Nëpër faqet e kujtimeve të një oficeri

 Shkruan Prof.dr.sc.Eshref Ymeri


Modele nga më të shquarat të letërsisë memorialistike janë vepra të tilla, si “Rrëfimet” e Zhan Zhak Rusoit, “Nga jeta ime. Poezia dhe e vërteta” e Gëtes, “Historia e bashkëkohësit tim” e Korolenkos, “Pasqyra e shekullit” e Henrih Mann-it e shumë të tjera.     

Së fundi, në këto kujtime lexuesi nuk mund të mos vërejë se me sa respekt dhe dashuri flet autori për vendlindjen dhe përgjithësisht për anët e veta. Atë e brengos tej mase varfëria e njerëzve të tyre të mrekullueshëm. Ajo ishte një varfëri revoltuese që e bën lexuesin të përsiasë: “Këta njerëz bujarë dhe zemërhapur, që dikur u bënë streha e luftës për liri, tani, me sa duket, nuk i duhen më elitës shtetopartiake!” Domosdo: komunizmi kishte si qëllim pasurimin e elitës sunduese dhe varfërimin e pandalshëm të masës së gjerë.


Kujtimet janë një nga llojet e letërsisë dokumentare, janë një rrëfim letrar i autorit të tyre për jetën shoqërore, për jetën letrare, për ngjarje historike, për jetën personale dhe për njerëz të tjerë, bashkëkohës i të cilëve ai ka qenë relativisht gjatë. Në kujtime mund të përmblidhen ditarë, vëzhgime vetjake, biografi dhe autobiografi, të cilat përbëjnë atë që quhet letërsi memorialistike. Kujtimet përfaqësojnë në vetvete një burim të dhënash me mjaft interes, i cili ndihmon të zbulohen rrethana nga më të ndryshmet që lidhen me ndodhi historike të rëndësishme.

Të botosh kujtimet e tua nuk është gjë e lehtë. Mendoj se këtë privilegj e kanë vetëm ata syresh që kanë lënë pas një jetë shumë të pasur me ngjarje, të cilat paraqesin shumë interes jo vetëm për bashkëkohësit, por edhe për brezat e ardhshëm. Këtë privilegj e gëzojnë vetëm ata që kanë jetuar sa për vetveten, aq edhe për të tjerët.

Në Shqipëri letërsia memorialistike, si një nga llojet e rrëfimtarisë artistike, tani për tani vazhdon të jetë në hapat e parë, është në pasurim e sipër. Nga të paktat vepra të këtij lloji që më ka qëlluar t’i lexoj, mund të përmend kujtimet e zonjës Vera Ibrahimi me titull “Vikama e tingullit” (Tiranë, 1999), kushtuar shokut të saj të jetës, artistit të popullit Feim Ibrahimi, “Intervistë me vetveten (Retë dhe gurët)” e Petro Markos (Tiranë, 2000), si edhe librin “Sikur të isha vetëm…” (Vlorë, 2002), në të cilin inxhinieri ushtarak, nënkolonel Guri Shyti, i përcjell lexuesit “përjetimet” e veta nga jeta ushtarake, të shoqëruara këto me uljengritjet e rënda shpirtërore që iu desh të përballonte në vitet e rënda të diktaturës komuniste.
Libri me kujtime i “gjeneralit” Novruz Dervishaj (fjalën gjeneral e vë në thonjëza se gradën e gjeneralit rastësisht nuk e mori, meqenëse te ne heqja dhe vendosja e gradave ishin një imitim nga të tjerët ose një detyrim politik) me titull “Jeta e një oficeri”, që është vënë në dorën e lexuesve ca kohë më parë, është një tjetër botim interesant që jep ndihmesën e vet në pasurimin e serisë së veprave të letërsisë memorialistike në vendin tonë. Por para se të parashtroj disa mendime për këto kujtime, e quaj të arsyeshme ta sqaroj lexuesin e respektuar se kush është autori i tyre. Autori i këtyre kujtimeve ka lindur në vitin 1936, në fshatin Ramicë të rrethit të Vlorës. Pas përfundimit të arsimit 7-vjeçar,  në vitin 1949, në moshë fare të njomë, pranohet në shkollën ushtarake “Skënderbej”, të cilën e përfundon në vitin 1953. Studimet e larta i vazhdon si student ushtarak në Shkollën e Bashkuar gjatë viteve 1953-1956, në degën e topografisë. Në vitin 1956 del oficer, me specialitet topograf. Për rezultate të shkëlqyera në mësime, merr një gradë më lart. Pasi punon 5 vjet në Tiranë si oficer-topograf, emërohet në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes, ku për 6 vjet u mor me përgatitjen e shtabeve të ushtrisë. Gjatë viteve 1964-1966 përfundon studimet në Akademinë Ushtarake. Në vitin 1969 emërohet Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Mirditë, ku qëndroi deri në korrikun e vitit 1974. Ndërkohë, gjatë viteve 1971-1972, vazhdoi Shkollën e Lartë të Partisë, ku kreu kursin e lartë të filozofisë. Gjatë vitit 1974 u emërua për disa muaj në detyrën e shefit të shtabit të Korpusit të Pukës. Po në vitin 1974 (më 9 korrik) emërohet Komandant i Korpusit të Këmbësorisë në Gjirokastër, ku qëndroi për 12 vjet. Në tetor të vitit 1985 emërohet Komandant i Divizionit të Këmbësorisë në Fier. Në këtë detyrë qëndroi deri në vitin 1989, kur u transferua për në Tiranë. Këtu punoi pranë Rajonit nr.1, ku u mor me problemet dhe detyrat e mbrojtjes civile. Pas 38 vjetësh shërbimi në ushtri, në mars të vitit 1991, “gjeneral” Novruz Dervishaj doli në pension. Ndryshimet demokratike e gjetën në Tiranë. Nga viti 1998 deri në vitin 2000, bashkë me të shoqen e vet, zonjën Ramije, punoi në një familje greke në qytetin Kardhicë të Greqisë. Tani banon herë në Tiranë, herë në vendlindje. Pas daljes në pension, ka vazhduar të shkruajë. Përveç shënimeve të shumta që ka hedhur në letër, ka të sistemuara mbi 450 poezi, të shkruara në kohë të ndryshme. Ka dy vëllime poetike të botuara - njëri para disa vjetësh, kurse tjetri doli nga shtypi pak kohë më parë. Pasioni i tij i përhershëm ka qenë piktura. Ka të përfunduara 800 tablo me bojë vaji dhe 1000 skica me laps dhe me bojë kine. Përveç kësaj, është mjaft i dhënë pas gdhendjes në dru. Deri tani ka 12 objekte të gdhendura. Leximi ka qenë pasioni i tij i përhershëm, i cili nuk i është shuar për asnjë çast, që nga bankat e Shkollës “Skënderbej”, në fushimet gjatë stërvitjeve ushtarake në terren e deri tani, në moshën e pensionit. Poetët e tij më të parapëlqyer janë Jesenini, Bernsi, Petëfi, Migjeni dhe Poradeci. Nga shkrimtarët parapëlqen Gëten, Balzakun dhe Kadarenë. Mes piktorëve, e tërheqin më shumë Vangjush Miho, Van Gogu, Rembrandti etj. Nga moria e personaliteteve të shquara të artit ushtarak, adhuron veçanërisht Zhukovin dhe Petrit Dumen. Nga këto të dhëna të shkurtra nga biografia e tij shihet se ai ka një të kaluar, të pasur me ngjarje sa të bukura aq edhe tronditëse, të cilat, nga sa del nga faqet e këtyre kujtimeve, ai, me plot të drejtë, mund t’ua bëjë të njohura si brezave të sotëm, ashtu edhe atyre që do të vijnë. Që në faqet e para të këtyre kujtimeve, të bie në sy menjëherë çiltërsia befasuese e autorit, i cili, përmes të vërtetave që ka regjistruar në kujtesë që në moshën e pararinisë si nxënës, më pas si student ushtarak dhe më vonë si oficer deri i rangjeve të larta, del para lexuesit si një vrojtues fort i kujdesshëm. Ai largon mënjanë perden e rëndë që kishte mbuluar shumë ngjarje të jetës ushtarake në vendin tonë, duke e njohur lexuesin me disa të vërteta tragjike, sidomos me ato të viteve ’70-të të shekullit të kaluar, kur sëpata e diktatorit Enver Hoxha u lëshua pa mëshirë mbi lulen e ushtrisë shqiptare. Prandaj, kur po i lexoja këto kujtime, vetvetiu më erdhi ndër mend një thënie e shkëlqyer e Hegelit:
“Në qoftë se dikush të vërtetën e thotë vetëm për të ngulur këmbë në mendimin e vet, pa shënuar arritje të mëtejshme, atëherë kjo është, së paku, një gjë e tepërt, sepse e vërteta duhet jo vetëm sa për t’u shprehur për një çështje të caktuar, por duhet edhe për faktin që çështja në fjalë të jetë e mishëruar në jetë”.
Mendoj se autori i këtyre kujtimeve i përket asaj kategorie njerëzish, të cilët jo vetëm e kërkojnë dhe punojnë për të vërtetën, por, së pari, vetë jetojnë me të vërtetën. Dhe të vërtetën e do dhe e mbron, para së gjithash, vetëm ai që do punën, që i pëkushtohet asaj me të gjitha forcat e shpirtit të tij. Pikërisht dashuria për punën përbën tiparin themelor të karakterit të autorit të kujtimeve në fjalë. Pikërisht dashuria për punën përbën fillin e kuq të jetës së tij, duke filluar që nga bankat e shkollave ushtarake, jeta e tij si oficer-topograf i thjeshtë, deri në majat e karrierës ushtarake, si komandat korpusi dhe divizioni. Përkushtimi ndaj punës ka qenë edhe ai themel i shëndoshë, mbi të cilin janë ndërtuar edhe marrëdhëniet me vartësit, deri tek ushtari më i fundit atje poshtë, në terren. Nëpër faqet e këtyre kujtimeve del fare qartë natyra e dashur, e pastër, atërore e komandat Novruzit për ushtarin e thjeshtë, përvijohen më së miri tronditjet e thella që përcillen nëpër honet e shpirtit të tij poetik nga dhimbja që ndien kur ndonjërin prej tyre e godit fatkeqësia. Humanizmi i tij në raste të tilla merr me të vërtetë një shkëlqim verbues që duhet të jetë bukur i lakmueshëm për çdo komandant me të vërtetë dinjitoz, i cili jetën e tij e ka të lidhur fort me nderin e atdheut të vet. Komandant Novruzi është tërësisht i bindur se jeta dhe karriera e tij si oficer madhor nuk mund të kuptohet dot pa përkujdesjen e përhershme për jetën e ushtarit të thjeshtë. Pra, në faqet e këtyre kujtimeve interesante, tërthorazi, del më së miri në pah një tjetër tipar karakteristik i botës së brendshme të komandant Novruzit - humanizmi,  një humanizëm i pastër ky, që nuk ka asgjë të përbashkët me frymën e lëshimeve, me shkeljet e disiplinës ushtarake. Stendali, në veprën e vet “Jeta e Napoleonit”, pas një disfate që pësuan në Spanjë trupat franceze, të komanduara nga gjenerali Dypon, shkruan për Napoleonin: “Ai klithi në tërbim e sipër: E ç’mund të jetë një ushtri pa disiplinë?.. Këtë edhe mund ta përfytyrosh. Por si mund ta pranosh një gjë të tillë?”. Prandaj disiplinën në ushtri komandat Novruzi e shikon si kushtin kryesor për sigurimin e fitores në rast lufte. Dhe këtu ai është i prerë. Frymën e kërkesës së rreptë ndaj vetvetes ai mundohet me gjithë shpirt t’ua edukojë edhe kolegëve vartës. Kur komandanti është i rreptë ndaj vetvetes, ushtarët e tij mund të bëjnë çudira. Një dukuri e tillë shpaloset fare qartë në këto kujtime kur ai përshkruan me një frymëzim lirik shpirtin e sakrificës së trupave të tij gjatë stërvitjeve të shumta në acarin e dimrit apo në pikën e vapës, nën vëzhgimin e eprorëve të ardhur nga lart. Me këtë rast, Stendali, po në veprën e sipërcituar, shkruan përsëri për Napoleonin: “Energjia e këtij njeriu, fryma e qëndresës, me të cilën ai… përballonte të gjitha vështirësitë, ushtarëve të tij u dukeshin si diçka që i kalonte caqet e së pamundurës. Këtu fshihet njëra nga arsyet e frymëzimit të papërshkrueshëm që ai ngjallte në radhët e trupave të tij”.
Një pjesë mbresëlënëse të këtyre kujtimeve e përbëjnë përshtypjet e autorit për figura të shquara të artit tonë ushtarak. Natyra e punës në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes i pati dhënë mundësinë të komunikonte me shumë kuadro të larta të ushtrisë sonë. Ai është një vëzhgues i hollë i botës së tyre të brendshme, i formimit të tyre profesional. Ka midis atyre kuadrove jo pak syresh që dallohen për horizontin e gjerë në lëmin e artit ushtarak, të cilët ai i përmend me emër dhe për të cilët ushqen ndjenja të një respekti të thellë. Por, me kalimin e viteve, kur autori, si një oficer i përgatitur tashmë, krijoi personalitetin e tij si kuadër i lartë  dhe si specialist i talentuar i artit ushtarak, në kujtimet e veta nuk e kursen edhe ndonjë notë kritike për ndokënd që dikur e pati përfytyruar më të armatosur nga ana profesionale.
Faqe jo më pak emocionuese të këtyre kujtimeve janë ato ku autori përsiat për gjëmën që goditi ushtrinë shqiptare në mesin e viteve ’70-të. Duke kryer detyrën e komandantit të korpusit të këmbësorisë për 12 vjet me radhë, ai ka qenë dëshmitarë i shumë ngjarjeve të frikshme, kur shpata e diktatorit Enver Hoxha bëri kërdinë në radhët e elitës së ushtrisë shqiptare. Dhe autori s’resht së shtruari pyetjen gjithandej: “Përse?” Dhe lexuesi, nga ana e vet, përsërit me vete pyetjet torturuse: “Përse? Cila qe arsyeja që duhej të zhdukej lulja e ushtrisë shqiptare? Cili ishte shkaku që gjithë ato kuadro të larta ushtarake, me përgatitje akademike, duhej të përfundonin para skuadrës së pushkatimit, apo që të tjerë të dergjeshin ose të vdisnin nëpër burgjet e diktaturës komuniste?”  Kam përshtypjen se zoti Novruz Dervishaj është i pari oficer madhor dhe specialist i artit ushtarak që i kthehet në një libër kujtimesh kësaj njolle të zezë në historinë e ushtrisë shqiptare. Ai është dëshmitar i depersonalizimit të figurës së oficerit në ushtri dhe kjo e bën që në qenien e vet të ndiejë një dhembje të thellë që ia gërryen shpirtin ca nga ca. Ai e shikon me sytë e vet se si diktatura e detyron oficerin të gënjejë, të mashtrojë, të vetëposhtërohet për forcë të mbijetesës, vetëm e vetëm për të shpëtuar vetveten, familjen, njerëzit e gjakut dhe farefisin nga orteku i furishëm i murtajës që ka mbjellë diktatori. Atij i sëmbon në zemër kur vëren se si oficeri degjeneron si figurë ushtaraku, kur servilizmi fillon të lulëzojë me një turr të paimagjinueshën në formimin e tij botëkuptimor. Ai, në heshtje, përjeton një ndjenjë të pakëndshme ndaj gjithë atyre që u vunë në shërbim të diktatorit, të cilët, siç thotë një proverb i bukur lab “i hoqën nga dhitë për t’i vënë zabitë”. Vendosja e funksionit të sekretarit, krahas asaj të komisarit asokohe në ushtri, ishte një poshtërim që diktatori u bënte komandave, ishte një demonstrim i hapur i injorancës mbi artin ushtarak, ishte ligjësim i degradimit të pandalshëm të ushtrisë në tërësi. Komisarët e diktatorit, këta “kujdestarë” të komandave, s’ishin gjë tjetër veçse ca “dado” me të vërtetë injorante, siç i quante njëri nga komandantët e shquar të Ushtrisë së Kuqe pas Revolucionit të Tetorit, që nuk kishin fare haber nga arti ushtarak. Por këta “injorant të shkolluar dhe të pashkolluar” i duheshin diktatorit se ata përbënin shtyllat e diktaturës për ta pasur ushtrinë nën një kontroll të rreptë, paçka se misioni i saj është dhe duhet të jetë vetëm mbrojtja e atdheut.
Për shkak të detyrave të rëndësishme që ka kryer, që nga Drejtoria Operative në Ministrinë e Mbrojtjes e deri në postet e komandantit të korpusit e të divizionit të këmbësorisë, autorit të këtyre kujtimeve i pati qëlluar jo rrallë të kishte kontakte edhe me figura të larta të shtetopartisë shqiptare. Nga biseda me ndonjërin prej tyre, autori madje kuturisi deri aty, saqë t’i fliste për gjendjen e fshatarëve të Ramicës dhe të krejt Smokthinës se këta nga ana ekonomike kishin mbaruar. Nga kjo ndërhyrje e shkurtër e tij para një personaliteti të lartë të udhëheqjes së Tiranës, lexuesi e kupton fare lehtë se çfarë humnere e thellë i ndante masat e thjeshta të popullit të varfër nga elita e shtetopartisë shqiptare.
       Së fundi, në këto kujtime lexuesi nuk mund të mos vërejë se me sa respekt dhe dashuri flet autori për vendlindjen dhe përgjithësisht për anët e veta. Atë e brengos tej mase varfëria e njerëzve të tyre të mrekullueshëm. Ajo ishte një varfëri revoltuese që e bën lexuesin të përsiasë: “Këta njerëz bujarë dhe zemërhapur, që dikur u bënë streha e luftës për liri, tani, me sa duket, nuk i duhen më elitës shtetopartiake!” Domosdo: komunizmi kishte si qëllim pasurimin e elitës sunduese dhe varfërimin e pandalshëm të masës së gjerë.
Këto kujtime të rrëmbejnë edhe për stilin e tyre origjinal. Autori nuk i përmbahet rendit kronologjik të përshkrimit të ngjarjeve, në mënyrë që lexuesin të mos e mërzisë. Përkundrazi, ai bën kapërcime të tyre, kthehet prapa në kohë ose u paraprin ndodhive që do të tregojë më pas. Ky është një stil  interesant në letërsinë memorialistike që e bën lexuesin ta lexojë veprën me një kërshëri të veçantë.
Megjithëse në pension, autorit të këtij libri me kujtime interesante nuk i ndahet shpirti nga puna. Përkushtimi i zotit Novruz Dervishaj ndaj punës të kujton një fjalë të artë të Volterit: “Puna na shpëton nga tri të këqija të mëdha: nga mërzia, nga vesi dhe nga hallet ekonomike”.  Ai vazhdon të punojë, qoftë atje, në Tiranë, qoftë në vendlindje, e cila e mbush me frymëzim për bukurinë e saj të rrallë. Ai e do vendlindjen dhe njerëzit e saj si jetën e vet. Vendlindja dhe mbarë trevat labe ia kanë mbushur zemrën cep më cep. Atyre ai u ka kushtuar rreth 800 këngë të bukura, vargjet e të cilave përcjellin bukurinë e shpirtit të njeriut atje te punon mes maleve hijerënda që aq ëmbël i përkund në pranverë aroma e trëndelinës. Atë nuk e përkul dot pesha e viteve që mban mbi supe, paçka se i ka laluar të shtatëdhjetat. Por atë nuk e përkul dot as shpërfillja e shtetit, i cili e largoi nga ushtria dhe s’u kujtua më kurrë për përvojën e tij 38-vjeçare në radhët e ushtrisë, si oficerë i elitës ushtarake dhe si specialist i kualifikuar. Prehjen, gëzimin e jetës, frymëzimin e përditshëm ai e gjen në punë dhe mes njerëzve të dashur dhe miqve që e kanë respektuar dhe vazhdojne ta respektojnë.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit