Flori Bruqi: O e mjera Shqiperi!!!



Pse rekomandimet e shkrimtarit Ismail Kadare izolojnë Republikën e Shqipërinë


Shkrimtari , Ismail Kadare, i ka shkruar një letër të hapur Lulzim Bashës, me të cilën i kërkon që të tërhiqet nga gara për kryetar të Bashkisë së Tiranës. E përkthyer saktë dhe qartë: që t’ia lërë vendin në tavolinë kandidatit të Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Ramës. U përpoqa të shoh se cilat janë argumentet e Kadaresë, madje me shumë vëmendje, sepse nuk besoja se një njeri i madh, i respektuar, si më vitali i letrave dhe mendimit shqiptar të kohës, të shkruante pa fakte, pa argument dhe të jepte një porosi-urdhër thjesht i motivuar, por pa ndonjë kasus-beli. Më kujtoi kjo letër një deklaratë të tij të vitit 2001, kur merrte në mbrojtje kryeministrin socialist të asaj kohe, megjithëse ai ushtronte një dhunë të pashembullt kundër opozitës. Atëherë Kadare fliste për nevojën e forcimit të shtetit dhe kritikonte qëndrimin e opozitës demokratike. Tani flet për nevojën e integrimeve dhe merr hapur anën e kreut të opozitës. Ky pozicionim politik i Ismail Kadaresë majtas, e komprementon atë, sepse e largon nga “egocentrizmi”, e largon atë nga realiteti. Unë kam shkruar disa libra, shumicën prej tyre si libra studimorë, në të cilët i jam përmbajtur dhe kam zhvilluar idetë dhe vlerat që ka përfaqësuar shkrimtari i shquar shqiptar. Si mijëra shqiptarë të tjerë, jam ndier krenar kur në libraritë e Gjermanisë më kanë rekomanduar librat e tij të përkthyer në gjermanisht. Librarët dinin me saktësi titujt e veprave të tij dhe sinqerisht që më ndrisnin sytë nga gëzimi që një shqiptar kishte bërë një emër aq të madh në botën e qytetëruar. Po letra drejtuar Lulzim Bashës a bën pjesë në këtë korpus të lavdishëm të Ismail Kadaresë? Nëse lexuesi do të më lejojë të shpjegohem, mendoj dhe besoj se kjo letër bën pjesë në pjesën emocionale të pamenduar mirë prej tij. Në zgjidhjen e konflikteve, i dashur Kadare, është me vend që të fuqishmit t’i drejtohen atij që ka më shumë logjikë, shfaq më shumë modernitet e civilizim, atij që pranon të jetë viktimë për një ideal më të madh, për një çështje më të shenjtë. Letra juaj i përmbahet kësaj fryme. Që në hyrje të letrës bëhet fjalë për pasojat e situatës së krijuar në Shqipëri. “S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis pas tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, deri te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dyja shtetet shqiptare në Ballkan”. Pra, motiv i letrës janë pasojat e situatës së krijuar. Por që t’i kërkosh Bashës tërheqjen, do të thotë që ta fajësosh atë për këtë situatë konfliktualiteti. Që t’i drejtohesh Bashës dhe vetëm Bashës, që ky t’ia japë në tavolinë si në kohën e diktaturës, kreun e Bashkisë Edi Ramës, vetëm pse ky i fundit është kryetar i opozitës, ky nuk është e nuk mund të shërbejë as si argument, as si shans për integrime dhe mosizolim. Basha duhet të tërhiqet që të shpëtojë Shqipëria, nënkupton Kadare në letrën e tij. Po kush po e fundos dhe shkatërron Shqipërinë? A nuk është ky thelbi i konfliktit në Shqipëri?! A nuk duhet që Kadare të kapet pas kësaj analize, që të mbërrijë te përfundimi për tërheqjen e Bashës?! Me sa duket Kadare ka rrëshqitur. Dhe nuk besoj se e ka bërë këtë thjesht nga emocionet, as nga padituria, as nga mosnjohja e rregullave në një demokraci. Unë mendoj dhe besoj se shteti ligjor dhe rregullat e demokracisë e integrojnë një vend në bashkësinë e vendeve të qytetëruara. Jam i bindur se këtë mendim ndan dhe shkrimtari i shquar. Po a mund të flitet për rend e shtet demokratik, nëse rezultati i fitores në zgjedhjet politike vjen nga tërheqja e kundërshtarit?! A do të ishte e rregullt dhe demokratike, nëse me Edi Ramën nuk do të përballej asnjë kandidat tjetër për Tiranë, thjesht me motivin se ai është kryetar i opozitës?! Natyrisht, kjo logjikë vjen në leximin e drejtpërdrejtë të letrës së Kadaresë, por nëse e lexon atë midis rreshtave, atëherë Kadare shkon në një linjë me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Edhe Bamir Topi e ka votuar Edi Ramën për kryetar Bashkie të Tiranës, sepse ka menduar se “meqë pushtetin qendror e ka Partia Demokratike dhe ‘Aleanca për Qytetarin’, atëherë kreun e Bashkisë në Tiranë duhet ta ketë opozita, përkatësisht kreu i saj, për të cilin ka votuar”. Me këtë logjikë Topi nuk ka votuar kandidatin e Partisë së tij, Lulzim Bashën, por ka votuar kreun e opozitës. Arsyeja të çon në lidhjen e këtyre dy “qortimeve”, të cilat vijnë nga dy njerëzit që natyrshëm do të duhej të ishin më të pushtetshmit në Shqipëri. Vetëm ndryshimi është që Topi qorton Arben Ristanin, Kadare i drejtohet Lulzim Bashës. Edi Rama për të dy këta është jashtë liste, jashtë skemës. Edhe pse ai prej dy vitesh e në vazhdim vijon me retorikën e kërcënimeve, fyerjeve, dhunimeve, sharjeve nga më të ndyrat në fjalorin moralo-politik, atij Kadare dhe Topi nuk i japin asnjë lloj përgjegjësie. Thjesht pse është kryetar i opozitës, Rama duhet ta gëzojë e trashëgojë postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Kjo logjikë nuk e çon Shqipërinë drejt integrimeve. Aq sa e çon dhuna e rrugës që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë opozita dhe kreu i saj i papërgjegjshëm. Nëse ka njerëz të përgjegjshëm dhe me integritet, të përkushtuar për integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ata janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Kadare dhe Topi i njohin besoj angazhimet dhe rezultatet e këtyre dy njerëzve të politikës shqiptare. Por ata nuk duan dhe nuk kanë me sa duket asnjë interes që të jenë mirënjohës, përkundrazi shfaqen, sidomos ky i fundit, pa fund mosmirënjohës. Jo thjesht se Berisha dhe Basha e respektojnë Ismail Kadarenë, as pse ata e katapultuan Topin në postin e presidentit. Por mirënjohja për këta dy njerëz shkon për shkak të kontributeve të jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë frymën dhe shpirtin evropian, fytyrën e Evropës. Kështu ka ndodhur me liberalizimin e vizave, kështu ka ndodhur me procesin e pranimit të vendit në NATO, kështu ka ndodhur me procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, këtë e shohim te veprat gjigante në ndërtimin e infrastrukturës së vendit, këtë e pamë në fushatën moderne të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të saj për zgjedhjet lokale, këtë e pamë në reagimet postzgjedhore e kështu me radhë. Unë nuk besoj se Kadare nuk ka veshë të dëgjojë dhe Bamir Topi nuk sy që të shohë. Ndaj dhe më duhet të jem shumë kritik e të mos e pranoj këshillën e tyre. Së fundi, tërheqja e një kandidati, edhe nëse motivohet me interesat e dy shteteve, gjë me të cilën shpesh spekulojmë pa fund, kjo nuk e shëndosh demokracinë në Shqipëri. Përkundrazi, ky akt është jodemokratik dhe krijon precedentin e vitit 2007, kur gojët e këqija thonë se Edi Ramës ia dhanë Bashkinë e Tiranës në tavolinë, me kushtin e pjesëmarrjes së tij në ato zgjedhje lokale. Pikërisht një akt jodemokratik i para katër viteve, edhe në atë kohë në emër të stabilitetit të vendit, e çoi Shqipërinë nga njëra tek tjetra katastrofë. Kreu i opozitës, i cili e kishte korrur fitoren në tavolinë, ishte dhe mbetet arkitekti i kësaj katastrofe. Shihni çfarë thotë tani. Po rendis vetëm disa fjali të dy ditëve të fundit: “Është koha të marrim në dorë fatin e atdheut”, ishte një nga fjalitë e perifrazuara nga konferenca e shtypit e ditës së shtunë. A nuk i duket Kadaresë kjo një thirrje lufte?! A nuk tingëllon si një apel për konflikt civil në Shqipëri? Po sikur të bënte të njëjtën thirrje edhe Sali Berisha dhe Lulzim Basha, çfarë do të kishte ndodhur? Atëherë pse Kadare i drejtohet vetëm Bashës, pa thënë asnjë fjalë për Edi Ramën, i cili po i vë flakën Shqipërisë për pushtetin personal të konvertuar në paratë e krimit e të mafies? Ose së paku, pse me letër të hapur dhe jo me një letër “të mbyllur”?! Cila është domethënia e kësaj letre, e cila e komprometon rëndë atë?! Cili është shkaku i vërtetë i saj, kur ajo nuk atakon shkaktarët, ndërkohë që qorton viktimat e këtij kaosi politik në Shqipëri? Dhe së fundi, Kadare flet për reagimin e militantëve të Bashës e të Partisë Demokratike. Aq shumë ka ngjitur propaganda e Ramës, ose aq shumë është ngjitur Kadare pas Edi Ramës dhe Bamir Topit, sa në letër merret vetëm me moralizime “egocentriste”, siç i quan ai, duke hedhur baltë mbi “militantët” e së djathtës. Po këtu nuk është fjala për militantë të Bashës dhe Partisë Demokratike. Edhe nëse bëhet fjalë për ata, ata janë shumë, më shumë se 124 mijë veta, të cilët kanë votuar Lulzim Bashën. Në të vërtetë militantët e Bashës janë në heshtje, edhe pse Edi Rama ka mobilizuar të gjithë militantët e tij për ta bllokuar Shqipërinë dhe djegë atë. Kjo është e pamoralshme, e pafalshme dhe gati e turpshme. Të ofendosh mijëra simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike, pse dëshiron ta shohësh kreun e opozitës në krye të Bashkisë së Tiranës, kjo është e patolerueshme për një shkrimtar të madh si Ismail Kadare, sesa për Bamir Topin, gjithçka ka marrë rrokullimën, për shkak se Zoti tha që ai të votojë në një kuti të gabuar, madje i vetëm, e për pasojë t’i zbulohet vota kundër partisë së tij dhe Lulzim Bashës. Prej atij momenti ai nuk ka më as tagër, as autoritet moral, as integritet politik që të përfaqësojë unitetin e popullit. Është një rast që së bashku me vetëdenoncimin e Dritan Priftit do të hyjnë në librin “Gines”. Këtij libri, me sa duket dëshiron t’i shtohet edhe Ismail Kadare. Këtë radhë jo më si shkrimtar i shquar dhe njeri i madh i letrave shqipe, por si hartues i letrave të hapura, përmes të cilave rekomandon rrënimin e demokracisë dhe të lirisë së shqiptarëve për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Rekomandimet e Kadaresë e izolojnë Shqipërinë. Me fitore të jashtëligjshme të zgjedhjeve Shqipëria nuk integrohet. Përkundrazi, ajo humbet shanset për të shkuar drejt integrimeve. Nëse Basha do t’i përgjigjet pozitivisht Kadaresë dhe rekomandimeve të tij, ai do t’i bëjë shërbimin më të keq vendit të tij, demokracisë dhe të ardhmes sonë integruese. Është tërheqja e  Lulzim Bashës ajo që do ta izolonte Shqipërinë. Nuk është falja e mandatit, mënyra e çlirimit të saj nga konflikti absurd i krijuar artificialisht thjesht për interesat personale të një individi, qoftë ky dhe kreu i opozitës. (Floripress)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri