Historia e politizimit të gjuhësisë shqiptare


Bahri Beci





Të mbrosh historinë e vërtetë dhe me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare të Skënderbeut është detyrë e kujtdo që vlerëson të vërtetën, po të mbrosh të pavërtetat e thëna për historinë e standardizimit të shqipes standarde (kujdes se ti më duket nuk kupton dallimin në mes të shqipes standarde, me shpjegimet e dhëna për historinë e formimin e saj) janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme i dashur, aq të ndryshme sa ç’janë nga njëra anë Skënderbeu me bëmat e tij historike dhe nga ana tjetër historia e shkruar nga ndonjë pseudoshkencëtarë për të



Zoti Agustin Kalaja ka botuar në gazetën “Sot” të datës 16 shkurt 2011 artikullin me titull Shqipja letrare dhe gjuhëtarët e pasluftës, ku merr në “shqyrtim” pikëpamjet e shprehura prej meje në artikullin Historia e shqipes standarde e çmitizuar të botuar në gazetën Standard të datës 3 dhjetor 2010.

 Nuk kisha në mend t’i përgjigjesha këtij artikulli sepse në të nuk gjej as edhe një argument që të më detyrojë që t’i rishikoj pikëpamjet e mia që gjerësisht i kam shtjelluar në librin Historia e standardizimit të shqipes të botuar në fund të viti 2010, të cilin, me sa duket, ai nuk e ka lexuar.
Gjithsesi, unë fillimisht do t’i rekomandoja autorit të artikullit ta lexonte librin që të kuptonte më mirë të vërtetën e pikëpamjeve të mia për këtë problematikë.
Megjithatë, po marr mundimin që t’i përgjigjem, ndonëse në reagimin e tij nuk ka asgjë shkencore për të diskutuar.
Zoti Agustin, e vërteta është që unë nuk të njoh, po të them te drejtën, mjaftojnë ato që ke shkruar që të marr vesh se kam të bëjë me një njeri që nuk do që të kuptojë të vërtetën, pra nuk do të kuptojë që shpjegimet e dhëna për historinë e formimit të shqipes standarde nga gjuhësia shqiptare e pasluftës, në thelbin e tyre, janë jo të argumentuara, madje shkencërisht të gabuara dhe të politizuara për të mos thënë më shumë.
Dua të sjell në vëmendjen tënde që politizimi i gjuhësisë shqiptare ka filluar shumë herët që në vitet dyzetë-pesëdhjetë të shekullit të kaluar. Në qoftë se nuk e di, mësoje që nga përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare të pasluftës, në Sesionin e parë të Institutit të Shkencave në vitin 1952 veprimtaria shkencore e profesor E. Çabejt është etiketuar si « antipatriotike » (Buletin për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1952, I, f. 52). Çfarë është kjo për ty?!
Edhe në vitet 1966-1969, pra 15 vjet më vonë, profesor E. Çabejt, në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë, i është bërë një gjyq i tipit kinez me akuzën për përulje përpara autoriteteve të huaja. Po kjo çfarë është për ty?! Për të mos vazhduar më tej me qëndrimet ndaj profesor Selman Rizës e me radhë.
Po më mirë lexo vetëm fragmentet që vijojnë, që i kam shkëputur nga shkrimet e përfaqësuesve të gjuhësisë zyrtare të pasluftës dhe pastaj më thuaj se çfarë janë ato për ty.
Në vitet 1948-1952, përfaqësuesit e gjuhësisë zyrtare pohonin se “ jugu i Shqipërisë ishte më i zhvilluar se veriu nga pikëpamja ekonomiko-shoqërore dhe kulturore, se jugu ishte djepi i lëvizjes kombëtare të Rilindjes, se kolonitë shqiptare në mërgim përbëheshin kryesisht nga toskë, se ideologët, udhëheqësit dhe shkrimtarët e lëvizjes ishin nga jugu etj.” dhe se « Gjatë Rilindjes, edhe kleri katolik i veriut nisi të zgjerojë veprimtarinë e tij të hershme letrare. Po ai, në përgjithësi nuk frymëzohej nga idealet e Rilindjes. Qëllimi i tij kryesor qe me zëvendësue një pushtues me një tjetër - Turqinë me Austrinë »; se « Kleri katolik ... u përpoq për përçamjen e popullit shqiptar. Kjo veprimtari politike antikombëtare e klerit katolik, reflektohet edhe në punën e tij me gjuhën …»; se « Austria me anë të Ministrisë së saj t’Arsimit, Italia me anë të Mustafa Krujës e t’Institutit të Studimeve Shqiptare, kush më shumë e kush më pak, i mbështetën disa shkrimtarë e studiozë gegë të gjuhës që të shpallin nëndialektin e Elbasanit gjuhë zyrtare » (Buletin për Shkencat Shoqërore, 1952, I, f. 53-54).
Pra, sipas tyre, në Shqipëri, gjatë periudhës së Rilindjes e këtej janë ndjekur dy politika gjuhësore: një kombëtare dhe një antikombëtare. E para, e përfaqësuar nga ideologë, udhëheqës dhe shkrimtarë jugorë dhe disa autorë gegë që u frymëzuan nga idealet e Rilindjes e punuan për të, po që nuk e luajtën dot rolin e tyre dhe e dyta, e përfaqësuar nga kleri katolik i veriut. Po të kemi parasysh që shkrimtarët katolikë ishin përfaqësuesit kryesorë të letërsisë shqiptare të veriut, të shkruar në dialektin verior, atëherë bëhet e qartë që ata, politikën gjuhësore, po edhe më gjerë, politikën kulturore shqiptare në periudhën e Rilindjes kombëtare dhe pas saj, e ndanin, pak a shumë, në politikë jugore kombëtare dhe në politikë veriore antikombëtare. Çfarë i thua ti kësaj?
E njëjta gjë bëhej edhe në vitet tetëdhjetë kur ata shkruanin: “Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare dhe pas Shpalljes së Pavarësisë ka pasur dy politika gjuhësore, një politikë kombëtare të përfaqësuar nga personalitete të tilla si Sami Frashëri, Kostandin Kristoforidhi, Luigj Gurakuqi, Aleksandër Xhuvani etj. dhe një politikë antikombëtare të përfaqësuar nga të huaj dhe nga qarqe antikombëtare reaksionare, ku një rol të veçantë kanë luajtur përfaqësuesit e klerit e sidomos të urdhrave katolike”; “ndeshja e dy politikave gjuhësore kombëtare e antikombëtare, karakterizoi, si vitet 20, ashtu edhe vitet 30 e gjysmën e parë të viteve 40 të shekullit tonë” (« Studime filologjike », Tiranë, 1985,2); ose “Gjatë viteve 20-30 u bë bipolarizimi i forcave që luftonin për të zgjidhur problemin e gjuhës letrare. Në një anë, u radhitën ata që e thelluan vijën themelore të Rilindjes dhe vazhduan me këmbëngulje përpjekjet për njësimin e shqipes së shkruar. Këto ishin forcat demokratike që lulëzimin e gjuhës letrare e lidhnin ngushtë me demokratizimin e përparimin e gjithanshëm të shoqërisë shqiptare »; « Kundër tyre, nxorën krye disa pikëpamje divergjente, lokaliste e partikulariste, antikombëtare e antidemokratike e njëkohësisht edhe antihistorike, që ishin shprehje e luftës së klasave në plan kombëtar e ndërkombëtar »; « ata u ngritën kundër vendimeve të Komisisë Letrare...kundër një gjuhe letrare të vetme për gjithë kombin shqiptar... se Flamurin e këtyre forcave reaksionare e morën sidomos krerët e urdhrave katolike ndër të cilët Gjergj Fishta» (po aty, f. 24-25). Po këto çfarë janë për ty zoti Agustin?
Po për hir të së vërtetës problemi yt i dashur është se të mungon kthjelltësia, jo për të kuptuar thelbin pozitiv madje kombëtar të atyre që kam shkruar unë, po edhe për t’i formular qartë “mendimet” e tua se për parashtrim argumentesh nga ana jote as që mund të bëhet fjalë.
Ti fillimisht duhet të mësosh të lexosh. Në asnjë vend të artikullit tim nuk kam thënë, siç pretendon ti, se gjuha letrare shqipe “duhet të pasqyrojë më së pari kam ba e bana sesa kam bërë e bëra” e budallaqe si këto.
Më fal, se nuk është në natyrën time të shkruaj kështu, po mungesës tënde të respektit e përgjegjësisë nuk ka rrugë tjetër për t’ju përgjigjur.
I dashur, ti nuk ke kuptuar asgjë nga ato që kam shkruar unë, prandaj të lutem ose lexoji dhe përpiqu t’i kuptosh, dhe po deshe të ndihmoj edhe unë, po mos fol përçart se kjo nuk të nderon as ty as edhe ndonjë tjetër që mund të fshihet prapa teje.
Nuk e kam fajin unë në qoftë se them kështu, po fraza të njëjta dhe një mënyrë po aq alogjike të të menduarit e kam ndeshur edhe një herë tjetër tek dikush si puna jote, po nuk kam pasur as kohë as dëshirë t’i përgjigjem. Dua të them se jeni një serë ju që i jeni bërë rrodhe kësaj shoqërie për ta penguar emancipimin e saj, po kot e keni, e vërteta i dashur vonon, po nuk harron.
Për mua do të ishte kënaqësi të ballafaqoja pikëpamjet e mia që janë rezultat i një përvoje e përkushtimi që do të duhej të të “impononte”të paktën respekt, me “pikëpamjet” e kujtdo tjetër që e shqetëson e vërteta, po më vjen keq se ti je shumë larg këtyre standardeve.
Në reagimin tënd që në fillim ka mllef dhe përpjekje për klasifikime që vetëm me shkencën nuk kanë të bëjnë.
Po ti çfarë kërkon t’i imponosh lexuesit me ato që shkruan që në fillim të artikullit tënd, i cili do të duhej të kishte frymë shkencore, sepse i tillë është edhe artikulli im, me të cilin ti kërkon të “polemizosh”.
“Çmitizimi, shkruan ti që në fillim, është një thikë me dy presa, që pret nga ajo anë që e drejton njeriu, sipas qëllimeve që ka”.
Pra, së pari, ti, preokupimin tim shkencor, kërkon ta etiketosh si një thikë. Këtu edhe mund të kesh të drejtë, sepse artikulli im është kritikë ndaj pohimeve të paargumentuar të gjuhësisë shqiptare të pasluftës për historinë e shqipes standarde dhe ti mund ta quash edhe thikë, po jo thikë për të vrarë, siç mendon ti, po thikë kirurgu që përpiqet të shërojë plagë.
Së dyti, ti preokupimin tim shkencor, kërkon ta etiketosh si mjet asgjësimi, si antikombëtar e më the e të thash, tamam siç bënin dikur përfaqësuesit e gjuhësisë shqiptare të pas luftës ndaj profesorëve tanë të nderuar.
“Te ne, shkruan ti në vazhdim, nën pretekstin e luftës kundër totalitarizmit, çmitizimi është përdorur si mjet asgjësimi, duke i rënë ndesh edhe interesave kombëtare. Kështu: u bënë përpjekje “për të çmitizuar” heronj të luftës së Dytë Botërore (p.sh. heronjtë e Vigut), Plakun e Vlorës (Ismail Qemali), heroin kombëtar (Skënderbeu), kurse tani na bëhet thirrje “të çmitizojmë historinë e shqipes standarde”.
Ti bën një gabim fatal, logjik, ngatërron ose vë në një plan historinë plotësisht të vërtetë dhe të lavdishme të Skënderbeut që dikush sot do ta çmitizojë (kupto zhvleftësojë) me kritikën ndaj shpjegimeve të dhëna pas luftës për historinë e standardizimit të shqipes. Je me mend a po pa mend ti?!
Të mbrosh historinë e vërtetë dhe me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare të Skënderbeut është detyrë e kujtdo që vlerëson të vërtetën, po të mbrosh të pavërtetat e thëna për historinë e standardizimit të shqipes standarde (kujdes se ti më duket nuk kupton dallimin në mes të shqipes standarde, me shpjegimet e dhëna për historinë e formimin e saj) janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme i dashur, aq të ndryshme sa ç’janë nga njëra anë Skënderbeu me bëmat e tij historike dhe nga ana tjetër historia e shkruar nga ndonjë pseudoshkencëtarë për të. Eja në vete, po të duash të bësh një paralelizëm unë nuk kam kërkuar çmitizimin (kupto zhvlerësimin) e Skënderbeut dhe të bëmave të tij, por çmitizimin (zhvlerësimin) e historisë së shkruar nga pseudot për Skënderbeun. Më qartë dhe në mënyrë më të thjeshtësuar se kaq nuk mund të shpjegohem.
Edhe një gjë tjetër, të kritikosh të pavërtetat e gjuhësisë shqiptare të pasluftës për historinë e standardizimit të shqipes dhe të mos pranosh mitizimin e tyre do të thotë të luftosh për të vërtetën. Të pavërtetat zotëri nuk mund të jenë me interes kombëtar. Vetëm në atë shoqëri që lamë pas gënjeshtrat shpalleshin si të vërteta dhe mitizoheshin, pikërisht, sepse ishin të pavërteta dhe pse vetëm kështu arrihej betonizimi i atij sistemi që mbahej vetëm me gënjeshtra. Nostalgjikët e atij pushteti, në pamundësi për ta rikthyer atë përpiqen të ruajnë ndër të tjera edhe gënjeshtrat e përfaqësuesve të tij, me çdo kusht dhe me çdo mjet. Dhe më vjen keq, po ti je bërë me dashje ose pa dashje pjesë e pandashme e tyre.
Ti dhe kategoria jote keni marrë përsipër për të mbrojtur gjithçka nga ai sistem, që, në thelbin e së keqes së tij, kishte nëpërkëmbjen e vlerave kombëtare. Po, po, ti dhe kategoria jote jeni ende nën efektin e drogës pesëdhjetëvjeçare që njerëzit me mendje të kthjelltë dhe përgjegjësi kombëtare po përpiqen t’ua shkulin nga trutë dhe nga trupi, po që me sa duket do të duhet edhe shumë kohë. Po kjo është një rrugë pa kthim prapa i dashur. Dhe mjerë ata që nuk arrijnë ose nuk duan ta kuptojnë.
Po le të kthehemi te artikulli yt.
Ti, i dashur, flet për thika, për mjete asgjësimi, u përgjigjesh pra argumenteve të mia shkencore, me mjete të tjera, kërkon ta politizosh, kërkon ta fyesh madje ta « asgjësosh » « kundërshtarin » me emërtesa të tilla bajate të dala jashtë mode në gojën e serës suaj si “antikombëtar” e më the e të thash. Ti flet njësoj si sëra jote në vaktit. Lexo parathënien e librit dhe do të kuptosh se nuk je tjetër veçse një papagall i keq që riprodhon ato që kanë thënë para teje kolegët e sërës sate. E veçanta jote është se ti nuk je veçse një beniamin i tyre pa vlerë. Dhe këto që po i shkruaj, mos mendo se po i shkruaj për ty, se ti nuk e meriton respektin tim, po për ata nga të cilët e ke frymëzimin, për të mos thënë më tepër.
Nga ato që lexon në fillim, po edhe nga ata që lexon në vazhdim bëhet e qartë se për ty nuk ka rëndësi e vërteta shkencore, e këtu ndahemi përfundimisht, jo vetëm me ty, po edhe me të gjithë ata si ty që nuk u intereson e vërteta shkencore, ose çka është më keq, që kanë frikë nga e vërteta shkencore.
Po përse i quan të nevojshme që në një diskutim shkencor për historinë e standardizimit të shqipes të flasësh për specializimin tim në fushën e fonetikës në Francë. Çfarë lidhjeje ka ndërmjet pikëpamjeve të mia për historinë e standardizimit të shqipes me atë që ti e quan specializim. Ti nuk ke asnjë informacion të saktë lidhur me këtë problematikë dhe kjo kuptohet thjesht kur thua se kam qenë për specializim « katër vjet » në Francë. E vërteta është se unë kam bërë studimet pasuniversitare në Universitetin e Sorbonës dhe kam mbrojtur doktoratën nën drejtimin e profesorit të shquar francez Rene Gsell me rezultatin « Shumë i nderuar dhe me përgëzimet e jurisë ». Ti ia atribuon vajtjen time për specializim ish-drejtorit të institutit dhe shtetit komunist. Këtu ka një pjesë të së vërtetës, sepse pa pëlqimin e tyre nuk ishte e mundur të shkoja jashtë shtetit, po ti nuk di shumë të vërteta të tjera që kur do t’i marrësh vesh, besoj se do ta mbyllësh sqepin dhe nuk do të kesh kurajon të dëgjosh se ç’thuhet nëpër rrugë ose nëpër kafene për të më bërë mua presion që të mos të them të vërtetën për problemet shkencore. Jo i dashur, lëri zanatet e grupeve, grupazheve të vjetra e të reja në fushën e gjuhësisë dhe ktheje fytyrën andej nga lind ai diell që ka filluar të ndriçojë tokën dhe mendjet e kthjellëta të atij vendi që nuk ua ka borxh t’ia zini rrugën e t’ia prishni të ardhmen.
Ti shkruan se unë paskam thëne se « si tipare dalluese më të rëndësishme, që duhet të jenë të pranishme në njësinë bazë të gjuhës letrare, mund të vlerësohen: hundorësia zanore e gegërishtes, që mungon në toskërishte, dhe prania e fonemës zanore të theksuar ë në toskërishte, e cila mungon në gegërishte (geg. na:n / tosk. nën(ë)), për shkak se këto lidhen me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të dy dialekteve të shqipes” (?!)
Ku i gjete këto budallallëqe, në artikullin tim? Gënjen i dashur ose nuk ke kuptuar se çfarë kam thënë unë lidhur me këto dukuri.
Mjafton kjo e pavërtetë që ma atribuon mua ditën për diell për të kuptuar se ti nuk je i shkencës, po i mejdanit, se ti je një nga ata… që nuk ke ndërmend ta fitosh bukën hallall me punë dhe me djersë. E po jemi shumë larg i dashur, vazhdimi i bisedës me ty nuk më bën nder, prandaj do t’i lutem Zotit që të të ndihmojë të dalësh sa më shpejt nga bataku ku je futur, sa nuk është vonë.




Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit