Cikël poetik nga Kozeta Zylo : "Nje pike Hene shtrydhe duarsh"



Kozeta Zylo, New York



E fundit që jep shpirt…
 
Zërin se kam bilbil, të të kendojë mbi degë,
As si i ëmbli Naim, të të mjekojë buzën e çarë,
Por po të fal sythin e fjalës, që çel në pranverë,
Dhe Hënën tek parku, që të prêt me aq mall.
Dhe shfaqesh ti pranë pemëve të heshtura,
Me vjeshtën e florinjtë, që gjethet rrëzon,
Në kujtimin e bukur, lotëve të patretura,
Brenda gjoksit të Hënës, veç ti qëndron.
E mbështjellë kujtimin me të butin mëndafsh,
Dhe vesh pemën e zhveshur, nudo nga vjeshta,
Si shenjtore e heshtur, mes kopshtit qëndron,
E fundit që jep shpirt, është vetëm shpresa!
 
Manhattan, 1997
 
Një pikë Hëne
 
Erdhe mbrëmë në kalë shaluar,
Në ca shtigje që s’i di,
Një pikë hëne shtrydhe duarsh,
Si Sadiu re në gji.
Kishja veshur fustan dielli,
Terrin e muzgut more peng,
Brenda buzëve, mjaltë lëshove,
Bilbil prilli që më çmend!
Me lotë shpirti njome shtratin,
Nga dritarja Hëna qeshte,
Të mos mbyteshim të dy,
Unë i piva, gjithë për vehte!
 
New York, 2009
 
NË ACARIN E SHKURTIT
 
Ma grise qiellin e shpirtit i rëndi trishtim,
Me natën e ikjes zemrën ma plogështon,
Është ecje e fundit bulevardit tim,
Në acarin e shkurtit pishat i kundroj.
Eh, ndarje e hidhur, e rënda ndarje,
C’më gjete ca qoshëza në dhomëzat e shpirtit,
Seç rrinë të strukura, të rreshkura pa
frymëmarrje,
Si ca dru të djegura, mbetur në ngjyrë hiri.
Edhe kur avionit shkarazi do t’i hipi,
Me këmbët zvarrë, rrugëve të përbaltura,
Me vete do të marr krahët e hallakatura,
Që s’dinë ku do të përplasen tutje në
Perëndim!
 
Tiranë, 27 Shkurt, 1997
 
Nxënësit pres…
 
(Në kujtim të 7 Marsit)
 
Thellë zemrës një dashuri,
Belbëzon shpirtit kulluar,
Në këtë mbrëmje nostalgji,
Më puth Hëna drithëruar.
Dhe vjen mëngjesi përmbi vesë,
Pa degë mimozash nëpër duar,
Çdo 7 Mars nxënësit pres…,
Me lotë malli, pikëlluar.
Më vini shpesh me krahë magjie,
Të butëzën fjalë sillni pranë,
Ç’m’i flladisni sot mendimet,
Si krahë pulëbardhash mbi oqean.
Eshtë kaq e dhimbshme të jem pa ju,
Sa mjegullohet çdo gjë që ndrin,
Ditë e mësuesit rëndon këtu,
Bashkë me hartimet mbi tavolinë...
Eci Nju Jorkut kuturu,
Me Korçën lule nëpër shpirt,
Në bebëzën e syrit jeni ju,
Dhe me hartimet që bëj flirt!
Dhimbja e prushtë brenda meje,
Psallm deliri sjell mahnitur,
Vetëm me një mimozë Tirane,
Ka të ngjarë, t’ju kem papritur…!
 
New York
7 Mars...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri