nga Flori Bruqi : Në shenjë repekti për shkrimtarin tonë të madh Azem Shkreli(1938 - 1997)






  • Drejtuesit komunalë i kanë bërë  për nesër(24 maj 2011)përgatitjet për edicionin e 9-të të takimeve letrare “Azem Shkreli”, një aktivitet tradicional kushtuar letërsisë që mban emrin e poetit të njohur nga Rugova e Pejës. 

    Znj.Shpresa Gjonbalaj, drejtoreshë për kulturë në KK Pejë , ka paraqitur programin e këshillit organizues dhe orarin e aktiviteteve. 

    “Edhe këtë vit kemi parashikuar një manifestim me program të larmishëm dhe me pjesëmarrje të autoriteteve me rëndësi në takimet tona”, ka thënë drejtoresha Gjonbalaj, duke shtuar se të martën më 24 maj fillon aktiviteti. 

    Programi i aktiviteteve përmban orë letrare me poetët e rinj të shkollave fillore të Pejës, një tribunë tematike “Komunikimet ndërshqiptare në fushën e botimeve dhe letërsisë”, në të cilën janë paralajmëruar pjesëmarrja e akademikut Mehmet Kraja, poetit nga Shqipëria, Agron Tufa, shkrimtarit shqiptar nga Maqedonia, Kim Mehmeti dhe shkrimtarit e publicistit pejan, Sejdi Berisha.

    Manifestimi qendror mbahet në orën 14:00 në teatrin “Istref Begolli” në Pejë, me programin artistik dhe deklamimin e poezive nga autorë të njohur. 

    Azem Shkreli zë vend në krye të poezisë aktuale shqiptare. Krahas cilësisë, poezia e Shkrelit shënoi kthesë në rrjedhat e poezisë në Kosovë: e zgjeroi spektrin tematik; e subjektivizoi dhe intimizoi heroin lirik dhe çka është më me peshë, solli një ndjesi të re, të mprehtë ndaj gjuhës, ndaj fjalës. Kështu, ajo i hapi rrugë bindshëm poezisë së viteve pesëdhjetë, të ngarkuar me patosin e euforisë kolektive.

    Azem Shkrelí lindi më 1938 në Rugovë të Pejës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa në Prishtinë ai vazhdoi shkollën e mesme për të vazhduar fakultetin Filozofik, degën e gjuhës dhe të letërsisë shqipe. Për shumë vjet ai ka qenë kryetar i shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, drejtor i Teatrit Krahinor në Prishtinë dhe themelues e drejtor i Kosova Filmit. Vdiq në pranverën e vitit 1997.
    Ka botuar këto vepra në poezi Bulzat (1960), Engjujt e rrugëve (1963), E di një fialë prej guri (1969), Nga bibla e heshtjes (1975), Pagëzimi i fjalës (1981), Nata e papagajve (1990), Lirikë me shi (1994), Zogj dhe gurë (1997). Në prozë: Karvani i bardhë (1961), Sytë e Evës (1975), Muri përfundi shqipes Shtatë nga at, si dhe dramat: Fosilet (1968), Varri i qyqes (1983) etj. Poezitë e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të huaja.
    Shfaqja e Azem Shkrelit si poet, përpos që përputhej me ardhjen e talentit të fuqishëm, shënonte njëkohësisht kthesën e parë drejt hapjes dhe modernizimit të poezísë shqipe të Pasluftës. Shkreli u ngjít natyrshëm në kulmet e poezisë së sotme shqiptare dhe këtë vend ai e konsolidoi dhe e përforcoi nga njëra vepër poetike në tjetrën, deri në atë të fundit, që e la dorëshkrim "Zogj dhe gurë", botuar më 1997.
    Veprimtaria në poezi dhe në prozë e Azem Shkrelit në fund të viteve pesëdhjetë dhe në fillim të gjashtëdhjetave, shënon kthesë cilësore dhe kthesë në praktikat krijuese letrare. Gjatë viteve pesëdhjetë, si gjimnazist, Azem Shkreli, ka mundur të lexojë nga letërsia e kohës në gjuhën shqipe një poezi tematikisht të kufizuar, me strukturë dhe sajim artistik gjuhësor pa origjinalitetin e duhur. Në prozë gjendja ishte edhe më e varfër. Me përjashtim të ndonjë emri, (Hivzi Sulejmani) ajo pak prozë e autorëve jo fort të talentuar, kryesisht trajtonte tematikën e luftës dhe të fitores përmes rrëfimit klishe bardh e zi dhe të metodës së realizmit socialit.
    Kështu Azem Shkreli shënoi kthesën e parë më të rëndësishme në poezi, në radhë të parë, duke e çliruar Unin lirik intim nga ai kolektlv, duke selitur në të temën e dashurisë për vendlindjen dhe duke portretizuar njeriun e truallit rugovas, me ngjyrimet e traditës dhe të lashtësisë, dashurinë për vashën, lirikën peizazhiste, etj. Nga ana tjetër thyerjen e parë të madhe në letërsinë shqiptare, kosovare, Shkreli e bëri me romanin "Karvani i bardhë" si edhe me tregimet e përfshira në vëllimin "Sytë e Evës", që qëndrojnë ndër më të realizuarat në prozën tonë të shkurtër...


    Lirikat e Para

    Vendlindja, natyra dhe njeriu i Rugovës së Dukagjinit, portreti shpirtëror i tij, do të jenë frymëzimi kryesor i poezisë së Azem Shkrelit të shtrira brenda viteve gjashtëdhjetë. Frymëzimi që ngjizet mbi këtë hapësirë e që është kthim i shpeshtë i poetit, nuk është konvencional e aq më pak pozë: nuk ka në të patetikë malli dhe mallëngiimi që djeg, "më të bukurin vend"... Bota e vendlindjes së poetit është e pranishme si botë e njerëzve, si besim dhe parim etik, si ashpërsi dhe krenari, si individualitet i papërsëritshëm me hapësirat e tjera, si filozofi jetësore, si raport ndaj lindjes, jetës, vdekjes, dashurisë, si raport ndaj dasmës dhe festës, ndaj punës dhe natyrës, ndaj zotit dhe, sidomos ndaj fjalës. Në këtë frymë janë poezitë e ciklit "Këngë për vete" të shkruara në fund të viteve pesëdhjetë dhe që, së bashku me një tufë poezish të tjera, do t'i emërtojmë si autoportret poetik.
    Tek poezitë e ciklit "Dukagjinçe" mund të përmendim disa poezi portrete të vendlindjes që shënojnë kulmin artistik të poetit si: "Dukagjinge", "Vdekja e Malësorit", "Bregu i mollës", "Shkëmbi", "Lumi" etj. Te poezia "Vdekja e malësorit", përmes përqasies poetike vihen pranë e pranë tri majat: e malit, e lisit dhe e Malësorit. S'ka lot, s'ka kujë në këtë vdekje, se atëherë rrëzohen lisat, shemben majat dhe shterrin krojet. Dhe, s'ka vdekje këtu: vetëm se harroi perëndimin dita në sytë e Malësorit, ndërsa mendimi i vrugët dhe i ftohtë ndër vetulla, është ai që shquhet. Ndërsa poezia "Bregu i mollës" edhe si strukturë vargu, si frymëzim dhe poetikë, është realizuar fare ndryshe nga poezia e mësipërme. Ajo është konceptuar si një rrëfim që rrjedh përnjëherë dhe furishëm, thuajse pa të lënë rast të marrësh frymë. Eshtë njëri nga kthim-kërkimet më dramatike të poetit pas gjurmëve të dikurshme që, përfundimisht i ka fshirë koha. Të pashlyera, të njëjta në atë kthim janë vetëm retë shtegtare, të përjetshme në shtegtimin e tyre, sfiduese përballë shtegtimit kalimtar, përballë gjurmëve të fshira pamëshirshëm. Në këtë kontekst mund të përmendet dhe poezia "Lumi", i cili sikur merr pjesë në këtë komplot kundër poetit, po dhe ai fsheh diç të kaltër dhe të urtë në thellësitë e veta, por që s'do ta thotë. Nga vargjet e poezisë "Shkëmbi" reflekton njëjëzimi maksimal në mes të portretit, natyrës së vendlindjes dhe individualitetit të Unit lirik.

    Lirikat e Dashurisë

    Dashurinë për vashën, poezia e Azem Shkrelit e ka emocion, dhembje të brendshme, të pazëshme.
    Fjala është për një cikël jovëllimor poezish, të zëna dhe të lindura, mbase nga një dashuri e pafat e poetit, që përjeton dramë dhimbjesh të thella. Vasha para një udhëkryqi dramatik zgjedh largimin përfundimtar. Vargjet e lindura nga ky detaj jetësor, ngarkohen kryesisht vetëm me një refleks emocional: dhimbjen e poetit pas ndarjes. Edhe për përmasat e emocionit, për figurën, portretin e vashës, poeti gjen ndonjë detaj të rrallë që s'është qëllim në vete, por në funksion të tendosjes dramatike të folësit lirik. Dhembjen e kësaj plage autori parapëlqen ta mbajë të heshtur, vetëm për vetveten dhe, kur ajo kërcënon të dalë jashtë kontrollit, e ndrydh brenda, si një therrje, plagë fizike. Në këto poezi ndjehet gjendja shpirtërore e poetit, supozohen rrethanat, mjedisi, si dhe një ecuri kronologjike se si dhe kur kanë lindur poezitë e ciklit në fjalë, që asnjëra nuk ka datë.
    Fillimi do të ishte si një "Këngë e heshtur" një takim e gëzim rasti, po ashtu pa bujë, lindja e këngës si një "takim pa hiri", përthithës në çast, por, njëkohësisht i mbështjellë dhe i përcjellë me një parandjenjë të kobshme që pëshpërit si Korbi i Po-së: do ta dua pa e parë.
    Pason pastaj periudha e një dhimbjeje që therr thellë, duke u përplasur brenda gjirit të vet në një vetmi absolute të Unit lirik. Kjo fazë lidhet me bredhien e ankthshme të poetit përmes tri lirikave: "Liqeni", "Nata në kështjellë" dhe "Në Shën Naum". Liqeni që depërton andej dhe këtej kufirit mbase dhe mund të ofrojë një sinjal, një hollësi për vashën, por ai, indiferent, luan me valët dhe, sikur s'është më as syri i tij as loti i saj, dhe Unit folës në çast, i vjen të zbresë në fundin e tij. Nuk ka ngjyrim patetik, as vaj ngushëllues në këtë dëshirë, ide e mendim, qoftë i një Basti fluturues, i një jehone të largët. I tillë është një trevargësh nga cikli i lirikës së realizuar si autoportret, konkretisht nga poezia me titull "ç'ka mësova unë"; -Me qeshë pelim me vuajtë, Me dashtë si me vdekë, Me vdekë si me luejtë. Dashuria dhe vdekja në poezinë e Azem Shkrelit nuk janë një fjalë goje. Përkundrazi ato qëndrojnë pranë e pranë fare natyrshëm.
    Poezia "Në Shën Naum" është një tjetër faqe e bredhjeve të poetit rreth e rreth liqenit që e ndan aq mizorisht. Vargjet e poezisë "Nata në kështjellë" vinë si një fund dite e plumbtë, si një thirrje për strehim qetësues, si një refleks për ta heshtur, për ta vënë në gjumë dhembjen. E kjo nuk ndodh. Përkundrazi dhembja roit e përçudnuar dhe poeti, për ta mposhtur, therr faqen e shkëmbit me gishtat e duarve. Poezia kurorë e ciklit pa dyshim është "Në vend të përshëndetjes". Para kësaj, një si këndellje, vërehet që në vargjet e poezisë "Para elegjisë", ku uni lirik sikur e parandjen jehonën e qëndrimit nëpër kohët që vinë. Por përmes vargjeve të poezisë "Në vend të përshëndetjes" poeti do të shpërthejë si klithje dhe anatemë.

    Në këtë poezi antologjike vihet re një përplasje e brendshme udhëkryqesh, përplasje përjashtuese, emocionesh në momente të kundërta, që rrjedhin furishëm. Vërehet një konflikt dramatik: aq sa zëri lirik përpëlitet të çlirohet nga kjo magjepsie totale, që kullon dhimbje e ankth. Aq më shumë e ndien ai praninë e saj, të shikimit të saj, "në shtegballin e vet". Ndjehet se stuhia në këtë poezi, turret si e verbër, herë në një drejtim e skajshmëri, herë në të kundërtin.

    Lirikat Atdhetare

    Azem Shkreli është një nga lirikët më modernë në llojin e poezisë patriotike. Nuk ka eufori në atë poezi, as përbetime e dëshmi atdhetarizmi që, në këtë fund shekulli janë aq me tepricë në poezinë tonë. Brenda këtij harku tematik poeti me guxim denoncon cenet dhe veset shqiptare, dje dhe sot, duke e ruajtur besimin në substancën e shëndoshë të qenies. Ndjenja e atdhedashurisë shtrihet gati në tërësinë e veprës poetike të Azem Shkrelit. Ajo dallohet thekshëm tek frymëzimet poetike të ngjizura nga drama kosovare dhe shqiptare, sidomos të viteve nëntëdhjetë. Në këtë tematikë sidomos shquhen dy veprat e fundit të poetit, "Lirikë me shi" dhe "Zogj dhe gurë". Nga tërësia e vargjeve atdhetare reflektohet një urti e thithur nga e kaluara, nga tradita dhe lashtësia historike, nga bota shpirtërore kolektive, që i sfidon krizat aktuale morale dhe shpirtërore të shqiptarëve.
    Si poezi atdhetare, pjesërisht mund të konsiderohen edhe ato përsiatëse, të llojit "Meshë" apo "Dhiatë e re". Tek e para përmes një loje fjalësh që, vetëm duke i ndërruar vendet, tek tri vargjet e poezisë, shquhet zëri, në frymë biblike, i vendosur, i prerë në mbrojtje të Dheut dhe qëndrimi shpirtëror e intelektual i poetit ndaj tij. Ajo që e dallon poetin nga shumica e autorëve të lirikës patrioktike aktualisht është ndjenja ndaj fjalës dhe e shqiptimit poetik të përmbajtur në emocione; është ndjenja e masës, ndjenja për të mos u rrëmbyer nga brohoritja kolektive në çastet dramatike për fatin e kombit, siç janë vitet nëntëdhjetë. Këto tipare sidomos shquhen tek vëllimi i parafundit i poetit "Lirikë me shi". Në këtë kontekst, do të veçojmë poezinë e poetit të lënë në dorëshkrim e që lidhet me ngjarjet e pranverës shqiptare të vitit 1997: "Këngë e turpshme".
    Cikli i kësaj lirike, në këtë përzgjedhje prezantohet me poezitë "Psalm për Kosovën", "Origjina", "Arkeologji", "Meshë", "Sogje", "Zgjim", "Motiv optimist", "Ndërtimi i kullës", të cilat dallohen për shtresime të rralla gjuhësore e poetike.

    Lirikat Refleksive

    Në lirikën e Azem Shkrelit nuk mund të bëhet diferencim i prerë ndërmjet llojeve të lirikës. Substanca përsiatëse, refleksive është e pranishme dhe tek poezitë atdhetare dhe tek ato historike, intime, të vendlindjes, etj. Cilido qoftë frymëzimi poetik, në ecje, gjatë artikulimit gjuhësor të poezisë, vargu ngarkohet me reflekse kategorish nga ekzistenca dhe metafizika. Çdo dukuri në këtë poezi është në lidhje me tërësinë e universit dhe ka kuptimin apo pakuptimësinë e kësaj tërësie. Në këtë lirikë është më i pranishëm synimi për të shtruar pyetje, përmes të cilave ndriçohen kategori metafizike të rëndësishme, jepen sugjerime të tërthorta drejt përgjigjeve që asnjëherë nuk janë të prera, përfundimtare.
    Rëndom, në atë pjesë të lirikës ku substanca filozofike është më e theksuar, mbesin të hapura dilemat, udhëkryqet në jetë, duke e nxitur dhe pasuruar spektrin asociativ e meditativ të lexuesit. Lindja e kësaj pjese të lirikës, lidhet me çaste dëshpërimi me çaste zhgënjimi poetik nga ligjshmëria e gjithësisë, nga njerëzit, ku s'pushon të gjallërojë një besim, sado i largët ndjehet ai, sia ndodh tek vargjet e poezive "Ajo që s'e them", "Pagëzim i fjalës", "Kafshë e zezë", "Këngë e vrugut"... Një dëshpërim e zhgënjim i thellë i ditëve të fundit të poetit vërehet tek poezia "Përshëndetje me miq", ndërsa poezia pak më e gjatë "Letër një miku" lidhet me një brengë më të hershme të poetit.
    Vargjet tek të cilat rrezaton dhe besimi e shpresa për ndreqjen e botës dhe të njerëzve, pra dhe të shqiptarëve, janë më të shpeshta në këtë rreth tematik. Në çaste të tilla të rralla, poeti parapëlqen të tërhiqet, të strehohet tek hapësirat e pastra, të virgjëra, siç ndodh me llojin e poezisë "Motive të verdha". Poezitë më të arrirra të kësaj natyre lidhen me trajtat e heshtjes dhe të fjalës, me përthyerjet e tyre në kontekste të ndryshme, qofshin këto sfiduese dhe provokuese, të përditshme dhe të përjetshme. Përshkohet, në këtë cikël lirik, urtia e fjalës dhe e heshtjes, kriza dhe shansi i tyre në rrethana të ndryshme, forca njëherëshe dhe shkatërruese e tyre. Përmes fjalë-heshtjes, në lirikën e vet mendimtare, poeti portretizon kohën e fjalamanëve dhe të heshtakëve aktualë, portretizon njerëzit, bartësit e përditshëm të tyre. Po ashtu brenda këtij rrethi frymëzues Azem Shkreli arriti majat e artit poetik, për arsye se vetë natyra krijuese e tij është më pranë dhe më e prirur drejt meditimeve filozofike. Në këtë fushë, është pa dyshim poeti më i fuqishëm në letërsinë e sotme shqiptare.

    Poetika

    Veti parësore e poezisë së Azem Shkrelit është dendësia e mendimit, ngarkesa dhe tendosja emocionale, të cilat nuk janë sajime mekanike, as rezultat i reduktimeve dhe i shkurtimeve sasiore të
    mjeteve shprehëse. Dendësia në të gjitha shtresimet poetike është në natyrën krijuese të poetit. Kjo natyrë krijuese e ka të mprehtë ndjeshmërinë ndaj fjalës, nga e cila shtrydh të pamundshmen. Duke u vendosur në kontekste të caktuara, fjala, figura, fraza, në këtë poezi aftësohen maksimalisht për të zënë dhe për të bartur në rrjetën e tyre, mendime dhe nuanca mendimesh, emocione, imazhe përfytyrimi dhe imagjinate nga më të nuancuarat dhe nga më të ndërlikuarat. Karakteristikë tjetër është gdhendja mjeshtërore e vargut dhe e frazës poetike. Duke qenë jashtë konvencioneve metrike dhe retorike, poeti, në vargun e lirikës së tij arrin të vendosë një ritëm, një harmoni të natyrshme, jo të imponuar dhe jo në dëm të thelbit përmbajtësor dhe estetik të saj. Nga kjo anë poezitë e Azem Shkrelit u përngjajnë skulpturave të gdhendura mjeshtërisht dhe të krijuara nga lënda kristalore, e tejdukshme. Saktësia e imazhit imagjinativ dhe figurativ, saktësia dhe tërësia e perspektivës dhe e filozofisë poetike, qëndrojnë në thelb të strukturës vargëzuese të A. Shkrelit. Është dhe një veçori, mbase e rrallë përgjithësisht, që e veçon vargun e Azem Shkrelit: mendimi, emocioni, nuk i robërojnë strukturat tërësore të vargut, strofës, frazës. Ato sipas nevojës derdhen lirshëm dhe arrijnë përpos efekteve estetike dhe elegancë të përsosur ritmi dhe mendimi poetik.

    Psalme për Kosovën

    Po Kur pikon gjak
    Kalliu, kur piqet vera
    Kur hyn në gjakun tim
    Nusërore e të bëhem krushk

    Më mëso vetëm t'i bie
    Kitarës, më mëso të vdes bukur

    Bregu i Mollës

    Kurrgjë s'qenka kurrgjë
    Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
    As Lugu i Helmit as hijet Bregut të Mollës
    Ku mollët veç i kujtonim të kuqe
    E na kuqeshin faqet gjithë verën e lume
    As mrizi degëbigë mes të cilave
    Rrinte dielli në dymbëdhjetepesë
    Kurrgjë s'qenka kurrgjë as ai zjarri i rnadh
    Që ra shi i mbarë e na e fiku
    Që ra shi i mlrë e na e fiku se digjen malet
    Se digjen more malet e na flet Shaban Syla
    Kurrgjë s'qenka kurrgjë
    Si e kemi lënë njëherë unë e Lami o zot
    Po kush i paska prekur
    Po kush i paska prishur e ndërruar të gjitha
    Si të mos kishin qenë asnjëher këtejpari
    Unë e Lami me delesykat me bukë e djathë
    Në gjeth paje dhe me fyell
    Kurrgjë s'qenka kurrgjë
    Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
    As Shpella e Bli Hunit as turra e gurëve
    Mbi të cilën hypnim të rritemi as lisat as
    Gurra e Magjupit Ujëhollë
    Gurra e Magjupit ujëmirë
    Ku pinim në fletë kërsane
    As gjollat e kuqe as
    Kurrgjë s'qenka kurrgjë
    Si e kemi lënë njëherë unë e Lami
    Veç toka e vjetër dhe era
    Veç toka e vjetër dhe retë përherë shtegtarë
    Të më thonë se rrodhi këtyre lugjeve koha
    Rrodhi si s'rrodhi dhe asgjë nuk gjeti
    Pos dy pushkëve të vogla shtogu lidhë me tojë
    Ose të më thonë
    Të gjitha janë këtu të gjitha janë
    Pos fëminisë suaj e barit të njomë e qingjave

    Liqeni

    Flas me ty
    Ti hesht e luan me valë.
    Ti s'je më syri
    Im as loti i saj.

    Flas me ty
    Ti shikon pulëbardhat.

    Për Shën Naumin
    Paske zemër t'gjerë

    Flas me ty,
    Ti kotesh mrekullie.

    Më vjen të zbres në fund t'fundit
    Të vdes i gjelbërt me algjet.

    Motive të Vedha

    Po ikim nga gjaku im motive të verdha
    Po ikim nga gjaku ose një herë tjetër
    Po lindim mes bimëve tjera
    Aty e tej janë poshat
    Shtatgjata të vendlindjes janë delet
    Të bardhat dele blegërore dhe bari
    I njomë i qumështit po ikim
    Nga gjaku im aty e tej janë zogjt
    Pupëlvogël zogjt pupëlgjelbër dhe krojet
    Të cemtat kroje ujëloti aty e tej
    Janë vashat më të egrat vasha
    Të bukurisë që falet dhe vetima
    Po ikin nga gjaku im motive të verdha
    Aty e tej nuk vdesin vetëm sytë
    Na ngjethen dhe gishtat na ngjethen e fjalët
    Po ikim nga gjaku im më mirë po ikim
    Nga gjaku ose një herë tjetër
    Një herë tjetër po lindim mes bimëve tjera

    Dhjatë e Re

    Sikur erdhën, panë e bënë e shkuan
    Do bjerë edhe mbi ne njëherë këmbona
    Vinë të etur tjerë. Njësoi afshëm duan
    S'jemi ne. Por nuk mungon e jona
    Thot njeriu dhe zbret i urtë ndër bimë
    Djalli e di se në ç'vend u poqën të parat
    Pemë të mendimit të mirë. Me urtinë
    E kësaj dhjate ne stërpikim arat
    Shollit të ditës s'i duhet spermë komete
    Ky lloj Shën Njeriu don bibël të re
    Një fe tjetër. Fe besimi në vete
    Amen. Koha jonë s'guxon të kohosh pa ne

    ---------------------------------------------------
    Kjo poezi brenda tri katrenave të rimuara artikulon një mozaik refleksesh mendore dhe emocionale. Këtu rrezaton ideja e vazhdimësisë së vlerave njerëzore, si dhe prania e tyre në përjetshmëri: S'jemi ne (nuk do të jemi ne një ditë) thotë poeti; por nuk mungon e jona (nuk do të mungojë), pra fjala është për veprat, bëmat njerëzore. Por vepra e madhe nuk mund të lindë përnjëherë dhe aq më tepër në boshësi. Vepra e madhe ka një lidhje sinonimike me mendimin e mirë, i cili dhe ai arrihet shkallë-shkallë, ngjizet ashtu i mirë që në embrion dhe zhvillohet vit pas viti, shekull pas shekulli, epokë pas epoke. Poeti kalon madje dhe në një mendim tejet të guximshëm. Ai mohon biblën (të kaluarën) në emër të së tashmes, e cila domosdoshmërisht kërkon një koncept të ri, një mënyrë jetese të re. Po ky mohim nuk është absolut, por një urë që lidh të tria kohët njerëzore dhe universale: të shkuarën, të tashmen, të ardhmen. Poezia mbyllet me një përbetim solemn (paçka se ka brenda farën e kërcënimit), Koha jonë s'guxon të kohosh pa ne ... Dhe nënvetëdijshëm lind
    pyetja: Apo ne do ta lemë kohën të na shkasë nga duart ?.

    Nata në Kështjellë

    I mbrami peshkatar me ditën e bjerrun n'rrjeta
    Po kthehet. Unë eci duke prekur nëpër mur
    Pas zërit të heshtjes zvarem ngadalë përpjetë
    Hapin gur e kam. Edhe zemrën, gur.
    Ja, tani kështjellës i kam hypë përmi
    Vonë është terr. Nata, disi lëmekur
    Merr frymë n'për vrimat që mezi shihen zi
    Dhe ankthëm m'kundrojnë si sytë e prindit t'vdekur.

    Mejtuar si fëmija i shkruaj do emra n'rrasë
    E m'duket dashurisë sonë ia fala një grimë amshim
    Por gjerbë e rigës s'motit gurin do ta plasë
    T'parën pranverë duke tallë mashtrimin tim.

    Prandaj me dorë, drithtueshëm, pak' nga pak'
    Faqen e shkëmbit fërkoj si vashën. Dua të fshi
    At marri t'vogël. Vesë? jo, por gjak
    I vokët kullon gishtat t'mij.

    Harroj përse, e si, e nga kam ardhë.
    Harroj të flas, të lëviz. Harroj pa parë
    E ndër gërmadha bëhem një copë gërmadhë,
    Një gur mbi gur që gurit s'don të ndarë


    Këngë e Vrugët

    Mëtim i truar fshihu te pendimi
    S'ka ndëshkim për mëkatet nga ligështia
    Ky rrëmbim i çmendur është i imi
    Apo lindi befas trimëria
    Nga të errëtat e gjakut. S'di po fryma
    Kërkon shkakun t'i vijë era dhe
    Diç të kësaj koke do t'pëshpërisë bryma
    Ime ndoshta. Do të jetë fjalë e re

    Bari të egër. Fjollë e saj nga rrashta
    Do të përvidhet me dhunë e pa hir
    Sikur ç'linda. Do të kundrojë përjashta
    I gjelbër e i qetë do të jem më i mirë

    Dhe voglushë të verdhë do të therrin ditën
    Me vaje të hollë dhe do të pushojnë së qari
    Kur të kuptojnë se për nën këmbë u rriten
    Dheu im. E hiri im. E bari.

    Dukagjinçe

    Po vinë argatët
    Të heshtur. Të muzgët. Po vinë
    Po vini. Err e terr
    Brodhi arave të tyre dita

    Po vinë. E poqën
    Diellin e bakërt të bukës

    Po vini. Po vinë
    Me bimët mugullore ndër muskuj

    Po vinë. Ditë argëtare
    Grua që do t'ua mbash mend farën


    Kafsha e Zezë

    Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
    Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
    Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
    Një langua leh e s'ik as lidhet
    Ulurin përmotshëm mbase së ligës
    Ja ndjen erën diku në gjakun tim
    Ai rrëmbimit të vet i turret digë
    Rreptas pastaj etur merr gufim
    Tej durimit dhimshëm. Të trazuara
    Ngrihen grevë të pabërat duan dëshmi
    Protestojnë. Gjithë gjërat e ndaluara
    Bredhin mëllefit të vet me zhauri
    Dhe leh kafshë e zezë e s'ik as lidhet
    Heshtja det i lëkundur dhe vetimët
    Fshikin terrin trupi i saj përdridhet
    Ku janë njerëzit. Nga janë nisur bimët
    Ja që kështu na qenka kafshë e dehur
    Mëtimi. Pastaj vetëm cuklat kur të na mbeten
    Do thonë: Ai me fjalë e ajo me të lehur
    Të rrojnë se njerëzisht e hëngrën veten
    Të pastë ndjesë harrimi hero i herav

    Vdekja e Malësorit

    Asnjë kokë përkulur
    Se ja rrëxoni lisat
    Asnjë gjëmë mësa guri
    Se ja shembni majet
    Asnjë lot asnjë
    Se ja shteroni krojet

    Në sytë e tij vetëm
    Harroi prendimin dita

    Ç'mendim i vrugët
    Ç'mendim i ftohtë ndër vetulla
    Lum ky çfarë vdekje

    ----------------------------------------------
    Fjala është për një poezi-portret, portret i pamjes së jashtme dhe i botës së brendshme të malësorit - rugovas (Rugova është vendlindja e poetit). Përmes vargjeve me gjuhë eliptike, përshkruhet çasti i vdekjes së tij, duke nënvizuar disa tipare karakteristike të tij sa qe gjallë. Mbi të gjitha shquhet krenaria, qëndrueshmëria jetike, pastërtia dhe bukuria e jashtme e shpirtit. Po të tillë malësori e ka dhe vdekjen, të tillë la bëjnë dhe përcjelljen e fundit bashkëvendasit, pa gjëmë e pa vaj, për të mos ia lënduar madhështinë karakterit të tij. Nga ana tjetër malësori identifikohet me vetë vendin ku lindi, me malësinë si dhe kthehet në figurë simbol. Ai s'ka tipare të veçanta, dhe për poetin nuk ka nevojë t'i paraqesë ato. Poeti ka një qëllim final. Malësori është një shkëmb i vendlindjes së tij, por një shkëmb me shpirt. Më shumë se sa personifikohet figura e tij, metaforizohet. Forca e tij bëhet më njerëzore nëpërmjet flalëve kyçe që përdor poeti si loti, kroi, perëndimi. Nëpërmjet tyre çasti i vdekjes bëhet shumë njerëzor dhe prekës. Poeti i magjepsur nga kjo pamje ndien përbrenda se kështu do ta kishte dëshiruar dhe vetë vdekjen.
    -------------------------------------------

    Sogje

    Sonte ne të dy
    jemi dy sy të kësaj sogje
    Orët zgjuar
    Do të rrinë, këmbanat zgjuar

    Sonte unë e ti
    jemi ai zgjim i zekthët

    Ujqit në këmbë
    Do të jenë, Kosova në këmbë

    Natë që s'more
    Pushkë, as të mori pushka

    ----------------------------------------
    Sogje - në kuptimin në, roje, në zgjim. Është karakteristikë për Shkrelin mënyra koncize e të shprehurit. Shqetësimi krijues vjen në natyrën e lirikës personale për Kosovën. Poetit i mjafton vetja Unë dhe tjetri Ti që Kosova të mund të qëndrojë dhe të mbijetojë. Poezia është shkruar në mesin e viteve '90 dhe poeti që vdiq pak para luftës që u zhvillua në Kosovë, sikur ta parandjente atë. Nuk ka gjumë për armiqtë (Ujqit), dhe si rriedhim nuk ka gjumë as për Kosovën; një lidhje varësie kjo e kushtëzuar nga historia famëkeqe e vendlindjes së poetit. Po kjo lidhje varësie qëndron ndërmjet natës dhe pushkës. Fundi i poezisë sugjeron një gjendje pritjeje të ankthshme ... ashtu siç ishte dhe gjendja e Kosovës deri në ditën kur vdiq poeti.
    ---------------------------------------------

    Përshëndetje me Miq (Ismail Kadaresë)

    Plot fjala është me ju, plot kupa, plot gjiri i nënës
    Kudo e ngado është e juaja pos mohit, pos orës së prapë
    Dhe krismës prapa shpinës, po unë me se të ju zbukuroj
    në baladë, o miq, me se, o dega ime e epër e fisit,
    Atij tisi të hollë e tisi të rrallë, tri herë të zier
    Në ashtin tuaj e timin, po unë me se të ju kem, me se-
    Të ju përyjnoj, e vetëm ju e dini atë bar të mirë
    Atë lëng rrëzë fjale me të cilin m'i mëkoni plagët
    Ethet e qentë m'i përzeni kur kam zjarrmi, kur digjem
    Ujë etjes m'i jepni bri kroit të Martinit e bri Kruje
    Ullirin e moshës ma piqni, zotynë shëndet iu dhashtë
    Nga jeta e vet e popullit, nga gjaku, nga shpendi ynë
    Ju dhashtë, me se të ju di, me se të ju zbukuroi në baladë,
    e jeni sa krip ka koka, sa fij bari, sa deti, Alkal
    Me Alkal ju dëgjoj e më ktheni me mallë në shtizë

    Comments

    Popular posts from this blog

    Legjenda e Mujit dhe Halilit

    Ese për Vitin e Ri