malcis, Kangë Popullore, Bleni i parë. Dy vjet më vonë, më 1907 u botua libri i dytë, "Vranina" me 4 këngë, kushtuar Oso Kukës. Ndërkohë që këta dy libra ribotoheshin ("Vranina" u ribotua 6 herë, ndërsa "Marash Uci" 4 herë, në dy botimet e fundit me titullin "Te Ura e Rrzhanicës"), Fishta shkruante këngët e tjera, të cilat filloi t'i botonte që nga viti 1921 deri më 1937, kur nxori nga shtypi variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis . Që nga ajo kohë e deri më sot Lahuta e Malcis ka njohur disa botime brenda e jashtë vendit, është përkthyer në italisht (disa pjesë janë përkthyer nga më shumë se një autor) dhe gjermanisht.
Tregimi i dytë rreket të argumentojë se idea për të shkruar Lahutën e Malcis i ka lindur Fishtës edhe më herët, pikërisht kur ishte student në Bosnje, aty rreth viteve 1886-1893, pasi qe njohur personalisht me lirikun kroat, Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908), të cilit në vitin 1892 i kushton edhe disa vargje të shkruara italisht; pasi ka mësuar përmendësh të gjitha vargjet e poemës “Smrt Smail Age Cengica” (Vdekja e Smajl Agë Cengiçit) të Ivan Mazhuranoviçit (1814-1890), të cilin e adhuronte shumë dhe pasi ishte njohur për së afërmi me veprat e autorëve të tjerë sllavë: Andre Kaçiq (1696-1769), Petar Petroviç Njegosh (1813-1851), Gërgo Martiç (1822-1905). Ata që sjellin të tilla argumente shkruajnë se Fishta njihte shumë mirë serbokroatishten dhe shkrimtarët që shkruanin në këtë gjuhë, prandaj i ndikuar prej veprave të tyre, “aty (në Bosnje) erdh idea e parë, me u vu me shkrue Lahuten e Malcis”.
Sipas Fulvio Cordignano, në vitin 1925 Fishta po përgatiste Lahutën e Malcis me 20 këngë. Deri atëherë ishin shkruar 15 këngë, ndërsa pesë ishin në proces krijimi. Në projektin e 1925-ës Lahuta e Malcis fillonte me katër këngët e Oso Kukës (Vranina ripunuar më 1923); vazhdonte me pesë këngët e Lidhjes së Prizrenit, botuar te revista “Hylli i Dritës” 1921-1923; pastaj vinin dy këngë me titull “Lugati” dhe “Kulshedra”, botuar më 1922 dhe dy këngë që do të shkruheshin (“Ora e Shalës” dhe “Ndokshiqi”); vijonin katër këngët nga Marash Uci dhe mbyllej me tri këngët e ciklit Konferenca e Londonit, që Fishta kishte menduar t’i shkruante (“Dedë Gjo Luli”, “Lufta e Ballkanit” dhe “Flamuri i Shqypnis”). Kënga e fundit, “Flamuri i Shypnis”, që, me sa dimë ne, nuk u shkrua ndonjëherë, do t’i kushtohej Princ Vidit.
Tanimë është i njohur fakti se ky projekt nuk u realizua, pasi Fishta pas dështimit të Revolucionit Demokratik Borgjez (dhjetor 1924) u largua nga Shqipëria për t’u kthyer pas tre vjetësh. Në vazhdim, ai ka vendosur të tërhiqet, thuajse krejtësisht, nga jeta politike e vendit për t’u marrë më me përkushtim me krijimtarinë e vet letrare, ku bënte pjesë edhe një projekt më i zgjeruar për Lahutën e Malcis.
Kështu, në vitin 1930 shohin dritën e botimit pesë këngë të reja, kushtuar Pater Gjonit; më 1931 botohet si libërth më vete Lidhja e Prizrenit dhe më 1932 Marash Uci, ripunuar për t’u përfshirë në variantin përfundimtar të Lahutës së Malcis. Më pas, gjatë viteve 1934-1935, Fishta do të botojë te “Hylli i Dritës” katër këngët për Tringën dhe tri këngë të Konferencës së Londonit. Dy këngët e tjera të këtij cikli do të shohin dritën e botimit vetëm në Lahutën e Malcis më 1937.
3. Çmitizimi: “Idhnim e t’çame krejet\ me t’ba me dalun fejet”
Po të vazhdonim me logjikën e tregimit të parë, do të na duhej të shtonim edhe një hollësi tjetër, që lidhet me komunikimin maksimal që kanë pasur vargjet e Fishtës me vetë malësorët shqiptarë, që atëherë nuk dinin shkrim e këndim. Vargje të tëra nga Lahuta e Malcis mësoheshin përmendsh me një-dy herë të dëgjuara. Tregohet një rast domethënës, kur një malësor i pashkolluar deklamonte vargjet e plota të një kënge nga Lahuta e Malcis.
E pyetën: si e kishte mësuar kur nuk dinte shkrim dhe këndim? Ai u përgjegj se atë këngë e kishte dëgjuar një ditë rastësisht tek e lexonte me zë një i shkolluar: “Ia vuna menden e m’u pëlqye të s’ve”. Kur e çoi në fund, iu luta të ma thotë edhe nji herë. Si ma tha së dyti, e mora krejt”. Nga ky dimension homerik i vargjeve fishtjane, si dhe për shkak të mitit të krijimit të rastësishëm të Lahutës së Malcis, ndoshta, kanë marrë nismë disa studiues, kryesisht të Pasluftës së Dytë Botërore, që e nënçmuan Lahutën e Malcis, duke e quajtur vepër thjeshtë “folklorike” dhe autorin e saj asgjë më tepër se një “rapsod popullor”.
Ndërsa, sipas logjikës së tregimit të dytë, duhet shtuar se ka pasur studiues që kanë arritur në konkluzione edhe më të çuditshme, duke e etiketuar Lahutën e Malcis vepër të frymëzuar dhe të shkruar manastiresh (“kronikë sterile”), apo duke “bërë përpjekje për të gjetur afri, analogji, po edhe reminishenca sllave në veprën Lahuta e Malcis”. Reminishencë është kërkuar deri te titulli i veprës së Fishtës me atë të Petar Petroviç Njegoshit, “Gorskij Vjenac” (Kurora e maleve) ose në krijimin e figurës së luftëtarit shqiptar “sipas modeleve sllave (sic!)” etj.
Është për t’u shënuar se vetë Fishta nuk merakosej shumë për çfarë (do të) shkruanin dhe (do të ) thonin të tjerët për të dhe veprën e tij. Ai ishte i bindur se kishte krijuar një përmendore “rr’fe as mot mos m’e dermue”. Dhe, gjatë kohës që punonte për “Përmendoren” e tij dhe të shqiptarëve, më keq se të thënat e të shkruarat, atij i kishin shkaktuar qëndrimet e mediokërve (“krye-kungujt”) që kishte mbi kokë.

Në këngën e fundit të Lahutës së Malcis, në dialog me Zanën e Frymëzimit (“Hëj, moj Zanë, ti qofsh e bardhë”), Fishta flet për të tridhjetë vitet e tij “purë (përkulë) n’Lahutë t’Malcis”, duke u rrekur “sa u tuer (u tjerr) rrena edhe tradhtia” e duke u përplasur “mriz e n’mriz e lak në lak”. Ky varg i fundit është domethënës për të kuptuar se frymëzimi i tij ka rrjedhur edhe mundimshëm vargjeve “kreshnike” të Lahutës së Malcis “t’u regjë mendja e shqiptarit\ prap për t’gëzue lirinë jetike”. Dhe ajo “liri jetike”, që u kishte munguar shqiptarëve ndër shekuj, i kishte munguar edhe njeriut që mori përsipër të këndojë në gjuhën shqipe rodin e shqiptarit për një periudhë të gjatë kohore, më se 35-vjeçare. Madje, vazhdon t’i mungojë bash për shkak se po shkruan një vepër origjinale, me përmasa të tilla si Lahuta e Malcis, duke kaluar nga njëri rrezik në tjetrin (“lak në lak”).
Njërin prej këtyre rreziqeve (apo pengesë serioze) na e ftillon studiuesi i njohur Injac Zamputi. Ai na kumton një fakt, ndonëse jashtëletrar, por mjaft bindës për të kuptuar lakun në fytin e poetit, ndërkohë që shkruante Lahutën e Malcis. Atë lak ia mbanin lidhur në qafë deri vetë eprorët e Urdhërit të tij Franceskan, ndërkohë që ia lavdëronin publikisht veprën dhe e mitizonin si poet të vetëvetishëm. Duke iu referuar gjithnjë studiuesit Injac Zamputi, këta eprorë, kryesisht me kombësi jo shqiptare, të cilët Fishta i quan krye-kunguj, “sipas rregullave të Urdhrit (Franceskan), i kërkonin atij punë të tjera, duke ia penguar punimet poetike. Dhe, pse jo? I kërkonin të hiqte dorë nga idetë dhe veprimtaritë kombëtare”.
Është viti 1916, kur Fishta e ndien veten kaq tepër të rënduar prej qëndrimeve të tilla, sa shprehet në disa vargje, mbetur dorëshkrim, diku në një libër të tij, se nuk përfitoi asgjë për këngët e Lahutës së Malcis, që kishte shkruar deri atëherë, veçse “idhnim e t’çame krejet\ me t’ba me dalun fejet”.
Dhe, pavarësisht nga të gjitha këto kokëçarje jo të vogla, geni i poetit te Fishta dhe vullneti i tij shembullor, nuk rreshtën së krijuari Lahutën e Malcis. Edhe për këtë fakt kemi të bëjmë me një vepër të madhe dhe të papërsëritshme në llojin e vet. Ai i përjetonte për një kohë të gjatë brenda vetes emocionet e fuqishme të heronjve epikë të Lahutës së Malcis, prandaj vargjet i shkrunte kudo e në çdo kohë: kur e dërgonin famullive të largëta (cikli i Marash Ucit u shkrua në Hot); kur bënte udhëtime të gjatë ( dihet se “Lugati” u shkruar kur udhëtonte në një anije për në Amerikë); kur kishte nevojë të shlodhej nga punët e rëndomta e vinte në Lezhë, ku dihet se ka shkruar njërën prej këngëve më të bukura të Lahutës së Malcis, atë me titull “Koha e Re” etj.
Njohja e rrethanave specifike individuale të realizimit të krijimtarisë ka një rëndësi të dorës së parë për studiuesit, veçanërisht, kur kërkohet të depërtohet thellësive të përftesave artistike të fjalës apo vargut të një vepre letrare si Lahuta e Malcis, ashtu si marrin rëndësi të konsiderueshme edhe veprimtaria shoqërore e autorit, formimi i tij kulturor, idetë në raport me kohën dhe preokupimet gjithfarëshe të jetës së përditshme.
Në rastin e Fishtës duhen vlerësuar edhe rrethanat historike e politike të mjedisit shqiptar: ciklet e Marash Ucit dhe të Oso Kukës u shkruan në kushtet e robërisë pesëshekullore; cikli Lidhja e Prizrenit u shkrua pas Konferencës së Paqes së Parisit, e cila bëri të njohur Shqipërinë; ciklet e Pater Gjonit dhe të Tringës u shkruan pas shpalljes së Monarkisë; ndërsa e gjithë vepra u botua me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë. Tjetër që ka ardhur në formën e amanetit letrar të Fishtës në çastet e fundit të jetës, kur përmend Lahutën e Malcis, nevojën për të shkurtuar ende disa vargje te kënga e parë dhe “lirimin prej përsëritjeve” të këngëve të fundit.
Por edhe pasi e kishte bërë botimin e plotë të Lahutës së Malcis, Fishta nuk u nda prej veprës së vet. Ai mendonte ta rishikonte sërisht atë vende-vende. Një dëshmi e Viktor Volajt thotë se “dy muej para deket, qortuem bashkë me Poetin (Gjergj Fishta) tremëdhetë kangët e para të Lahutës (së Malcis)”. Është kuptimplotë edhe dëshmia tjetër që ka ardhur në formën e amanetit letrar të Fishtë në çastet e fundit të jetës, kur përmend Lahutën e Malcis, nevojën për të shkurtuar ende disa vargje te kënga e parë dhe “lirimin prej përsëritjeve” të këngëve të fundit.
Lexuesi i këtyre radhëve, duhet të ketë arritur në përfundimin se një vepër madhore si Lahuta e Malcis, mbi të cilën poeti ka punuar thuajse gjatë gjithë jetës së tij, as sesi nuk mund të justifikohet me tregime që shpjegojnë fillesat e saj si rastësi, as të gjykohet duke e krahasuar me shabllone veprash të krijuara në rrethana të ndryshme kohore e mjedise etno-kulturore të tjera.
Ajo duhet pranuar siç është, duhet studiuar në lidhje me gjuhën në të cilën u krijua dhe zërin me të cilën u këndua\deklamua tubimesh apo në mënyrë individuale. Lahuta e Malcis duhet pranuar së bashku me autorin e saj që e mbajti në gji aq gjatë sa çdo këngë e varg u identifikua me shpirtin e tij dhe të popullit që e kishte dhe e ka. Lahuta e Malcis është vetë modeli i eposit poetik kombëtar, një poemë me vlera artistike të papërsëritshme, që, “porsi vena e mirë, sa ma shumë vjet që kalojnë aq ma vlerë merr”(Lambertz) .
Fundshkurti 2005
Shënime
1.Vepra mban titullin Lahuta e Maltsiis. Kangë Popullore. Te Ura e Rxhanitses. Marash Utsi; ka 5 këngë (1.Marash Uci; 2. Besa e Lidhun; 3. Kushtrimi; 4. Lufta; 5. Kasneci) me 1110 vargje. Ajo u botua në Zarë, shtypshkronja “Vitaliani”, pa emër të autorit dhe pa vit botimi, prandaj disa mbajnë si vit botimi 1904. Mund të merret si vit botimi 1904, sipas studiuesit Fulvio Cordignano në “Epopeja Komtare e Popullit Shqyptar”, Shkodër 1925.

2.Numri i vargjeve të Lahutës së Malcis na vjen i ndryshuar: 15 610 (Benedikt Dema, “Biobibliogaria e Atë Gjergj Fishtës”, 1943), 16 838 (Karl Gurakuqi, “Shkrimtarët shqiptarë”, pjesa II, Tiranë 1941, f.25), 15 613 (Pal Duka-Gjini, “Jeta dhe Vepra e Gjergj Fishtës”, Asizi, 1992, f.193).

3.Fulvio Cordignano, duke folur për ciklet e para të Lahutës së Malcis, për “Marash Ucin”, 1904 dhe “Vranina”, 1907, shkruan: “Shkurt, dy poemet e para janë krejt e veç kundra malazezve të Knjaz Nikollës”, Cordignano, vepër e cituar, f.35. Shih edhe Eqerem Çabej, “Elemente të gjuhës e të literaturës shqipe”, Tiranë 1936, f.50-51.
4.Pal Duka-Gjini, vepër e cituar, f.41- 42.
5.At Gjergj Fishta, Lahuta e Malcis. EPIKA.- Shkodër, Shtyp.Franç. 1937. –Në 16 fq.511, IV.

(Përmbajtja: 1. Cubat; 2. Oso Kuka; 3. Preja; 4. Vranina; 5. Deka; 6. Dervish Pasha; 7. Kuvendi i Berlinit; 8. Ali Pasha i Gucis; 9. Lidhja e Prizrendit; 10. Mehmet Ali Pasha; 11. Lugati; 12. Marash Uci; 13. Te Kisha e Shnjonit; 14. Te Ura e Rrzhanicës; 15. Kasneci; 16. Kulshedra; 17. Në Qafë-Hardhi; 18. Te Ura e Sutjeskës; 19. Pater Gjoni; 20. Lekët; 21. Ndermjetsija; 22. Tringa; 23 Ke Tbanat e Curr Ulës; 24. Zana e Vizitorit; 25. Gjaku i marrun; 26. Koha e re; 27. Xhemjeti; 28. Dedë Gjo’Luli; 29. Lufta e Ballkanit; 30. Konferenca e Londonit).

6. Fulvio Cordignano, vepër e cituar, f.28
7. Lahuta e Malcis e vitit 1925 kishte këto këngë: 1. Cubat; 2. Oso Kuka; 3. Preja; 4. Vranina; 5. Dervish Pasha; 6. Kuvendi i Berlinit; 7. Ali Pasha i Gucis; 8. Lidhja e Prizrendit; 9. Mehmet Ali Pasha; 10. Lugati; 11. Kulshedra; 12. Ora e Shalës; 13. Nokshiqi; 14. Marash Uci; 15. Besa e lidhme; 16. Lufta; 17. Kasneci; 18. Dedë Gjo’Luli; 19. Lufta e Ballkanit; 20. Flamuri i Shqypnis (a Vilhelm
Vidi).- Këngët e nënvizuara nuk ishin shkruar ende.- Fulvio Cordignano, vepër e cituar, f.39-40.

8.Mark Harapi, “Misioni i lartë i poetit tonë kombëtar” te At Gjergj Fishta 1871-1940, përgatitur nga Pashko Bardhi, 1943, f.520.
9.Safet Hoxha, Çështje të marrëdhënieve të Fishtës me disa poetë kroato-dalmatinë e Boshnjakë, At gjergj Fishta, komb-letërsi-gjuhë, Universiteti i Shkodrës, 1997, f.24.
10.Safet Hoxha, vepër e cituar, f.22. Shih edhe Robert Elsie, Historia e letërsisë shqiptare, Dukagjini, Tiranë-Pejë, 1997, f.300: “Nuk është rastësi që titulli Lahuta e Malcis është mjaft i ngjashëm me titullin Gorskij vjenac 1847 (Kurora e maleve), poemë epike e Njegoshit për qendresën heroike të Malit të Zi ndaj pushtuesve turq, e cila tani përgjithësisht konsiderohet si eposi kombëtër i malazezëve dhe serbëve”.
11.Safet Hoxha, vepër e cituar, f.22.
12.Citimet nga Lahuta e Malcis jan marrë nga Vepra 4, Lezhë, 2003
13.Injac Zamputi, Fishta - koha, njeriu, vepra, Pasqyra, Tiranë 1993, f.37.
14.Injac Zamputi, vepër e cituar, f.36. Ja të gjitha vargjet, siç i ka riprodhuar Injac Zamputi:
Shqyptar!
Ket kangë veta e kam shkrue,
Por m’thuej ça kam fitue?
Idhnim e t’çame krejet
Me t’ba me dalun fejet! –
E pra tash kallxon moti
Se a kjeçë kangtar i zoti.-
Por s’asht për t’u çuditun,
Pse kur mi dhe t’kobitun
Krye-kungujt vehen t’parë,
Vaj-halli! Për kangëtarë...
Ani, krye-kungujt desin
Por kangët e mija jesin.
(pikat janë të Fishtës – IZ)
15.Karl Gurakuqi, vepër e cituar, f.161
16.Viktor Volaj, parathënie te Mrizi i Zanavet, botim i katërt, Shkodër, 1943, f.VII.
17.At Gjergj Fishta, përgatitur nën kujdesin e at Benedikt Demës, Tiranë 1943, f.345-346.

No comments:

Post a Comment