2011-05-17

DESHMORI MUSA HOTI DHE PERMASA E DOKUMENTIT

Begzad BALIU
 
 
Reshat Sahitaj, Musa Hoti (shënime, kujtime, përjetime, dokumente), botoi Unioni i Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, ISBN 978-9951-8595-9-2, Prishtinë, 2011, f. 401.
 
Një vit me parë më ka rënë të lexoj dorëshkrimin e kolegut tim Reshat Sahitaj me titull tipik të të gjithë idealistëve të Periudhës së Rilindjes, të shekullit të Pavarësisë shqiptare dhe të çlirimit të Kosovës: “Idealistët”. Duke qenë njëri prej atyre miqve të tij që kam insistuar shumë për tu shkruar ky libër, jo për tu rrëfyer Reshati, sepse sot rrëfimtarë dhe të rrëfyer në mesin tonë ka shumë, por që të botoheshin disa nga ato qindra dokumente, traktate, revista e dekaloge të shumta në botën e ilegales shqiptare. Në atë dorëshkrim kam vënë re me krenari, se si një shkollë tipike evropiane po rikthehet në publicistikën tonë. Në të vërtetë po këtu kam vënë re se si një Koloni shqiptarësh, në fillim të shekullit XX e identifikuar me “Albaninë” e Faik Konicës dhe në fund të tij me veprimtarinë e Enver Hadrit, po hapej për lexuesin shqiptarë, jo në emër të kujtesës personale të Z. Behare Rexhepi e Reshat Sahitit, po në emër të disa qindra e mijëra dokumenteve të radhitura kryesisht në formë fragmentesh të zgjeruara.
Vepra me shënime, kujtime, përjetime dhe dokumente kushtuar Musa Hotit, hapet me kujtimet për trashëgiminë materiale dhe shpirtërore kur familjare kur personale të Musa Hotit. Duke kujtuar fëmijërinë e hershme të Musa Hotit, në të vërtetë përshkruhet fati jetësor i gjyshit dhe prindërve të tij, në rrebeshet e stuhisë serbe shumë herë të përshtrira në Kosovë dhe rreth saj; duke shkruar për fatin rinor të tij autori i kësaj vepre identifikon atë brez të viteve ’70 e ’80, të cilët duke parë gjendjen e tyre dhe sidomos perspektivën e errët jetësore të tyre, kishin vendosur, sikur thuhej të marrin botën në sy; duke shkruar për hapësirat, qytetet dhe madje kolonitë e mërgatës ku ishte vendosur dëshmori Musa Hoti, mjeshtri ynë shkruan për strukturën e organizimit politik dhe të organizatave politike shqiptare, për lëvizjen politike të tyre, e pse jo edhe për gjendjen morale, intelektuale dhe sociale të këtyre grupeve a grupacioneve me shtrat historik apo edhe me tendencë të re sapo të organizuar. Fjala është për atë qerthull të rëndësishëm të Lëvizjes sonë ilegale në diasporë, për të cilën ç’është e vërteta ende nuk është krijuar pasqyra e plotë e përbërësve politik dhe organizativ të bartësve të saj. E të krijosh këtë pasqyrë nuk do të thotë të shkruash vetëm për Enver Hadrin, Jusuf e Bardhosh Gërvallën, Kadri Zekën, por që më parë të shkruash për martirët e gjallë e të vrarë, pararendës të tyre: Hysen Karalinë, Vehbi Ibrahimin e Rasim Zenelajn. Dhe sigurisht të identifikosh gjithë ato organizata konceptesh nga më të ndryshmet politike e ideologjike, që jo njëherë më parë se sa kundër armiqve të përbashkët humbnin kohë duke e luftuar njëra tjetrën.
Kishte ndërkaq edhe arsye të përhershme kur ato i bashkonte me shumë interesi kombëtar se sa ndarja konceptuale ideologjike. Një rasti brilant për bashkimin e tyre bëhen Lëvizja studentore dhe gjithëpopullore, demonstratat e vitit 1981, të cilat reflektuan ringjallje jo vetëm në Kosovë e hapësirën shqiptare në ish-Jugosllavi, por edhe në diasporë. Demonstratat e Pranverës shqiptare në mars të vitit 1981 në diasporë bëhen refren i aktiviteteve shumë të ngjeshura dhe shumë të përkushtuara kundër politikës jugosllave të rrënimit të gjithë asaj që ishte shqiptare. Në këtë prizëm shquhet angazhimi shumë i vendosur i Musa Hotit nga dialogjet mes kolegëve, te takimet politike dhe partiake dhe madje deri te angazhimet në demonstratat në rrugë apo tekstet polemizuese në shtypin ilegal. Sigurisht kjo është arsyeja pse në rrjedhë të zhvillimit të propagandës kundër ish-Jugosllavisë ai hapi radion në gjuhën shqipe në Belgjikë, përmes të cilës me përkushtim të rrallë shqipton fjalën patriotike të tij dhe të mendimtarëve si ai në mesin e bashkatdhetarëve të diasporës evropiane në Europë. Prej teksteve të lexuara, pjesë të të cilave do të mund të lexojmë edhe në këtë vëllim mund të shihet këmbëngulja e tij dhe e miqve të tij për t’ua thënë të vërtetën mbi shqiptarët në ish-Jugosllavi, jo vetëm mërgatës po edhe opinionit politik europian. Dëgjuesit e sotëm të radiove dhe lexuesit e gazetave do të duhej të mësonin shumë prej frymës intelektuale dhe kombëtare që përshkon artikujt e kësaj radio kushtuar Kosovës, gjendjes ekonomike dhe sociale të banorëve të saj, politikës shtypëse serbe, burgosjes së brezit të ri të saj dhe sidomos bardit të kësaj Lëvizjeje Adem Demaçit. Kush nuk do të donte sot të dëgjoj dhe të lexoj artikuj të plotë dhe me të dhëna aq përimtuese për kohën kushtuar Adem Demaçit, rinisë heroike shqiptare të vitit 1981 etj., të cilat në këtë vëllim autori Reshat Sahitaj i pasuron edhe me artikuj të tjerë, komente, letërkëmbim mes anëtarëve të Lëvizjes Kombëtare, komunikim me ambasadën shqiptare në Paris e të tjera e të tjera. Prej artikujve të lexuar në këtë radio dhe sidomos prej frymës së zjarrtë patriotike të tyre do të mësonim edhe sot se si duhet qasur politikës, publicistikës dhe institucioneve propagandistike serbe, me të cilat Musa Hoti dhe bashkëkohësit e tij polemizonin dendur dhe me vendosmëri. Sigurisht kjo është arsyeja pse reagimet shumëdimensionale dhe shumëplanëshe të diplomacisë, sigurimit dhe agjendave të tjera serbe kundër Musa Hotit do të jenë më të theksuara, më revoltuese dhe me përpjekje eliminimi fizik të tij. Një atdhetarë si Musa Hoti ndërkaq nuk mund të ishte indiferentë ndaj rrezikut që i kanosej prej shtetit që në fushë të diplomacisë shënonte majat e tij, prandaj reagimi i fuqishëm i tij në mbrojtje të jetës së tij, e kjo do të thotë vrasja e ambasadorit jugosllav në Bruksel, nuk ishte as i rastit as i vetmi që mund të ndodhte. Musa Hoti ishte vetëm njëri prej atyre atdhetarëve që po i printe një shkalle të avancuar veprimtarie kundër një shteti, për të cilin thurreshin mite nga Lindja në Perëndim dhe që për shumë kënd në radhët e emigracionit shqiptar ishte i paprekshëm dhe i pamundshëm.
Në jetën politik dhe në veprimtarinë atdhetare të pjesëtarëve të Lëvizjes Kombëtare, prandaj akti i Musa Ahmetit shënon një nivel të avancuar të konfliktit mes Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe shtetit të ish-jugosllavisë. Ajo shënon një formë dhe një trajtë të avancuar të atij brezi që lidhë nyjën mes kryengritjeve antisjugosllave në fund të Luftës së Dytë Botërore dhe brezit të rinisë së Pranverës së vitit 1981, një hallkë e cila në një formë a një tjetër nuk do të shkëputet deri në fillim të vitit 1997, kur do të triumfojë me daljen në skenë të Lëvizjes së Armatosur Kombëtare, përkatësisht Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të vërtetë, vrasja e ambasadorit jugosllav në Bruksel nga Musa Hoti, paraqet edhe shumë trajta të tjera ndikimi në sferën diplomatike evropiane, në ngritjen e moralit kur e kur të zbehur të emigracionit shqiptar në Europë dhe Amerikë, në bashkimin dhe përqendrimin e grupacioneve kur e kur të ndara ideologjikisht e partiakisht, në një pikë: çlirimin e Kosovës, në trokitjen e fortë të ndërgjegjes historike, politike, e diplomatike evropiane për fatin e një populli të ndarë etj. Sigurisht, kjo është arsyeja pse reagimet e emigracionit gjithëshqiptar ndaj burgosjes së përjetshme të Musa Hotit do të jenë të mëdha, deri sa ky dënim të ulet në shkallë simbolike.
Vepra mbyllet me një varg dëshmishë e komentesh të tjera të mjeshtrit tonë, të cilat shoqërohen edhe me dokumente të arkivit personal të Musa Hotit, të arkivave të përgjithshme të diasporës shqiptare dhe teksteve kryesisht litarte të shtypit të Prishtinës, Beogradit dhe Brukselit, që japin pasqyrën e vrasjes së Misa Hotit, në një periudhë kur më së paku pritej. Vrasja e tij në Bruksel nga sigurimi jugosllav dëshmon më së miri thënien e përvijuar shekuj me radhë në traditën shqiptare: uji fle, hasmi s’fle! Vrasja e Musa Hotit në vitin 2004 dëshmon më së miri se Serbia nuk e ka përfunduar luftën me ata patriot dhe atë Lëvizje kombëtare, e cila e ka penguar dhe do ta pengoj historikisht rikthimin e saj mitik në Kosovë.
Në të vërtetë më parë se sa të shkruante një sintezë shkencore, Reshat Sahitaj ka shkruar një biografi kronologjike për Musa Hotin, doemos në vetën e parë. Pretendimi për të shkruar një sintezë shkencore as nuk ka qenë qëllimi i tij, me vet faktin se nuk ka dashur t’i referohet literaturës në mënyrë kritike, por vendosja kaq e dendur e dokumenteve, madje kryesisht të dorës së parë, na dëshmon se sinteza shkencore nuk është gjithmonë ajo që e përcakton pasurinë materiale de shpirtërore të heronjve tanë. Përkundrazi, janë dokumentet, trashëgimia e tij ajo që rrëfen botën komplekse të tyre. Kështu, në kohën kur edhe botimet shpesh të identifikuar skajshmërisht shkencore, në institucionet tona shkencore shkruhen kryesisht me referenca të natyrës literate dhe madje dokumentesh të cituara ndërmjetshëm, Reshat Sahitaj përgatiti një vepër të përmasave shteruese dokumentare. Le të më lejohet prandaj ta përmbyll fjalën time për këtë vepër, me krenarinë e lajmësit për atë që është realizuar brenda kopertinave të saj: e kjo do të thotë dalje e literaturës sonë nga folklorizmi publicistik dhe hyrje e saj në publicistikën e dokumentit. Prej gjithë kësaj prandaj ne mund të theksojmë se sa më parë se sa rrëfimtari e analisti Reshat Sahitaj është arkivi i madh i mërgatës shqiptare, ndërsa veprat e tij publicistike dhe memoaret, padyshim janë pamja më e plotë dhe më komplekse e mërgatës shqiptare.
*Fjala e lexuar ne përurimin e librit, me 5.5. 2011, ne ambientet e Panairit të Librit në Prishtinë.
Prishtine, maj 2011

No comments:

Post a Comment