2011-05-19

Çamëria, zëri i arsyes hyjnore




 Shefki Hysa është një nga shkrimtarët më interesantë të një brezi krijuesish, që erdhën në letrat shqipe, pas çlirimit të tyre nga kufizimet dhe tabutë jashtëletrare të një periudhe ndalimesh e muresh, duke na dhënë një vizion të ri për përditshmërinë, kohën dhe bashkëkohësit. Bir i një familje çame, që ka përjetuar një kalvar të dyfishtë, atë greko-zervist dhe atë komunist, Shefki Hysa ka ngritur në sistem estetik fatin dhe fatalitetin e Çamërisë, një botë magjike plot kumte thellësisht historike e mitologjike, në kërkim të identitetit të bjerrur çam. Në një epokë të mbrapshtë, ndër udhëkryqet më të trishta kombëtare shqiptare, një popull i pafajshëm, në tokat e stërgjyshërve fisnikë, u përndoq e u linçua nga barbarët. Shefki Hysa në rrëfimet e tij e risjell artistikisht Çamërinë, këtë copë truall epik të gjymtuar nga vrazhdësia e kohërave. Ai rrëfen për një botë ku gëlojnë ende ëndrrat dhe shpresat e njerëzve të lirë, se një ditë do të kthehen në Edenin e mohuar. Shefki Hysa është shkrimtar i vëzhgimit të hollë psikologjik, i narracionit të gjallë ku gërshetohet përshkrimi, dialogu, monologu dhe mpleksen fort e shkrihen në njëra-tjetrën realja dhe fiksimi, e mundshmja dhe transhendetja, ëndrra dhe veprimi i vetëdijshëm, një botë që, me anë të protagonistëve që veprojnë në të, apelon për më shumë liri, paqe e humanizëm. Por ajo që e bën atë një shkrimtar me një profil estetik krejt të tij është ngritja në kult e botës çame, ai kërkim metaforik në analet e mitit dhe të historisë së një populli të ndaluar, që në këtë erë të re të globalizmit ende është peng i psikozave nacionaliste e shoviniste të fqinjëve tanë. Në një sërë krijimesh të mrekullueshme si tregime, romane, libra pulicistiko-letrarë, ku gëlojnë dritëhijet e një kohe të ngecur në një nga labirinthet më të koklavitura të kohës shqiptare, Shefki Hysa ndërton një sagë narrative poetike të gjithëkohshme, ku lëviz ëndrra dhe realiteti i Çamërisë. Tredimensionaliteti kohor, ku i vendos Hysa ngjarjet e rrëfimeve të tij, përfshin në mënyrë estetike ato ura të kujtesës shqiptare, ballkanike, europiane e botërore, ku prapa çdo trilli artistik është një fakt historik për Çamërinë, të vërtetat e ndrojtura, të shpallura apo të nënkuptuara, që ushqejnë pemën e dhimbjes, qëndresës dhe dashurisë së një populli të ndaluar. Eksodi çam nga trojet e të parëve të tyre, të përndjekur nga pasardhësit e atyre që i kishin dhënë botës përfytyrimin më të mirë të paqes e bashkëjetesës, me anë të rrëfimeve të Homerit dhe sagave filozofike të Aristotelit, Platonit e Sofokliut, këtyre kalorësve të së drejtës, i përngjet rrugëtimit biblik të Moisiut dhe izrealitëve, të përndjekur nga Faraoni i Egjyptit. Me një ndryshim, se izrealitët prireshin në kërkim të Tokës së Premtuar, ndërsa çamët i përzunë nga toka e tyre dhe i vranë e i përndoqën egërsisht. Masakra ndaj çamëve i ngjet holokaustit nazist, të aplikuar nga një sistem monstër, si ai që derdhi mbi hebrenjtë llavën e një urrejtje patologjike, ushtroi genocidin deri në shfarosje të proteinës njerëzore. Hebrejtë u ngritën mbi detin e dhimbjeve, mbi rrënimin dhe plagët dhe shkuan në tokën e tyre të premtuar për të ndërtuar Izrealin dhe për të gjetur vetveten e humbur në një kohë-hapësirë të çmendur. Çamët e kanë Tokën e Premtuar, ato vise përrallore ku “pikon diell e mjaltë”, siç thotë një poet, por në të jetojnë të huajt, grekët, të cilët i kanë përzënë nga tokat dhe pronat e tyre, duke i privuar nga varret e gjyshërve, nga historia e të parëve fisnikë, nga mitet dhe legjendat e një populli me shpirt të pasur poetik. Dr. Haim Raitan, diplomat, personalitet i shquar me origjinë izrealite, pasi është njohur me dosjen çame, shprehet në një nga qëndrimet e tij publike: “Edhe unë jam çam, jam nga Çamëria. Ashtu si të parët e mi i mbijetuan holokaustit, luftuan dhe panë me sytë e tyre krijimin e shtetit të Izraelit, edhe unë do ta quaja për nder të përpiqesha për çështjen çame”. Ndërkombëtarizimi i të vetmes dosje në Europë e më gjërë, dosjes çame, që ende mbahet peng e komplekseve të një madhështie të rreme, që ka perënduar bashkë me perandoritë e fantaksura, çdo ditë e më shumë evidenton domosdoshmërinë e këputjes së kësaj nyjeje gordiane, e cila mban në këmbë ligjin absurd të luftës midis dy vendeve, Greqisë e Shqipërisë. Dy vende, të cilët historia më shumë i bashkon se i largon nga njëri-tjetri, janë peng i një kompleksi sindromik, shovinist. Në mes është Çamëria, toka përkohësisht e humbur. Ajo është qendra e gravitetit të botës shqiptare, por dhe e botës demokratike, që nuk punon me orën e vjetër të disa qarqeve të Athinës. Kjo botë e përndezur nga sharmi i mbijetesës historike dhe kërkimi i rrugëve për t’u ngritur mbi komplekset e harrimit muzeal, i jep spunto shkrimtarit Shefki Hysa për të ndërtuar një gamë tematikash, ku protagonistët bëjnë luftën e tyre të radhës për triumfin e çështjes çame. Autori është i vetëdijshëm se grekët erdhën si vikingët në këtë vend, duke përzënë me dhunë e terror vendasit, por ishin më barbarë se vikingët. Nëse vikingët, në fund të fundit, u shkrinë me popullsinë anglo-saksone, duke mësuar prej tyre alfën dhe omegën e qytetërimit, grekët jo vetëm i dëbuan çamët, jo vetëm nuk mësuan nga fisnikëria deri në altruizëm i tyre, por segmente të caktuara të shtetit dhe shoqërisë helene ende sot e kësaj dite vazhdojnë të jenë më vikingë se vikingët, duke ushqyer psikozat e urrejtjes gjenetike ndaj çamëve. Në këtë këndvështrim, libri me proza të shkurtëra “Aromë Çamërie” i shkrimtarit çam Shefki Hysa, është një vizatim narrativo-poetik me dorë të lirë i një bote të virgjër e të etertë, ku personazhet kërkojnë fatet e tyre dhe fatet e një toke të mbetur pa njerëz, të një popullate ikanake, peng i një historie të keqkuptuar e të devijuar deri në absurditet. Nuk është vetëm tematika e hapësirës çame me të veçantat e saj, me dritëhijet, misterin, botën transhendente të miteve e legjendave çame, të panjohura ose fare pak të njohura në letrat tona, që e bëjnë këtë libër të lexohet me një frymë. Mbi të gjitha, është magjia e rrëfimit, sugjestioni i mjediseve dhe situatave, zhdërvjelltësia e tipave dhe karaktereve të vizatuar, kumti i asaj bote të përndezur nga prurje emocionale të shkallës së epërme, që përcjell fati i Çamërisë në optikën estetike të shkrimtarit Shefki Hysa. Autori, ky kërkues pasionant i psikologjisë dhe shpirtit çam, në vazhdën e Bilal Xhaferrit dhe apostujve të tjerë të letrave shqipe, në atë cep të harruar të Iliriadës, ku perëndesha Dodona foli së pari shqip, dhe pasardhësit e Pirros u nisën në rrugëtimin biblik drejt një fati të panjohur, jo një herë në shkrimet dhe librat e tij, i është drejtuar vetëdijes kolektive të një populli të sakrifikuar, i cili në majë të Golgotës së një stine të trishtë u kryqëzua nga kryqëzorë, që nuk kanë as pseudo-alibinë e Pilatit. Në tregimet e këtij libri lëvrin fati i çamëve, rruga e kalvarit, makthi ekzistencial i një populli që, edhe pse ka bashkëjetuar në prehistori me Zeusin dhe perënditë mitologjike dhe trashëgon genin fisnik të epirotëve, i kanë mohuar pragun e shtëpisë, gurin e themelit dhe gurin e varrit. Në tregimin “Elimët”, autori, duke shfrytëzuar heronjtë e eposit çam, elimët, botën e tyre mistike dhe magjike, ato elementë aq të veçantë e sugjestivë, që i jep në dorë një folklor dhe mitolgji e virgjër, ndërton një rrëfim të mrekullueshëm, ku me anë të personazhit kryesor, Fatos Mero Rrapaj, një figurë reale e botës shqiptare, një historian kurajoz, që e ka mbartur çështjen çame si një peng ekzistencial, përcjell makthin, deziluzionin, ëndrrën dhe shpresën e vetë popullit çam, në luftën e tij shekullore për të gjetur vetveten dhe tokën e mohuar. Në fakt, bota fantastike, që i jep rrëfimit sharm e ngjyra të gjalla në disa proza të shkurtëra të kësaj përmbledhjeje, si në tregimin “Didini” ku elementët magjikë shërbejnë për strukturimin narrativ dhe përforcimin e lëndës jetësore, “Turtullesha dhe djalli”, që ka në qendër të rrëfimit një legjendë të lashtë çame etj., “Elimët” ku shkrihen në një fantastikja me të mundshmen, të kujtojnë imazhet kuteliane, atë botë lugetërish, hijesh nate e fantazmash që tregimtari i shquar e vuri në shërbim të mesazheve të tij estetike për fatin dhe fatalitetin njerëzor. Por ndryshe nga Kuteli, Hysa shfrytëzon një arkiv origjinal bestytnish, duke i përdorur ato jo si qëllim në vetvete, por për të përforcuar elementët jetësorë, për t’iu dhënë atyre më shumë sharm e motivim në rrugëtimin e tyre arkitipal drejt dimensioneve të ëndrrës së madhe çame. Para se të sendërtohet në prozën magjike të Shefki Hysës, realizmi magjik mund të themi se ka ekzistuar qysh në prehistorinë e largët në mitet, përrallat e legjenendat e popullit çam, në atë dimension poetik të pavetëdijes më të thellë kolektive, që ka krijuar vetë zotat në tempullin madhështor të Dodonës pellazgjike. Fryma markeziane që përshkon prozën e Hysës, veçanërisht tregimet, ka të bëjë me prerjen vertikale të linjave të rrëfimit, ku sundon fiksimi dhe paradestinimi estetik. Por, ndryshe nga Markezi, që në shumë proza të tij i shikon marrëdhëniet njerëzore dhe, në këtë kuadër, dhe të drejtën zakonore latino-amerikane që popullon prozën e tij në frymën e një vartësie të kulluar nga miti dhe mitologjia, Shefki Hysa e vë mitin dhe mitologjinë në shërbim të përforcimit të historisë dhe evidentimit të simbolikës dhe metaforës së realitetit. Në këtë kuptim, fantastikja i shërben Hysës për ta bërë më të prekshme realen, për t’i dhënë një tjetër kuptimshmëri rrëfimit. Kështu, bie fjala, Didini, heroi i tregimit me të njejtin titull, i cili shfaqet dhe vepron jo si njeri konkret, por si shpirt i trazuar i djaloshit nacionalist, masakruar nga komunistët gjatë Luftës së Dytë Botërore, në rrethanat magjike ku vepron, përcjell më së miri tragjiken e një kohe të keqe, kur një pjesë e shqiptarëve vranë e masakruan pjesën tjetër për shkak të ideologjisë së huajtur nga stepat moskovite, që hyri si një makth vrasës midis tyre. Ngjarjet në rrëfim ndodhin në perspektivë, duke e mbështjellë gjithë materialin jetësor rreth personazhit shpirt, i cili si një fllad i padukshëm shkon e vjen në viset e vendlindjes, duke përcjellë ngjarjet e një kohe kallkan, që hyri si një gjëmë midis shqiptarëve. Fakti që Didini është çam e bën dyfish tragjike dramën e tij, rrëfyer mjeshtërisht nga shpirti i djalit të ri, që endet tutje-tëhu, në kërkim të vetvetes fillestare, mbetur në një muzg të egër gjaku e dhimbjeje. Tregimi “Qafa e botës” është një sagë tragjike e ngjeshur dhe befasuese, me kode simbolike që shpërfaqen te kloni vdekjeprurës (rrethim telash me gjemba përcjellës të një voltazhi vrastar energjie elektrike), që ndante dy botë, botën propogandistike këtej kufirit shqiptar, e cila villte zjarr mbi ata që guxonin të kalonin kufirin e telave me gjemba drejt ëndrrës së një bote të lirë, ku frynin të tjera erëra, ku ndodhej Çamëria, kjo nuse e bukur e Ballkanit, robinë e grekëve. Udhëtimi i protagonstit të kësaj proze nga kloni i ngrirë, ku endet hija staliniste shqiptare, drejt Çamërisë është një aventurë tragjike ku mplekset krimi, paradoksi, deliri, malli, kërkimi i atyre të vërtetave psiqike, etike, morale e filozofike, që mbartin kohën dhe hapësirën e ndaluar çame. Shkrimtari Shefki Hysa e ka shndërruar dosjen e Çamërisë në një metaforë universale të kërkimit të identitetit të bjerrun, ku fati individual dhe kolektiv i një populli të përzënë barbarisht nga trojet e të parëve, ndërthuret në metafizikën e kohë-hapësirës së lirisë. Libri me tregime “Aromë Çamërie”, në kuptimin e të vërtetave estetike që shpalos dhe të mesazheve që përcjell, siç thotë shkrimtari ynë i shquar Ismail Kadare, “është i nevojshëm, i domosdoshëm, i moralshëm, si çdo botim i arrirë i kësaj natyre, siç janë të shumta arsyet që çamët nuk e harrojnë Çamërinë dhe, merret me mend, kjo është një e drejtë jo vetëm e tyre, por e drejta e të gjithë shqiptarëve”. Në thelb, kjo është e drejta e të gjithë progresistëve dhe idealistëve të mbarë botës. Stili i ngjeshur e konçiz, por i ngrohtë dhe plot ngjyra e jetë, ku shkrihen në një rrëfimi i pastër, monologu dhe dialogu, poetika dhe lirika, ironia, grotesku dhe paradoksi, vendosja e fantastikes në një kontekst të drejtë pisikiko-estetiko-linguistik, gjuha e figurshme, plot thyerje dhe të papritura, fraza elegante dhe plot sharm gjuhësor etj., e bëjnë prozën e shkurtër të Shefki Hysës të lexohet me një frymë. Shkrimtari çam Shefki Hysa beson në arsyen hyjnore të vendlindjes së të parëve të tij, beson në zërin e Çamërisë dhe zërin e kësaj arsyeje transhendente e ka grimcuar në dhjetëra zëra protagonistësh të tregimeve të tij të mrekullueshme të paraqitura në këtë libër, të cilët besojnë se një ditë do të kthehen në tokën e tyre, ku piqen fruta dashurie dhe bashkëjetese, në këtë cep të trazuar të Ballkanit. Dukagjin HATA

No comments:

Post a Comment

Nga Flori Bruqi : U dhunua nga pronari i lokalit në Porto Palermo, ky është miliarderi pjesë e qeverisë së Spanjës

Imazhi i Shqipërisë edhe kësaj radhe në qorr sokak?! https://www.youtube.com/watch?v=tklKY6hp09w Turistët span...