2011-05-05

nga Flori Bruqi : Panajot Plaku, gjenerali që zbuloi sekretet e Enverit tek gazeta “Borba



http://floart-press.blogspot.com/2010/10/nga-flori-bruqi-panajot-plaku-gjenerali.html


Kush ishte Panajot Plaku? Biografi e shkurtër, e përmbledhur sipas shërbimit përkatës e përpiluar në datën 30.V.1957...
"Panajot Plaku i biri i Josifit dhe i Kostandimës i datëlindjes 1918...ka mbaruar normalen e Elbasanit, i organizuar Anëtar Partie, i martuar me Vjollcën, me tre fëmijë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i lindur në katundin Hoçisht dhe banues në Tiranë, shtresë e pasur. Qëndrimi i tij dhe i familjes gjatë regjimit antipopullor të Zogut ka qenë i mirë. I ati i tij ka qenë avokat në Bilisht, ndërsa Panajoti vazhdonte shkollën fillore.

Gjatë okupacionit të vendit tonë nga Italia Fashiste, familja e tyre nuk e ka pritur mirë pushtimin dhe për çështje politike në vitin 1942-1943, e kanë internuar të atin e tij dhe të vëllanë Kalon në Porto Romano deri në kapitullimin e Italisë. Kurse Panajoti vazhdonte studimet në Normalen e Elbasanit.

Në vitin 1942, Panajot Plaku iku nga Normalja e Elbasanit dhe u hodh në çetën partizane të Moravës, ndërsa vëllai i tij Jorgo Plaku kishte dalë partizan qysh në virin 1941 dhe me formimin e Brigadës së Parë Sulmuese të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare (Br1S), Panajoti shkoi në Br1S dhe me përgjegjësi si Zv/Komandant deri në çlirim. Mbas çlirimit, Komandant Divizioni më vonë, u bë ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe kohët e fundit Ministër pa portofol. Nga familja e tij, ka një vëlla dëshmor, Jorgo Plaku i cili është vrarë gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare. Kohët e fundit i ka vdekur vëllai tjetër Kalo Plaku, i cili konsiderohet Dëshmor.

Farefisi i tij, kanë mbajtur qëndrim të mirë dhe të lidhur me luftën. Jashtë shtetit, nuk ka njeri. Kishte një xhaxha në Amerikë por i ka vdekur. Të arratisur nuk ka.

Nga gjyqet e popullit nuk është prekur. Ka një motrën e tij në Bashkimin Sovjetik për studime ".

Kjo karakteristikë, shoqërohet me emrat e 27 personave të rrethit të tij familjar, farefisnor dhe shoqëror me të cilët Panajot Plaku kishte marrëdhënie (shënim Flori Bruqi).



“Zëri i popullit” njofton dënimin me vdekje të Liri Gegës. Cilat ishin masat që merr Partia kundër spiunomanisë? Arratisja e gjeneralit Panajot Plaku para se ta bënte viktimë Enver Hoxha. Pse Brezhenjevi dhe Hrushovi nuk e pranuan strehimin e gjeneralit shqiptar? A ishte vërtetë Plaku, njeriu që i “nxori” bojën PPSH në artikujt anonim botuar në gazetën “Borba” të Jugosllavisë? Pse Hrushovi e vizitoi Shqipërinë, cilat ishin këshillat e tij? 

Historiania ruse, Nina Smirnova, në librin “Historia e Shqipërisë përgjatë shekullit XX”, botuar nga "Ideart", sjell dëshmi dhe fakte të reja përmes shfrytëzimit të arkivave të panjohura të Moskës, Beogradit, Parisit, Berlinit, Londrës, Romës, Athinës e Tiranës. Në këtë botim voluminoz prej gati 800 faqesh, përfshihen mbi 250 bibliografi të reja, të panjohura më parë. Smirnova ishte njohëse e shkëlqyer e gjuhës shqipe dhe njihte fare mirë frëngjishten, italishten dhe anglishten, lexonte gjermanisht dhe greqisht.

“Shqipëria, vendi më i vogël e më i dobët i Evropës, që e fitoi pavarësinë kombëtare në fillim të shekullit XX, në vitin 1912, në jubileun e vet të njëqind vjetorit si shtet, duhet të ndahet më në fund nga emri i vendit më të varfër të Evropës, i cili e ka ndjekur pas gjatë gjithë kësaj kohe”, kështu shprehet Nina D.Smirnova (1928-2001) doktore e shkencave historike, albanologe dhe përkthyese, që është një nga autoret më serioze që është marrë me studimin dhe interpretimin e historisë shqiptare. Ajo është e njohur jo vetëm në botën akademike ruse, por edhe në arenën ndërkombëtare për qëndrimet që ka mbajtur ndaj Shqipërisë dhe kontributin në pasurimin e historiografisë shqiptare me argumente, interpretime dhe dëshmi arkivash të panjohura dhe të paqëmtuara gjer sot.

Këndvështrimet nga e cila ajo e sheh historinë e Shqipërisë hedhin dritë mbi mjaft anë të errëta, të shtrembëruara e pak të njohura mbi figurat, personazhet, personalitetet dhe momentet historike më kulmore gjatë shekullit XX-të.

Doli përsëri në skenë teza e rrethimit kapitalisto-revizionist të Shqipërisë me të gjitha pasojat që vinin prej tij. Më 23 nëntor të vitit 1956, “Zëri i Popullit” njoftoi për gjyqin që po zhvillohej kundër Liri Gegës, burrit të saj, Dali Ndreut dhe kolonelit Petro Bullati, të cilët u dënuan me vdekje “për spiunazh në favor të një shteti të huaj”.

Brenda vendit, propoganda e partisë nuk e fshehu se ata qenë pushkatuar, pasi kishin punuar për jugosllavët. Karakteri demonstrativ i këtij akti ishte tepër i qartë. Dy të parët, heronj fatkeqë të Luftës Nacionalçlirimtare, jetonin prej kohësh diku në rrethina, nën mbikëqyrjen e policisë dhe nuk kishin asnjë lidhje me sekretet shtetërore. Ndërsa Bullati, sipas të thënave, e “pësoi për shkak të fushatës”: ai ishte me origjinë jugosllave (emri i tij i vërtetë qe Peter Bulatoviç) dhe duke shfrytëzuar zbutjen e krahasueshme të marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave, kishte kërkuar të kthehej në atdhe.

Kishte filluar një periudhë e re e spiunomanisë dhe e luftës kundër “revizionizmit”. Shkak për këtë u bë një ngjarje e jashtëzakonshme: më 16 maj të vitit 1957, u arratis në Jugosllavi një nga heronjtë më popullorë të Luftës Nacionalçlirimtare, anëtar i KQ të PPSH-së dhe deputet në kuvendin Popullor, gjenerali Panajot Plaku, pasi kishte mësuar se do të ishte viktima e radhës. Nuk dihet sa të bazuara qenë dyshimet e Plakut, por që ai nuk mund të pajtohej me gjendjen e krijuar në PPSH, e dëshmonte letra e tij për KQ të PPSH-së, e dërguar një muaj pas arratisjes. P. Plaku shpresonte të gjendte strehim në BRSS, por diçka e pengoi Hrushovin dhe Brezhnjevin për ta pranuar. Gjatë kohës, që jetoi në Beograd, ai nuk dha as intervista, as deklarata politike. Vetëm më 27 maj të vitit 1961, i shprehu shkurt korespondencës të gazetës “Borba” mendimin e vet për procesin e admiralit Teme Sejko. Por, duke filluar nga viti 1960, në shtypin jugosllav zunë të dilnin artikuj anonimë për disa probleme të historisë së PPSH-së, të mbushur me hollësi të tilla, të cilat mund ti dinte vetëm një dëshmitar i ngjarjeve. Nuk përjashtohet mundësia që ky njeri të ketë qenë Panajot Plaku. Pas vdekjes së tij, në vitin 1969, nuk pati më publikime të tilla.

Që nga shkurti i vitit 1957, udhëheqja e PPSH-së filloi të përtërijë shkallë-shkallë vlerësimin pozitiv të rolit të Stalinit. Në fillim, ky proces shkoi në përputhje me prirjet, që u vunë re në BRSS, ndërsa më pas zu të zhvillohej me ritme tejkaluese. Fill pas kësaj, u ringjall me tërë forcën e vet, kulti i heronjve, që kishin shpëtuar partinë, i dënuar nga kongresi i III i saj. Sepse Enver Hoxha kishte përparësinë, që të ishte i vetmi personalitet politik aktiv i mbetur nga përbërja e KQ-së së parë të PKSH-së. Fama e tij si themelues i partisë dhe udhëheqës i pagabueshëm, u botua plotësisht. Shkëlqimi i tij ra dhe mbi Mehmet Shehun, çka pasqyrohej në agjitacionin figurativ. Në ditë festash, në vitrinat e dyqaneve dhe në rrugët kryesore të Tiranës e të disa qyteteve të tjerë, mund të shihje portrete të Leninit të bëra me porosi në Çekosllovaki. Ato përbëheshin nga lente trekëndëshe shumë të vogla, efekti optik i të cilave bënte të mundur, që nga pozicioni ballor të shikoje portretin e udhëheqësit sovjetik. Ndërsa, po të shmangeshe djathtas apo majtas, herë dalloje tiparet e Hoxhës, herë të Shehut.

Periudha pas kongresit nuk solli asgjë të re parimore në orientimin e jashtëm (politik dhe ekonomik) të Shqipërisë. Miqësia dhe bashkëpunimi me vendet socialiste vazhdoi të mbeteshin guri i themelit në politikën e PPSH-së. Furnizimet nga vendet socialiste mbi bazën e kredive shpesh tejkalonin mundësitë reale për përdorimin e tyre. Në fund të viteve ’50-të, në shtypin shqiptar zunë të shfaqen kërkesa drejtuar strukturave dhe ndërmarrjeve përkatëse ekonomike për të eksportuar pajisjet e makineritë e tepërta, që kishin mbushur portet detare të vendit.

Marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike arritën pikun e vet me vizitën e N.S Hrushovit, në maj të vitit 1959. Kjo ishte vizita e parë e një personaliteti shtetëror sovjetik të një rangu kaq të lartë. I pritur me entuziazëm nga populli, Hrushovi vizitoi ndërmarrjet e ndërtuara nga specialistët sovjetikë dhe foli nëpër mitingje. I befasuar nga klima e favorshme e bujare e Shqipërisë dhe bimësia e begatë, ai tha se Shqipërisë nuk i duhej as industria e rëndë e as prodhimi i drithit. “Një litër benzinë nga nafta juaj do të kushtojë më shtrenjtë se një kilogram haviar,-i tha ai Hoxhës. Në do t’ju japim aq drithë, sa të kërkoni. Tek ne minjtë hanë më tepër nga ç’keni nevojë ju”. Sipas fjalëve të Hrushovit, Shqipëria duhej të bëhej një kopësht i lulëzuar, që të furnizonte vendet e bashkësisë socialiste me fruta subtropikale. Ky ishte një gabim serioz, që më pas u dha kritikëve shqiptarë të drejtën për ta akuzuar se donte ta shndërronte Shqipërinë në prodhues të lëndëve të para për vendet më të zhvilluara të kampit socialist...


Ditari i Panajot Plakut: Arrestimi i 27 delegatëve në Konferencën e Tiranës

Panajot Plaku

Përmes kujtimeve të tij, ish-ministri pa portofol në vitet ’50, Panajot Plaku, sjell pasojat e Konferencës së Tiranës, burgosja e komunistëve që guxuan të flasin. Cila ishte arsyeja, sipas tij, e shpërthimit të kësaj revolte. Pse u largua nga Shqipëria dhe pse u quajt “agjent”, ndërsa ishte ngritur në qiell nga Enver Hoxha. Pas largimit të tij, Plaku i çon një letër Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të BRSS, Nikita Hrushovit, ku pasi i flet për veten, rendit disa gabime të partisë së tij. Të gjitha këto në librin me kujtime “Vite që rrëzohen-Dhuna ndaj revolucionit shqiptar”, botuar nga shtëpia botuese “55”, si një dëshmi e rrallë historike.

Arrestimi i 27 delegatëve!

Me rastin e përgatitjes së listës së kandidatëve, prapa dyerve të mbyllura, në regjistrin e delegatëve për Kongresin e Tretë të partisë nuk hyri asnjë nga ata pjesëmarrës në diskutim, të cilët gjatë tri ditëve të para të Konferencës i kritikun dobësitë e udhëheqjes së partisë. Menjëherë pas Konferencës u arrestuan 27 delegatë, të gjithë ata që kishin folur për gabimet e udhëheqjes së Partisë së Punës të Shqipërisë. Nuk mbetën një kohë të gjatë në burg. Kur u liruan, të gjithë u përjashtuan nga partia dhe u shkarkuan nga funksionet. Mirëpo, disa ditë më vonë, të gjithë u arrestuan përsëri. Por, me atë rast, bashkë me ta u burgosën edhe shumë delegatë të tjerë të Konferencës së Tiranës, si dhe një numër i madh komunistësh të tjerë, të cilët nuk kishin marrë pjesë aspak në punën e saj. Në radhët e të burgosurve ishin zëvendësministri i atëhershëm i Mbrojtjes popullore, gjeneralmajori Huklusi Spahiu, gjeneralmajori Nexhip Vinçani, kompozitorja Dhora Leka, pastaj Pëllumb Dishnica e shumë të tjerë. Të gjithë të arrestuarit ishin komunistë të njohur dhe luftëtarë aktivë të lëvizjes nacionalçlirimtare.
Shtypi në atë kohë heshti në lidhje me të gjitha ngjarjet në Konferencën e Partisë në Tiranë. Jo më parë se në Kongresin e Tretë të PPSH u fol për këtë. Kundërshtimin e organizatës më të fortë të partisë në Shqipëri u detyrua ta shpjegojë vetë sekretari i partisë, njeriu të cilit i ishte drejtuar pjesa më e madhe e akuzave të shprehura në Konferencën e Tiranës. Enver Hoxha deklaroi se në këtë konferencë ishte shprehur kundërshtimi i disa elementëve me origjinë nga shtresat borgjeze dhe të ashtuquajtura intelektuale jo të shëndosha. Duke mos e përfillur faktin se ata, që kishin diskutuar në Konferencën e Tiranës ishin komunistë të spikatur, me biografi të ndritshme revolucionare, Enver Hoxha i sulmoi si tradhtarë dhe aventuristë ordinerë. Ky fjalim i Enver Hoxhës ishte edhe kërcënim për të tjerët, meqenëse disponimi në Parti nuk i përgjigjej as përafërsisht udhëheqjes. Në stilin e tij tipik, Enver Hoxha shkoi aq larg sa që deklaroi se është në interes të miqësisë me Jugosllavinë likuidimi i dukurive të ngjashme në parti. Duke e paralajmëruar vazhdimin e terrorit dhe të presionit masiv, Enver Hoxha vuri në dukje se partia ka për t’i shkelur pa mëshirë të gjithë armiqtë, pa marrë parasysh se dikush do të mendojë se është cenuar demokracia, se është cunguar liria e të folurit, e të tjera, të gjitha këto masa do të jenë në interesin maksimal të PPSH-së dhe të popullit të Shqipërisë (!) në kuadër të reprezaljeve pas Konferencës së Tiranës. Kah gjysma e vitit 1956 u arrestuan dhe pas një procesi gjyqësor të shpejtë dhe të shkurtër, u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan revolucionarët e vjetër Liri Gega (e para kryetare e frontit Antifashist të Grave të Shqipërisë), dhe Dali Ndreu, kryeshef i shërbimit të prapavijës në Shtatmadhori. Pas likuidimit të Liri Gegës dhe Dali Ndreut u kumtua zyrtarisht se u dënuan me vdekje si tradhtarë të partisë e të popullit dhe se gjoja ishin zënë diku në afërsi të Kukësit, kur gjoja kishin ndërmend të iknin përtej kufirit. Në të vërtetë ata u arrestuan, u torturuan, u dënuan dhe u pushkatuan në Tiranë.

Vepër e kujt ishte Konferenca e Tiranës?

Konferenca partiake e Tiranës krijoi përshtypje jashtëzakonisht të rëndë jo vetëm në komunistët e kryeqytetit, por edhe në mbarë partinë, përkundër faktit se anëtarët nuk ishin informuar objektivisht për të. Pikërisht për këtë arsye, udhëheqja e PPSH-së nuk mund të heshtte edhe më tutje për këtë ngjarje të rëndësishme. Kah fundi i vitit 1957, udhëheqja e PPSH-së shpalli se Konferenca e Tiranës është “vepër e revizionistëve jugosllavë dhe e agjentit të tyre Panajot Plakut”, e kjo do të thotë edhe vepër imja! Më duhet të them me këtë rast se kam shumë argumente se nuk kam marrë pjesë në organizimin e Konferencës së Partisë së Tiranës. E kam të qartë se duke ma veshur mua rolin e këtillë, në të vërtetë, ka qenë qëllimi që të largohet vëmendja prej motiveve të vërtetë të kësaj proteste masive kundër udhëheqjes së partisë, prej pakënaqësisë së anëtarëve dhe të kuadrove udhëheqëse me politikën e udhëheqjes më të lartë partiake dhe shtetërore. Para se të mbahej Konferenca e Tiranës, unë u nisa nga Shqipëria për në Korenë Veriore. U ndala disa ditë në Moskë. Një ditë më ftuan me ngut në ambasadën e Shqipërisë. Atje i gjeta tejet të shqetësuar anëtarët e Byrosë Politike të KQ, Spiro Kolekën dhe kandidaten për anëtare të KQ, Vito Kapon. Prej brengosjes së tyre fitova përshtypjen se në vendin tim kishte shpërthyer revolucioni. Më thanë se në Konferencën e Tiranës gati të gjithë delegatët e kishin kritikuar udhëheqjen, se ishin ngritur në mënyrë energjike kundër saj dhe kundër vijës së deriatëhershme të Partisë. Më thanë se brengos posaçërisht fakti që sulmet kundër udhëheqjes nuk pushuan as atëherë kur erdhën në Konferencë, Enver Hoxha e Mehmet Shehu dhe se situata ishte aq e acaruar, sa që Beqir Balluku u kishte urdhëruar Lir Shuriut dhe Adnan Qatipit që të largohen nga Konferenca dhe të mbajnë në gatishmëri një batalion të tankeve për të intervenuar sa më parë në qoftë se do të jetë e nevojshme. Me këtë rast unë dëgjova për herë të parë për ngjarjet në Konferencën e Tiranës. Pas kësaj bisede shkova me aeroplan nga Moska në Pjongjang, në Kongresin e Tretë të Partisë së Punës së Koresë, si shef i delegacionit të PPSH-së. Pas kryerjes së Kongresit, bashkë me të gjithë delegacionet e partive komuniste të Evropës, shkova në Pekin.
Sa ishte absurd pohimi se Konferenca e Tiranës ishte “vepër imja”, dëshmon edhe fakti se Kongresi i Tretë i PPSH-së është mbajtur pas hetimeve radikale dhe pas likuidimit të një numri të madh funksionarësh të lartë të partisë dhe shtetit. Kjo është dëshmi e qartë se ajo, në të vërtetë, ishte shprehje e rezistencës spontane të komunistëve të Shqipërisë kundër burokratizmit dhe terrorit, të cilin e aplikonte grupi udhëheqës më i ngushtë. Në Kongresin e Tretë të PPSH, Enver Hoxha, duke më propozuar anëtar të KQ, foli me superlativa për kualitetet e mia. Madje tha se unë jam i vetmi njeri në Shqipëri, i cili i ka lexuar të gjitha veprat e Leninit! Pohimin e përmendur e përgënjeshtron edhe fakti se në Kongres, në të cilin kanë votuar të gjithë udhëheqësit më të lartë, e kjo do të thotë edhe të gjithë ata, të cilët ishin të informuar mirë për Konferencën e Tiranës dhe për prapavijën e saj, unë kam fituar 100% të votave. Më në fund, e dhëna e fundit që e hedh poshtë pohimin e përmendur, është fakti se Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu nuk më kanë dëbuar nga Shqipëria, por vetë, me dëshirën time, kam vendosur të shkoj në Jugosllavi. Këtë ikje e publikuan në shtyp pas më shumë se dhjetë ditëve, e kjo pa dyshim është karakteristike, sepse kur u largova isha ministër i qeverisë së Shqipërisë. E konsiderova të domosdoshme që me këto argumente t’i përgënjeshtroj akuzat për “rolin tim si organizator” në Konferencën e Tiranës, pikërisht për shkak se po shoh se ato kanë për qëllim që, gjoja tradhtinë time, në të vërtetë të maskohet disponimi i vërtetë i bashkëluftëtarëve të mi, i komunistëve dhe i patriotëve të Shqipërisë. Të gjithë arrestimet dhe likuidimet pas Konferencën e Tiranës ishin, sipas mendimit tim, në të vërtetë masa preventive. Sa i përket situatës së brendshme, ato ishin reagim ndaj dukurisë së pakënaqësisë së hapët masive të kuadrove të vjetra të sprovuara dhe të të gjithë njerëzve, të cilët mendojnë me koka të veta. Sa u përket faktorëve të jashtëm, udhëheqjen e Shqipërisë e kishte kapluar që të mos shpërthejë edhe në Shqipëri aksioni i hapët kundër stalinizmit, sikurse kishte ndodhur në disa vende socialiste (në Republikën Demokratike të Gjermanisë, në Poloni dhe në Hungari). Pas vdekjes së Stalinit, në radhët e Partisë dominoi një atmosferë e re. Duke e duruar vite me radhë despotizmin e Enver Hoxhës, anëtarët e partisë konsideronin se kishte ardhur koha që t’i qërojnë hesapet me dukuritë e rënda të burokratizmit dhe që demokratizmi të aplikohet përsëri si metodë kryesore e jetës dhe e veprimit të PPSH. Mirëpo, një atmosferë e tillë nuk i shkonte për shtat Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Këta druanin me të drejtë se vala e qërimit të hesapeve me burokratizmin dhe me dhunën do t’i fshijë në mënyrë të paevitueshme edhe ata vetë. Pikërisht, për këtë arsye, megjithëse në një varg vendesh socialiste ishin bërë përpjekje për t’i eliminuar pasojat e rënda të stalinizmit, në praktikë ata i demaskonin me këmbëngulje deklaratat e veta dyfytyrëshe se edhe vetë qëndrojnë në vijën e demokratizimit të sërishëm të jetës në parti. Për këtë dëshmojnë një varg shembujsh. Pleniumi i KQ të PPSH, që u mbajt në prill 1955, ishte orvatje drastike që t’u bëhet me dije anëtarëve të partisë vazhdon kursi i vjetër, se Byroja Politike nuk do të tolerojë kurrfarë rezistence ndaj vijës së njohur të Enver Hoxhës dhe të Mehmet Shehut. Në Plenium të prillit u likuidua Tuk Jakova, e po këtë fat përjetoi edhe Bedri Spahiu, të vetmet “gabime” të tyre ishin se kishin bërë përpjekje për t’u larguar nga mënyra e stabilizuar dhe e dirigjuar e mendimit nga periudha e stalinizmit.
Sekretarit të parë të Partisë Komuniste të BRSS, shokut Hrushov, N.S
Unë i nënshkruari Panajot Plaku, ish-ministër pa portofol në qeverinë e Republikës Popullore të Shqipërisë dhe anëtar i KQ të PPSH, e kam kaluar kufirin shtetëror të Shqipërisë natën ndërmjet 15 dhe 16 majit të këtij viti dhe kam kërkuar azil në Republikën Federative të Jugosllavisë.
...Unë nuk kam kurrfarë ndjenjash antisovjetike. Unë kam vepruar vendosmërisht dhe kam folur kundër të gjitha shtrembërimeve për shkak se kam qenë i bindur se kurrkush, as kurrë nuk do të më akuzojë për veprimtari antisovjetike, meqenëse për përkushtimin tim ndaj Bashkimit Sovjetik ekzistojnë me qindra dëshmi në jetën time si para luftës, ashtu edhe gjatë luftës dhe pas çlirimit. Mua si komunist më kanë arrestuar shumë herë fashistët; si mik dhe “agjent” të BS fashistët më kanë persekutuar. Gjatë luftës unë kam luftuar duke qenë i bindur se armët e mia dhe aktiviteti im revolucionar i japin kontribut, jo vetëm mbrojtjes së popullit tim, por edhe i ndihmon BS-së... unë e kam dashur, e dua dhe do ta dua BS, përkundër faktit se Enveri më quan armik të BRSS.

Rreth disa problemeve të PPSH

Rreth demokracisë së brendshme partiake. Ky është problem shumë i rëndësishëm për të gjitha partitë komuniste në botë, por për PPSH ky është problem jetik, i ngutshëm, zgjidhja e të cilit është e vështirë, për shkaqe që do t’i parashtroj më poshtë:
a) Shqipëria di vetëm për një parti, për PKSH (tash PPSH). Dihet fare mirë se gjatë okupacionit turk në Shqipëri kurrë nuk kanë ekzistuar kurrfarë partish politike. Në vitin 1924, në kohën e Republikës Demokratike me Fan Nolin në krye, janë bërë përpjekje për formimin e disa partive politike, por as republika, as partitë që posa kishin lindur në atë kohë, nuk patën jetë të gjatë. Në kohën e regjimit të Zogut as nuk ka qenë e mundshme të flitet për partitë politike legale. Pas vitit 1933 u bënë përpjekje të shumta që të formohet PKSH dhe ishin formuar disa grupe komuniste, prej të cilave u formua në vitin 1941 PKSH. Kjo nuk do të thotë se në Shqipëri nuk kanë ekzistuar lëvizje, kryengritje e luftë për liri. Përkundrazi, populli shqiptar gjatë tërë historisë së vet ka luftuar për liri. Në Shqipëri ka bërë ndikim të madh Revolucioni i madh socialist i Tetorit dhe për këtë arsye Bajram Curri dhe heronjtë e tjerë të rilindjes shqiptare flitnin me respekt për Leninin. Kur vdiq Lenini, parlamenti i Shqipërisë i bëri nderim hijes së tij me 5 minuta heshtje. Fakti se në Shqipëri nuk ka patur parti politike ka rëndësi jashtëzakonisht të madhe, meqenëse jo vetëm populli, por as komunistët e Shqipërisë nuk kishin ndonjë jetë politike të organizuar (me përjashtim të luftës së armatosur) dhe, për këtë arsye, jo vetëm në parti, por as në Frontin Demokratik nuk lejohen kurrfarë mosmarrëveshjesh, madje as rreth çështjeve të dorës së dytë. Me këtë nuk dëshiroj të them se Shqipëria duhet të kthehet prapa dhe të krijojë tash parti të tjera politike. Jo. Por, kur është fjala për demokracinë në parti, nuk duhet të harrohet ky fakt historik, i cili vepron në drejtim të likuidimit të demokracisë së brendshme partiake dhe e pengon në një masë të madhe sendërtimin e parimeve leniniste në praktikë.
b) PKSH është formuar në kushte të ilegalitetit të thellë, në kohën kur fashistët i kishin shfrytëzuar të gjitha mjetet për likuidimin e saj. Ajo u formua prej tre grupeve komuniste të ndryshme, me pikëpamje heterogjene, madje edhe me pikëpamje që ishin armiqësore ndaj marksizëm-leninizmit. Para se të formohej partia, këto grupe zhvillonin luftë reciproke. Një pjesë e njerëzve udhëheqës të grupeve të përmendura nuk i eliminoi pikëpamjet antipartiake as pas formimit të partisë sonë. Në kushte të tilla, kur në ballë të partisë nuk ishte asnjë njeri me përvojë (me përjashtim të dy shokëve jugosllavë Miladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës, të cilët na ndihmuan rreth formimit të partisë), ishte e pamundshme të sendërtohen në praktikë normat leniniste të aktivitetit të partisë. Me qëllim që të ruhet uniteti i partisë dhe të vazhdojë lufta kundër okupatorit dhe tradhtarëve, ne aplikonim në parti masa të pamëshirshme, që përfshinin madje edhe pushkatimin. Të ashtuquajturat gjyqe të partisë merrnin vendime jo vetëm për përjashtimin nga partia të armiqve të saj, por edhe për pushkatim të armiqve të partisë, meqenëse ata kanë mundur t’i sjellin dëme serioze kauzës së partisë, po të mos kishin marrë vendim për aplikimin e masave të tilla.
c) PKSH e ka përcjellë me kujdes shumë të madh jetën e PK të BRSS (sidomos pas çlirimit meqenëse lidhja gjatë luftës ka qenë shumë e vështirë dhe e rrallë). Përvoja e PK të BRSS ka patur rëndësi shumë të madhe për PKSH. Kjo i ka dhënë mundësi që ta udhëheqë vendin në ndërtimin e socializmit. Por, për fat të keq, PKSH është krijuar në atë periudhë, në të cilën kulti i personit të Stalinit kishte arritur kulmin, kur ishin likuiduar në BRSS me qindra e mijëra komunistë më të mirë, kur depërtoheshin popuj të tërë, kur Stalini i kishte në dorë të gjitha punët dhe për këtë arsye edhe Enveri duhej të ishte i tillë. Kulti i personit të Stalinit nuk i ka dhënë mundësi Partisë sonë që ta shqyrtojë çështjen e demokracisë së brendshme partiake dhe për këtë arsye sot, prej atyre shokëve që kanë marrë pjesë në konferencë për formimin e partisë sonë, nga anëtarët e KQ të përkohshëm (i pari KQ i partisë sonë), i cili ka qenë zgjedhur me rastin e formimit të partisë, ka mbetur në udhëheqësi i vetëm Enver Hoxha, e prej anëtarëve të Byrosë Politike të parë ka mbetur në udhëheqësi prapë Enver Hoxha. Përveç kësaj, partia jonë ende nuk di kush ka marrë pjesë në konferencën e saj themeluese, kush kanë qenë anëtarë të KQ të përkohshëm dhe të byrosë politike të parë. A mund ta konsiderojmë normale gjendjen e tillë në një parti, e cila është formuar para 16 vjetëve, kur dihet se pjesëmarrësi më i vjetër i asaj konference themeluese nuk ka pasur më shumë se 45 vjet? A mund ta konsiderojnë si normal likuidimin e të gjithë punëtorëve, të cilët me të vërtetë kanë qenë iniciatorë të formimit të partisë sonë, e jo Enver Hoxha sikurse po gënjejnë tash rreth e përqark?


Deponimet në gjyqin e Hazbiut:
"Shehu, Hazbiu dhe Panajot Plaku donin të vrisnin Enverin!"
Datë 22 gusht 1983. Kadri Hazbiu, ish-ministër i Mbrojtjes, pas rreth një viti në qeli i akuzuar si armik, del para togave të zeza. Megjithëse është krye-agjenturisti më i mirë i vendit, e sheh se ndaj tij është kopsitur një dosje e plotë e veprimtarisë "armiqësore" që mes të tjerave përmbledh dhe bashkëpunimin me Panajot Plakun (përgatitjen e terrenit për rikthim në Shqipëri pas arratisjes), Dhora Lekën etj. Ja fragmente nga gjyqi i Hazbiut, shkëputur nga procesverbali origjinal që ruhet në AQSH dhe Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme: "ARANIT ÇELA: Sadik Radeci siç thua ti, e dyta, lidhur me atë rastin e diversantit që përmende lidhur me letrën e Hulsi Spahiut dhe, e treta, lidhur me trajtimin nga ana e Feçor Shehut të materialit që ka të bëjë me Dhora Lekën. Shkurt, na fol për këto tri çështje... QANI TARTALE: Në vitin '48 isha Shef i Sigurimit të Hekurudhës. Ato ditë të prishjes me Jugosllavinë, më vjen Sadik Radeci dhe denoncon se ishte rekrutuar agjent nga Savo Bozhidaroviçi. Savua e kishte takuar disa ditë pas prishjes së marrëdhënieve, se me atë punë merrej dhe i kishte dhënë nja pesë copë raporte të Kongresit të Pestë të Partisë së tyre revizioniste për t'i shpërndarë dhe i kishte dhënë si detyrë që nëse mund ta lidhte, të vinte të bënte një takim me kosovarët e Rrozhbullit. Mbasi na i tha neve këto dhe na tha situatën, se në cilat kushte ishte vënë në shërbim dhe si kosovar ishte gati që çdo detyrë që t'i jepnim neve ta realizonte, qoftë me likuidimin e Savos ose të vinte dorë, çfarëdo detyre që t'i jepnim, ishte gati. Kjo iu relatua ministrisë, ministria nuk na dha asnjë përgjigje. Në ministri ishin bërë ndryshime, kishin ikur ata dhe kishin ardhur këta të tjerët. Në fakt, Savua ditën e caktuar, me gjithë Qamilin, nuk morën porosira, masat i morën vetë, po Savua nuk erdhi. Mbas kësaj, Savua erdhi disa herë të tjera në Durrës, bëri takime të tjera dhe ne, me ato mundësi që kishim i zbuluam edhe disa baza. Po Sadikun nuk e takuam më. Kaloi kohë dhe ne Sadikun e mbajtëm afër. Kishin kaluar disa muaj, tani ministria ishte në dijeni të punës së Sadikut, por koha kishte kaluar. Një ditë të bukur na lajmërojnë ta marrim Sadikun e ta biem në Tiranë. Ai mendonte, meqenëse puna e tij ishte vlerësuar dhe dëshironte të takohej me Mehmet Shehun. Në një aksham e marr unë dhe e sjell në Tiranë. Në Drejtorinë e Tiranës, që ishte te rruga e "Dibrës", na priti Kleanthi Andoni. Sa e zbrita nga makina, Kleanthi i hodhi hekurat dhe e futi brenda. I them, si është kjo punë? Do ta bisedojmë më vonë, më tha. Ikëm në Durrës, pastaj na bëjnë një shkresë nga ministria e na thonë që Sadiku ishte përgjegjës i një rezidenture në Uzinën "Enver". Kjo na çuditi se Sadiku, as ishte i këtij niveli dhe as kishte punë me Tiranën, ai banonte në Durrës. Megjithatë, ministria mund të ketë të dhëna a nuk e di, e mbajtën. Kaluan pesë-gjashtë muaj, na thërrasin dhe na thonë, e çfarë keni, merrni Sadikun tashti, aneksojani grupit të sabotatorëve të hekurudhës, megjithëse nuk kishte lidhje me ta dhe të dalë në gjyq të demaskojë ato krimet jugosllave ku ai kishte jetuar, që ishin bërë ato masakrat në Jugosllavi pas Çlirimit.

Edhe kështu u bë, neve na vinte turp tani nga ky njeri?! Edhe e trajtuam mirë, megjithatë ai i shkreti nuk tha gjë. Mbas gjyqit, u vendos që ai të dalë nga salla e gjyqit pas përfundimit se u lirua në seancën e fundit, dhe ai pësoi një traumë psikike për disa vite. Tani kam vite që nuk e kam parë, por di që deri vonë ka jetuar në Kavajë, krijoi familje, se atëherë i prishëm edhe familjen, qe i fejuar. Shkurt, kaq është puna e Sadik Radecit. Për këtë çështjen tjetër duhet të ketë qenë viti '57, nuk e mbaj mend saktë, kemi marrë një detyrë nga Kadri Hazbiu, Nevzat Haznedari, Filat Muçua dhe unë. Mbasi ishte marrë një e dhënë se një i dënuar i cili kishte vepruar si diversant i kishte thënë një të dënuari tjetër në burg se, kur ka ardhur një herë me detyrat e UDB-së, ka prurë një letër për Hulsi Spahinë, që në atë kohë ishte komandant i Brigadës Bregdetare në Durrës. Ka shkuar në Durrës, sipas të dhënave, ka gjetur dhe shtëpinë, nuk e mbaj mend mirë se ka vajtur tashti, po më duket se qe edhe në shtëpi, piu edhe kafe dhe priti e priti dhe meqë u vonua ai, ky nuk ndenji, u tremb. Tani nuk ishte e qartë a e kishte dorëzuar letrën apo jo. Kadri Hazbiu na këshilloi që të bisedojmë edhe me këshilltarin sovjetik të Hetuesisë. Shkuam bëmë një plan sipas porosisë së tij dhe bashkë me planin kemi shkuar më duket unë dhe Nevzati, nuk mbaj mend ishte dhe Filati apo jo. Përkthyesi i tij ka qenë Nuredin Gërxhalli. Menjëherë rusi mbasi mori dijeni për këtë punë tha, pse nuk e dini ju që ka porosi se në drejtimin jugosllav nuk bëhen veprime, janë ndërprerë. Nevzati i tha, po ti nuk e di që Tito është agjent i imperializmit, bile më falni se i tha edhe këtë, ka zbardhur brekët. Ai nuk foli. Kush ka dhënë porosi për këtë tha, ministri. Mirë, më lini mua. Ia lamë atij, të nesërmen na thirri dhe na tha, nuk japim mendim për këtë, nuk na dha asnjë mendim. Nevzat Haznedari vuri në dijeni Kadri Hazbiun dhe ai i tha, mirë ju bëni punën, nuk ka gjë, le të thonë ata. Kam shkuar unë në Rinas, se u informova që ky duhet të jetë në Rinas, në atë kohë ndërtohej Aeroporti i Rinasit. E kërkuam, nuk ishte atje. Mund të ishte në qytetin Stalin, në atë kohë gjithashtu ndërtohej edhe atje aeroporti.

Mirëpo unë u vonova se bëmë këto veprime dhe kur u ktheva në shtëpi më thanë të ka kërkuar Filati, është alarmuar, të vini në ministri. Alarm i madh, qe gjë urgjente. Siç më thanë, ishte inatosur Kadri Hazbiu dhe nuk na ngarkoi më neve me këtë punë. Seç u bë më tej, unë nuk e di. Për atë punën e Dhora Lekës. Unë kam qenë që përpara Konferencës së Tiranës edhe shumë kohë në sektorin që merrej me elementin antiparti. Dhora Lekën si fytyrë e njihja, po nuk kisha punë direkt me të, me një fjalë, materialin e dija. Pasi lëviza, më ra që mbas disa viteve të vij prapë në këtë sektor, pasi erdha nga Shkodra. Pas ca kohe pas meje erdhi edhe Feçor Shehu si drejtor i Drejtorisë së Sigurimit. Me deponimet e Dhora Lekës kemi punuar shumë kohë, kishte gjëra që u konsumuan në gjyq, kishte gjëra që u konsumuan në rrugë operative, po mbetën shumë gjëra të tjera nëpër duar që kërkonin verifikim. Disa nga këto do t'i verifikonte, do t'i vërtetonte edhe koha, natyrisht, kur vjen drejtor Feçor Shehu filluam të merremi me këtë punë, shumë herë na ka thënë, ehuuu! Jeni marrë me Dhora Lekën, unë nuk i besoj, më falni për shprehjen, një p.... Një herë në Drejtorinë e Tiranës lindi ky problem, kemi qenë ai, Stavri Madhi dhe unë. Stavri Madhi në atë kohë ishte Kryetar i Degës së Parë. Meqë na u dha mundësia për të dhënë një mendim e thashë dhe unë një mendim. Atij nuk i erdhi mirë, atje nuk më tha gjë. Rrugës duke shkuar në ministri, ishte aksham, më tha mua që t'i bëre gabim. Pse bëra gabim, i thashë, deri sa na u dha mundësia dhe ky është mendimi im, kështu të paktën mendoj. Ti duhet të më mbështesje mua tha, ne vemi si ministri. Unë i thosha që Dhora Leka, disa nga deponimet e saj janë vërtetuar, por disa jo. Kishim fjalën për një person konkret. Ajo thoshte, që Skreçko Kovaçiçi më ka kërkuar t'i organizoj një takim. Unë ia organizova, po e takoi apo jo unë nuk di gjë, kaq thoshte. Pse t'i besojmë asaj. Edhe kishte një mani tjetër, mbetët me kontingjentet e Konferencës së Tiranës, seleksionojini. Ne i shikonim herë pas here kë të heqim, si ta heqim, si ta lëmë. Me një fjalë, ai nuk kishte bindje se këto deponimet e Dhora Lekës vlenin për organet e Sigurimit dhe për Partinë. Unë direkt me Dhora Lekën nuk jam takuar asnjëherë, vetëm një herë në ministri, kur erdhi si e internuar. Kërkonte takim me Rexhep Kollin dhe ai më ngarkoi mua. Unë historinë e saj e dija, por nuk i dola në atë. Pati një ankesë dhe kaq...
...ARANIT ÇELA: Në lidhje me atë që the, domethënë. Që kjo çështje e planit ka ekzistuar që në kohën e Koci Xoxes dhe ka qenë një plan që atëherë për eliminimin e Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror… MIHALLAQ ZIÇISHTI: Po, Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror…
ARANIT ÇELA: Nga e mësove këtë në atë kohë ti?… MIHALLAQ ZIÇISHTI: Në Plenumin e 8-të e mësova nga Koçi Xoxe, e kam mësuar nga Kadri Hazbiu, e kam mësuar nga Panajot Plaku, se tërë plani ishte ky…
Ngjarjet, shumë shpejt do të ecin në bazë të skenarit të parapërgatitur; Hazbiu do të shkojë para togës së pushkatimit…
Kujtim Boriçi
Ekskluzive/ Në këtë numër, studiuesi Elmas Leci sjell dokumente të tjera arkivore dhe dëshmi lidhur me gjyqin politik ndaj Kadri Hazbiut në mbledhjen e Byrosë Politike të 5 tetorit 1982, akuzat e Enverit e anëtarëve të tjerë të Byrosë, për Hazbiun si bashkëpunëtor i "poli-agjentit Mehmet Shehu"dhe personi që ka përgatitur e do të zbatonte ai për vrasjen e Enverit e rrëzimin e komunizmit.
Si përgatiti Kadri Hazbiu futjen në Shqipëri të tradhtarit Panajot Plaku
(Vijon nga numri i kaluar)
Drejt përfundimit të mbledhjes së Byrosë Politike të 5 tetorit 1982, mes Kadri Hazbiut, të akuzuarit si "armik" dhe akuzuesit Enver Hoxha e anëtarëve të tjerë të Byrosë, gjithçka është e qartë. Tashmë (sipas procesverbalit origjinal të kësaj mbledhjeje sekrete), Kadri Hazbiu është jo vetëm bashkëpunëtor i "poli-agjentit Mehmet Shehu", por njeriu kyç që prej vitesh kanë përgatitur eliminimin e Enver Hoxhës dhe ndërrimin e kursit të regjimit komunist. Ja pjesë të procesverbalit:
Adil Çarçani: Po, i dogji, po nuk duhej ta kishte lënë kujtesa, aq më tepër kur është çështja të vendoset kuadri në një vend me përgjegjësi të veçantë, siç është rasti në Drejtorinë Operative të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, që ka të bëjë me gjithë ato sekrete ushtarake shumë-shumë të rëndësishme. Mos është edhe kjo "harresë"apo "lajthitje e kujtesës"? Jo. Përkundrazi, kjo e rëndon edhe më shumë përgjegjësinë tënde, Kadri, përgjegjësi që në autokritikë ti nuk e nxjerr, nuk e analizon, por e kalon si një fakt të thjeshtë, të njohur...
Të paktën, nga ato dokumente që lexuam, sepse siç dëgjuam sot, mendoj që duhet të ketë edhe një seri dokumentesh të tjerë, del qartë se çfarë duhet t'u jetë dhënë organeve të Sigurimit Sovjetik. Në fakt, Ministria e Punëve të Brendshme është bërë në këtë mënyrë një degë e Sigurimit Sovjetik, duke iu dërguar nga vendi ynë gjithë ato dokumente tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, bile të tëra dhe me karakter informimi, duke u justifikuar se gjoja i janë dërguar Shkollës së Sigurimit të Bashkimit Sovjetik për të njohur përmbajtjen e tyre studentët tanë, që mësonin atje në atë kohë. Por, ky justifikim nuk është gjë tjetër veçse një mjegull për të mbuluar kanalin e informimit, për arsye, në fakt, se çfarë u duheshin studentëve tanë që mësonin atje gjithë ato të dhëna si ato që kishin të bënin me procesin e Liri Gegës e të Dali Ndreut dhe me deponimet e Dhora Lekës, e cila implikonte mbi 50 kuadro nga më të ndryshmit etj.?
Hekuran Isai: Më fal, shoku Adil, këta kanë qenë elementë që në atë kohë ishin kuadro që edhe sot janë të tillë. Ç'u duheshin studentëve tanë emrat e të gjithë atyre që implikonte Dhora Leka me jugosllavët? Çfarë konkluzioni do të nxirrte për mësimet që merrte studenti ynë në Bashkimin Sovjetik me këto emra?
Enver Hoxha: Se po të pres fjalën, po emrin e Arif Haskos pse nuk e keni thënë, po e lamë atë të lirë për një kohë kaq të gjatë?
Kadri Hazbiu: Unë e di, shoku Enver, që kjo çështje është trajtuar.
Enver Hoxha: Arif Haskon nuk e keni nxjerrë ju.
Kadri Hazbiu: Unë e di që është trajtuar çështja e tij.
Enver Hoxha: Po si është trajtuar kjo çështje?
Kadri Hazbiu: Po është lënë gjithmonë me dyshim atëherë.
Enver Hoxha: Ashtu ë? Po kur u zbulua grupi i Beqir Ballukut, pse nuk dole të thoshe, more këtë, Arif Haskon, pa kapeni një çikë, se na ka dalë kjo gjë për të?
Kadri Hazbiu: Unë di një gjë, shoku Enver, që atëherë kjo çështje kish mbetur me pikëpyetje nëse kishte vajtur Panajot Plaku te sovjetiku apo te Arif Haskoja. Ne u përpoqëm të bënim verifikimin e kësaj çështjeje dhe arritëm në konkluzionin që ky kishte qenë te këshilltari sovjetik.
Hekuran Isai: Pse nuk i vure në dukje këto të dhëna apo këtë konkluzion?
Kadri Hazbiu: Iku ai kur u pastrua Baza e Vlorës.
Enver Hoxha: Si iku?
Ramiz Alia: Jo, kjo çështje ka ndodhur më përpara.
Kadri Hazbiu: Si, më përpara?
Ramiz Alia: Po kjo ka ndodhur më përpara zbulimit të Teme Sejkos.
Kadri Hazbiu: Po sovjetiku kishte ikur dhe Arifi në atë kohë ishte atje në bazë. Tashti, me sa më kujtohet mua, duke biseduar pas verifikimit, kemi konkluduar siç thashë.
Hekuran Isai: Në qoftë se pas "verifikimit" konkluduat se Panajot Plaku erdhi u fut te sovjetiku meqenëse ai ishte diversant, pse nuk kërkuat të përzihej menjëherë sovjetiku nga vendi ynë? Pse nuk iu ngrit Partisë kështu kjo çështje?
Enver Hoxha: Ky, një gjeneral i arratisur, kishte ardhur te ne si diversant.
Rita Marko: Gjeneral i arratisur, ish-drejtor i Kufirit më parë, gjithashtu edhe ish-drejtori i Gjeologjisë sonë.
Hekuran Isai: Po pse nuk i kishe thënë në atë kohë Partisë, që Panajot Plaku kishte hyrë te sovjetiku?
Kadri Hazbiu: Unë mendoj se Partisë i është thënë se si kam thënë shokut Enver, kjo është tjetër punë, po...
Simon Stefani: U, po si mos t'i thuash shokut Enver për një çështje me kaq rëndësi?
Adil Çarçani: Kish hyrë si diversant Panajot Plaku dhe të mos i thuash shokut Enver?
Rita Marko: Po ti e ke informuar edhe për gjërat më të vogla shokun Enver, jo më për këtë!
Kadri Hazbiu: Po është thënë, ore.
Simon Stefani: Po kujt i është thënë, shokut Enver?
Kadri Hazbiu: Unë nuk e di tashti se kujt i është thënë.
Të gjithë: Ua, po e mbake mend që i është thënë Komitetit Qendror, po se kujt personalisht, këtë nuk e mbake mend.
Ramiz Alia: Shiko, Kadri, në atë kohë ti e mban mend që sovjetikët na akuzonin nëse kalamajtë tanë sulmonin me gurë "Ana Pavllovën". Të kujtohet kjo ngjarje tashti? Të kuptohemi, ishte viti 1961.
Kadri Hazbiu: Kush?
Ramiz Alia: Po, po, kjo çështje doli gjatë procesit të Teme Sejkos.
Kadri Hazbiu: Po, në atë kohë Panajot Plaku kishte qenë këtu.
Ramiz Alia: E marr vesh, po nga Teme Sejkoja doli emri i këtij sovjetiku. Po ta dinim ne emrin e sovjetikut, do t'i thoshim ç'flisni për "Ana Pavllovën" ju prisni diversantët këtu pra, këtë fakt ne do ta përdornim kundër sovjetikëve, po kjo çështje nuk na është thënë hiç, atëherë askujt nuk i është thënë.
Simon Stefani: Nuk dihej, kjo, se po të dihej, do ta kishte si argument Partia që ta përdorte kundër sovjetikëve.
Kadri Hazbiu: Problemi po vihet këtu sikur unë kam vepruar me qëllim.
Enver Hoxha: Po mirë atëherë, ne po e vëmë këtë problem kështu si po të themi, ti vure ashtu si thua vetë. Ne do të votojmë për atë që mendojmë në bazë të fakteve, se nuk jemi aspak dakord me ty.
Kadri Hazbiu: Unë jam ashtu si do të jetë Byroja Politike, si të vendosë Partia.
Enver Hoxha: A, si të vendosë Partia thua me fjalë, po duhet të jesh i bindur për atë që vendos Partia, se Partia kurdoherë vendos drejt.
Kadri Hazbiu: Si do të vendosë Partia, unë e di. Po një lutje kam këtu, që të mos cilësohem tradhtar.
Enver Hoxha: Si? Si?
Kadri Hazbiu: Të mos cilësohem tradhtar. Përgjegjësia ime le të jetë e plotë.
Enver Hoxha: Jo, në këtë mënyrë unë nuk e pranoj atë që thua, nuk jam i bindur për këtë që shprehe "përgjegjësia ime le të jetë e plotë".
Kadri Hazbiu: Jo, përgjegjësi unë mbaj.
Enver Hoxha: Në qoftë se përgjegjësia jote është e plotë, atëherë pse të jenë ata tradhtarë kurse ti jo?
Kadri Hazbiu: Më fal, shoku Enver, ata janë tradhtarë se kanë bërë me ndërgjegje gjithë këtë veprimtari.
Enver Hoxha: Po ne nuk të vumë gjë përsipër ty, ti vetë po ia vë epitetet vetes.
Kadri Hazbiu: Unë po e ve, se kështu po më drejtohen pyetjet, shoku Enver.
Enver Hoxha: Si të vihen pyetjet, që je tradhtar?
Adil Çarçani: Nuk të tha gjë njeri për këtë.
Enver Hoxha: Ti, Kadri Hazbiu kërkon llogari këtu, po sulmon.
Manush Myftiu: Viti 1959 ishte ca si vonë për të pasur besim absolut te sovjetikët, aq më pak te Zbulimi i tyre, prandaj si mund t'u jepej atyre gjithë ai material që i komprometonte dhe i rrezikonte kaq shumë njerëzit tanë që studionin në Bashkimin Sovjetik? Ata në Shqipëri do të vinin, prandaj nuk kish arsye që të merrnin dijeni në hollësi studentët tanë për hetimin e Liri Gegës e të Dhora Lekës. Bile këto materiale s'janë të lejueshme t'i njohë kushdo, të gjithë kuadrot që janë këtu. Edhe gjykimi global që shoku Kadri thotë se, meqë ia kemi dhënë ne në lidhje kuadrot tona Zbulimit Sovjetik dhe zbulimeve të vendeve të tjera revizioniste, prandaj ata s'kanë faj dhe duhet të rrinin të qetë, është një gjykim që edhe për atë kohë ka qenë tepër i lehtë, jo i dhënë nga një kuadër me rëndësi, si duhet të jetë ministri i Punëve të Brendshme.
Normale do të ishte që çështja e këtyre kuadrove të shqyrtohej menjëherë me sy kritik, porsa u prishën marrëdhëniet tona me revizionistët, pastaj të gjykohet për secilin veç e veç. Si mund të merret si një çështje pa asnjë preokupacion?

Nën drejtimin e Kadri Hazbiut, ministria e Punëve të Brendshme është bërë në këtë mënyrë një degë e Sigurimit Sovjetik, duke iu dërguar nga vendi ynë gjithë ato dokumente tepër sekrete dhe të një rëndësie të veçantë, bile të tëra dhe me karakter informimi, duke u justifikuar se gjoja i janë dërguar Shkollës së Sigurimit të Bashkimit Sovjetik për të njohur përmbajtjen e tyre studentët tanë, që mësonin atje në atë kohë.
Edhe gjykimi global që shoku Kadri thotë se, meqë ia kemi dhënë ne në lidhje kuadrot tona Zbulimit Sovjetik dhe zbulimeve të vendeve të tjera revizioniste, prandaj ata s'kanë faj dhe duhet të rrinin të qetë, është një gjykim që edhe për atë kohë ka qenë tepër i lehtë, jo i dhënë nga një kuadër me rëndësi, si duhet të jetë ministri i Punëve të Brendshme.
Hekuran Isai akuzon Kadri Hazbiun: "Në qoftë se pasverifikimit konkluduat se Panajot Plaku erdhi u fut te sovjetiku meqenëse ai ishte diversant, pse nuk kërkuat të përzihej menjëherë sovjetiku nga vendi ynë? Pse nuk iu ngrit Partisë kështu kjo çështje?"

"Panajot Plaku injoron këshilltarin sovjetik"



Procesverbali i arkivit të PPSH-së, kritikat e Enver Hoxhës për gjeneralin që do arratisej në 1957


Për Panajot Plakun mund të kishte patur të njëjtin fund dhe ai mund të ishte njëra prej viktimave të shumta në radhët e ushtrisë. Gjenerali, anëtar i KQ të PPSH-së, disa herë ishte vënë para presionit të udhëheqjes komuniste për të mos dalë nga vija staliniste, që sa vinte e forcohej. Deri në 16 maj 1957, kur vendosi të arratisej në Jugosllavi ku dhe do të vdiste në vitin 1969.


Arratisja e bujshme e tij nuk mund të mos kishte lidhje me luftën brenda llojit, ku stalinizmi po bëhej dogma e lidershipit komunist.


Gjeneral Plaku ishte thirrur personalisht nga Enver Hoxha rreth katër vite para arratisjes ku i ishte bërë e qartë rruga që nuk duhet të ndiqte.


Sipas procesverbalit të Byrosë Politike të KQ të PPSH-së të vitit 1953, Hoxha thirri ne zyrat e aparatit te KQ PPSH Panajot Plakun, "për disa dobësi e të meta serioze që vëreheshin në karakterin dhe në punën e tij", siç duket nga dokumenti që botohet sot në "Shekulli"


Procesverbali i Arkivit Qendror të PPSH-së
Mbi disa të meta dhe gabime serioze të Panajot Plakut


12 shtator 1953


Të kam thirrur që të të bëj disa vërejtje. Ti je anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe nuk na vjen
mirë të jesh i çrregullt. Por dua të dëgjoj pse nuk ecën puna në sektorin ku ti drejton, që të mund
të spastrohesh nga të metat dhe nga gabimet, gjë që është në interesin e Partisë dhe të ushtrisë.
Pasi dëgjoi shokët Petrit Dume (atëherë ishte zëvendesshef i Shtatmadhorisë së Ushtrisë


Popullore) e Sadik Bekteshi (në atë kohë drejtor i Drejtorisë politike dhe përgjegjës për punën e Partisë në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore) që ishin të pranishëm në këtë bisedë dhe pasi dëgjoi Panajot Plakun e i bëri atij disa ndërhyrje per ta ndihmuar, në fund shoku Enver Hoxha tha: «Shumë thjesht i shpjegon gështjet ti, Panajot. Sipas mendimit tënd, e ke kryer mirë detyrën në ushtri. Kurse në fakt nuk është kështu. Të metat që vihen re në punën tënde, ti duhet t'i luftosh tërë jetën.


Por, në radhë të parë, duhet të tregosh kujdes të madh e të kuptosh se cilat janë këto të meta e dobësi si dhe shkaqet që i kanë lindur ato, pse kështu do te mund të luftosh çdo ditë dhe çdo minutë kundër tyre, ndryshe nuk ecën dot përpara.


Mua më duket se shoku Petrit Dume ka të drejtë të jetë ekzigjent në kërkesat që bën për zbatimin e rregullit e të disiplinës ushtarake, të cilat ti Panajot, jo vetëm nuk duhet t'i shkelësh, por të jesh shembull e të ndihmosh edhe të tjerët.


Ti duhet që të mos jesh i çrregullt dhe anarkist, dobësi këto që i ke pasur edhe me përpara dhe për te cilat je kritikuar, por te zhvillosh kurdoherë nje luftë te madhe dhe te rreptë deri ne zhdukjen e mbeturinave të tyre. Ti duhet të kesh të qartë se në ushtri urdhrat nuk diskutohen.


Para se të jepet një urdhër, bisedo me shokët, jep mendimin tënd, vendosni bashkërisht sa të
jetë e mundur me mendime unanime, po kur ka edhe kundërshtime, atëherë vendos eprori, ky jep urdhër për zbatimin e te cilit s'ka asnjë diskutim. Eprori është epror dhe urdhrat e tij janë ligj.


Ti vërtet je drejtor, por në Ministri ka shokë me përgjegjësi më të lartë, të cilët i ka vendosur Partia, prandaj urdhrat e tyre duhen zbatuar. Ke mbaruar shkollë, por kjo nuk do te thotë që të mos bësh si të thotë ai që është në një detyrë me lartë se ti.


Të mos të të rritet mendja se ke kryer një shkollë dhe tani di gjithçka. Sa më shumë të mësosh, aq më tepër duhet të kërkosh për të mësuar përsëri. Shkolla që ke mbaruar duhet të të shtyjë që të zhvillohesh më tej dhe jo te jesh mendjemadh duke menduar se «unë i di të gjitha». Pikëpamje të tilla, që nuk i lufton me forcë, të bëjnë t'i harrosh këto mësime të Partisë.


Çrregullimet në punë, mungesa e ndjenjës së rregullit ushtarak duket qartë në qëndrimet e tua të herëpashershme. Ti arrin deri atje sa të shkosh në mbledhje te oficerëve pa qenë i veshur me uniformë ushtarake sipas rregullores e, megjithëse të bëhet vërejtje dhe të jepet urdhër, kjo s'të bën aspak përshtypje. Ike gjoja për t'u veshur dhe nuk u ktheve përsëri në mbledhje.


Në rast se t'u tërhoq vërejtje, ti nuk duhet të ikje i inatosur, po të shkoje menjëherë për t'u veshur si një ushtarak i rregullt e te paraqiteshe në mbledhje si gjithë të tjerët. Po ti nuk veprove kështu, përkundrazi, ike e u mbylle në zyrë dhe në këtë gjendje bluaje gjithshka ne mendjen tënde. Këto nuk janë qëndrime të mira dhe, nga ana ushtarake janë të dënueshme.


Në vështjet ushtarake urdhërat e eprorëve zbatohen dhe po te ketë ndonjë që s'është i drejtë, secili mund ta kërkojë këtë duke ardhur edhe te unë si Komandanti Suprem dhe unë do të them pikëpamjen time se në ushtri urdhërat duhen zbatuar me rigorozitet.


Në rast se kërkon të bisedojmë në rrugë partie, atëhere unë si Sekretar i Përgjithshëm do te jap mendimin tim, për të cilin po të mos jesh dakord, mund ta diskutojmë edhe në Komitetin Qendror ku nuk ka grada dhe tituj. Por te gjithë jemi barabar. Prandaj këto gjëra duhet të jenë qartë mirë te ti dhe te të gjithë shokët e ushtrisë.


Në rast se nuk kishe kostum të rregullt ushtarak mund t'i kërkoje komandës të të ndihmonte duke të dhënë uniformën e duhur që ti të ishe i veshur si shokët. Ku është parë që në radhët e një grupi ushtarakësh, bile oficerë e kuadro me përgjegjësi, të ketë edhe një që të vishet si të dojë?


Po këto gjëra ndodhin te ti, pse je një tip i çrregullt dhe as mendon ndonjëherë për rregullin, sidomos ne ushtri, ku njeriu duhet të jetë kudo dhe kurdoherë i përpiktë. Ndoshta ti ke menduar "punë e madhe, vete në mbledhje edhe i veshur ndryshe nga të tjerët", po ai tjetri ka të drejtë dhe detyrë të të kërkojë llogari, pse është eprori yt dhe do që të vendoset rregulli ushtarak, ndryshe po të bëhen lëshime, atëhere


ku vete ushtria jonë? Këtë ti duhet ta kuptosh mirë, kritikën ta konsiderosh ndihmë dhe jo të prekesh prej
saj. S'ke të drejtë kur ankohesh se je kritikuar përpara një shoku, që s'është anëtar i Komitetit Qendror të
Partisë, pse edhe ai është kuadër i lartë i ushtrisë dhe do të nxjerrë mësime e do të mendojë se sa i fortë
duhet të jetë rregulli ushtarak; ai do të mendojë gjithashtu se këtu nuk të pyesin se je gjeneral ose anëtar


i KQ, por kur s'je në rregull, të kritikojnë. Ty mund të të bëhen vërejtje pavarësisht se je anëtar i Komitetit
Qendror të Partisë, pse këtu ka rang ushtarak. Prandaj me duket se nuk është vepruar keq që të është bërë


kritikë edhe në sy të shokëve, por kritikën ti nuk e ke pranuar, pse ke akoma mbeturina të theksuara, që nuk të lejojnë të zbatosh si duhet rregullin dhe disiplinën ushtarake, bile këto mbeturina të shtyjne të biesh nga gabimi ne gabim.


Ti e di se zbatimi i disiplinës ushtarake ka të bëjë me vijën e Partisë, ti je anëtar i Komitetit Qendror dhe e di mirë se në ushtri duhet të ketë një të hekurt, prandaj duhet të mendosh në radhë të parë si njeri partie duke zbatuar me së miri rregullat dhe disiplinën ushtarake.


Qëndrimet e tua të çrregullta, duhet me i analizue mirë, të nxjerrësh mësime dhe të ndreqesh, pse je një kuadër i luftës dhe Partia kuadrot e luftës nuk i hedh poshtë, por i ndihmon deri në fund që të korrigjohen prandaj edhe ti vetë, duhet të bësh luftë dhe përpjekje që t'i zhdukësh medoemos të metat dhe dobësitë e tua. Dua të vë ne dukje edhe një çështje tjetër, e cila ka rëndësi të vecantë. Qëndrimi yt me shokët sovjetikë nuk është aspak i mirë.


Fakti është se këshilltari yt ka ankesa për ty. Me sa duket ti nuk shfrytëzon në maksimum kapacitetet dhe eksperiencën e pasur të këshilltarëve sovjetikë, gjë që duhet ta bësh me thjeshtësi e me dashuri prej komunisti, me respektin e plotë që ne kemi ndaj shokëve sovjetikë, të cilët na janë dërguar me kohë që të na ndihmojnë. Shokët sovjetikë ne i respektojmë edhe ne punë, edhe jashtë punës, kurse ti nuk e mban si duhet parasysh këtë.


Ndaj sovjetikëve ti bën kërkesa të rrepta disipline, kurse ndaj vetes tënde je i rregullt, anarkist. Si shpjegohet ndryshe qëndrimi yt, kur shokët sovjetikë, pas një stërvitjeje të lodhshme, të kërkojnë njëzet minuta pushim sa të pastrohen e të rregullohen, ndërsa ti jo vetëm që s'interesohesh t'u sigurosh një dhomë që të çlodhen pak, por edhe u cakton si kohë vetëm dhjetë minuta pushim?


Është e qartë se në marrëdhënie me ta, ti nuk mban parasysh se janë të huaj dhe si te tillë u duhen krijuar disa mundësi që të lehtësohen për të punuar e për t'u çlodhur.


Qëndrimet e tua me këshilltarin sovjetik janë vetëm zyrtare, ti nuk sillesh me të edhe në mënyrë shoqërore. Këshilltari sovjetik me të cilin ti bashkëpunon, ka të drejtë të mendojë se «ky gjeneral dhe anëtar i KQ nuk ka konsideracion të drejtë për ne».


Unë mendoj se qëndrime të tilla e kanë burimin te çrregullimet e tua, te konfuzioni yt në punë, te një farë mbivleftësimi që i bën vetes, gjë që është karakteristike për mendjemëdhenjtë. Mua më duket se kritikat që drejtojnë ata në adresën tënde i bëjnë haptazi dhe mendoj se ti duhet t'i kuptosh drejt, pse janë kritika konstruktive, prandaj duhet t'i analizosh mirë, te reflektosh e të mos biesh në gabime te tilla.


Ata kanë të drejtë të thonë pikëpamjet e tyre dhe ne do t'i gjykojmë ato, po sidoqoftë sjelljet e tua ndaj tyre nuk janë të drejta. Këtej e tutje nuk duhet të shkasësh më në këto gabime, përkundrazi kritikat që të janë bërë e të bëhen edhe sot, duhet të të shërbejnë që të përmirësohesh. Ti duhet të japësh prova që të tregojnë se po korrigjohesh.


E them këtë pse deri sot ke ecur në mënyrë të çrregullt, tani duhet të ndryshosh patjetër. Ne do të të ndihmojmë, por edhe nga ti kërkohet që të thellohesh në kritikat që të bëhen e të mos i marrësh përciptazi ato.


Nga të gjitha këto del se puna jote në detyrën që të është ngarkuar, nuk është e kënaqshme, këtë bosh duhet ta plotësosh duke i kërkuar më shumë vetes, të marrësh mirë në duart e tua drejtimin e Drejtorisë operative dhe të japësh më shumë rezultate në punë.


Tani po them pak fjalë edhe për kuadrin. Në këtë çështje ti prapë ke gabuar. Në rast se për një kuadër, s'kishe pikëpamje të njëjta me shokët e Drejtorisë politike në Ministrinë e Mbrojtjes, duhet të vije në Byronë Politike ose në Sekretariat, sipas nomenklaturës, edhe me mendimin tuaj apo të shefit të Shtatmadhorisë, po edhe me mendimin e drejtorit të Drejtorisë politike, që është përgjegjësi i Partisë në ushtri. Kjo ka një rëndësi të madhe, pse politikën e kuadrit e bën Partia.


Nuk duhet të ndodhemi ne. Sekretariat përpara faktit që të shqyrtojmë një propozim kuadri e të mos dimë mendimin e Partisë nga vjen ky propozim.


Duke përfunduar, dua të theksoj edhe një herë që ti, Panajot, të korrigjosh të metat dhe kjo te jetë hera e fundit që vjen këtu për këto çështje. Mendoj se kritikat që t'u bënë do të të ndihmojnë të përmirësohesh. Në rast se nuk je i bindur, atëherë ta shtrojmë çështjen në Komitetin Qendror ose në Byronë Politike.


Sidoqofte, unë mendoj që Byronë Politike duhet ta vë në dijeni dhe ajo po ta shohë të nevojshme, do të të thërresë. Në rast se ti je i sqaruar mund të mos jetë nevoja ta shtrojmë çështjen në Komitetin Qendror....
Sipas Procesverbalit të AQP

Arratisja e bujshme e Panajot Plakut, reagimi i Enver Hoxhës dhe i mediave botërore




E premte 17 maj 1957



Duhet të jemi vigjilentë dhe

të mos e nënvleftësojmë

armikun, që as ka hequr

dorë e as do të heqë dorë nga lufta kundër nesh. Shumë armiq kanë dalë nga radhët tona pas Çlirimit, por që të gjithë Partia i ka shpartalluar, sepse përballë vigjilencës dhe forcës së saj, përpjekjet e armikut janë të destinuara të dështojnë. Tradhtia e Panajot Plakut provon se ndërtimi i socializmit dhe mbrojtja e atdheut nuk mund të sigurohen në mënyrë të qetë, pa luftë. Arratisja ditët e fundit në Jugosllavi e Panajot Plakut, u thashë shokëve të Presidiumit të Kuvendit

Popullor, që u mblodh sot në orën 14. oo dhe i hoqi funksionet, gradat, titujt e medaljet këtij tradhtari, ka edhe të mirën e vet, sepse i spastroi radhët tona nga një armik i rrezikshëm, gjë që e forcon më tepër Partinë dhe pushtetin popullor ".



E shtunë 18 Maj 1957

Njoftova me radiogram gjithë ambasadorët dhe ministrat tanë që ndodhen jashtë shtetit për arratisjen në Jugosllavi të tradhtarit Panajot Plaku, agjent i vjetër i Jugosllavëve.

Theksova që ky rast duhet të vlejë për të forcuar akoma më shumë vigjilencën revolucionare kundër armiqve të Partisë, për të forcuar edhe më shumë konspiracionin. Porosita që përmbajtja e radiogramit t'u komunikohet organizatave-bazë të Partisë në mbledhjen e tyre të zakonshme .



E hënë 20 Maj 1957

Sot në mbrëmje agjencia jugosllave TANJUG komunikoi arratisjen e Panajot Plakut, (agjentit të tyre të vjetër) dhe pohoi se Jugosllavia i dha strehim politik.

Mendoj t'i bëjmë qeverisë jugosllave një notë të shkurtër me gjakftohtësi, duke ruajtur edhe të gjitha format diplomatike, ku t'i kërkojmë kthimin e këtij tradhtari. Për këtë do të bisedoj edhe me shokët. Notën duhet ta bëjmë, sepse s'kam asnjë dyshim që tradhtarin Panajot Plaku jugosllavët do ta përdorin për qëllimet e propagandës së tyre kundër vendit tonë.

Lajme dhe komente të Mediave Evropiane dhe Amerikane "Mbi arratisjen e tradhtarit Panajot Plaku në Jugosllavi", sipas "Buletineve Informative të Brendshme viti i IV-të, Nr. 42 (204) dhe Nr. 43 (205) të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës Popullore të Shqipërisë prej 21 maj - 13 qershor 1957 "

Gazeta Greke "Nea" datë 21 maj 1957, nën titullin "Kishte pozitë të lartë në Partinë Komuniste ministri Shqiptar i arratisur" shkruan:

"Beograd". Si një provë të re të luftës të brendshme që ekziston në gjirin e qeverisë Shqiptare konsiderohet nga zyrtarë Jugosllavë arratisja e ministrit Shqiptar Panajot Plaku në Jugosllav, ku ky kërkoi strehim politik. Plaku i cili kaloi kufirin Shqiptaro-Jugosllav natën e 17 majit, ishte kryetar i Institutit Gjeologjik, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë dhe Gjeneral i Ushtrisë Shqiptare. Gjatë periudhës së pushtimit ishte komandant i forcave partizane shqiptare.

Gazeta greke "Vima" datë 21 maj 1957, nën titullin: "Ministri Shqiptar Panajot Plaku u arratis në Jugosllavi", bën në fillim një përshkrim të pozitave të Plakut dhe të ikjes së tij, ashtu siç bën këtë edhe gazeta "Nea". Në fund thotë se: "Shkaku i ikjes së Plakut është lufta e madhe në gjirin e Qeverisë Shqiptare, nëpërmjet Stalinistit Hoxha dhe pasonjësve të tij nga njëra anë dhe Antistalinistëve nga ana tjetër.

Gazeta grek "Kathimerini" datë 22 maj 1957 nën titullin:

"Ngjarje serioze priten në Shqipëri" dhe nëntitull: " Kuptimi i arratisjes të Ministrit Plaku, shkruan:

"Lajmi i njoftuar mbi arratisjen e bujshme të ministrit shqiptar Panajot Plaku në Jugosllavi, shkaktoi ndjenja të gjalla dhe një interes të madh në të gjitha qarqet diplomatike të Botës Perëndimore. Është - thonë, një provë karakteristike se blloku strategjik rus nuk mundi të rifitojë qetësinë e tij, të prishur nga ngjarjet e Hungarisë dhe të Polonisë dhe për më tepër kriza e zbërthimeve zgjerohet edhe në vende ku nuk shërohej një gjë e tillë gjer tani".

Korrespondenti i "Botës" (Mond) në Beograd njofton se ikja e zotit Plaku, tregon shfaqjen dhe zhvillimin e ngjarjeve serioze (reaksionit - kundërshtimit ) në gjirin e grupit tiranik-qeveritar të Shqipërisë, e cila sot po kalon një krizë shumë serioze politike dhe ekonomike. Qarqet diplomatike të mirinformuara presin shfaqjen e ngjarjeve serioze në Shqipëri, proporcioni i të cilave do të tronditë edhe vetë ekzistencën e regjimit të sotëm shqiptar, gjë që do të ketë një jehonë të madhe edhe në Ballkan. Plaku ishte gjithashtu edhe anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste dhe Gjeneral.

Gazeta "Kathimerini" datë 22 maj 1957 nën titullin "Plaçku" shkruan:

Një ministër shqiptar thotë një telegram nga Beogradi dhe kuadër i shquar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare iku në Jugosllavi, ku kërkoi strehim politik, t'i japin strehë miqtë jugosllavë. Por le të kenë pak vëmendje. Plaku quhet "I nderuari Ministër".



Gazeta Franceze "Le Monde" datë 22 maj 1957.

Gazeta, nën titullin "Një anëtar i qeverisë shqiptare arratiset në Jugosllavi shkruan:

Lajmi nga Beogradi thotë se: "Një anëtar i Qeverisë dhe anëtar i KQ të Partisë Komuniste Shqiptare z. Panajot Plaku kaloi natën e 16-17 majit kufirin jugosllav, dhe i kërkoi të drejtën e strehimit autoriteteve të Beogradit. Kjo arratisje ka ngjallur në opinionin politik dhe në qarqet diplomatike jugosllave një interesim të gjallë. Midis mijëra njerëzve të cilët që prej prishjes midis Kominformit (Informbyrosë-Kominternit-shën.im) dhe partisë jugosllave, janë larguar nga vendet e demokracisë popullore për t'u strehuar në Jugosllavi, Zoti Plaku është personaliteti më i rëndësishëm.

Komunikata nënvizon, se gjenerali i ushtrisë shqiptare qe gjatë luftës njeri nga organizatorët e rezistencës shqiptare, por nuk përmenden arsyet e arratisjes së tij.

Megjithëse qarqet zyrtare nuk bëjnë komente, vëzhguesit vënë në dukje se z. Plaku vendosi të largohet nga vendi i tij të nesërmen e sulmeve të ashpra të Tiranës kundra qeverisë Jugosllave. Atë e krahasojnë (e afrojnë) këtë me informatat e fundit sipas të cilave politika antijugosllave e Z. Hoxha dhe Z. Shehu, po has në një rezistencë të fortë në gjirin e partisë Shqiptare. Kjo ngjarje lidhet gjithashtu me vështirësitë ekonomike që nuk po pushojnë së shtuari në Shqipëri, si dhe me ashpërsinë gjithnjë më të madhe që manifeston regjimi kundrejt kritikave.

Duke qenë shprehur dëshira e vazhdueshme e qeverisë jugosllave, për të evituar keqësimin e marrëdhënieve me vendet e kampit socialist dhe si rrjedhim me Shqipërinë, nga ana e Beogradit nuk duhet të pritet një shfrytëzim politik i kësaj ngjarjeje. Megjithatë, po priten me interes argumentet mundësisht akuzat që mund të paraqesë Tirana për të shpjeguar arsyet që kanë diktuar vendimin e z. Plaku.

Gazeta "L'Aurora" datë 22 maj 1957 në një artikull të Henry B. me titull "Tensioni Shqiptaro-Jugosllav" shkruan:

"Pse Gjeneral Panajot Plaku anëtar i qeverisë komuniste shqiptare u arratis në Beograd? "Pa asnjë dyshim për t'i shpëtuar vdekjes nëntorin e kaluar. Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu, të dy të fuqishmit që nën patronazhin e Moskës sundojnë në Tiranë, a nuk ekzekutuan tre personalitete të rëndësishëm të dyshuar se lidheshin me jugosllavët? Ishin pikërisht dy Gjeneralë: Dali Ndreu, Petro Bullati si dhe një grua Liri Gega, themelues të Partisë Komuniste në vendin e shqiptarëve. Por në qoftë se duhet të kuptosh më mirë përçarjen në ekziston midis Tiranës dhe Beogradit, duhet të kthehesh në vitin 1948, epokë kur Stalini e akuzoi Titon për krimin e largimit nga Marksizmi. Në atë kohë, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu morën pjesë me ashpërsi, më shumë se përgjegjësit e tjerë të shteteve satelite kundër Marksizmës Jugosllave.

Ata përfituan për të dërguar "ad patras" (tek gjyshërit) një kundërshtar të rrezikshëm Koçi Xoxen mik i ngushtë i Titos, dhe ky i fundit nuk ia ka falur kurrë këtë gjë. Megjithëse kemi rehabilitime në kryeqytetet e kuqe, për shembull ajo e Kozllovit në Sofje. Tirana nuk ka njohur në asnjë mënyrë pafajësinë e viktimës. Pushkatimi i Xoxes ishte "me vend", pohon gjithmonë Hoxha, të cilin Tito nga ana e tij e quan botërisht "Zotëri i trishtuar".

Duke ditur këtë, ju mund të gjeni se Plaku i zëmëruar nga kolegët e tij si kryetar i mundshëm i një grupi shkëmbimi pro jugosllav, preferoi të ikte në një vend të sigurt.

Në të vërtetë mosmarrëveshjet në pikëpamjet politike, nuk do të mjaftonin për të shpjeguar tensionin midis Tiranës dhe Beogradit. Problemi tokësor lot një rrol gjithashtu të rëndë. Hoxha dhe Shehu të nxitur nga Moska, pretendojnë të marrin nja 700.000 shqiptarë që jetojnë në krahinën e Kosovës ose të Maqedonisë. Përkundrazi në Beograd kjo bërthamë gjykohet si baza e një republike autonome vendi i të cilës do të gjendej në shtetin Federal Jugosllav, që do të bënte pjesë në shtetin Federal Jugosllav. Cila është e drejtë? Nuk është puna jonë të vendosim. Por e gjithë kjo rrezikon praktikisht të mbarojë shumë keq për Tiranën, absolutisht e izoluar shumë keq, e rrethuar Shqipëria nuk mund, në rast konflikti, të të marrin asnjë ndihmë të dobishme nga Kremlini. Trupat jugosllave të ardhura nga Prishtina do të vinin dorë shpejt mbi krahinat veriore ndërsa të tjerë segmente, Grekët, prejardhjes të Epirit do të bashkonin gjithashtu Sektorin e Jugut.

Në këto kondita, në vend që të shajnë Titon të cilin e akuzojnë se ka mashtruar Plaku, Hoxha dhe Shehu do të ishin të urtë (të ditur, të mençur) të mendonin gjatë.

Komente të shtypit Grek mbi shkrimet e gazetarit dhe deputetit të majtë grek Ilia Bredhimas, pas vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1957

Gazeta "Katija" datë 16 maj 1957

Nën titullin "Zakon i tij" shkruan: Në përshkrimin e shëtitjes së tij nëpër Epir, deputeti i majtë tregon mbi takimin e tij me mitropolitin...të Gjirokastrës :

"Me sy të përlotur, Dhespoti më uron mirëseardhjen. Për herë të parë vini këtu? - më pyet peshkopi, ndërsa dhjaku dhe të dy priftërinjtë e tjerë sjellin tabakatë e argjenda me kafetë dhe ëmbëlsirat e lugës".

Por një tabaka mund të jetë e argjende ose ksimanji (përsëri e argjende por në greqisht). Tabaka të argjenda ekzistojnë veçse në dialektin e atyre që mund të jenë në të njëjtën kohë deputetë grekë dhe miq të Moskës....domethënë ...(fjalë që nuk mund të përkthehen shqip por që kanë kuptimin se janë nën influencën e Partisë Komuniste Greke që është nën urdhrat e Moskës - shën. i përkthyesit në atë kohë).

Gazeta "Kathimerini" datë 18 maj 1957

Nën titullin "Shqetësime" shkruan:

"Vargje bisedash të deputetit që vizitoi Vorio-Epirin me personelin e një gazete të kuqe vendase: Duam të dimë-thotë "shoku"...që do marrim qysh tani masat tona.

- Çfarë masash?

- Të lajmërojmë djemtë në fshatra, të përgatisin ndonjë fole...

Fjala "fole", e shqipëruar pa pritur nga buzët e "shokut", më shkaktoi tmerr.

- Po sigurisht...duhet të presim me ndonjë të therur...

- Domethënë "kemi dhe nga këto"?

- Po, sigurisht.

E vërteta është se zoti deputet nuk kishte arsye të trembej për veten e tij.

- Po kush e di?

Kur është fjala për të "therur" a për të falur, bëhen ndonjëherë edhe gabime....të Enver Hoxhës.

Gazeta "Katija" datë 21 maj 1957 nën titullin "Metër shqiptare " shkruan:

"Nga përshkrimi i takimit të deputetit të majtë që vizitoi Shqipërinë me Enver Hoxhën në Tiranë".

Drejtori i zyrës së shtypit të futi menjëherë në sallën luksoze të pritjes me ambasadorët. Për dy minuta - më thotë dhe largohet. U morëm me tablotë e pikturave shqiptare që janë varur në muret, dhe një çast dëgjoj portën që hapet. Nuk i njohim ne malet shqiptare... "Qafa të prera me kuti konserve".

Gazeta "Kathimerini " datë 21 maj 1957, në lidhje me bisedimet e tij me Enver Hoxhën e Shqipërisë nën titullin "Shqetësime" deputeti i njohur i majtë shkruan:

"Në përfundim të monologut të tij, Enver Hoxha më dorëzoi te të dy ministrat e tij që ishin atje prezent, të cilët sipas zakoneve të tyre ka shumë të ngjarë ta kenë drejtuar mikun e tyre në ndonjë pëllumb shqiptar dhe më tej dihen... Megjithatë deputeti i majtë na premton sot vazhdimin dhe kjo do të thotë se ruan racionin e tij, ndërsa shërbimet e të dy ministrave kufizohen me therjen e ndonjë kafshe tjetër të pafajshme.

Mbi Vorio - Epirin dhe Vorio-Epirotët

Gazeta "Ipirotikon Mollon "datë 14 maj 1957, nën titullin" Vuajtjet e Vorio - Epirotëve vazhdojnë, "shkruan: "Edhe Vorio-Epirotët kanë ikur para pak kohe në Greqi pa marrë parasysh rreziqet dhe mundimet. Të gjithë e përshkruajnë me ngjyrat më të errëta gjendjen e vështirë të popullsisë greke të Vorio-Epirit. Gjendja u keqësua kur u zbatua kolektivizimi i detyrueshëm...Priftërinj nuk ka mjaft në fshatin Karroq të Delvinës. Për mungesë të priftit, fëmijët që lindin nuk pagëzohen, ndërsa të vdekurit i varrosin vetë banorët pa ceremoni fetare. Po kjo, ndodh edhe në shumë fshatra të tjera. Kuadrot e partisë propagandojnë kundër fesë dhe qarkullojnë shumë botime ateiste.

- Gjatë vizitës së zotit deputet dhe gazetar Ilija Bredhima në vende të ndryshme të Vorio-Epirit, e shoqëronin gjithnjë përveç shoferit edhe tre kuadro të sigurimit. Dhe kudo që kishte ndërmend të shkonte, lajmëroheshin më parë kuadrot e partisë për të organizuar pritjen e nevojshme etj.

Informacion:

Giornale Radio (Radio Roma), në emisionin e saj të orës 13.00, transmetoi përsëri lajmin mbi ikjen e tradhtarit Panajot Plaku duke thënë:

"Ikja e Gjeneralit Shqiptar, ka ngjallur një impresion të madh në qarqet Jugosllave. Gazetarë të ndryshëm kanë shkuar në legatën shqiptare në Beligrad për të kërkuar shpjegime rreth ikjes së tij porse funksionarë t shqiptarë kanë refuzuar rigorozisht të japin shpjegime.

Flitet se në Tiranë po zhvillohet një proces kundra disa elementëve në të cilët implikohet edhe Ministri i Mbrojtjes. Ky i fundit thuhet se ka ikur.

Kapiten A. Sheti

Agjencia Telegrafike Shqiptare

Mbi arratisjen e Panajot Plakut

21 maj 1957

Beograd 21 maj ( Asso.Press)

Agjencia "Tanjug", njoftoi arratisjen e Panajot Plakut në Jugosllavi. Panajot Plaku ishte President i Komisionit Shtetëror të Gjeologjisë Shqiptare, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare dhe Gjeneral i Ushtrisë Shqiptare. Gjatë Luftë së Dytë Botërore ai ka qenë i dalluar si udhëheqës dhe organizator i forcave partizane kundër okupatorëve nazi-fashistë. Agjencia "Tanjug", nuk jep ndonjë hollësi në lidhje me shkaqet e hedhjes së tij në Jugosllavi, e cila është në mosmarrëveshje me qeverinë Staliniste të Moskës që nga viti i kaluar.

Tiranë: "Radio Roma", në emisionin e saj të sotëm të drekës dha këtë informacion:

"Arratisja e Gjeneral Panajot Plakut, ka shkaktuar një përshtypje të madhe në qarqet gazetareske në Beograd. Ato iu drejtuan legatës Shqiptare në këtë qytet për të marrë informata, por ajo është mbyllur në një heshtje të plotë. Sipas informatave të marra në Beograd, thuhet se arratisja e Gjeneralit Shqiptar ka të bëjë me një proces kundër një numri komunistësh, që janë kundra regjimit dhe që do të hapet së shpejti në Tiranë. Thuhet se burri i shtetit shqiptar (Panajot Plaku-shën.im), ka qenë i implikuar në këtë komplot, prandaj edhe u arratis. (ATSH)

Komente të radiove të huaja në gjuhën shqipe mbi arratisjen e tradhtarit Panajot Plaku. (Tiranë 21.5.1957)

Radio "Beogradi" tha:

Natën e 16-17 majit iku nga Shqipëria Panajot Plaku i cili kërkoi strehim në Jugosllavi. Ai është kryetar i Komitetit Shtetëror të Gjeologjisë, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë dhe njëri nga organizatorët ma të parë të ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare.

Radio "Shkupi" - 21.5.1957

Radio "Shkupi" bënte të ditur mbërritjen në Jugosllavi të Panajot Plakut, për të cilin thuhet, se ishte ministër, anëtar i Komitetit Qendror, kryetar i Komisionit të Gjeologjisë, Gjeneral Major dhe njëri nga organizatorët më të vjetër e kryesorë të ushtrisë Shqiptare.

Radio "Roma" - 21.5.1957

Radio "Roma" tha:

Ministri i Qeverisë Komuniste të Shqipërisë i quajturi Panajot Plaku është arratisur në Jugosllavi dhe ka kërkuar strehim. Lajmi i agjencisë "Tanjug", thotë se është arratisur natën e 16-17 majit, por nuk jep hollësi mbi arratisjen e tij.

Radio "Londra" - 21.5.1957

Në lajmin e saj të shoqëruar me një koment të shkurtër tha:

Agjencia e lajmeve "Tanjug" thotë se zoti Panajot Plaku, ministër pa portofol dhe kryetar i Komisionit të Gjeologjisë u arratis nga Shqipëria në Jugosllavi, ku kërkoi strehim si emigrant politik. Vrojtuesit e ndryshëm këtu në Londër, arratisjen e tij e lidhin me tensionin e krijuar kohët e fundit dhe se klikën Hoxha - Shehu nuk mund ta besojnë dot njerëzit e saj më besnikë. Kjo arratisje ka të bëjë me faktin se nga bisedimet e Moskës u vendos që në Shqipëri të vijë një grup ekspertësh sovjetikë të gjeologjisë. Kështu që Panajotit s'i ngelej veç se të mbetej vetëm si figurë, sepse në fakt çështjet e gjeologjisë do ngeleshin në dorën e specialistëve sovjetikë.

Radio "Zëri i Amerikës" - 22.5.1957

Në lajmin që dha radio "Zëri i Amerikës" thuhet :

"Agjencia e lajmeve Jugosllave "Tanjug" informoi se Panajot Plaku, funksionar dhe oficer i lartë shqiptar, u arratis në Jugosllavi dhe kërkoi strehim politik. Ai ishte ministër dhe kryetar i Komisionit të Gjeologjisë.

Radio "Zëri i Amerikës" - 25.5.1957

Radio "Zëri i Amerikës" tha se "Ministria e Punëve të Jashtme Jugosllave njoftoi se iu dha strehim politik Panajot Plakut, ish Gjeneral dhe ministër i Shqipërisë. Panajoti ka shërbyer si komisar politik Brigade gjatë luftës. Më 1944 u dërgua në Moskë për stërvitje ushtarake. Më 1946 deri në 1953 ka shërbyer në Ministrinë e Mbrojtjes si anëtar i Shtatmadhorisë së ushtrisë. Më 1956, u emërua ministër pa portofol i Shqipërisë ".

No comments:

Post a Comment