Kjo Kasandra me emrin Gary Kokalari

Prof.dr. Eshref Ymeri



       “Shekulli Online” të datës 16 maj 2011 lexova këtë kryeinformacion me titullin e mëposhtëm:
Kokalari, Arvizusë: Nëse KQZ s'konfirmon rezultatin, në Shqipëri do ketë kryengritje.
Në të, ndër të tjera, thuhej:
“Në një mesazh nisur dje ambasadorit amerikan në Tiranë Arvizu, zv.ambasadores Deborah Jones dhe disa përfaqësuesve të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfshirë Thomas Countryman, Geri Kokalari, paralajmëron probleme të rënda në Shqipëri në rast se KQZ i shmanget detyrimit ligjor për të shpallur fituesin e Tiranës.
“...Rezultati i zgjedhjeve ka qenë i manipuluar, dhe distanca e fitores së Ramës do të kishte qenë shumë më e gjerë nëse njerëzit e Berishës nuk do të kishin ndërhyrë në votë. Por, fitorja mbetet fitore, dhe KQZ-ja bën mirë ta konfirmojë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk shtrohet më pyetja nëse do të ketë kryengritje, por kur...” - shkruan z. Kokalari”.
Në mesazhin e zotit Kokalari, mes rreshtash mund të lexohet fare qartë se cili është pozicionimi i tij në raport me zgjedhjet e 08 majit. Me presionin që kërkon t’i bëjë Komisionit Qëndror të zgjedhjeve për nxjerrjen e rezultateve sa më shpejt që të jetë e mundur, ai del në krah të Edi Ramës. Kësisoj ai nuk do të dijë për ato votat për kryetar bashkie që janë hedhur gabimisht në kutitë e proporcionalit dhe që nga verifikimet që po bëhen, rezulton se, deri tani, pjesa më e madhe e tyre, qenkan në favor të zotit Lulëzim Basha.
Ambasadori i nderuar amerikan, zoti Aleksandër Arvizu, ka shprehur mendimin që këto vota të shkojnë në favor të atij kandidati, të cilin qytetarët e kanë parapëlqyer më 08 maj. As më pak e as më shumë. Gjë që është në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor.  Ndërkohë, Partia Socialiste, këto vota i quan të pavlefshme dhe kërkon shpalljen e rezultatit me domosdo.
Po si shpjegohet që ky intelektuali amerikano-shqiptar nuk pret që të verifikohet çdo votë deri në fund, të shpallet vendimi i Komisionit Qëndror të zgjedhjeve dhe mandej të na i bëjë të njohura refleksionet e veta për zgjedhjet e 08 majit.
Në verën e vitit 2008, kur ndodhesha për vizitë te fëmijët në SHBA, u mundova t’i gjeja adresën elektronike zotit Gary Kokalari. E kisha një arsye për këtë qëllim.
Para se të nisesha me time shoqe për në SHBA, një miku im ortodoks më la si porosi që gjatë kohës që do të ndodhesha atje, të interesohesha të mësoja gjësend rreth faktit se kush i drejton meshat në kishat ortodokse shqiptare. Deri asokohe kisha lexuar mjaft shkrime interesante të zotit Gary Kokalari, sidomos në mbrojtje të pavarësisë së Kishës Ortodokse Shqiptare. Kjo më kishte bërë që të ushqeja shumë respekt për figurën e tij, si intelektual i mirënjohur që pozicionohej prerë në mbrojtje të kombit shqiptar dhe sidomos në mbrojtje të Kishës sonë Fanoliane. Madje për Janullatosin, si uzurpator të kreut të Kishës sonë Fanoliane, zoti Kokalari është shprehur publikisht se ai “është kolonel i shërbimit sekret grek” (Gazeta “Shekulli”, 06 qershor 2006).
Atëherë, lidhur me porosinë e mikut tim ortodoks,  vendosa t’i drejtohem me një pyetje zotit Kokalari për të më sqaruar. Nga kërkimet nëpër faqet e internetit, adresën elektronike nuk ia gjeta dot, por munda t’i gjejë adresën e shtëpisë. I nisa një letër, në të cilën, veç adresës së shtëpisë së tim biri, kisha shënuar edhe adresën time elektronike. Pas ca ditësh, më vjen përgjigjja me adresën time elektronike: “I don’t understand Albanian”. Atëherë letrën, më të përmbledhur, në gjuhën angleze, ia nisa me e-mail. Në verën që vjen (besoj se ka qenë muaji gusht), mbushen tre vjet që zoti Kokalari ka vazhduar të heshtë për pyetjen që i drejtova, çka përbën shkelje të etikës elementare intelektuale: korrektësisë.
U habita kur mësova që zoti Kokalari nuk kuptonte shqip. Nuk kisha kurrfarë të dhënash se ku ka lindur dhe cilët janë prindërit e tij. Por tani së fundi, duke gjezdisur nëpër faqet e internetit, fare rastësisht mësova se zoti Kokalari “është lindur në Amerikë, nënën e ka nga Nivica e Tepelenës, babanë qytetar Gjirokastre” (Citohet sipas faqes së internetit: “Kokalari, një patriot që nuk bën pazare”. 05 prill 2011).
Kjo e dhënë e internetit më befasoi me të vërtetë. Si është e mundur që një fëmijë, i lindur nga prindër shqiptarë, të mos ketë mësuar fare të flasë në gjuhën shqipe? Megjithatë, nuk kam pse habitem se edhe prindërit e tij mund të kenë lindur në SHBA dhe të mos e kenë folur gjuhën shqipe. Për këtë nuk kam informacion.
Me gjithë heshtjen e zotit Kokalari, nga burime të tjera arrita të mësoj se në SHBA funksionojnë 13 kisha ortodokse shqiptare dhe tri famulli. Informacion më të saktë munda të siguroj për kishën e Çikagos dhe të Kirklandit, shteti Ohajo (Ohio), në të cilat meshën e drejtuakan në gjuhën greke priftërinj janullatistë. Pra, Janullatosi i paskej hedhur kthetrat e veta edhe në kishat shqiptare të përtejoqeanit, të cilat i paska shndërruar në filiale të kishës shoviniste greke.
Tani, për t’iu kthyer fillimit të këtij shkrimi, dëshiroj të shtroj një pyetje për lexuesit e nderuar:
Kujt i shërben zoti Gary kokalari, kur deklaron se “fitorja mbetet fitore, dhe KQZ-ja bën mirë ta konfirmojë. Nëse nuk e bën, atëherë nuk shtrohet më pyetja nëse do të ketë kryengritje, por kur...”.
Po në të njëjtën ditë, pra, më 16 maj 2011, edhe zoti Edi Rama, po në frymën e zotit Kokalari, deklaron në Tiranë para mjeteve të informimit pamor se Komisioni Qëndror i zgjedhjeve po “e fut vendin në një tatëpjetë shumë të rrezikshme”.
Në faqen e sipërcituar të internetit të datës 05 prill 2011, thuhet: “Gary Kokalari nuk bën allishverishe me Shqipërinë, as me këdo që merr karrigen në Shqipëri”.
Interesante! Ky zoti Kokalari nuk bëka allishverishe me këdo që merr karriken në vendin tonë! Por është puna se ai po bëka allishverishe me zotin Edi Rama për marrjen e karrikes. Madje për marrjen e kësaj karrikeje nga ana e zotit Rama, ai qenka gati të fërkojë duart që Shqipërisë t’i vihet zjarri, pikërisht si në vitin 1997. Edhe zoti Rama, nga ana e vet, është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë për të rrëmbyer karriken e pushtetit, siç u mundua t’ia vinte më 21 janar 2011, me rastin e 87-vjetorit të vdekjes së Vladimir Iliç Leninit.
Pra, me këtë rast, më 16 maj 2011, në skenën e ditës, si heronj kryesorë në mjetet e informimit masiv, të shkruar dhe pamor, kanë dalë dy figura domethënëse: zoti Gary Kokalari, që nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes faqeve të gazetës “Shekulli”, si puna e Kasandrës, na kërcënon me shpërthimin e kryengritjes, domosdo të armatosur, se vetë kuptimi leksikor i kësaj fjale armët i ka brenda, dhe zoti Edi Rama, nga Tirana, para mikrofonave të mjeteve të informimit pamor, po ashtu, na kërcënon se vendi paska për t’u futur në një tatëpjetë shumë të rrezikshme.
Në këto kushte, nuk mund të mos hamendësohet se këto dy figura kasandriane kanë të njëjtin regjisor që i drejton dhe që ka për qëllim të arrihet i njëjti efekt: të krijohet psikoza e një situate shpërthyese, revolucionare, në Shqipëri, për frikësimin e shumicës në pushtet dhe hedhjen në dorë të postit të kryeministrit sa më shpejt që të jetë e mundur nga ana e Edi Ramës, i cili kërkon të grumbullojë në duart e veta një pushtet të pakufizuar.
       Para do muajsh zoti Rama bëri një vizitë në selinë e PASOKUT, por nuk dihet publikisht se për çfarë u bisedua konkretisht. Por dimë se zoti Edi Rama organizoi 21 janarin për marrjen e pushtetit me dhunë. Ky aksion revolucionar i zotit Rama, i cili i nxiti militantët e verbër drejt Kryeministrisë dhe vetë lau duart, duke u fshehur si burracak në njërën nga kullat përballë, nuk i paska bërë asnjë përshtypje, nuk i paska ngjallur asnjë emocion zotit Kokalari. Për më tepër, duke deklaruar se “rezultati i zgjedhjeve ka qenë i manipuluar, dhe distanca e fitores së Ramës do të kishte qenë shumë më e gjerë nëse njerëzit e Berishës nuk do të kishin ndërhyrë në votë”,  zotit Kokalari, nuk i vjen aspak zor të fyejë  rëndë mbarë votuesit shqiptarë, të cilët më 08 janar votuan në mënyrën më demokratike, në prani të komisionerëve të të dyja palëve, të vëzhguesve dhe të mjeteve të informimit masiv, pamor dhe të shkruar, madje edhe të diplomatëve të huaj, dhe po në prani të tyre u numëruan edhe të gjitha votat për kryetarin e bashkisë.
       Heshtja e zotit Kokalari për fitoren e kandidatit socialist, zotit Gjergj Goro, në Bashkinë e Himarës, çka ishte një shuplakë fort e rëndë për shovinizmin grekomadh, pozicionimi i tij i paparim përkrah zotit Edi Rama, ende pa u shpallur vendimi i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, shpërfillja që ai u bën votave të hedhura gabimisht në kutitë e proporcionalit nëpër minibashkitë e Tiranës, injorimi i faktit që në shkallë vendi ka fituar Aleanca për Qytetarin, e cila deri tani, sipas informacioneve që unë kam, në proporcional ka siguruar një epërsi me mbi 70 mijë vota, epërsi që me siguri do të vijë duke u rritur pas numërimit të të gjitha votave të proporcionalit në Tiranë, të bën të dyshosh ze zoti Kokalari ka rënë nën ndikimin e lobit grekoamerikan që kërkon shkatërrimin e Shqipërisë dhe, në një bashkëpunim të dyshimtë me zotin Edi Rama dhe në një bashkërendim rolesh me këtë të fundit, ka filluar të shfaqet para publikut shqiptar, me një regjisor grek në prapaskenë.
       Ky qëndrim i zotit Kokalari, i cili nuk ka qejf ta besojë se referendumi që zoti Edi Rama dëshironte të organizonte për rrëzimin e qeverisë së zotit Berisha përmes zgjedhjeve të 08 majit, përfundoi me një disfatë të plotë për vetë zotin Rama, na bind përsëri e përsëri se sa herë që në Shqipëri përjetohen çaste kthesash të shënuara, shovinizmi grekomadh kërkon të shkaktojë tërmete politike në Tiranë, vetëm e vetëm që populli shqiptar të mos ngrihet dot kurrë më këmbë, me të vetmin pikësynim që çështja kombëtare të sabotohet në vazhdimësi, që çështja çame të varroset përfundimisht, që vendi ynë të tregohet me gisht si delja e zezë e Evropës. Qëndrimi i zotit Kokalari ndaj zgjedhjeve të 08 majit më bën të dyshoj se ai ka marrë përsipër të luajë një rol të caktuar në skenarin e regjisorit grek. Por dyshimet e mia i përforcon edhe më shumë heshtja e tij ndaj Janullatosit, të cilin, para di vitesh e akuzonte si kolonel të shërbimit sekret grek. Me sa duket, prandaj edhe nuk pranoi t’i përgjigjej asaj pyetjes sime që përmenda më lart.
       Sa për punën e asaj kryengritjes që zoti Kokalari shpreson se do të shpërthejë në Shqipëri, unë dëshiroj t’i kujtoj atë fabulën për dhelprën që shkonte pas dashit, me shpresë se mund t’i binin ato të rëndat që ajo t’i kollofiste fët e fët. Sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe zoti Kokalari duhet ta kuptojë mirë domethënien e kësaj anëtarësie. Gjynah që ai lodhet kot me ato mesazhet që dërgon që nga ambasadori i nderuar Arvizu e deri në Departamentin e Shtetit!

Santa Barbara, Kaliforni
16 maj 2011

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri