2011-05-23

SHTËPISË I ASHT THYE TRAU…E, “JU”..!?


Nga Fritz RADOVANI:

SHTËPISË  I  ASHT  THYE  TRAU…E, “JU”..!?

            Një nga smundjet ma të rrezikshme për njeriun asht anemia, ose mungesa e gjakut.
            Më duket se asht smundje që trashigohet. Shpesh shfaqet pa u kuptue nga i sëmueti.
            “Jep shejat e veta”...po na shqiptarët jemi ende ashtu si na ka përcaktue një mjek i huej mjaft i njohun në Shqipni, para vitit 1944, që i pat thanë Dr. Federik Shirokës: “Këtu tek ju kam ndeshë dishka krejtë të veçantë. Ju interesoheni për shndetin kur e keni humbë!”
            Një percaktim shumë i saktë. Po bahen 100 vjet që Shqipnia asht e “smuetë” e na, po si të parët tanë, “hajt se tash po i kalon..!” Anemia e ka marrakotë. “Mungesa e gjakut të ri” jo vetem e ka lodhë, por ngadalë ate po e çon drejt grykës së vorrit!
            Shkak i këtij shkrimi asht ba mendimi “anemik” i shumë vetëve që shkruejnë në lidhje me gjendjen e mjerueshme të Shqipnisë së sotme, e pikrisht e kam fjalën për ata që janë në këte gjendje të “smuetë dhe të vajtueshme”, përballë “atyne” që po i pijnë gjakun çdo ditë Popullit Shqiptar!
            Të dy klasat sunduese të Shtetit Shqiptar çohen në mengjes dhe i zen nata tue ba të njejten llogaritje: “Sa humbin në këta katër vjet ba me fitue ata të tjerët?”... “Prandej duhet me fitue me çdo kusht!”...Dhe mbas tyne turma të “smueta psiqike” diskutojnë se “cili kandidat nga komunistët trashigimtarë të regjimit gjakatar të Ramiz Alisë, asht ma i ‘përshtatshëm për me drejtue!?”
            Fillojnë e mbarojnë shkrimet me “biografi” tue ua sha e shilue të parë e të mbramë, deri tek “normat e pacenueshme të nderit familjar”, dhe mbasi tregojnë “origjinën e flliqun të prindëve të tyne”...cilësojnë: “Po si mendohet me votue për këtë e nuk votohet për ate që asht i partisë tjeter!?”...Edhe pse e dinë mirë se të dy palët hipin në kolltukët e Shtetit vetëm sa me i ndrrue tjegullat e binasë së Shtetit, e cila përditë shkon drejt greminës, drejt shembjes...
            Ata që janë ma keq në këte “betejë” hajdutësh, janë ish të përndjekunit, që tash 20 vjet jo vetem nuk kanë fitue asgja nga të dyja palët, po edhe vazhdojnë me kenë “numur kot” në arkat e votimit...Si mund të pranohet që tash 20 vjet asnjë nga djelmtë apo vajzat e tyne nuk ka muejtë me u përgatitë ndër shkollat e Europës apo Amerikës, “sa për farë”, siç thonte dikur Populli, sa me thanë se “e kemi edhe na një që nuk asht as hajn as i korruptuem,... siç janë dy palët tjera!”... Po fatkeqsisht bahen plaçkë e dy “bijave” të PPSh... Të shpronsuemit vazhdojnë me mendue: “A thue po i mbushet mendja hajnit me më kthye makare gjysën, se nuk po ua kerkoj të gjitha ata që më kanë marrë...?” Vazhdojnë e shohin andrra me sy çilë!
            Jo, or jo, nuk ju kthen kush gja! E ka thanë Ramiz Alia që në 1991: “Janë  tonat!”.
            Diskutohen e sterdiskutohen shtetet që i kontrollojnë veprimet...Lexojnë “romane” se çka ngjan me “fashistët  e nazistët” në internet...dhe, “harrojnë” e fillojnë me “dyshue” se në Shqipni, të dy palët që zuna me gojë...janë “legjenda” përballë krimeve të komunizmit që kryen për 46 vjet terroristët Enver Hoxha e Ramiz Alia. Pasuesit e tyne sot po vrasin, vjedhin e plaçkisin, merren me trafiqe e mafie, rjepin Shtetin, shpërdorojnë fondet e hueja, shesin e blejnë tokat e lana djerr...ndrrojnë maskat dhe fillojnë edhe me ba “komedi” me vuejtjet e një Populli që e kanë qitë në rrugë të madhe...me lypë ndër të gjitha shtetet e Botës...dhe, me një paturpsi të panjohun në histori: “Ndrrojnë tjegullat e pullazit... për mos me u lagë “shpina” e tyne” dhe as nuk duen me dijtë se komshijtë presin me po atë kurreshtje si tash 100 vjet.. se:
“Shtëpisë i asht thye trau e kur po bie mbrendë... Pra, kush me marrë TRUELLIN!”
            E kjo “Shtëpi” e mbetun shkret... Vllazen Shqiptarë, ..asht SHQIPNIA!

            Melbourne, Maji 2011.

No comments:

Post a Comment

Nga Flori Bruqi : U dhunua nga pronari i lokalit në Porto Palermo, ky është miliarderi pjesë e qeverisë së Spanjës

Imazhi i Shqipërisë edhe kësaj radhe në qorr sokak?! https://www.youtube.com/watch?v=tklKY6hp09w Turistët span...