Pëllumb Kulla : GOMARI NË FILM....DHE “Rrëfenja nga Amerika”





















Pëllumb Kulla ,ka lind në Zëmblak, Korçë në 1940 U diplomua aktor nga Shkolla e Lartë “Aleksandër Moisiu” (sot Fakulteti i Artit Skenik të Akademisë së Arteve, Tiranë) më 1964 dhe u emërua regjisor i Estradës së Vlorës. Një vit më pas i bashkohet trupës së aktorëve të Teatrin të atij qyteti.
Më 1967 bëhet papritmas viktimë e luftës së klasave, për “shkaqe biografie” dhe detyrohet të bëjë punë të ndryshme, në gurore, minierë e më pas në ofiçinë.
Ky “stazh” zgjat plot katër vjet, derisa kalon me sukses një test, si regjisor i Estradës së Fierit.
Më 1972 emërohet aktor në Teatrin “Bylis” të Fierit, por për 18 vjet me rradhë punoi si regjisor i Estradës dhe Teatrit atje.
Nën drejtimin e Kullës, Estrada e Fierit bëhet shpejt një nga më të suksesshmet në vend, duke fituar çmimet më të larta në festivalet kombëtare. Firmos libretin dhe regjinë në pesëmbëdhjetë spektakle, ndër të cilët “Çobo Rrapushi me shokë” (1980) bëhet një sukses kombëtar afatgjatë. Gjatë kësaj kohe shkruan më se 300 skeçe dhe komedi një aktëshe, 40 kuplete dhe 23 monologje, shumica e të cilëve shfaqen në TV. Një pjesë e kësaj krijimtarie voluminoze botohet nga Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” nën titujt “Lipe Shtogu në listë” (1979), “Shoku Niqifor” (1981), “Portrete pa makiazh” (1983), “Po martojmë Malon” (1984), “Këshilla për fëmijët e moshave nga 5 deri 55 vjeç” (1988), si edhe në buletinin “Teatër”. Nga 1977 deri më 1990 është bashkëpunëtor i përhershëm i TVSH për spektaklin e Vitit të Ri.
Më 1987 i jepet Çmimi “Naim Frashëri”.
Paralelisht me punën në Estradë, realizon dhjetë produksione dramatike, të gjitha drama ose komedi të shkruara prej tij, nga të cilat shquhen “Shoku Niqifor”, “Dy krismat në Paris”, “E bukur shtëpi e vjetër”. Produksionet shfaqen me sukses në të gjithë vendin, si edhe në festivalet kombëtare, por nuk arrijnë kurrë më lart se çmimi i dytë. Përjashtimin e bën komedia “Sa shumë gjethe të thata atë vjeshtë”, vënë në skenë nga S. Duni në Teatrin “Skampa” të Elbasanit, që fitoi çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të vitit 1989. Po këtë vit, Kulla nderohet me Çmimin i Republikës, në fushën e satirës dhe humorit.
Në vitet ’80, humori i Kullës bëhet i kërkuar edhe në kinema. Me skenar të tij xhirohen kinokomeditë “Telat për violinë” dhe “Stolat në park” si dhe autor e regjisor i skenarit me metrazh të mesëm televiziv
Ndërsa në fushën e letrave, një tjetër ndihmesë e Kullës është përkthimi i autorëve të njohur si Pirandello, Çehov, Gogol, De Mysse, Buzzatti etj.
Më 1990 largohet nga Fieri, për të nisur punën si pedagog, e më pas Dekan i Fakultetit të Artit Skenik, në Tiranë.
Karriera e tij pedagogjike nuk zgjat shumë, pasi zëvendësohet nga ajo diplomatike. Më 1992 emërohet Sekretar për Kulturën dhe Shtypin në Ambasadën e Shqipërisë në Bon, Gjermani dhe një vit më pas Ambasador në Misionin Shqiptar pranë OKB, në Nju Jork (1993-1997).
Gjatë qëndrimit në SHBA botoi essenë e gjatë me një studim të gjithanshëm të humorit nën diktaturë, “Si qeshnim nën diktaturë” dhe vëllimin me tregime “Rrëfenja nga Amerika”.
Më 2003 u kthye përkohësisht nga SHBA, për të vënë në skenë të Teatrin “Bylis” komedinë e tij “Kërcuri”.
Aktualisht jeton në SHBA.


*****

Gomari në film 



-Ç'më tregoi një kinoregjisor që xhiroi një film në fshatin tim-
Filmi kishte temën e fshatit.
Një natë u kthyem të lodhur nga sheshi i xhirimit dhe u shtruam të hanim darkë në çadrat, që kishim ngritur në afërsi te Gollokamjes. Kishim mbaruar së filmuari një episod, në të cilin heroi i filmit tonë lexonte gazetën, teksa ecte shaluar mbi gomarin e tij. Gomari, i lënë me kapistër zvarrë e nga ta hiqnin këmbët, duhet ta shpinte heroin tonë drejt e në mbledhjen e organizatës së grave. Me një fjalë, kërkohej diçka bufe, gazmore e tepër e thjeshtë, por gomari i pamësuar na e pat bërë atë ditë, punën ferr...
Nejse, në mbrëmje, pa pritur, na u shfaq në çadër kryetari i Këshillit të fshatit... E njeh?
- Jo. Më duket se është një i ri, - iu përgjigja.
- ... Ai e gjeti grupin tonë rreth tryezës. Hanim e flisnim për punën e asaj dite. E ftuam kryetarin të ulej me ne, por ai nuk pranoi. U interesua për hallet që kishim, a ishim të kënaqur nga furnizimet, që fshati na i sillte aty në çadër, e tjera... Si vajti puna sot, na pyeti më në fund. Mirë, i thamë. Pastaj na pyeti se ku dhe çfarë kishim filmuar e kur ne ia treguam, ai nuk dinte se qysh të na e bënte vërejtjen, për të cilën edhe ish munduar deri aty.
- Shikoni si është puna! - tha. - Mua më vjen zor, bile shumë zor, se ky që do t'ju them, është një budallallëk, por ju nuk duhet të bëni gjëra pa na pyetur ne të Këshillit.
Ne nuk po ia kuptonim hallin.
- Gomari që keni përdorur ju për filmin, nuk bën... Ai gomar, i përket një njeriu,
që ka qënë shtatë vjet në burg... Ne, të zotin e asaj kafshe, e trajtojmë si një njeri të padëshiruar, të deklasuar, që ta kuptoni më mirë.
Ne në fillim shqyem sytë, pastaj ia plasëm gazit. Atij nuk i erdhi mirë.
- E di që është për të qeshur, por këto punë janë me bela, - na tha. - Na pyesni ne, dreqi e mori! Përse jemi ne këtu?!




- Gomari është gomar! - ia kthyem ne. - Nuk ka as emër, as lidhje me luftën dhe socializmin. Ç'na duhet ne i zoti?!!
- Dakord. Tërësisht dakord, por ja... nuk bën.
Dhe na shpjegoi, që ai as do të na shqetësonte fare, por në fshat kishin plasur grindje dhe puna qe trashur. I zoti i gomarit po çmëndej nga lumturia, që ia kishin marrë kafshën në film. Ai e quante këtë një nder të madh e prapa kësaj shihte një të ardhme të qetë. Gjoja nga qeveria kishte ardhur udhëzimi që ta trajtonim më mirë.... Ja, së pari, kish thënë ai, filluan me gomarin e tij! Ia kishin marrë në film!... Kaqë ishte, pat thënë ai, mbaruan kusuret e mia! E përpjeta filloi!
Në çastin që kryetari po na qortonte, i zoti i gomarit ndodhej akoma në klubin e fshatit dhe qeraste me raki të gjithë sa afroheshin në banak. Kjo pat shkaktuar zili dhe shumë bashkëfshatarë kishin trokitur në Këshill. Ata e ndjenin veten të fyer dhe kishin thënë se nuk do të shihnin kurrë një film, ku zinte vënd gomari i një armiku të pushtetit. Ata ndjenin për të urrejtje klasore. Më kishin sharë mua regjisorin dhe operatorin tim, që, me sa dukej, kërkonim të zbutnim luftën e klasave në Gollokamje.
Ndërsa kryetari na vinte në dijeni për zhurmën e ngritur, ne qeshnim e qeshnim. Por edhe i pari i fshatit u fye.
- Ju mund të qeshni sa të doni, - na tha, - por ne me këta njerëz kemi të bëjmë. Ju nuk keni të bëni vetëm me mua. Iku, vërtet, koha e Rako Barutit me shokë. Ne që drejtojmë tani, kemi mentalitete të reja. Unë jam agronom i lartë dhe më vjen t'ju bashkohem e të qesh me ju deri në mëngjes. Por fshati, të dashurit e mi, është po ai. Nuk ka vajtur në shkollë të lartë fshati. Më besoni: nuk kthehem dot në shtëpi, se tërë më janë mbledhur aty para oborrit, kanë rreshtuar gomarët e tyre, si për të thënë, shoku kryetar ja ku i ke këta që mbajnë drutë e shkarpat. Kur është puna për qef, për filma e bilmemera, thirren gomarë të tjerë, ëh?!. Dhe këto punë janë me telashe. Të më pyesnit mua, e kisha zgjidhur këtë punë për bukuri. Gomarë të pashëm dhe me përbërje të mirë, ne kemi plot në Gollokamje!
I thamë se ne kishim udhëzime të përpikta, që kryetarët e këshillave duhet t'i pyesnim vetëm kur bëhej fjala për të angazhuar figurantë.
- Po gomari, a nuk është, si i thoni ju, figurant?! Zjarrin na keni futur, zjarrin!
Dhe kryetari u nda me ne i zemëruar. Sa pa u larguar ai, ne i mbytëm të qeshurat, pastaj nuk i mbajtëm dot më. Qesh e qesh e qesh, na u lodhën brinjët atë natë!
Pas dy ditësh, ne mbaruam xhirimet, shkulëm çadrat dhe u kthyem në Kinostudio. Materialet e filmuara i kishim në laborator dhe të gjithë këtë histori ia treguam Drejtorit të Përgjithshëm, teksa po na gostiste me kafe. Ai desh ra përmbys mbi filxhanët e kafesë. Thirri shefin e kuadrit dhe na shtërngoi ta nisnim tregimin nga e para. Të dy fshinin lotët dhe mbanin brinjët me duar.
- Hej, sa prapa kanë ngelur atje, në fshat! Edhe gomarëve duan t'u kufizojnë të drejtat... Ç'faj ka e gjora kafshë?! E po deri këtu?!!
- Sa herë të shikoj filmin tuaj, - na tha drejtori, - unë me siguri nuk do ta mbaj dot gazin.
Por nuk qe e thënë ta shikonte. Ca ditë më pas, ndërsa po bënim montazhin, drejtori hyri në laborator, hundë e buzë.
- Dëgjoni këtu! -tha. - Nuk do të bëni asgjë, pa pyetur autoritetet! Kudo ka njerëz gjithfarë... Të papërshtatshëm... Ka shtëpi famëkeqe të eksponentëve të reaksionit...
I thamë se udhëzimet i dinim përmendësh dhe se i zbatonim ato gjithmonë.
- Mos m'u shitni si ëngjëj! - uluriti ai. - Nuk më treguat ju për atë gomarin? Kështu i zbatoni udhëzimet?!
Unë dhe asistenti im u pamë sy ndër sy.
- Po ju shoku drejtor... qeshët!
- Qesha, tamam qesha!... Se edhe unë i marr lehtë ca gjëra. Por më kanë zbrazur sot një dush të ftohtë në Komitetin Qëndror të Partisë! Që ta mbaj mend!...Zënkat në Gollokamje ishin bërë të përditëshme. Ai i zoti i gomarit, - më gomar se gomari!... Në vend që ta linte me aq, ishte bërë i padurueshëm. Vërtitej kakapër nëpër fshat, sikur kishte pushtuar Hollivudin! U ngrinte nervat bashkëfshatarëve... Kur ata kalonin përpara tij, me gomarët e tyre, ai ua shihte kafshët e gjora me përçmim dhe u nxirrte gjuhën. Ata nuk e kishin duruar dot dhe gomarin e tij ia kanë hedhur nga shkëmbi. Që ta dini, ai artisti juaj, ju la shëndetin, i ktheu potkonjtë nga dielli!
Dhe kish një kënaqësi të egër në dhënien e këtij lajmi!
- E po, për besë, kjo është poshtërsi! -nuk u përmbajta unë.
- Thua ti! -m'u përvesh drejtori. - Në fshat, kishin nxjerrë thikat. Fis me fis. Një plenum i Partisë në rreth, u mblodh vetëm për këtë problem!
- Për... për një gomar???!!!
- Jo për gomarin! Jo për gomarin!.. Nuk ka komitet që të mblidhet për një gomar! Në rend të ditës kishin vënë format e spërdredhura të shfaqjeve të luftës së ashpër klasore. Por ama, në fakt, ai gomari juaj, ja, mblodhi një plenum! Pastaj, varda problemet: kishin trajtuar unitetin; kishin përmendur një për një format e stërholluara të lëshimeve, që kërkon armiku; kishin rikujtuar se armiku kërkon të futet atje ku duket se, gjoja, nuk ka asnjë të keqe, se ne rrezikojmë lirinë, e tjera, e tjera... E në fakt, nuk diskutohet, që ajo e gjora liri e shqiptarëve është në valle!
Dhe drejtori u mat të ikte. Kur arriti tek dera, unë guxova:
- Sidoqoftë, ne e bëmë. Ai episod...
- Episodin hiqeni! - na urdhëroi prerë. - Atë gomar, nuk dua ta shoh në film!
Dhe ai episod u hoq. Mëkat! Gomari i gjorë, që luante në të, vërtet nuk i plotësonte kushtet politike, por diçka mund të kishim bërë. Duhej në fakt të tregoheshim më të matur. Por dukej bukur. Ishte vërtet një gomar me nur. Phë!
1988


*****
Personazhet e tij, qëmtuar në jetën e rrëmujshme e plot zhurmë të Amerikës, Pëllumb Kulla i sjell edhe njëherë në vëmendje. I ribotuar nga “Toena”, "Rrëfenja nga Amerika" i shkrimtarit dhe regjisorit Pëllumb Kulla është promovuar në Teatrin e Metropolit në Tiranë.

Në këtë cikël rrëfimesh, ku spikat stili me humor e satirë, autori ka sjellë personazhe tipikë që rrëfejnë jetën e emigrantëve apo komunitetit shqiptar në Amerikë përgjatë një dekade. Por jo vetëm kaq. Në një udhëtim të vazhdueshëm mes Amerikës e Shqipërisë, Kulla nuk ka qenë kurrë i shkëputur nga realiteti shqiptar. Madje ka qenë i pranishëm me publicistikën e tij. Duke treguar për Amerikën autori nuk shmanget pa satirizuar jetën postdiktatoriale shqiptare.

“Autori nuk na rrëfen krejt Amerikën. Atij i kanë interesuar vetëm ato copëra Amerike, ajri i të cilave rrethon kolonët shqiptarë të atjeshëm, personazhe të vërtetë që i ka zili çdo letërsi, të cilët si miu kungullin, kanë tërhequr e ndryrë nëpër kontinentin e largët të djeshmen e përbashkët me mëhallët e fshatrat e tyre ballkanomesdhetarë, kulinarinë, heronjtë variabël, parullat e socializmit, të folmet e veta me erëza pikante e beharna të vjetra orientale, përfytyrimet e tyre italo-televizive mbi të sotmen”, ka shkruar për këtë libër poeti Ervin Hatibi.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri