Në veri të Dushkajës është vendlindja ime Shqiponja.

 Nga Flori Bruqi

 

Skënder R. Hoxha (1949) u lind në Shiponjë (ish-Jabllanicë) të Dushkajës, komuna e Gjakovës. Nga një kohë jo shumë e largët, gjyshi i tij rrjedh nga një familje malësore, Demaliaj, e Breg Pacit, rrethinë e Bajram Currit. Skënderi është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkollën e Mesme Teknike të Pejës. Me shkrime kishte zënë të merrej qysh si nxënës i Gjimnazit “Hajdar Dushi” të Gjakovës. Shkruan: poezi e prozë (për të rritur dhe për fëmijë), eseistikë, fejtonistikë, çështje e probleme gjuhësore, ndërsa më me përkushtim merret me hulumtime e studime në fushë të onomastikës. 

 

Deri më tash ka botuar:

     - “Pëllumbi në fluturim” (poezi), 1990;   
     - “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (I)” (studim), 1992;
     - “Kalorësit e mortit” (poezi), 1993;
     - “Bilbili i Dushkajës” (poezi për fëmijë), 1995;
     - “Dy akte të dramës së pakryer” (poezi), 1997;
     - “Kontribut për studimin e toponimisë së Dushkajës (II)” (studim), 2000;
     - “Tridhjetë vjet pune të shkollës së mesme “Shaban Spahija” të Pejës (monografi), 2002;
     - “Vjersha dhe poema” (poezi), 2004;
     - “Jabllanica (Shqiponja) e Dushkajës” (monografi), 2004;
     - “Radoniqi e Rakoci të Dushkajës” (monografi), 2005;
     - “Toponimia e Dushkajës” (vepër studimore), 2007;
     - “Poemë e dhimbjes krenare” (poezi), 2007;
     - “Poet i trazuar” (libër – bisedë me shkrimtarin Hasan Hasani), 2007;
     - “Hasan Hasani në sytë e kritikës” (përmbledhje kritikash për veprat e H. Hasanit), 2008.
    
Ka në dorëshkrim edhe disa vepra zhanresh të ndryshme që presin mundësitë e botomit.
Skënder R. Hoxha është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Aktualisht është kryetar i Degës së LSHK në Pejë. Jeton, punon e vepron në Pejë e në Shqiponjë(Jabllanicë).

Haiku u Dushkajës

E ruaj nga fjalë të pleqve
Në traditë në harta të vjetra
Dushkaja tridhjetë katunde…
Emrin e ka nga bimësia
Me male e pyje me dushk
Shqip – emri Dushkajë.
Me një territor të gjerë
Autokton shqiptar –
Dushkaja e Kosovës
Atje fluturojnë shqipet
Skifterët dhe pëllumbat
Për armikun plumbat…
Suka e Cërmjanit midis Dushkaje
E kohës ilire – fortifikatë
Krenohet në lartësi.
Kjo Sukë afër Gërgocit,
Ndërsa ku kryqëzohen ca rrugë –
I thonë Kryqi i Rakocit.
Sipas traditës së lashtë
Bëhen dasmë e dekë
Bujaria - krenari…
Përroje e prroska
Gjarpërojnë luginave
Bistrica e Drini kufij natyrorë
Përroje, Bistricë, Drini i Bardhë
Herë të kthjellta herë të turbullta
Freskoheshim verës në to.
Pranverave turbullohen ujërat
Drini i Bardhë i mbledh të gjitha
Në lumthin Shushica nxinim peshq.
Në fusha e male
Kullosin bagëtia
Dëgjohen kënga e fyelli.
Livadhet me kullosa
Në mrize bagëtia
Bukolikë e ëmbël…
Bujqit e kostarët
Në ara e livadhe djersiten
I këndojnë punës…
Në Sukë shehë e dërvishë
Rrinin kohë pas kohe
Rruhej kultura shpirtërore.
Në Bec Tyrbe, Kishë e Xhami
Kishë e Tyrbe në Doblibare
Me predikime shqiptare.
Në Sukë për festa maji
Mbledheshim të rinj e të reja
Me lule të para mbuloheshim…
Ka edhe sukëza e kodra
Shpate e shullaje –
I krijoi natyra…
Në veri të Dushkajës
Është vendlindja ime
Shqiponja.

T’I FSHIJ DJERSËT ATDHE

Çka do t’i jepet dhuratë
Kësaj dite me vapë korriku?
A mund të flitet
Për çmimin Nobel për Paqe?
Për të drejtat njerëzore
Për Vetëvendosje?
Apo më fort
Për çmimin Nobel për Hile
Për padrejtësi
Të Rrugëmbylljeve të Mia!...
Evropa e bota sorrollaten
Me Plakëlindjen e rryer dinake
E nanurisin Kuçedrën e Ballkanit
Zagarët e mi s’prajnë së lehuri
E gjahu qelbet përtej bjeshkëve…
Për mua vijnë Lindjet e vonuara
Të degëdisura gjithmonë të përgjakura
Me deng ankthesh të bezdisshme!
Dale edhe pak t’i fshij djersët ATDHE
T’i puth agimet e muzgjet
Me sy të përlotur t’i mas plagët -
Ende të njoma të nxehta.
Hej, sa të mëdha janë!...
Por, as stërgjyshi
As gjyshi babai as unë
As fëmijët e mi
As fëmijët e fëmijëve të mi
Tjetër atdhe s’kemi
Ti je më i mjeri, më i miri për NE…
/18 korrik 2007, Pejë/ 

MË I FORTË SE VDEKJA

Kur mjeshtrit e t(m)errit
Shtrigat dhe shtriganët
Më vërsulen si hienat
Unë jam dragua
I mposht ata.
Kur sëmundja më bën hile
Nëpër vërragët e netëve
Pa ilaçe
Prapë jamë më i fortë
Se ajo.
As vdekja nuk me frikëson
E pres si burrat në log
Por nëse ajo më përvidhet
Nëpër parmakët e jetës
Hajdutçe të më rrëmbejë
Unë jam më i fortë
Edhe se vdekja
Jam kusar dhe e vras atë…
/22 korrik 2006/

ATË DITË FRYNTE NË DURRËS

Ditë vere bregdetare
Jeta vlonte
Durrësi i ngjante një metropole
Ani, e meriton këtë
Autobusët bartnin
Në shumë drejtime
Njerëzit e rreshkur nga dielli
Valët e detit ishin të tërbuara
Atë ditë fungushti
Era frynte çmendurisht
Si Uragan përplaste
Çadrat në zall plazhi.
Përplaste gjësende nëpër rrugë të Durrësit
Unë bëja vizitë familjare
Tek një i ardhur ngaVeriu
Në lagjen e Kënetës.
Dëgjoja fishkëllimën e erës
Tek ngushëlloja familjen e kushëririt
Për birin e tyre njëzet e pesë-vjeçar
Të aksidentuar në Itali
Me motorin e tij ogurzi…
- E patëm shtyllë të konakut -
Më thoshin ata
E unë prapë i ngushëlloja…
Në mbrëmje u ktheva në Kosovë
Gjatë rrugës shkrova këto vargje
Kur autobusi zhurmonte lodhshëm
Rrugëve me leqe
Të veriut të Shqipërisë
Të atdheut tim të copëtuar!...
/27.VIII.2007, Veri i Shqipërisë/
 
VJERSHË

Nëse më dashuron
Edhe TI
Me gjithë zemër
Si UNË
Atëherë
Edhe zemrën time
Ja ku e ke
Merre peng
Për kohën që iku pa ne
Se kësaj i thonë dashuri…
/7.III.2006/


TUPANXHIU
(Me Din Mehmetin, në Gjakovë, në vitin 1979)
- e shkruar atëherë -

Në rrëmujën e Stacionit të qytetit
Shikimi thehet në rrudhat e ballit të Baclokut
Të tupanxhiut plak si Dukagjini
Me krahun e lëvarur e gishtërinjtë që i dridheshin.

Më tha: U gëzova që t’pashë -
(E më shtrëngoi si mikun e vjetër),
Pak jam plakur Baclok e pleqërisë s’i besohet,
Pak jam sëmurë e kësa edhe lisi i rrëzohet.

I thashë: Jo Baclok, jo, se
Ende duhet ta rrahësh tupanin Dukagjinit,
Ende duhet t’i hapësh frëngjitë e kullave,
Ende të jesh strall i ashtit të stërgjyshërve,
Ende të ndriçojë FENERI YT për ata që po vijnë,
Ende duhet të jetë KRISMË EMRI YT!

                                             
FLAKË JANARI
                                    
 /Jusuf Gërvallës/

Agimeve e muzgjeve shpirt i ndezur
                                    
 Në unor Dukagjini tej Ylberit
                                    
 Flakë Janari ku drithërinë zemrat
            
Flakë janari ku lëshojnë shtat ëndrrat.

       
Kitarë e përvuajtur në krahë muzash
                                      
Me tela të kurdisur n’Dubovik
                                      
Harfë e moçme magjepse e fashitur
                                    
 Lyrë Orfeu e shndërruar në mit.

                 
Në Flakë Janari u lind Kanjushë e Verdhë
                                
     Fluturojnë e bien Jusufi tha
          
Trohat e përgjakura rrugës skamnore
                                      
Dimrave të ftohtë duke i mbledhë.

                                    
 Në hartë Ilire vegim engjëllor
                                    
 Me duart plot zjarr Prometeu
                  
A është baladë profetike a këngë trimoshi
                 
  Rrugës së kalvarit Jusufi Kadriu Bardhoshi
                                   
  Figura në bronz e në vargje rubaish.

                                   
  Natë kobtare n’Allaman nxiu
                                      
Shtrigat hienat e moheve e pritave
                                      
Në llahtari veshur me lëkurë djalli
               
 Thurën shëmtinë në kristale shtrëngatash
                                  
   Flakë Janari u bë Fanar i pashuar.

                                                                      
      PS.: Kjo vjershë u shpërbly me vendin e parë, nga juria, në Orën e Madhe Letrare, mbajtur në kuadër të Flakës së janarit, më 16 janar 2007,  në Pejë.

RRAP I RRAHUR ERËRASH
(Pofesor Mark Krasniqit, në 88 vjetorin e lindjes)

As frymëzimi nuk më pret të piqet
As fjalët nuk më presin t’i latoj t’i tjerr
I mbaj në zemër në kokë shumë kohë.

Kur në ballë të plakut të urtë të matur
Vezullojnë sytë – frëngji kullash tona
Në ballë i janë regjur breza studentësh
Furtunat e serta veshët ia kanë rrezbitur.
Rrap i rrahur erërash – kurrë shpirt i shitur
Ku zënë fill ëndrrat ku lind “Posta e porositur”.
Po, a ia nisën nga Gllaviçica?
A nisën nga cila kullë e Dukagjinit?
Nga cili amfiteatër, cila ligjëratë?
Cili Kuvend Burrash a cila shtrëngatë?

Nuk shkruaj sot monografi për ty as biografi
Por pak fjalë poeti që s’munda  më t’i ndal
Pa i qitur në letër si TI dikur
Kur i ke shkruar stinëve të rime
Vargjet njomake vargjet e thime
Lexuar i kemi nën hije të çdo lëndine
Heu, ç’më rri  në kokë
Libri yt “Gjurmë e gjurmime”.
Gjurmë ilire – iu the armiqve –
Ka në këto troje herët e tevona
Me penën e shkencëtarit penën e guximit
Siç flasin librat e shenjta për bëlbëzimet tona.

(Shtator 2008)

OSHËTIMA E MORDJES SË MADHE
/Më të dëgjuar kumtin për vdekjen e shkrimtarit Azem Shkreli/

Mordja e madhe
Vjen
Pa të pyetur
Kur aspak nuk të duhet
Ty as Fisit
Gurit as lisit
Ajo vjen
Pa të trokitur në derë
Ajo varr e ka
Krejt tokën
Derë e ka krejt qiellin
Ofshamë e ka bubullimën
Dënesje e ka shkreptimën
Vaje i ka
Shirat e të gjitha stinëve
Ajo
Kurrë s’është Falë e Fundit.


POETËT NUK VDESIN ATA VETËM NDËRROJNË JETË
/Requiem shkrimtarit Beqir Musliu/

Do të shtunave të mesverës ‘96
Në faqet e kulturës së gazetës “Bujku”
(alias “Rilindja”)
Si rrallëherë mbizotërojnë
Përkujtime fotografi shkrime
Për kulturën e të HESHTURIT BUKUR
Për kulturën e VDEKJES KRENARE.

Kryepersonazh shkrimtari Beqir Musliu
Mbijeton edhe vdekjen
Zoti e bekoftë!

Por poetë si Ti nuk vdesin
Ata vetëm ndërrojnë jetë
Për t’ikur nga planet i mërzitshëm
E bëhen zëdhënës në Tempullin e Zotit

Jo most ë joshin hyritë e xhenetit
Se Ti  do të ringjallesh prapë
Kur të digjet Orë e Kukuvajkës
Kurt ë ringjallet Halil Gërria
Kur në Kosovë –

                                 
  /4.VIII. ’96, Pejë/


MIKUT POET

(Përkushtim poetik – Çelë Bardhajt)

E kërkoj Çelën
nëpër Rugovë
e gjej në ditarë nxënësish
e gjej në tëbana
e gjej në kujtime burrash
e gjej në anekdota
e gjej në këngë

E kërkoj Çelën
Nëpër Kosovë
E gjej në faqe gazetash revistash
E gjej në kulla
Të Dukagjinit të Drenicës
Ballëhapur më thanë kërkoje

Prapë kthehem
Dhe e kërkoj Çelën nëpër Rugovë
Në vendlindjen e tij
del përpara një varr i thjeshtë
I Mikut Tim Poet.

/Tetor 1999, Pejë/


MIKU YNË POET
(Requiem Tahir Deskut)


Shpejt iku koha
Pas kodrave të Drenicës
Si pranverat në çantë
Të shkollarit të saj
Tahirit të Siçevës

Vargjet e poetit
Fjalëmbla – metaforë
Nuk harrohen
Rreshtat e gazetarit
Përherë kojtohen

Edhe në fronte lufte
Në Pika në Istikame
Kumbonte
Fjala e zjarrtë
Fjala kushtrim
Kur gjëmonte Llapushniku
Atje ishte Tahiri i Kosovës –
Miku ynë

Breznitë do të pyesin
Athua u zbraz herët
Gotë e jetës
Apo kobi mashtroi
Në fundvjeshtën me brymë?
                                                   
                                               
(Fundnëntor 2008)

(Kjo vjershë u lexua më 3 dhjetor 2008, në Akademinë Përkujtimore, mbajtur në Klinë, më rastin e tre-vjetorit të vdekjes së poetit Tahir Desku.)


TESTAMENTI I NËNËS

Sa herë mendoj fëmijërinë
Më del para
                       pushteti i nënës.

  ëndrrat rinore
                          kur dua të kthehem
Këshillat e nënës
                         më lëshojnë zë.

Gjatë jetës pjekur dallgësh
                                      me ylberin tej kodrash
Buzëqeshje e heshtur e nënës
                                      më dilte zot.

Edhe në kujtim të përbotshëm
                                s’ka të mplakur 
                                       s’ka të harruar
                                              testament i nënës…
                                                                                         
                                                                               
(Shkurt 2009, Pejë)


 RRUGËVËSHTIRA E MËSUESVE TANË
(Në kujtim të Ditës së Mësuasit)

U kujtoj për rrugën e përgjakur
Për t’na dhuruar dritën!

U Kujtoj për rrugën e gjatë të shkronjave
Për t’na dhënë gjirin e gjuhës së nënës!

U kujtoj për rrugën e sakrificës
Se për shkronja u bëtë shkronja në gurë!

U kujtoj për fletoret e grisura
Ku shkruat germa të arta shqipe!

U kujtoj për dritën e venitur
të pishës e llambës së vajgurit!

U kujtoj për rrudhat që ia shtuat ballit
Prej hienave ta ruani shlyerjen e EMRIT ILIR…
                                                              
(Mars 2009)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri