Shqipja letrare dhe gjuhëtarët e pasluftës





Nga Agustin Kalaja

Çmitizimi është një thikë me dy presa, që pret nga ajo anë që e drejton njeriu, sipas qëllimeve që ka. Te ne, nën pretekstin e luftës kundër totalitarizmit, çmitizimi është përdorur si mjet asgjësimi, duke i rënë ndesh edhe interesave kombëtare. Kështu:


u bënë përpjekje “për të çmitizuar” heronj të luftës së Dytë Botërore (p.sh. heronjtë e Vigut), Plakun e Vlorës (Ismail Qemali), heroin kombëtar (Skënderbeu), kurse tani na bëhet thirrje “të çmitizojmë historinë e shqipes standarde”, e cila, sipas autorit të kësaj teorie, vuan nga: . 1. Miti i “superioritetit” sasior të toskërishtes së shkruar; 2. Miti i “njësimit” të toskërishtes së shkruar; 3. Miti i dy “bashkëvarianteve” letrare veriore; 4. Miti i koinesë letrare “sui generis”. 
Për “mitin” e parë, prof. B. Beci thotë: “Për të treguar nivelin e zhvillimit të variantit letrar jugor në krahasim me variantin verior, është shkruar se, nga Rilindja e gjer më 1944, dialekti më i shkruar e më i përhapur me shkrim në vendin tonë qe vazhdimisht jugori ose “koineja letrare jugore”, e cila, jo vetëm gjatë Rilindjes, por edhe në dhjetëvjetorët e mëpastajmë, kishte pasur një përhapje më të gjerë në shkrim sesa dy bashkëvariantet veriore, dhe për këtë jepeshin edhe të dhëna statistikore”.
Sipas prof. B. Becit, “të dhënat statistikore të sjella për të vërtetuar mbizotërimin e toskërishtes letrare ndaj gegërishtes letrare janë të manipuluara nga pozita të caktuara”. Provat për këtë pohim, ai i nxjerr nga njoftimet statistikore të studimit “Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqiptare”, botuar më 1997 nga S. Çapaliku, i cili ka shkruar se “shekulli XVII është shekulli i gegërishtes. Unë i pranoj të mirëqena këto shifra, sepse janë të njëjta edhe me ato që jep Dh. Shuteriqi më 1949, me përjashtim të shekullit të XX-të, që ai nuk e mori në shqyrtim dhe që është plotësuar sot nga S. Çapaliku, duke na vërtetuar në mënyrë të pamohueshme se gegërishtja nuk paska qenë e ndaluar, se ai liberalizmi gjuhësor, për të cilin flet profesori i nderuar Emil Lafe, qenka më se i vërtetë. Por, unë nuk mund të pranoj kurrë komentin e z. Çapaliku, mbështetur edhe prej prof. B. Becit, që:“Shkrimin në toskërisht, sa i takon numrit të veprave, e ndihmon kontributi letrar i bashkësisë arbëreshe të Italisë... Përndryshe, raportet në mes dy dialekteve të shqipes, nxjerrë prej librash të botuar e të shkruar brenda Shqipërisë, do të rezultonin në favor të gegërishtes letrare”.
Sa miopi e sa ndasi fsheh në vetvete ky “argument”! Çfarë e shtyn autorin të bëjë përllogaritje të tilla cinike dhe aspak shkencore? Po toskërishtja, ashtu si gegërishtja, është kryedialekt, nuk është një nëndialekt a një e folme e humbur, që dikujt i desh qejfi dhe e vuri në krye të sofrës, për të “dhunuar të drejtat e gegërishtes”! Mua më vjen turp të zgjatem me këto lloj stërhollimesh, ku bien brenda vetë ata që i sajojnë dhe që vetëm shkencë nuk janë, prandaj po e përmbyll këtë pikë me citimet si më poshtë:
“Letërsia jonë kombëtare, ka thënë Prof. Çabej, vjen si rrjedhojë e derdhjes në lumin e letërsisë kombëtare të shekullit XIX e tri qarqeve parakombëtare: Qarku katolik i Shqipërisë Veriore, Qarku italo-shqiptar dhe Qarku ortodoks i Shqipërisë Jugore.
“…në shekullin XIX, shtjellon prof. Çabej, idetë e shekullit të dritës (shekullit XVIII) dhe ato të romantizmit nisin e përhapen dhe në Shqipëri edhe në diasporën shqiptare… pemët e para të kësaj lëvizjeje mendore,… u dukën së pari,… tek arbëreshët e Italisë me Jeronim De Radën në krye. Për “mitin e  dytë”, prof. Beci, duke u mbështetur kryesisht në analizat që ka bërë N. Resuli për veçoritë e gjuhës së shkruar të autorëve me origjinë jugore dhe duke vjelur maja-maja të dhëna nga vepra e Naim Frashërit, arrin në përfundimin se është e vështirë të përligjet pretendimi i përfaqësuesve të gjuhësisë së pasluftës për praninë e “një koineje letrare gjithëjugore me një bazë të gjerë” dhe me “një nivel të lartë të njësimit”. Pra, sipas tij, toskërishtja letrare ka qenë e copëzuar, sepse çdo shkrimtar ka shkruar në nëndialektin e tij dhe jo në një toskërishte letrare.
Sigurisht që ky është një përfundim i pasaktë, sepse shkalla e njësimit të toskërishtes apo të gegërishtes së shkruar nuk mund të matet me lëkundjet në gjuhën e njërit apo të tjetrit autor, nuk mund të matet me statistika sasiore të thata që nuk pasqyrojnë evolucion, por me dukuri të përgjithshme e të përbashkëta në zhvillim. A. Xhuvani shkruante se proza e Naimit bashkë me atë të Vretos, të Mitkos e të tjerëve shkrimtarë toskë të Rilindjes formon toskërishten e vjetër kurse ajo e mbas kësaj periudhe formon toskërishten e re. Atëherë lindin pyetjet:
1. Si paraqitej toskërishtja e re, më pak apo më shumë e njësuar se toskërishtja e vjetër?
2. Si matet shkalla e njësimit të toskërishtes letrare: nëpërmjet mesatares matematikore të toskërishtes së vjetër e të re bashkë, apo nëpërmjet grafikut të zhvillimit të përgjithshëm cilësor?
3. Cilat ishin vlerat dhe përhapja e literaturës së shkruar në toskërisht?
Që të gjithave u jep përgjigje prof. Çabej, kur thotë:  
“Për mbledhjen e folklorit pak u bë, me përjashtim të "Bletës shqipëtare" të Th. Mitkos; po ç'u la mënjanë në këtë fushë, u kompensua më së miri me anën letrare e gjuhësore.
“Miti i tretë”, sipas autorit të artikullit, është krijuar nga gjuhëtarët e pasluftës për të bindur shqiptarët se në dialektin geg ka pasur dy variante letrare: shkodranishtja dhe elbasanishtja, kur në të vërtetë varianti letrar i elbasanishtes nuk ka ekzistuar.
Ky arsyetim është një përllogaritje e ngjashme me atë të S. Çapalikut, i cili bën zbritjen arithmetike të prodhimit letrar e gjuhësor arbëresh nga ai tosk. Po ç’rëndësi ka? Nuk ka qenë variant letrar, por ka qenë dialekt i gegërishtes, i vendosur nga Komisia Letrare e Shkodrës (më 1916) për t’u përdorur si gjuhë shkrimi në të gjithë territorin e gegërishtes e në një pjesë të mirë të territorit të toskërishtes. Me mitin e katërt, prof. B. Beci kundërshton shqipen standarde si variant letrar mbidialektor, duke shprehur bindjen që ajo është një toskërishte veriore e ngritur në normë, falë ligjërimit të saj prej shtetit komunist, sepse, sipas tij, dukuritë e sjella në studimet e pasluftës për të vërtetuar bashkëveprimin ose integrimin e tipareve dalluese të dy dialekteve kryesore të shqipes nuk janë tipare dalluese.
Së pari, dëshirojmë të themi se nuk është e re që shumë gjuhë standarde janë ndërtuar mbi një dialekt të caktuar, por është e pazakontë që gjuha letrare, siç është rasti i shqipes, të miratohet, të zbatohet dhe të shërbejë si symbol identiteti përtej kufijve shtetërorë. Në rrethet intelektuale të Kosovës e të Maqedonisë, që i kishin kuptuar përpjekjet e politikës jugosllave për t'i ndarë edhe gjuhësisht shqiptarët e Jugosllavisë nga trungu mëmë, erdhi duke u forcuar bindja se për ruajtjen e njësisë kombëtare duhej ruajtur njësia gjuhësore. Dhe kjo u arrit në Konsultën e Prishtinës të prillit 1968, e cila pranoi pothuajse plotësisht "Projektin e drejtshkrimit të gjuhës shqipe", të botuar në Tiranë më 1967. Por prof. Beci, i mbërthyer pas fonetikës shqipe, për të cilën është dërguar për specializim katër vjet në Francë pikërisht nga ai akademiku “sovjetik” Kostallari dhe nga ai shteti komunist, përpiqet t’i mbushë mendjen lexuesit se dy kryedialektet e shqipes dallohen më së forti në sistemin fonetik, ku, si tipare dalluese më të rëndësishme, që duhet të jenë të pranishme në njësinë bazë të gjuhës letrare, mund të vlerësohen: hundorësia zanore e gegërishtes, që mungon në toskërishte, dhe prania e fonemës zanore të theksuar ë në toskërishte, e cila mungon në gegërishte (geg. na:n / tosk. nën(ë)), për shkak se këto lidhen me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të dy dialekteve të shqipes. Kurse rotacizmin, domethënë praninë e fonemës [ r ] në atë grup fjalësh që në gegërishte dalin me fonemën [n]: (geg. bana / tosk. bëra), e shikon si ndër tiparet dalluese më pak të rëndësishme në fonetikë. E thënë më thjesht: gjuha letrare shqipe duhet të pasqyrojë më së pari kam ba e banasesa kam bërë e bëra.
Askush nuk mohon që këto dallime fonetike janë të rëndësishme, por për studimin e dialekteve dhe jo për gjuhën letrare, një nga parimet e së cilës është theksimi dhe fuqizimi i tipareve dalluese integruese e konvergjuese të gjuhës. Le ta konkretizojmë këtë, duke marrë si shembull pikërisht tiparet që citon më sipër prof. B. Beci: hundorësinë zanore të gegërishtes dhe rotacizmin e ruajtjen e zanores së theksuar ë në toskërishte.
Për zanoren ë të toskërishtes, gjykojmë se mjafton të përmendim se ç’ka thënë për të Prof. Çabej në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972, pikërisht aty ku u shpall formimi i gjuhës letrare kombëtare shqipe:
“Kur Komisia Letrare e Shkodrës, në "Parimet e rregullat" që caktoi për drejtshkrimin e shqipes aty nga fillimi i vitit 1917, vendosi që zanorja ë e pathekse, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj do të shkruhen të plota ashtu si i ruan këto toskërishtja e pjesërisht dhe disa nëndialekte të gegërishtes”. Pra, për këtë arsye shkencore dhe madhore për gjuhën letrare shqipe, zanorja ë, grupet zanore ie, ue, ye dhe grupet bashkëtingëllore mb, nd e ngj të toskërishtes janë përfshirë në njësinë bazë të themelit të saj qysh në fillimet e shek. të XX-të, dhe po për këtë arsye nuk u ndryshua as nga gjuhëtarët e mëvonshëm.
Për hundorësinë zanore të gegërishtes, duhet të theksojmë se është një dukuri që nuk mungon vetëm në dialektin tosk, por edhe në një varg të folmesh të vetë gegërishtes, si në ato të Dibrës, Ulqinit dhe pjesërisht të Tropojës e të Malësisë së Gjakovës (mungesa e o-së hundore), të Llapit (mungesa e zanoreve hundore i, o, u), të Shalë Bajgorës (mungesa e zanoreve hundore  i, u, y), të Preshevës e Bujanovcit (mungesa e ë-së hundore) etj.
Gjithashtu, hundorësia i ka bjerrë bashkëtingëlloret hundore m e n, që ndiqnin pas zanoret dhe që ruhen ende në disa të folme të gegërishtes, madje edhe në folklorin e disa të folmeve të toskërishtes jugperëndimore. Kështu, ndërsa në shkodranishte kemi: ka bâ, pâ, prê (me zanore hundore), në disa të folme gege kemi ende: kabam(ë), pam(ë), prem(ë) etj., kurse në toskërisht kemi: ka bërë, parë, prerë. Këto fakte flasin për një dukuri të përbashkët të gjuhës shqipe, që ka divergjuar në rotacizëm në dialektin tosk dhe në hundorësi zanore në dialektin geg. Pra, në bazën fonetike të gjuhës letrare shqipe, përveç elementëve të përbashkët, janë gërshetuar elementë e veçori dalluese, por me prirje konvergjuese, të dy dialekteve të shqipes, prirje për të cilën prof. Çabej shkruan:
“Po qenësore, esenciale në këtë mes, në dallim nga periodat e mëparme të historisë së shkrimit të shqipes, është që vija e zhvillimit gjuhësor shkon drejt konvergjencës. Dhe ajo shkon në thelb vetvetiu, në pajtim me ligjet e brendshme të gjuhës. Ky proces nuk mund të çmohet kurrë mjaft në rëndësinë e tij. Ai ka për të vepruar më tej edhe në të ardhmen” (Fjala në Kongresin e Drejtshkrimit, Tiranë, 1972).
Kurse argumentit të prof. B. Becit për rëndësinë e hundorësisë zanore si tipar që lidhet me inventarin e fonemave dhe veçoritë e funksionimit të sistemit fonetik të gegërishtes, i ka dhënë zgjidhje Kongresi i Manastirit (1908), i cili, krahas çështjes teknike të alfabetit (çështjes së përcaktimit të grafemave), zgjidhi njëherë e mirë e mbi të gjitha çështjen e njësimit të fondit fonetik-fonologjik të ligjërimit shqip, ku zanoret hundore nuk janë përfshirë.
Si përfundim, lënia e hundorësisë zanore jashtë gjuhës letrare kombëtare dhe përfshirja në të e rotacizmit ka arsye shkencore dhe aspak politike apo denigruese ndaj dialektit geg. E njëjta gjë edhe për shkodranishten letrare, për të cilën prof; S. Riza, gjuhëtar, përfaqësues dhe mbrojtës i njohur i gegërishtes, thotë se nuk mund të bëhej gjuhë letrare e përbashkët, sepse kishte shkuar shumë larg në rrëgjimin e formave fonetike të fjalëve. Pra, vendimet dhe veprimet për krijimin e gjuhës letrare kombëtare shqipe janë mbështetur mbi arsye shkencore. Dhe arsyet shkencore nuk lënë vend për krijim mitesh. Mitet për të cilat pretendohet nuk janë mite, por ankesa ankimtarësh e stërhollime që burojnë nga pasione të verbra me frymë bajraktariste, që vetë koha do t’i flakë si sajesa të dëmshme, për t’i lënë vend zhvillimit normal të gjuhës letrare kombëtare dhe nderimit për të gjithë ata që me devotshmëri punuan për të.

Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit