Hashim Thaçi "rehaton" edhe Astrit Haraçinë

Astrit Haraçija



Ish-ministri i Kulturës dhe njëri nga projektuesit e “listës Dr. Ibrahim Rugova”, Astrit Haraçija, shumë shpejt do të bëhet “sejmen” i ish-oponentit të dikurshëm politik, kryeministrit Hashim Thaçi, duke iu bashkuar kabinetit të këtij të fundit, si zëvendësministër i Financave. 

Burime të afërta me Qeverinë e Kosovës i kanë thënë “Zërit” se Haraçija do të bëhet pjesë e qeverisë “Thaçi 2”, meqenëse kandidati i listës “Ibrahim Rugova”, Dardan Stublla, nuk është i interesuar për këtë pozitë. 

“Dardani nuk është më i interesuar për këtë pozitë, sepse do të jetë i angazhuar në një projekt ndërkombëtar, e për këtë arsye “Lista Dr.Ibrahim Rugova” është pajtuar që Astrit Haraçija të jetë zëvendësministër i Financave”, ka thënë burimi i gazetës. 

Gazeta “Zëri” të enjten ka kontaktuar me ish-anëtarin e kryesisë së LDK-së, Astrit Haraçija, i cili as nuk ka pohuar dhe as nuk e ka mohuar mundësinë që të emërohet zëvendësministër në qeverinë e drejtuar nga Hashim Thaçi. 

Qeveria e Kosovës në raport me postet e larta është njëra nga qeveritë më të mëdha në numër, jo vetëm në rajon, por edhe në shumicën e vendeve të Evropës. Përveç shtimit të ministrive, siç është ajo e emigracionit, apo Ministria e Zhvillimit Ekonomik, që kanë rezultuar me shtimin e numrit të ministrave, drejtuesit e ekzekutivit kanë shpikur edhe pozita të reja, duke bërë që qeveria të ketë gjashtë zëvendëskryeministra, dhjetëra ministra dhe dhjetëra zëvendës të tyre. 

Megjithatë, vazhdon të mbesë e paqartë pasqyra përfundimtare e përbërjes së qeverisë. Kjo po ndodh meqenëse drejtuesve të ekzekutivit kosovar nuk po iu “ngutet” që t’i publikojnë emrat e të gjithë zëvendësministrave. 

Gazeta ka bërë përpjekje që të enjten të marrë informata më të hollësishme rreth kësaj çështjeje, por një gjë e tillë ka qenë pothuajse e pamundur. I pyetur për arsyen e mospublikimit të listës përfundimtare të zëvendësministrave, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, është përgjigjur shkurt se lista “është tek kryeministri”. 

Gjithashtu ai nuk ka treguar nëse Astrit Haraçija do të emërohet ose jo zëvendësministër i Financave. (Zeri)

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri