Nonda Bulka në dhjetë vëllime origjinale


Oliverta Lila

Një punë dhjetëvjeçare do të kurorëzohet me botimin e dhjetë vëllimeve të krijimtarisë së Nonda Bulkës. Botuesi Mehmet Gëzhilli tregon se aty do të gjendet Nonda shkrimtar, publicist, përkthyes, kritik e deri edhe një album fotografik e me dorëshkrime. Dy vëllimet e para do të dalin në qarkullim për 105-vjetorin e lindjes, më 6 mars


Nonda Bulka me bashkëshorten Qefseren


Ata që e njihnin nga afër e kujtojnë burrin me flokë të bardhë që shëtiste në rrugët e Tiranës majë biçikletës. E njihnin për humorin mes miqsh dhe për satirën therëse hedhur mes rreshtave. Ky ishte Nonda Bulka. Apo Chri-Chri, ashtu si ai i firmoste fejtonet apo skicat e gazetave dhe revistave të viteve ‘30. Shkrimtar, publicist, përkthyes, pedagog, shkrimtari Dritëro Agolli e ka quajtur Volteri shqiptar. Së shpejti për Nonda Bulkën shënohen dy përvjetorë: ai i lindjes, më 6 mars (105-vjetori), ndërsa nëntori që vjen shënon 40 vjet ikje. Këto data të shënuara kanë qenë arsyeja, por jo shtysa, që Nonda Bulka të vijë i plotë në të gjithë krijimtarinë e tij. Dhjetë vëllime origjinale po përgatiten për shtyp nga “Argeta LMG”. Botuesi Mehmet Gëzhilli ka dhjetë vjet që rrëmon arkivave, për të gjetur deri edhe Nondën e pashfaqur. Atë që në gazetat e hershme është fshehur deri edhe pas pseudonimeve të tilla si Kin Fu San, Grepi, Thumbi, Sfurku. Gëzhilli tregon se kanë gjetur mjaft shkrime të tij që nuk njiheshin më parë. Të gjitha do të jenë pjesë e vëllimeve që po përgatiten. Pas gjithë kësaj pune, Gëzhilli e quan pa mëdyshje, themeluesin e publicistikës moderne. Sipas Gëzhillit, shkrimet e para të Bulkës  gjenden që më 1928, por veprimtarinë e mirëfilltë e ka filluar më 1932. I lindur në Leusë të Përmetit, një fshat me traditë që i dha bazat e para, prej nga kishin dalë Odhise Paskali, Alqi Kristo, Sejfulla Malëshova e të tjerë, Nonda Bulka mbaroi Liceun francez të Korçës, studioi për jurisprudencë në Paris dhe u kthye sërish në Korçë, këtë radhë si pedagog i letërsisë shqipe dhe franceze. Kjo është koha e tij aktive. Shkruan intensivisht në katër-pesë gazeta e revista të kohës si në gazetën e Korçës, “Rilindja”, “Arbëria”, “Drita”, në revistat letrare e më vonë edhe te “Bashkimi”, ndërsa më 1945 është iniciator i themelimit të “Hostenit”. “Në të njëjtën ditë ai mban disa rubrika me pseudonime të ndryshme. Por shkrimet e tij ishin shumë të shkurtra. Ka qenë ekonomitar i madh i fjalës, por me një satirë dhe humor therës. Disa nga rubrikat e tij më të preferuara ishin “Kur qan e qesh bilbili”, “Gjurmë nga jeta”, “Simite e ngrohtë”, ku ai hidhte plagët më të mprehta të shoqërisë. Intuita e çonte te fenomenet e mprehta dhe ai nuk kursehej t’i shkruante menjëherë. Nonda përdori edhe disa gjini të veçanta si  pusullën, ku në 5-10 fjali kritikonte fenomenet e ditës, por ishin edhe letra që i dërgonte në Ferr, ia dërgonte Zotit, Mit’hat Frashrit, Milto Sotir Gurrës, etj. Plot sarkazëm, në shkrimet e tij gjeje krizën që kishte pllakosur botën, nga Japonia, Europa, në Amerikë. Të gjitha këto fenomene i ka pasqyruar në vitet ‘32-‘37 dhe personazhet që demaskoheshin ishin Hitleri, Musolini, qeveritarë, deputetë, tagrambledhësit dhe vjehrra”, tregon Gëzhilli. Në fakt, këto kohë “vjehrrën” Nonda e vendoste gjithkund. Në të vërtetë, ato kohë ende nuk kishte vjehërr. Ashtu si ai vetë e shpjegon në intervistën e pak muajve para se të vdiste te “Hosteni”, “vjehrra” ishte një personazh që simbolikisht e kishte krijuar për t’iu kundërvënë regjimit të asaj kohe. Por ndonëse ishte një nga pikat e referimit për shkrimtarët që do të vinin pas tij, nisur që nga Migjeni, katër vjet më i ri se ai, Bulka nuk do ta linte pas dore letërsinë botërore. Ka përkthyer “Universitetet e mia” të Maksim Gorkit që më 1949, poemën “Vajza dhe vdekja” po të këtij autori, “Evgjeni Grande” të Balzakut, poezi të poetëve të njohur dhe bashkë me Foto Balën, përkthyen “Topazin”, premiera e parë e Teatrit Popullor më 1945.

Vëllimet

Mehmet Gëzhilli i ka mbledhur materialet dhe tashmë i ka ndarë për çdo vëllim. Në të parin libër do të përfshihet publicistika e një viti, 1932-‘33, një botim me rreth 450 faqe. Libri i dytë përmban sërish publicistikën e viteve ‘34-‘44, ku sipas Gëzhillit botohen për herë të parë rreth 400 shkrime që ishin firmosur me pseudonimet e tij e që nuk njiheshin si të tijat. Libri i tretë përfshin publicistikën dhe prozën e tij në vitet 1945-1972, kohë kur mbylli sytë. Libri i katërt përfshin mendime të tij për letërsinë, artin dhe kulturën. Gëzhilli shpjegon se që në vitet ‘30, Bulka ka shkruar për disa nga veprat e njohura të letërsisë botërore, duke nisur nga Shekspiri e Mopasan, por edhe për Naim Frashërin, Çajupin, Migjenin, Jeronim de Radën e të tjerë. Gëzhilli tregon se kanë gjetur edhe një vëllim me novela, që mund të quhet i tillë për nga ngarkesa emocionale dhe intensiteti, por që në fakt janë të shkurtra sa nuk i kalojnë 5-6 faqe libër. “Janë 15 autorë si Mark Tuen, Mopasan, Zola etj. Ky libër i botuar më 1943-‘44 nuk kishte emrin e përkthyesit, por vetëm inicialet N.G.B. Nga verifikimet por edhe nga dedikimi që i kishte kushtuar vëllait të vdekur në frontescip, zbuluam se ishin përkthyer nga Nonda”, tregon Gëzhilli. Vëllimi i pestë përmban poezitë origjinale dhe poezitë e përkthyera prej tij, ndërsa në vëllimin e gjashtë janë fabulat e Nonda Bulkës në prozë. Pjesë të këtyre botimeve Gëzhilli ka bërë edhe ato që janë shkruar për Nonda Bulkën dhe krijimtarinë e tij, të cilat do të jenë pjesë e vëllimit të shtatë. Vëllimet tetë-nëntë përmbajnë novelat e përkthyera, dramën “Topazi”, “Nata e gjatë” dhe “Evgjeni Grandenë”. Vëllimet do të mbyllen me një album fotografik, dorëshkrime, faksimile dhe një bibliografi. Kjo sipas Gëzhillit është e nevojshme, sepse jo gjithçka është futur në këto botime. “Kemi zgjedhur ato që kanë vlerë, duke i parë dhe me syrin e kohës. Por ka edhe shkrime të shkurtra, që nuk i kemi përfshirë, kryesisht reflektime të momentit”, thotë ai. Ndërsa për dorëshkrimet, thotë se ka pak të tilla. Letrat që shkëmbente me miqtë, e veçanërisht me Sterjo Spasen, janë botuar. Në fakt, që në vitet ‘80 janë botuar tre vëllime të veprave të Nonda Bulkës që kanë përmbushur nevojat e asaj kohe. Pas kësaj kohe të gjatë të studimit të veprës origjinale, Gëzhilli thotë se Nonda është masakruar në këto botime, është hequr pjesa e bukur e satirës. Dy vëllimet e para, Gëzhilli beson se do të dalin këto ditë të para të marsit, duke përkuar edhe me 105-vjetorin e lindjes. Kolanën e plotë dëshiron ta promovojë në Panairin e Librit të vitit 2012, në kujtim të 40-vjetorit të largimit të Nonda Bulkës nga jeta. Gëzhilli nuk ka menduar ta mbyllë me këto botime. Në bashkëpunim me TVSH, së bashku me regjisorin Halil Kamberi, operatorin Agim Kuri, kanë xhiruar një dokumentar që është në proces montimi. Gëzhilli do ta çojë veprën e Nonda Bulkës edhe në Korçë e Përmet, ndërsa mendon edhe organizimin e një sesioni shkencor në Akademinë e Shkencave. “Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve jep një sërë çmimesh letrare. Do të ishte e nevojshme të shtojë edhe çmimin “Nonda Bulka” për veprën më të mirë satirike-humoristike”, thotë Gëzhilli, teksa i referohet veprimtarisë së Bulkës.


Profesor Nonda Bulka me studentët e tij, në vitin 1966

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri