Dhe për çudi, Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!



një arsye fatale


… u populluan sërish shpellat brenda meje.
Sa herë qielli lind një shënj
dhe e mbyt në thellësinë e ujrave të syve të mi,
vështrimin tim të plagosur e varros
në çdo lule të qytetit
që mund të jetë grua...
 
Është  sëmurë Shqipëria ime e gjakut,
merr serum,
e kafshojnë gjarpërinjtë
që janë bijtë e saj;
asnjë lloj shqiponje nuk i ha,
veç lufta me vëllan.

Rrallë, ajo lind edhe njerëz!...

Shoh jetën time, kërmill
dhe kuptoj se qurret janë historia.

I rrahur nga heshtja
më zhvesh një gur e hynë në mishin tim.
Unë jam vet faji im ose një arsye fatale…


Tiranë, pranverë 2010

Atmëmëdheu

Çfarë është gabim tek unë?
Përse duhet ta ndjejë  kaq shumë këtë atmëmëdhe?!
 … po shkoj të çmendem
kësaj mbrëmje greve e feste  ndër kohë,
këtë ditë me lindje dhe vdekje përzier.

O kohëra që pas do të vini
fshijini gjurmët e mia, model!... 
... Atmëmëdheu
më vriste,
përse unë dhe më shumë e doja?! 

Tiranë, 2 maj 2010

Trokitje
1... ç'më kujtohen ca troje të pushtuara
 gjëma e ngathët për zemre  e këputur!
Mbi mjegull bien plumba 
të artë  kujtimesh
përpara  
përfytyren miqtë e mi të vdekur...
2Një kolonë  me varre rrugën që trishton.
Iskrat e pikëllimit
gozhdë të arkivoleve
qimiteri i zi e shikon dhe struket
ngrihet varri i fundit
i troket në derë...
Tiranë, pranverë 2009

-Cikel me poezi nga libri: 
Mirë se erdhe  Lamtumirë!”-

Nuk e di ç’të ardhme do të le?!

Sa herë që selvi të larta shoh,
e dua edhe më shumë gruan time.

Sa herë që male të lartë shoh,
fusha të paana,
i dua edhe më shumë djemtë, vajzat e mia.

Dhe pastaj më kujtohen gjyshërit,
stërgjyshërit,
baballarët,
që më shumë deshën atdheun …

Dhe për çudi,
Atdheu ( s’u rrit ) u zvogëlua!

Tiranë, maj 2005

Gjithmonë… tre varre…

Tek kthes’e lumit që ka vdekur,
një copë shkëmbi
                   është atje.
E  mbollën ca fshatarë  në motin,
kur bridhte vdekja përmbi dhe’.

Në bregun tjetër ka një gur.
E vunë po ata fshatarë…
…shqiptar ishte dhe “ tradhëtari ”
me trimin, trimërisht qe vrarë.

…atëhere lumi ishte gjallë
dhe shkonte detit përkrenar!…

Tre varre janë tani, atje…
dy plaka qajnë, oi … oi
rrëzuar qyqet përmbi gurë…
po kush e qan lumin e zi?!

Tiranë, vjeshtë 2006

Gratë

Gratë që kam takuar,
rrinë mjegull në krahët e zogjve shtegtarë
dhe vrap në akrepat e orës së vrarë.

Gratë që kam takuar,
rrinë verbëri që kërkon dritë në sytë e mi
dhe karroca që vrapojnë përherë pa karrocierë.

Gratë që kam takuar
rrinë lekë qindarka në xhepat e shpuar të kohës
dhe lëndina ku fëmijët shkelin
kullota të largëta kuajsh të egër.

Gratë që kam takuar
rrinë zogj që bëjnë fole në gotat bosh të pijeve
dhe ikona të varura përjetësisht
në kishën time të lindjes.

Gratë që kam takuar
rrinë gurë kilometrikë të thyer anë rrugëve
dhe faqe të rrëshqitura malesh,
ura të prishura
burrash vandalë

gratë që kam takuar … 

Fier, verë 2003

Jeta

Sa herë e kam takuar jetën gënjeshtare,
tinzare,
të pa sinqertë,
të pa cipë,
të vërtetë pak herë e kam takuar,
por edhe atëherë
gënjente!

Sa herë e kam takuar jetën hajdute,
kriminele,
të pa besë,
mosmirënjohëse,
të mirë pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
vidhte!

Sa herë e kam takuar jetën të varfër,
të pistë,
gjithë zhele
tretur…
Të pasur pak herë e kam takuar,
por edhe atëhere
s’kishte për të ngrënë!

Sa herë e kam takuar jetën jo jetë,
dashtë Zoti,
vdekjen takoj
 vdekje! …
 

Fier, pranverë 2005

Pallto biblioteka

më propozoi e Sotmja, - dehemi?!...
dhe të dehur shkuam tek Zoti.
Zotin e gjetëm të varfër,
Zotin e gjetëm
poet.

Faqet e qiellit shkruam të tre
dhe që shiu të mos i fshinte poemat,
në palltot e vjetra grirë nga motet
i futëm.

Tani
faqet e qiellit janë libra,
në pallto bibliotekat e shqyera të poetëve…

Tiranë, dimër 2005 




Petraq Kote u lind në Sheq Marinas,Fier  më 27.02.1959  nga prindërit Todi Kote dhe Kalije Dumi. Të dy me shtetësi dhe kombësi shqiptare. Arsimin tetëvjeçar e kreu në vendlindje 1966 - 1974. Në vitin 1974 – 1978 studioi në shkollën e mesme ushtarake "Skënderbej" në Tiranë  Akademinë e Forcave Tokësore e përfundoi po në Tiranë në vitet 1979 – 1982, ku u diplomua për specialitetin “Fizkulturë “. Në vitin 2006 – 2010 studioi dhe u diplomua në Universitetin "Ismail Qemali", Vlorë, në fakultetin e shkencave humane, dega gjuhë – letërsi shqipe. Pas diplomimit të parë u emërua Shef i Përgatitjes Fizike të Brigadës së nëndetëseve të Republikës së Shqipërisë.
Më vonë Shef i Përgatitjes Fizike të Divizionin Fier. Shef i Kulturës së Bashkisë Fier deri në vitin 2001. Aktualisht është kryeredaktor i gazetës letrare mujore "Fieri Profil" dhe specialist i trashëgimisë kulturore në drejtorinë e kulturës së bashkisë, Fier.
Ka shkruar letërsi qysh në rininë e hershme, në rrethin letrar të shkollës së mesme ushtarake "Skënderbej" Tiranë, ku udhëheqëse e rrethit letrar ishte mësuesja e letërsisë dhe poete zonja Vasilika Vasi.
"Është poet, publicist, eseist i shkëlqyer", - thotë dr. Moikom Zeqo. Krijimtarinë e tij poetike e kanë vlerësuar kritikë, studiues të shumtë brenda dhe jashtë vendit. Ka botuar vëllimet poetike.
  • "Këngë e Marrë" 1996 shtëpia botuese "Planet" Fier,
  • "Humbja" 1998 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
  • "Ranë Këmbanat" 1997 shtëpia botuese "Planet" Fier,
  • "Muza" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
  • "Këngë e Parrëfyer" 2001 shtëpia botuese "Darmisa" Fier,
  • "Këngët e Motmotit" 2003 shtëpia botuese "Ymeraj" Fier,
  • "Mirë se erdhe Lamtumirë !..." shtëpia botuese "Globus. R" Tiranë,
  • "Portretin kam varur në muret e kohës" 2008 shtëpia botuese "Globus. R" 2008.
Ka botuar dy vëllime me tregime
  • "Ngjarje ndër Muzakë - 1" 1999 shtëpia botuese "Albapress" Fier,
  • "Ngjarje ndër Muzakë – 2" 2005 shtëpia botuese "Ombra GVG" Tiranë,
Publicistika më e shquar e tij është
  • "Hija... e Kadaresë",
  • "Lasgushi dhe Kosova",
  • "Një çast me Migjenin",
  • "Kritika Letrare Shqiptare dhe prof. Adriatik Kalluli",
  • "Dasma e Kreshbardhës",
  • "Diktatura Letrare shqiptare",
  • "Poezi që gjëmon më parë se të vetëtijë",
  • "Hija... e Kadaresë",
  • "Qiellëzanat Trillane",
  • shënime për romanin "Darka e Gabuar" të Kadaresë etj.
"Më kujton Kostandin Paustovskin" në librin me tregime
"Ngjarje ndër Muzakë – 2" – Shkruan studiuesi dhe përkthyesi Perikli Jorgoni
"Petraq Kote është poet i klasit të parë. Poet i dhimbjes kombëtare", ka thënë prof. Adriatik Kallulli.
"Atdheu lakuriq në një poezi pa stoli... të stilit avantgard", ka shkruar prof. Agim Vinca. "...është nder por edhe privilegj të lexosh e shkruash për poezinë e Petraq Kotes..." shkruan dr. Faik Shkodra.
"Petraq Kote po ngre një Apolloni letrare ilirike", ka shkruar poeti dhe publicisti Ylli Xhaferri.
"... ai është dinjitet poetik..." shkruan Xhevahir Spahiu.
"...fjala te poezia e P. Kotes edhe gjen vetveten", shkruan prof. Valter Memisha
"...klasi i lartë i leksikut i derdhur në vargje e vendos atë, në çdo hapësirë lexonjëse elitare", ka shkruar prof. Bardhosh Gaçe.
"...poezia e Petraq Kotes rrjedh me natyrshmërinë e lindjes së një dite të re apo me fluturimin e një zogu" ka shkruar poeti, studiuesi dhe përkthyesi Xhevdet Shehu.
"...poeti Kote mund të quhet l’enfant terrible për nga forca tronditëse që përmban vargu i tij. Kontribuon denjësisht në poezinë e re shqiptare duke iu shtuar atij grupi poetësh shqiptarë që meritojnë të studiohen dhe të mbahen në radarin si të studiuesve, ashtu dhe kritikës letrare" ka shkruar Aida Dismondy në revistën Illyria dhe Kuvendi në Amerikë. Është përkthyer në rumanisht nga revista "Haemus", 2009 nën titullin "Trenul ce fuge de durere".
Është botuar në revistën letrare "Illyria", "Albpoem", "Floart Press", "Kuvendi" në SH. B. A. 2008.
Është anëtar i klubit te Shkrimtareve Shqiptare ne Bote "Drita" me qendër ne Athine dhe një kohe sekretar i këtij klubi....

GJAKMARRËSI
 
ISHIN NE GJAK.
 
Ishte agresiv fisi që kishte hyrë në gjak.
Nuk ishte fare tjetri.
Një dhe’ i rriste, një bukë, një ujë, një frymë. Një hije bënin prapa vetes. Hije shqiptarësh. Një gjuhë, një zë. Një gaz, një  vaj, kishin.
Vitet shkonin. Shkonin dhe gjaku thahej.
Thahej, thahej, thahej.
Por… binte shi…
Tek këta, që gjaku paqtonte, kishte shumë djem.
Kishte edhe një plak.
Plaku kalonte të tetëdhjetat. Ura që e lidhte me jetën ishte ende e fortë. E fort si ura e “ Matit “. Ura nuk shëmbej.
Ç’të bënte?!
Nuk vdiste.
Nuk vdiste se binte edhe shi. Nuk vdiste se gjaku ç’ thahej. Se gjaku…
Djemtë vazhdonin jetën. Vazhdonin frymëtarinë…
Ç’ punë kishin me të djeshmen djemtë? Ç’ punë kishin me të ikurën djemtë? Gjakun s’e shikonin dot me sytë e gjakmarrjes.
Gjaksit s’ i urrenin dot.
Të gjithë të martuar. Të gjithë të pjellë.  Pa ishin edhe fidanuar. Pa ishin bërë edhe pyll.
Pa kishte dhe një këngë pylli.
Pa mateshin edhe me stuhitë drurët.
Por …prapë binte shi!... binte shi dhe gjaku… ç’thahej.
Dhe plaku thirri nusen e djalit të vogël.
Nusen e oxhakut. Nusen e trarit. Nusen e shtyllës. Pishën e fundit të pyllit…
Nusen e pragut. Nusen e gurit të shtëpisë. Se çdo shtëpi, ka gurin e vet.
Se çdo shtëpi është vetgur. E nën gur ka një gjarpër. Dhe bëhet e tëra gjarpër shtëpia, vetroje…
-  Nuse, dua që nga… ajo…familje, të më vjedhësh një djalë!
Po, po, të më vjedhësh një djalë!
Askush të mos e dijë. Unë, ti dhe varri.
Varri, ti dhe unë!
E kupton?
E dëgjon? Pyeti për të mos marrë përgjigje negative plaku.
Nusja u flakërua në gjithë qënien. U bë prush i turpit. Po ndizej… po digjej.
Po si ta bëj baba? Mezi foli ajo kur hetoi se kerkesa ishte e pa kundershtueshme.
Po si ta bëj?
Po, po do ta bësh! vulosi plaku.
Vetëm varri ta dijë!
“ Thonë se edhe varri tregon”! – shkoi mendësh, ajo…
Dhe nusja, vodhi…
Dhe djali i hajdutosur, lindi.
Dhe plaku u gëzua.
Nuk e la në gji të s’ëmës. E pelenosi në gji të vetë.
Dhe po shtatej fëmija. Dhe u bë nishantar fëmija.Tre vjeç, lozte me sytë e pushkës.
Dhe djali mbushi shtatë vjeç. Dhe viti mbushi shtatë muaj.
Dhe …binte shi.
Dhe dolën në korije të tre. Djali, pushka, plaku.
- A mban mend si të shënosh o bir? – pyeti plaku.
Pyeti gjyshi.
Pyeti urëpaprishuri.
- Mbaj gjysh. Si nuk mbaj!
- Mirë.
A e sheh atë burrin në majë të asaj çatie, atë që është duke zënë pikatën e… gjakut?
- Ku gjysh?
- Ja, ja.
- Po e shoh, gjysh.
- Po a mund ta shënosh?
- Po, gjysh.
Dhe djali e shënoi.
- E shënova gjysh.
- Atëherë, shkrepe.
Dhe burri ra i vdekur nga çatia. Nga maja e shtëpisë. Nga maja e gjaktrimit. E ku ta dinte djali se gjyshi i kishte futur fishek në gojë armës?!
E ku ta dinte djali se kishte vrarë babanë?!...
Dhe në fshat u hap: Gjaku u mor. E mori shtatë vjeçari dhe viti shtatë muajsh.
E pritën djalin.
E vranë djalin(!).
U rigjakën.
Gjakosën, kur djali mbushi tetë vjeç dhe viti tetë muaj…
E ku ta dinin se vranë nipin e tyre “dy herë gjaksit” ?!
…Binte shi…


Fier, pranverë 2005
është anëtar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve te Shqipërisë, është anëtar i Akademisë Evropiane te Artit, është anëtar i klubit letrar "Bota e Re" Amerike.
Fitues i çmimit "Migjeni" për librin poetik "Mirë se erdhe lamtumirë !..." dhënë nga Klubi i Shkrimtarëve në Botë "DRITA" dhe revista Letrare - Kulturore "Pelegrin" në Athinë.Etj.Etj.

******

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri