Psherëtima në vargjet vallzuese apo Vullnet Mato i ri....

Krijimtaria e poetit të mirënjohur kombëtar Vullnet Matos është si , një pus i thëllë me ujë të kulluar e të kristaltë , ne sot botojmë në Floartpress , disa poezi të reja të tij , të cilat janë një pikë e kulluar uji në gjithë burimin e pashtershëm ,të papërsëritshëm që quhet Vullnet Mato ..!!!









BREGDETI JUGOR

Bregdeti jugor,
një dhurim qiellor,
me ullinj e portokalle,
me perëndime ngjyrë alle,
me treqind ditë diell prarues,
me net hënore dhe yje vezullues,
me hije palmash dhe aromë dafine,
me brigje të blertë dhe det blu-marine, *
me mjaltë lule cfake dhe bukë pala fiku, _____________________
me peshk gjithë llojesh dhe bronzim korriku, __________________
me këngë iso dhe brigje kaltëroshe ku rreh vala,_______________
me djem shtat - peshku dhe me vajza trup - ngjala,_____________
me kohën që të shkon sikur po bën shëtitje në përrallë,__________
me truallin si vargje poezie të vendosura përmbi shkallë, ________
ku nga Llogarai te Qafa e Botit, ndjehesh bir i llastuar i zotit.______

NË PËRVJETORIN E LINDJES      

Dielli të më jepte në trup
pak energji nga rrezet,
qielli të më dërgonte në sy
ca vezullime yjore,
era të më dhuronte
pak freski nga mëngjeset,
mund të bëhesha prapë
si  në vitet rinore.

Shkëmbinjtë të më jepnin
në muskuj forcën,
ujëvarat shkathtësinë
e vrulleve kërcimtare,  
lëndinat dendësinë mbirëse
të barit te flokët, 
mund kthehesha sërish
te mosha djaloshare.

Lulishtet të më falnin
pak nga hijeshia e tyre,
çiftet të shtonin për mua
një puthje më tepër,
dashnorët të më jepnin
pak ngazëllim fytyre,
me siguri do bëhesha i ri
dhe i bukur patjetër...


PRET NJË GRUA NË VERI


Është një shtëpi fshati larg në Veri,
mes borigave halore pranë një pylli,
një shtëpi bore me të pjerrtën çati,
te një livadh i bleruar që puth dielli.
Në atë shtëpi me qeleshe reje mbi krye,
pret një malësore me llërë të përveshura,
një faqekuqe që kënaqet me lexime poezie
dhe te buzët nuk i perëndon e qeshura.
Ajo grua më ftoi mik para disa vitesh,
bashkë me burrin, një malësor trupfort,
të shkruaj vjersha e të veroj aty pushimet,
por nuk pata rast dhe nuk shkova dot.
Ajo çdo mëngjes, kur fshin oborrin,
shkund gjoksin e madh duke vallëzuar,
mjel lopën, zien qumështin, zë kosin
pastaj pjek kulaçin e grunjtë për mua.
Ka dërguar letra me disa re bardhoshe
ku ka shkruar me lapsin e kuq të rrufesë:
“Eja, or mik, se ne po të presim prej kohe!“
Do shkoj t’i lexoj këtë vjershë para se të vdes.
LETRA E FSHEHUR NË HARRIM

Në mes librash tek shfletoja
gjeta një fletë dyshe të shkruar.
Ca pika loti përmbi shkronja
fjalë zemre kishin mjegulluar.

Vetëtima kujtimi më ndezi në sy
ajo vajz’ marrëzisht e dashuruar.
Njomëzakja me shtatin e saj perri
më erdhi në përfytyrim e lotuar.

Ah, moj leshverdhë, flori i prerë,
ardhur befas nga koha në harrim,
me ç’fjalë ta vrava zemrën atëherë
që derdhe aq lot për shkakun tim?

Kush më bëri xheloz aso kohe
për buzët e tua të trëndafilta?
Më vraftë zoti, që të bëra lotove
me dyshimet e mia të përcipta!

Të kisha këto mend qysh në rini,
o yll i këputur i asaj kohe të plakur,
dhe dhembshurinë që kam tani,
veten me grushte do kisha rrahur...

Që ti të qeshje dhe në pleqëri
kur të kujtoje këtë lloj rrahje.
Se pendimi dhe falja te çdo njeri,
nënkupton dashurinë e madhe...

FIZARMONIKAT DHE SAKSOFONAT


Më zbrazen në shpirt
jehonat e një fizarmonike,
më derdhen në gjoks
oshtimat e një saksofoni
dhe nis më vallëzon
nëpër pistat e syve
koha kur gjoksi vajzëror
ndizte pasionin.

Behari më sjell
psherëtima nën yje,
vjeshta çuçurima
puthjesh nën gjethe,  
me vegime nga ato
marrëzi djalërie,
që ikën një herë
dhe prapë nuk kthehen.

Lumenjtë vrapojnë
nga brigjet dhe honet,
të shuajnë tokat
që avullojnë nga vapa.
Çiftet e rinj turren
të ndezin pasionet
mbi hirin e puthjeve
që lamë ne prapa...

Koha dogji
zjarret e pasioneve tona,
por mendja dashuritë
kurrë s’i harroi.
Ndonëse tani fizarmonikat
dhe saksofonat,
përcjellin jetën tonë
që u nis të shkojë...
ËNDËRR E MAHNITSHME

Në një gjumë të thellë, shoqëruar me vegime,
pashë ëndrrën më të mahnitshme të jetës sime.
Kryetarët e shteteve nga e gjithë bota mbarë,
u mblodhën urgjent në kongres ndërkombëtar.

Me ultimatum nga një fuqi madhore planetare,
të vendosnin kudo në glob paqen përfundimtare.
Pas debatesh se kush detyrën mund ta zbatonte,
së fundi vendosën emrin tim për president bote...

Kur më dërguan emërimin më tronditës se tërmet,
zemra më ngriu dhe qimet m’u ngritën përpjetë.
Unë një copë kalemxhi në lagje romësh strehuar,
të bëhesha i pari i botës me miliarda të shkalluar!...

S’i të pranoja peshën e rëndë të globit mbi supe,
të më flaknin agresorët me ndonjë raketë tutje?...
Por avioni presidencial dërguar nga vetë Obama,
më priste te oborri me qeska, bajga dhe xhama.

Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara u prita,
sikur të isha ufo i largësive qiellore me galaktika.
Dhe sapo komandën supreme mora me brohori,
kërkova urgjent zonjën time të ma sillnin përbri.

Pastaj me skeptrin e presidentit të botës në dorë,
dhashë urdhër presidentëve të tjerë inferiorë,
luftënxitësve t’ua futnin këmbët në një këpucë,
të fshinin përgjithmonë nga truri fjalën “luftë”.

Vura në lëvizje të rreptë për njëzetekatër orë,
të ngarkohej mbi mjete gjithë armatimi tokësor.
Në të tëra portet zbarkoi çdo fishek e raketë,
dhe i varrosa të gjitha në fund të Oqeanit të Qetë.

Ushtarakët i zhvesha dhe uniformat i civilizova,
dhashë detyra të riformatohej në veprime bota.
Uzinat që kishin pasur vdekjen e njeriut në linjë,
të prodhonin ilaçe dhe lodra elektronike për fëmijë.

Dollarët, eurot, rublat, jenët e fondeve ushtarake,
ua dhashë kudo nënave dhe strehëve varfanjake.
Sapo i bëra një për një e me saktësi këto punë,
gruaja më shkundi fort siç isha ende në gjumë:

Ore njeri qejfi, që s’çan kokën për halle shtëpie,
çohu të blesh pakon me kus-kus e ca djathë dhije,
se s’kam fjetur as pesë minuta dhe të lë pa ngrënë,
të hash atë që ma tunde me qejf të madh mbrëmë!...

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri