2011-05-24

O e mjera Shqiperi!!!

Pse rekomandimet e shkrimtarit Ismail Kadare izolojnë Republikën e Shqipërinë 



Shkrimtari , Ismail Kadare, i ka shkruar një letër të hapur Lulzim Bashës, me të cilën i kërkon që të tërhiqet nga gara për kryetar të Bashkisë së Tiranës. E përkthyer saktë dhe qartë: që t’ia lërë vendin në tavolinë kandidatit të Partisë Socialiste, Edvin Kristaq Ramës. U përpoqa të shoh se cilat janë argumentet e Kadaresë, madje me shumë vëmendje, sepse nuk besoja se një njeri i madh, i respektuar, si më vitali i letrave dhe mendimit shqiptar të kohës, të shkruante pa fakte, pa argument dhe të jepte një porosi-urdhër thjesht i motivuar, por pa ndonjë kasus-beli. Më kujtoi kjo letër një deklaratë të tij të vitit 2001, kur merrte në mbrojtje kryeministrin socialist të asaj kohe, megjithëse ai ushtronte një dhunë të pashembullt kundër opozitës. Atëherë Kadare fliste për nevojën e forcimit të shtetit dhe kritikonte qëndrimin e opozitës demokratike. Tani flet për nevojën e integrimeve dhe merr hapur anën e kreut të opozitës. Ky pozicionim politik i Ismail Kadaresë majtas, e komprementon atë, sepse e largon nga “egocentrizmi”, e largon atë nga realiteti. Unë kam shkruar disa libra, shumicën prej tyre si libra studimorë, në të cilët i jam përmbajtur dhe kam zhvilluar idetë dhe vlerat që ka përfaqësuar shkrimtari i shquar shqiptar. Si mijëra shqiptarë të tjerë, jam ndier krenar kur në libraritë e Gjermanisë më kanë rekomanduar librat e tij të përkthyer në gjermanisht. Librarët dinin me saktësi titujt e veprave të tij dhe sinqerisht që më ndrisnin sytë nga gëzimi që një shqiptar kishte bërë një emër aq të madh në botën e qytetëruar. Po letra drejtuar Lulzim Bashës a bën pjesë në këtë korpus të lavdishëm të Ismail Kadaresë? Nëse lexuesi do të më lejojë të shpjegohem, mendoj dhe besoj se kjo letër bën pjesë në pjesën emocionale të pamenduar mirë prej tij. Në zgjidhjen e konflikteve, i dashur Kadare, është me vend që të fuqishmit t’i drejtohen atij që ka më shumë logjikë, shfaq më shumë modernitet e civilizim, atij që pranon të jetë viktimë për një ideal më të madh, për një çështje më të shenjtë. Letra juaj i përmbahet kësaj fryme. Që në hyrje të letrës bëhet fjalë për pasojat e situatës së krijuar në Shqipëri. “S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis pas tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, deri te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dyja shtetet shqiptare në Ballkan”. Pra, motiv i letrës janë pasojat e situatës së krijuar. Por që t’i kërkosh Bashës tërheqjen, do të thotë që ta fajësosh atë për këtë situatë konfliktualiteti. Që t’i drejtohesh Bashës dhe vetëm Bashës, që ky t’ia japë në tavolinë si në kohën e diktaturës, kreun e Bashkisë Edi Ramës, vetëm pse ky i fundit është kryetar i opozitës, ky nuk është e nuk mund të shërbejë as si argument, as si shans për integrime dhe mosizolim. Basha duhet të tërhiqet që të shpëtojë Shqipëria, nënkupton Kadare në letrën e tij. Po kush po e fundos dhe shkatërron Shqipërinë? A nuk është ky thelbi i konfliktit në Shqipëri?! A nuk duhet që Kadare të kapet pas kësaj analize, që të mbërrijë te përfundimi për tërheqjen e Bashës?! Me sa duket Kadare ka rrëshqitur. Dhe nuk besoj se e ka bërë këtë thjesht nga emocionet, as nga padituria, as nga mosnjohja e rregullave në një demokraci. Unë mendoj dhe besoj se shteti ligjor dhe rregullat e demokracisë e integrojnë një vend në bashkësinë e vendeve të qytetëruara. Jam i bindur se këtë mendim ndan dhe shkrimtari i shquar. Po a mund të flitet për rend e shtet demokratik, nëse rezultati i fitores në zgjedhjet politike vjen nga tërheqja e kundërshtarit?! A do të ishte e rregullt dhe demokratike, nëse me Edi Ramën nuk do të përballej asnjë kandidat tjetër për Tiranë, thjesht me motivin se ai është kryetar i opozitës?! Natyrisht, kjo logjikë vjen në leximin e drejtpërdrejtë të letrës së Kadaresë, por nëse e lexon atë midis rreshtave, atëherë Kadare shkon në një linjë me Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi. Edhe Bamir Topi e ka votuar Edi Ramën për kryetar Bashkie të Tiranës, sepse ka menduar se “meqë pushtetin qendror e ka Partia Demokratike dhe ‘Aleanca për Qytetarin’, atëherë kreun e Bashkisë në Tiranë duhet ta ketë opozita, përkatësisht kreu i saj, për të cilin ka votuar”. Me këtë logjikë Topi nuk ka votuar kandidatin e Partisë së tij, Lulzim Bashën, por ka votuar kreun e opozitës. Arsyeja të çon në lidhjen e këtyre dy “qortimeve”, të cilat vijnë nga dy njerëzit që natyrshëm do të duhej të ishin më të pushtetshmit në Shqipëri. Vetëm ndryshimi është që Topi qorton Arben Ristanin, Kadare i drejtohet Lulzim Bashës. Edi Rama për të dy këta është jashtë liste, jashtë skemës. Edhe pse ai prej dy vitesh e në vazhdim vijon me retorikën e kërcënimeve, fyerjeve, dhunimeve, sharjeve nga më të ndyrat në fjalorin moralo-politik, atij Kadare dhe Topi nuk i japin asnjë lloj përgjegjësie. Thjesht pse është kryetar i opozitës, Rama duhet ta gëzojë e trashëgojë postin e kreut të Bashkisë së Tiranës. Kjo logjikë nuk e çon Shqipërinë drejt integrimeve. Aq sa e çon dhuna e rrugës që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë opozita dhe kreu i saj i papërgjegjshëm. Nëse ka njerëz të përgjegjshëm dhe me integritet, të përkushtuar për integrimin dhe zhvillimin e Shqipërisë, ata janë Sali Berisha dhe Lulzim Basha. Kadare dhe Topi i njohin besoj angazhimet dhe rezultatet e këtyre dy njerëzve të politikës shqiptare. Por ata nuk duan dhe nuk kanë me sa duket asnjë interes që të jenë mirënjohës, përkundrazi shfaqen, sidomos ky i fundit, pa fund mosmirënjohës. Jo thjesht se Berisha dhe Basha e respektojnë Ismail Kadarenë, as pse ata e katapultuan Topin në postin e presidentit. Por mirënjohja për këta dy njerëz shkon për shkak të kontributeve të jashtëzakonshme për t’i dhënë Shqipërisë frymën dhe shpirtin evropian, fytyrën e Evropës. Kështu ka ndodhur me liberalizimin e vizave, kështu ka ndodhur me procesin e pranimit të vendit në NATO, kështu ka ndodhur me procesin e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, këtë e shohim te veprat gjigante në ndërtimin e infrastrukturës së vendit, këtë e pamë në fushatën moderne të Partisë Demokratike dhe përfaqësuesve të saj për zgjedhjet lokale, këtë e pamë në reagimet postzgjedhore e kështu me radhë. Unë nuk besoj se Kadare nuk ka veshë të dëgjojë dhe Bamir Topi nuk sy që të shohë. Ndaj dhe më duhet të jem shumë kritik e të mos e pranoj këshillën e tyre. Së fundi, tërheqja e një kandidati, edhe nëse motivohet me interesat e dy shteteve, gjë me të cilën shpesh spekulojmë pa fund, kjo nuk e shëndosh demokracinë në Shqipëri. Përkundrazi, ky akt është jodemokratik dhe krijon precedentin e vitit 2007, kur gojët e këqija thonë se Edi Ramës ia dhanë Bashkinë e Tiranës në tavolinë, me kushtin e pjesëmarrjes së tij në ato zgjedhje lokale. Pikërisht një akt jodemokratik i para katër viteve, edhe në atë kohë në emër të stabilitetit të vendit, e çoi Shqipërinë nga njëra tek tjetra katastrofë. Kreu i opozitës, i cili e kishte korrur fitoren në tavolinë, ishte dhe mbetet arkitekti i kësaj katastrofe. Shihni çfarë thotë tani. Po rendis vetëm disa fjali të dy ditëve të fundit: “Është koha të marrim në dorë fatin e atdheut”, ishte një nga fjalitë e perifrazuara nga konferenca e shtypit e ditës së shtunë. A nuk i duket Kadaresë kjo një thirrje lufte?! A nuk tingëllon si një apel për konflikt civil në Shqipëri? Po sikur të bënte të njëjtën thirrje edhe Sali Berisha dhe Lulzim Basha, çfarë do të kishte ndodhur? Atëherë pse Kadare i drejtohet vetëm Bashës, pa thënë asnjë fjalë për Edi Ramën, i cili po i vë flakën Shqipërisë për pushtetin personal të konvertuar në paratë e krimit e të mafies? Ose së paku, pse me letër të hapur dhe jo me një letër “të mbyllur”?! Cila është domethënia e kësaj letre, e cila e komprometon rëndë atë?! Cili është shkaku i vërtetë i saj, kur ajo nuk atakon shkaktarët, ndërkohë që qorton viktimat e këtij kaosi politik në Shqipëri? Dhe së fundi, Kadare flet për reagimin e militantëve të Bashës e të Partisë Demokratike. Aq shumë ka ngjitur propaganda e Ramës, ose aq shumë është ngjitur Kadare pas Edi Ramës dhe Bamir Topit, sa në letër merret vetëm me moralizime “egocentriste”, siç i quan ai, duke hedhur baltë mbi “militantët” e së djathtës. Po këtu nuk është fjala për militantë të Bashës dhe Partisë Demokratike. Edhe nëse bëhet fjalë për ata, ata janë shumë, më shumë se 124 mijë veta, të cilët kanë votuar Lulzim Bashën. Në të vërtetë militantët e Bashës janë në heshtje, edhe pse Edi Rama ka mobilizuar të gjithë militantët e tij për ta bllokuar Shqipërinë dhe djegë atë. Kjo është e pamoralshme, e pafalshme dhe gati e turpshme. Të ofendosh mijëra simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Demokratike, pse dëshiron ta shohësh kreun e opozitës në krye të Bashkisë së Tiranës, kjo është e patolerueshme për një shkrimtar të madh si Ismail Kadare, sesa për Bamir Topin, gjithçka ka marrë rrokullimën, për shkak se Zoti tha që ai të votojë në një kuti të gabuar, madje i vetëm, e për pasojë t’i zbulohet vota kundër partisë së tij dhe Lulzim Bashës. Prej atij momenti ai nuk ka më as tagër, as autoritet moral, as integritet politik që të përfaqësojë unitetin e popullit. Është një rast që së bashku me vetëdenoncimin e Dritan Priftit do të hyjnë në librin “Gines”. Këtij libri, me sa duket dëshiron t’i shtohet edhe Ismail Kadare. Këtë radhë jo më si shkrimtar i shquar dhe njeri i madh i letrave shqipe, por si hartues i letrave të hapura, përmes të cilave rekomandon rrënimin e demokracisë dhe të lirisë së shqiptarëve për të zgjedhur e për t’u zgjedhur. Rekomandimet e Kadaresë e izolojnë Shqipërinë. Me fitore të jashtëligjshme të zgjedhjeve Shqipëria nuk integrohet. Përkundrazi, ajo humbet shanset për të shkuar drejt integrimeve. Nëse Basha do t’i përgjigjet pozitivisht Kadaresë dhe rekomandimeve të tij, ai do t’i bëjë shërbimin më të keq vendit të tij, demokracisë dhe të ardhmes sonë integruese. Është tërheqja e  Lulzim Bashës ajo që do ta izolonte Shqipërinë. Nuk është falja e mandatit, mënyra e çlirimit të saj nga konflikti absurd i krijuar artificialisht thjesht për interesat personale të një individi, qoftë ky dhe kreu i opozitës. (Floripress)

KQZ shpall tabelën përfundimtare, Lulzim Basha 81 vota në avantazh

 KQZ ka shpallur tabelën përfundimtare për Tiranën sipas së cilës në zgjedhjet e 8 majit për bashkinë e kryeqytetit rezultojnë 250 880 vota. Po sipas kësaj tabele, kandidati Lulzim Basha rezulton me 81 vota në avantazh ndaj rivalit të tij Edi Rama.

Sipas tabelës në fjalë, Lulzim Basha ka 124 786 vota, Edi Rama 124 705 vota dhe Hysni Milloshi 1394 vota. Pas përpilimit të tabelës, pritet miratimi i saj nga anëtarët e KQZ.


Peizazhët e Ismail Kadaresë për Lulzim Bashën





                    






Nga Ismail Kadare


Paris, 21 maj 2011

Ndërkohë që tensioni postzgjedhor në Shqipëri është rritur për shkak të rezultatit ende të pashpallur, ka reaguar nga Parisi shkrimtari i madh Ismail Kadare, i cili i ka propozuar sot kandidatit të “Aleancës për Qytetarin” Lulzim Basha të tërhiqet nga kandidimi i tij për bashkinë e Tiranës.
Përmes një letre të hapur shkrimtari ynë i madh e këshillon kandidatin demokrat se tërheqja e tij nga kjo garë do t’i nderonte të gjithë dhe do të ishte një shans për zgjidhjen e kolapsit politik që ka mbërthyer vendin.
“Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje  fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest, që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare: tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie”, thotë Kadare.
Kadare shkruan se ia drejton këtë letër të hapur kandidatit Basha me shpresën se propozimi që i jep do të ndihmojë në zgjidhjet e kolapsit politik.
“I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar”, shkruan në fillim të letrës shkrimtari ynë i madh.
Kadare saktëson gjatë letrës se “Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsie etj. Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit tuaj politik”.
Kadare shprehet se këtë propozim ia bën Bashës duke menduar se tërheqja e bashës është më e lehtë pasi ai është në pushtet.
“Propozimin për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës”, thotë zoti Kadare.
Shkrimtari madh, mendon sakaq se tërheqja e Bashës do të jepte një mesazh të drejtpërdrejtë për brezin e ri.
Ai thekson se me këtë propozim për tërheqjen nga gara për Tiranën ai e nderon kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Letra e plotë e shkrimtarit Ismail Kadare drejtuar Lulzim Bashës
Zoti Lulzim Basha,
I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë se ndoshta mund të ndihmojë në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.
S’është nevoja të zgjatem këtu për pasojat e rënda të këtij kolapsi, që nis prej tronditjes së demokracisë dhe kalendarit të jetës së brendshme, gjer te rreziku i izolimit të ri të vendit, çka do të ishte fatale sot për të dy shtetet shqiptarë në Ballkan.
Nisur nga kjo, shpresoj se do ta kuptoni drejt mesazhin tim, i cili nga këndvështrimi i  klasës politike shqiptare mund të duket i gabuar politikisht, strategjikisht, taktikisht etj.,etj.  por nga një tjetër pikëpamje, nga interesat e larta të vendit, të republikës dhe të kombit do të ishte i drejtë dhe i saktë.
Si politikan dhe si zyrtar ju jeni gjendur kohët e fundit, në qendër të një cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën   përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. S’është nevoja këtu t’ju kujtoj se sa e pandreqshme dhe e pafalshme do të jetë kjo mbrapështi.
Nisur nga kjo, në kushtet e një fitimi ose të një humbjeje  fare të paqartë, do t’ju propozoja një gjest , që, sot për sot është i rrallë, gati i përjashtuar nga jeta politike shqiptare : tërheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie.
Nuk e kam vështirë të marr me mend , në këtë rast, reagimet e militantëve të krahut tuaj politik. E bashkë me të, hamendjet, dyshimet e gjithë britmat rituale. Do t’ju thoshja se prej kohësh ato s’më bëjnë asnjë përshtypje. Ndërkaq, meqenëse kanë lidhje me  një pjesë të popullit shqiptar, do të doja t’ju jepja thelbin e mesazhit tim: Me këtë propozim, pavarësisht se si do ta kuptoni, unë ju nderoj.
Që të jem i saktë gjer në fund, do të shtoja se kjo nuk është çështje preference për ju, çështje afërsije etj.  Dhe aq më pak nuk është sfidë ndaj kundërshtarit  tuaj politik. Propozimi për tërheqje mund t’ia bëja secilit prej jush, por mendova se tërheqja do të ishte më e lehtë për ju që jeni në pushtet, sesa për tjetrin , që është shef i opozitës.
Prej kohësh jam i paanshëm dhe ky qëndrim më shumê se ndonjë meritë apo mosmeritë e imja, ka të bëjë me profesionin tim. Për shkrimtarin gjithë bashkëkombasit janë, në radhë të parë, lexuesit e tij, ndaj ai e ka vështirë të jetë me njërën gjysmë kundër tjetrës. Ky vizion dikujt mund t’i dukej egocentrizëm prej shkrimtari, por  nëse kjo do të gjykohej e fajshme, do ta  pranoja këtë faj apo këtë cen gjenetik.
Duke ju propozuar tërheqjen prej kandidimit, desha t’ju kujtoj se gjeste te tilla janë të njohura në historinë e pjesës më të emancipuar të njerëzimit. Janë të njohura dhe te çmuara si gjeste të mëdha tërheqja nga një këmbëngulje, nga një post, nga një dyluftim, madje nga një fron, nëse këmbëngulja , posti, dyluftimi apo froni shkaktojnë fatkeqësi. Desha t’ju kujtoja se themeluesi i shtetit shqiptar, I.Qemali, më 1912 , ka qenë njëkohësisht themeluesi i dorëheqjes shqiptare, kur me gjestin e tij madhështor, pas kërkesës së fuqive europiane, u tërhoq nga posti i vet, për të mirën e Shqipërisë.
Mendoj se Shqipëria nuk duhet t’i harrojë këto shenja të mëdha të qytetërimit të saj. Ajo duhet t’i kultivojë ato, të tregojë se nuk është një shtet tribal, por shtet europian demokratik, pjesë e familjes më të emancipuar të kombeve. Ajo duhet të tregojë se është në gjendje, se mundet, se duhet te jetë anëtare e denjë e familjes.
Gjesti i juaj do të jetë një mesazh emancipimi dhe shprese për brezin e ri shqiptar, duke pêrfshirë edhe atë të politikanëve. Çdo gjest i tillë, përpara se të nderojë një politikan, një krah apo një stinë të politikës, na nderon të gjithëve.
Jemi mësuar me shprehjen “turp i përbashkët”, që mirë a keq, e kemi përjetuar gjatë shumë viteve, por rrallë herë me shprehjen tjetër: “nder i përbashkët”. Le të shpresojmë se do të vijë edhe koha e saj.
Miqësisht, me shpresë,
Ismail Kadare, shkrimtar
Paris, 21 maj 2011

Isamil Kadarè dhe Piovra komuniste

 
“Piovra” asht nji polip deti me 8 kambë (oktopod), me bulb pa shtyllë kurrizore, që merr forma të ndryshme simbas nevojes. Ajo e ndrron ngjyren simbas ndryshimeve të ambjentit. “Piovra” leshon nji lang të zì si boja e shkrimit per ta çorjentue dhe per ta gllabrue viktimen, si dhe per tu kamuflue. “Piovra” asht titulli i filmit televiziv mbi mafien italiane ku rolin kryesor e ka luejt Mikele Plaçido.

“Piovra” komuniste shqiptare!
Gjatë diktatures staliniste në Shqipni u persekutuen patriotët dhe intelektualt shqiptarë me kulturë demokratike europiane. Drejtimi i vendit rà në duert e kuadrove të pregatitun në vendet antishqiptare Beograd e Moskë dhe ma vonë në Pakin. Këto kuadro drejtojnë edhe sot Shqipninë. Mbas rrëzimit të diktatures, këto u ndanë në dy grupe: Në ate “Ngjyrë Rozë” dhe në ate “Ngjyrë Blù”, me nji trajner të perbashkët Ramis Alinë. Shqiptart që dolen jashtë e ndjekin me dhimbje të madhe rivalitetin e tyne per grabitjen e pasunisë kombtare dhe per pasunimin sa ma shumë në dam të shtresave te thjeshta të popullit. Shqiptart e mbetun në Shqipni janë të pafuqishme të ndrrojnë situaten per shkak se vendi asht i kaperthyeme politikisht dhe ekonomikisht nga kjo “Piovra” mafjoze komuniste. Nji nder elementët e sajë aktiv asht edhe shkrimtari i diktatures komuniste Ismail Kadaré, të cilit i kan vue në dispozicion të gjitha mjetet e komunikimit publik dhe nuk lejojnë asnjeri ti kundravehet. Ismail Kadarè me parulla të shtira demokratike dhe atdhédashurie shperndanë vazhdimisht dhe e ndot ambjentin mbarshqiptare me atë langun e zì per të mashtrue viktimat e tija naive. Ai arrine deri në atë pikë megallomanie sa të pohojë se ikja e tij në Francë në shtator 1990 paska qenë nji goditje e rand per ramjen e komunizmit në Shqiperi, në nji kohë që të rijtë e futun neper ambasada i quejti jashtëqitja e shoqnisë shqiptare. Kur para diktatorit Enver Hoxha janë dridhë të gjithë ç’prej kryeministrit Mehmet Shehu e poshtë dhe janë eleminue të gjithë si flluska sapuni, kush e beson se e paska pasë zor diktatori me eleminue nji shkrimtar të madh me idè demek “liberale” si Kadarè po të mos i kishte sherbye atij verbërisht, gjithmonë dhe per çdo gja ?!? Kot nuk ia ka lanë të shoqes Nexhmie Hoxha si sekretar të Frontit Demokratik, ku organizohej eleminimi i të gjithë intelektualve kundershtar të komunizmit!!!! Dhe tash mbas 20 vitesh të rrëzimit të diktatures, ky shoku Isamil Kadarè, po na lëshon fetfà nga Parisi si pashà maje kali, tue i sugjerue atyne “Ngjyrë blu” “per terheqjen nga kandidimi për kryetar bashkie” në favor të Piovres së vet të zemres “Ngjyrë Rozë”: “Letër Bashës: Tërhiqu nga kandidimi ! Zoti Lulzim Basha, I shqetësuar seriozisht, si shumica e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, po ju dërgoj këtë letër të hapur, me shpresë  se ndoshta mund të ndihmojë  në zgjidhjen e kolapsit të papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar.”
Së pari, kush i jep këtë të drejtë Ismail Kadarès, sekretarit të Nexhmie Hoxhes, të flasë në emer “të shumices së shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit”?!? A nuk e kupton ky njeri se kohnat kan ndryshue dhe se ajo rinia shqiptare, e quejtun prej tij “jashtëqitje”, tashma asht e lirë, me sy të hapun dhe me nji vizion të qytetnuem europian mbi të Drejtat e Njeriut ?!
Kur ky i vetzgjedhuri “personalitet mbarshqiptar” e shihka “kolapsin e papritur në të cilin është gjendur jo vetëm shteti, por gjithë kombi shqiptar” pse nuk e len jeten e Parisit dhe nuk shkon aty pranë popullit të “vet”?! Pse nuk nderhyn e nuk u thotë atyre piovrave të veta, që të ia lirojnë vendet në pushtet, në kryesitë e bashkive dhe në gjykata, kësajë rinije shqiptare të pregatitun në prendim me kulturë të vertetë demokratike dhe me aftesi  të nalta bashkëkohore profesionale prendimore?!?!
Por ky shoku Ismail Kadarè kerkon që me çdo kusht dhe me çdo mjet mashtrues ti sherbejë dhe të ia sterzgjasë sa ma shumë jeten Piovres së vet komuniste, me të cilen i ka të lidhuna ngusht interesat egoiste personale.
“Ujku qimen e ndrron, por vesin JO!!!”.
Paul Tedeschini-Itali, e hanë, me 23 maj 2011
( Linku i shkrimit http://kosova.albemigrant.com/?p=29585 )



Lulzim Basha i pergjigjet shkrimtarit Ismail Kadare: Terheqja do te ishte akt antidemokratik
 
Kandidati per kryetar te baskise se Tiranes, i Aleances per Qytetarin, i pergjigjet letres se z.Kadare ku i propozohej terheqja nga gara. Lulzim Basha vlereson se "duke u terhequr, une fyej votuesit, komisioneret, ligjvenesit, ligjet, gjykatat dhe vete demokracine". Ai thekson se "me terheqjen per shkak te presioneve politike, i bie te mos behen me zgjedhje ne Shqiperi". Me tej z.Basha thote se "cdo terheqje e imja ne keto kushte jo vetem do te ishte nje akt antidemokratik, por besoj se nuk do te pranohej as nga rivali im per Bashkine e Tiranes sepse per pasoje edhe legjitimiteti i vijimit te kryetarit aktual te Bashkise do te ishte i kompromentuar".

Basha thote se "gara dhe demokracia i vlejne te ardhmes europiane te Shqiperise" "nderkohe qe dhurimi ne tavoline ose pazaret ne favorin tim apo te kundershtarit, e demtojne ate", ndaj vlereson se eshte "me mire nje gare deri ne voten e fundit sesa nje gare e munguar". Kurse shpreh bindjen: "Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kercenimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me te pranueshme sesa votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe vendimet e institucioneve".

Basha shprehet me tej i bindur se "rrethimi i institucioneve, kercenimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me te pranueshme sesa votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe vendimet e institucioneve".

Kurse vijon letren e tij per z.Kadare: "Une respektoj vullnetin e te gjithe atyre qe kane votuar pro meje, qe kane votuar per nje ndryshim ne Tirane, si edhe ata qe kane votuar kunder, duke lexuar dhe respektuar cdo vote te tyre, respektoj ata qe po presin me qytetari, pa dhune, pa presion, si qytetare te vertete evropiane".

Ne perfundim, z. Basha angazhohet: "Jam i gatshem te takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim per Bashkine e Tiranes per nje pakt moral dhe qytetar per respektimin e ligjit, per te pritur me qetesi vendimin e institucioneve, per t'i dhene fund gjuhes se dhunes dhe per te pranuar verdiktin e qytetareve te shprehur me vote".



Letra e plote pergjigje e z. Lulzim Basha:



I nderuar Zoti Kadare,

Lexova me vemendje letren tuaj dhe ju falenderoj per shqetesimin qe shprehni ne lidhje me te ardhmen europiane te Shqiperise. Ky shqetesim i perbashket duhet te na preokupoje te gjitheve. Ndaj perfitoj nga kjo mundesi te paraqes kendveshtrimin tim mbi faktet.

Ne keto zgjedhje kane votuar me shume qytetare te Tiranes se asnjehere tjeter ne historine e saj. Votuesit e kane shprehur tashme vullnetin e tyre dhe institucionet perkatese jane duke bere nderkohe numerimin e votes. Qytetaret kane vendosur se kush e ka fituar kete gare dhe se kush do te vijoje te administroje qytetin.

Une kam vendosur te respektoj te gjitha procedurat normative qe parashikon procesi i numerimit te votes ne respekt te shtetit ligjor duke frymezuar nje qendrim paqesor qytetar dhe ne sherbim te stabilitetit e paqes sociale.

E gjithe filozofia e fushates sime eshte mbeshtetur ne degjimin dhe dialogun e drejtperdrejte me qytetaret. Ndaj sot e kam te pamundur te mbys zerin e mbi 124 mije qytetareve te cilet i jane pergjigjur pozitivisht planit dhe projektit tim per shnderrimin rrenjesor te kryeqytetit te shqiptareve, qe mjerisht po perjeton nje kolaps urban, mjedisor dhe mund te themi ekzistencial. Nuk jam une ai qe vendos nese do te behem apo jo kryetari i ardhshem i bashkise. Ky eshte vendimi i votuesve dhe une nuk kam asnje te drejte, qe ne asnje rrethane te braktis zgjedhjen qe ata kane bere.

Une besoj se gara dhe demokracia i vlejne te ardhmes europiane te Shqiperise. Nderkohe qe dhurimi ne tavoline ose pazaret ne favorin tim apo te kundershtarit, e demtojne ate. Me mire nje gare deri ne voten e fundit sesa nje gare e munguar.

Duke u terhequr, une fyej votuesit, komisioneret, ligjvenesit, ligjet, gjykatat dhe vete demokracine. Me terheqjen per shkak te presioneve politike, i bie te mos behen me zgjedhje ne Shqiperi. Vertet mund te shpresohet te kalohet me lehte nje sfide imediate, por me cmimin e madh te renies se demokracise. Sistemi yne demokratik eshte me mire te perballoje sfida te veshtira sesa te shpalle se perfundimisht nuk ben dot zgjedhje.

Une nuk mendoj se instalimi i nje pushteti qe do mbante peng kryeqytetin ne kundershtim me vullnetin e zgjedhesve eshte me europian dhe demokratik sesa rotacioni politik qe eshte baza e cdo demokracie.

Cdo terheqje e imja ne keto kushte jo vetem do te ishte nje akt antidemokratik, por besoj se nuk do te pranohej as nga rivali im per Bashkine e Tiranes sepse per pasoje edhe legjitimiteti i vijimit te kryetarit aktual te Bashkise do te ishte i kompromentuar.

Jam i bindur se rrethimi i institucioneve, kercenimet me djegie dhe kryengritje apo pushteti i rruges nuk jane me te pranueshme sesa votimi i lire, numerimi i votes se vlefshme dhe vendimet e institucioneve.

Une respektoj vullnetin e te gjithe atyre qe kane votuar pro meje, qe kane votuar per nje ndryshim ne Tirane, si edhe ata qe kane votuar kunder, duke lexuar dhe respektuar cdo vote te tyre, respektoj ata qe po presin me qytetari, pa dhune, pa presion, si qytetare te vertete europiane.

Jam i gatshem te takohem para publikut dhe mediave, kudo dhe kurdo me rivalin tim per Bashkine e Tiranes per nje pakt moral dhe qytetar per respektimin e ligjit, per te pritur me qetesi vendimin e institucioneve, per t'i dhene fund gjuhes se dhunes dhe per te pranuar verdiktin e qytetareve te shprehur me vote.

Me respekt,

Lulzim Basha 
 
 *******

Letra e madhe e Kadaresë dhe adresa e pasaktë

 
EDI LESI
  E madhe, e gjerë dhe e shtrirë kudo është mendjemadhësia në Tiranë. Ka mendjemadhësi vend e pavend, dhe më shumë atje ku mendjet janë në të vërtetë të vogla. Në përgjithësi, Tirana mund të quhet një qytet mendjemadh, se të këtillë janë jo pak banorë këtu. Një mendjemadhësi e çartur do të ishte të bëje replikë me Ismail Kadarenë.  Unë kam lexuar gjithçka që shkrimtari ynë i madh ka botuar. Jo vetëm letërsinë dhe eseistikën apo studimet, por edhe intervistat, mesazhet, shkrimet dhe letrat e tij. Sa herë, në emisionet e mëngjesit në televizione ku shfletohen gazetat, shoh se Kadareja është diku, ai vetë ose të tjerë që flasin për të, e mbaj vrapin te kioska më e parë për të blerë shtypin. Kur e kur, rrëmoj në bibliotekën time për të gjetur një libër të Kadaresë për ta rilexuar. Ndonjëherë, kur ndodh një ngjarje e rëndësishme në Shqipëri, them vetë me vete: a thua do të flasë Kadareja?
Mendimi i tij është vetvetiu asiatër dhe sipëran, për shkak të distancës që ka me palët dhe duke qenë se përmasat e tij nuk kanë aspak nevojë të rriten duke mbajtur anë a kah. Mendimi i tij është një mentor i vyer për këdo që ka diçka në dorë dhe për krejt vendin nëse gjendet në udhëkryq. Është i vyer mesazhi i tij, sepse nuk ka asnjë dyshim që Kadareja e do Shqipërinë dhe kombin.
Ismail Kadare nuk mund të rrinte indiferent në një situatë aspak të favorshme politike të krijuar pas votimit të 8 majit. Siç bënë të ditur mediat, ai i dërgoi dje pasdite një letër Lulzim Bashës, ku i kërkon të tërhiqet nga kandidimi për kryetar Bashkie. Ai thotë se kjo do ta shpëtonte vendin nga cikloni, i cili jo vetëm mund t’ia mbyllë rrugën përparimit të kombit shqiptar, por ta kthejë atë shumë vite prapa në histori. Kadare thotë se këtë letër, këtë kumt, mund t’ia kishte dërguar edhe Edi Ramës, por zgjodhi Lulzim Bashën, meqenëse ky i fundi është në pushtet, ndërsa tjetri në opozitë.
Kjo është letra e një shkrimtari të madh; si e tillë, të bën të reflektosh thellë. Ai i thotë Bashës se një gjest i tillë do të nderonte atë dhe vendin. Nga asnjë lloj pozicioni, unë nuk do të mund të bëja dot një replikë me Kadarenë. Pretendoj se nuk jam një nga mendjemëdhenjtë e këtij qyteti, dhe i këtillë do të përpiqem të mbetem. As mosha, as profesioni, as dijet nuk do të më jepnin të drejtë të kundërshtoja shkrimtarin e madh. Vetëm në një cilësi mund të them se nuk jam dakord me këtë kërkesë të Kadaresë: si votues i 8 majit.
Herët në mëngjes atë të diel i jam drejtuar qendrës së votimit dhe pa qenë asnjë moment ndërdyshas, kam votuar që Lulzim Basha të jetë kryetari i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. I bindur se ky qytet ka nevojë për ndryshim, dramatik madje. I vendosur së pari se duhet të mbaronte koha e qeverisjes së metropolit në mënyrë despotike, sipas trilleve të kryetarit. Gjithaq, me shpresë te programi dhe premtimet e Lulzim Bashës për një administrim krejt të ri të Tiranës, ku spikat vendimmarrja konsensuale dhe pyetja e qytetarëve për shumë projekte. Deri më sot, çfarë ka ndodhur në qytet, është marrë vesh vetëm pas sendërtimit të projekteve dhe vendimet janë nyjëtuar gjithherë në një zyrë, diku, mes një grupi të vogël njerëzish rreth kryetarit.
Me këtë gjykim dhashë verdiktin tim jo vetëm për të qenë në rregull me ndërgjegjen, por duke pasur një ndjenjë të fortë empatie se kësisoj do të vendosin shumica e votuesve të Tiranës. Dhe sot janë afërsisht 125 mijë qytetarë të kryeqytetit që kanë shkruar një letër, e kanë hedhur në kuti dhe kërkojnë që Lulzim Basha dhe projekti i tij të vijnë në fuqi.
Në një farë mënyre, Ismail Kadare po kërkon që unë të heq dorë nga vota ime. Po u kërkon gjithashtu edhe 125 mijë qytetarëve të tjerë të bëjnë këtë gjë. Sepse kjo nuk është më një çështje personale e Lulzim Bashës dhe të ardhmes së tij. Ai është sot i dënuar të bëjë të kundërtën e asaj çka kërkon shkrimtari i madh. Basha përfaqëson ëndrrën për ndryshim. Tirana është një qytet i majtë, ku Edi Rama ka fituar herën e fundit me rreth 20 mijë vota diferencë ndaj kundërshtarit të tij. Sot rezulton se në kutitë e 8 majit ka më tepër vota për Lulzim Bashën. Kjo është një përmbysje dramatike, si ato të Homerit. Ky truall është shumë tragjik, gjë që e ka nxitur shpesh Kadarenë në letërsinë dhe studimet e tij. Epike mund të quhet edhe përmbysja që ka ndodhur më 8 maj. Edi Rama po i bën rezistencë këtij realiteti të ri, frymës së re, duke u kapur pas kleçkave të procedurës. Fakti është se ai jo vetëm ka humbur mijëra mbështetës, por ka humbur edhe zgjedhjet. Ka marrë më pak vota se Lulzim Basha.
Edi Rama duhet të tërhiqet nga ky konflikt politik dhe pasojat që po sjell për vendin dhe të ardhmen. Ai përfaqëson të vjetrën në këtë rast, që rreket të qëndrojë me çdo kusht. Askush nuk e di nëse e reja do të jetë më e mirë. Por, të paktën, është konfirmuar se qyteti e kërkon ndryshimin. Nuk mund t’i kërkohet sot Tiranës të tërhiqet nga dëshira për të marrë një rrugë tjetër, të ndryshme nga ajo e 11 viteve. S’mund t’i thuhet një ëndrre të zhbëhet, të kthehet mbrapsht.
E kam lexuar dy-tri herë letrën e Kadaresë. Është mbresëlënëse. Vetëm se duhej t’i drejtohej Edi Ramës, jo Lulzim Bashës.

No comments:

Post a Comment

Nga Flori Bruqi : U dhunua nga pronari i lokalit në Porto Palermo, ky është miliarderi pjesë e qeverisë së Spanjës

Imazhi i Shqipërisë edhe kësaj radhe në qorr sokak?! https://www.youtube.com/watch?v=tklKY6hp09w Turistët span...