Shkodra kryeqendra e kulturës dhe turizmit shqiptar


Shkodra, ky qytet i lashtë 2500-vjeçar, është një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit, i njohur si kryeqendër tradicionale e kulturës shqiptare. Duke ndjerë në këmbët e saj përplasjen e dallgëve të Liqenit të Shkodrës dhe në gjoks gurgullimën e lumenjve të Bunës, Drinit e Kirit, me një dorë të mbështetur në bedenat e kështjellës legjendare të Rozafës dhe tjetrën në Alpet shqiptare, Shkodra të ofron bukuri të virgjëra natyrore që rrallë i has në një vend tjetër të globit.
Në rrjedhë të shekujve, Shkodra, veç etjes së saj për liri e pavarësi, ka afirmuar vlera të patjetërsueshme në rrafshin e kulturës e të artit, tradita të cilat kanë ardhur me bukurinë e tyre deri në ditët tona. Kjo pasuri natyrore ka tërhequr vëmendjen e mjaft shkencëtarëve vendës e të huaj, të cilët i kanë kushtuar mjaft studime. Në Shkodër mund t’i gëzohesh, jo vetëm natyrës së bukur, por edhe historisë, kulturës, zakoneve e rrugës së jetës. Sot ajo me kurajo ka mundur të përballojë sfidat e periudhës së tranzicionit dhe të ofrojë ndryshim, që çdo ditë e më shumë bëhet prezent në jetën e shkodranëve. Resurset e saj historike, natyrore e kulturore tani do të kenë bashkëudhtarë edhe zhvillimet ekonomike e turistike, që duhen njohur e zhvilluar më tej.



Pikat turistike në  Shkodër…
Kalaja e ShkodrësNdodhet në hyrjen jugore të qytetit, në një pozicion dominues, rrethuar nga lumenjtë Buna, Drini, Kiri. Legjenda thotë se kjo kala është ndërtuar nga tre vëllezër. Që fortesa  të qëndronte në këmbë, ata u detyruan ta murosnin tw gjallë gruan e vëllait më të vogël, e cila pranoi të sakrifikohet duke kërkuar që t’i liheshin pa u murosur gjiri i djathtë, për të ushqyer vogëlushin e saj, dora për ta përkëdhelur e përkundur djepin. Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë. Brenda mureve rrethues, ajo ka një sipërfaqe 4 ha. Në sistemin fortifikues një rol të rëndësishëm luan sistemi i kalimeve të fshehta, të nëndheshme. Në të gjitha kohët “Rozafa” ka qëndruar si një roje e fuqishme e qytetit. Kështjella mijëvjeçare në vitet ‘80 i është nënshtruar restaurimit. Ajo është 2 km larg qendrës së qytetit. Deri te porta e saj mund të udhëtosh me makinë, nëpër një rrugë të mirë, pjesërisht e asfaltuar e pjesërisht me kalldrem.
Ura e Mesit
Ngrihet mbi lumin Kir, pranë fshatit Mes, rreth 6 km larg qytetit të Shkodrës. u ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ura është e gjatë 108 m, e gjërë 3.4 m dhe përbëhet nga 13 harqe guri. Harku më i madh ka hapësiren 21.5 m dhe lartësi 12 m. Ajo deri vonë ka shërbyer për të lidhur qytetin e Shkodrës me Drishtin.
Shtëpi karakteristike
Në mesin e shekullit XIX në qytetin e Shkodrës fillojnë të ndërtohen banesa me çardak me disa variante (me çardak në të gjithë ballin e me çardak në një krah). Ato janë të thjeshta, dykatëshe, me katin përdhes të pabanuar. Planimetria e të dy kateve është e njëjtë, kati i sipërm ka tre ose katër mjedise banimi (kuzhina, dhoma e fjetjes dhe dhoma e miqve). Me interes të veçantë trajtohet oda e miqve. Në këtë shtëpi, si tek ajo e Luigj Gurakuqit, Oso Kukës, Pashko Vasës etj., janë të punuara me mjeshtëri tavanet, rozetat, oxhaku, trapazani, dollapet, dera e oborrit etj. Një begati të pasur motivesh paraqesin edhe aplikimet e drurit si element dekorativ. Këto shtëpi kanë oborre të rrethuara me mure të larta. Banesa të tilla, në të gjitha variantet, që ende ruhen në qytetin tonë, janë dëshmi me vlerë, për të njohur natyrën e qytetit dhe shtresat shoqërore që u formuan gjatë shekujve XVIII e XIX.
Fototeka “Marubi”
Qyteti i Shkodrës është vendlindja e artit fotografik në Shqipëri. Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern. Në vitin 1971, me fondet e pasura të dhuruara nga familjet e fotografëve të traditës Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta e Nenshati u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi”. Në fokusin e tyre është Shkodra, me vlerat historike që mbart. Aty gjënden mijëra portrete, kompozime, peizazhe, reportazhe etj., ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, pjesë të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës etj.
Muzeu historik
Muzeu është vendosur në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka.Muzeu është ngritur me koleksionet e Muzeut të Jezuitëve dhe të Françeskanëve gjatë  viteve 1850 dhe 18), duke u pasuruar vazhdimisht me koleksionet e ndryshme, blerjet e herë pas hershme dhe sidomos nga familjet shkodrane, që kanë ruajtur me xhelozi dhe me një vlerësim të posaçëm objekte, dokumente e vepra arti. Kjo pasuri e konsiderueshme numëron rreth 2700 objekte e relike origjinale, 5000 dokumente në më të shumtën origjinale, 40.000 dokumente me vlerë për zhvillimin e arsimit etj. Këtu ruhen dëshmi për të zbuluar e njohur qytetërimin e djeshëm e të sotëm.
Xhamia e Plumbit
në Shkodër është monument kulture me vlera të veçanta arkitektonike dhe kulturore. Është ndër të rrallat objekte të kultit mysliman në Shqipëri e ndërtuar sipas stilit osman, ndryshe nga xhamitë e tjera që janë ndërtuar sipas stilit arab. E ndodhur në hyrje të qytetit, pranë kalasë “Rozafa”, xhamia ka shanse dhe e meriton të tërheqë më shumë vizitorë nga ç’ia lejon gjendja aktuale. E shpallur “Monument Kulture” që më 1948, i shpëtoi shkatërrimit të objekteve të kultit më 1967 kur u ndalua predikimi i fesë. Në dhjetor 1990, aty u mbajt rituali i parë i fesë islame pas periudhës së ndalimit të saj.Kubetë e saj u veshën të tëra me shtresa plumbi dhe gurët për ndërtimin e saj u sollën dorë më dorë nga populli. Xhamia është restauruar më 1863, më 1920 dhe më 1963. Në vitin 1967 një rrufe dëmtoi minarenë e saj e cila ishte ndërtuar me gurë të latuar, ndërsa shtresat e plumbit prej kohësh janë vjedhur.
Galeria e arteve
Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Ajo, në fondet e saj, përfshin vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.
Pedonalja
Falë një fondi prej 45 milion lekësh dhënë nga MTKRS qytetarët shkodranë, por edhe vizitorët e huaj do të mund të shëtisin në këmbë në zonën muzeale, që ndodhet në rrugën “Kol Idromeno” në qytetin e Shkodrës. Kjo u bë e mundur falë përfundimit të punimeve për rikonstruksion e saj. Kërkesa për ta shndërruar këtë rrugë vetëm për këmbësorët ekzistonte prej shumë kohësh, pasi duke qenë e ndërtuar me një stil Venecian në anët saj gjenden ndërtesa shumë të hershme, dhe për këtë qëllim ajo vizitohej vazhdimisht nga turistët vendas dhe sidomos ato të huaj.Ndërsa qytetarët shkodranë po shijojnë ambientet me elementë të shumtë dekorativë, si gjelbërimi, ndriçimi si dhe elementë të tjerë, që janë në funksion të një rruge me të vërtetë shumë tërheqëse. Mjedisi gjeografik bregdetar, liqenor e malësor, pasuria kulturore, historike, zakonet, traditat e këtij qytetërimi të lashtë, janë ofertë me plot interesa njohëse në fushën e turizmit.
Velipoja
Në Jug-Përëndim të qytetit të Shkodrës, 30 km larg, shtrihet plazhi i bukur i Velipojës, me gjatësi 14 km e me gjërësi rreth 300 m, që krijon mundësi të shumta për shfrytëzimin turistik. Ky bregdet është një perlë e natyrës shqiptare, ku gërshetohen aq harmonishëm deti, lumi, plazhi, pylli, laguna e mali, me një rërë të pasur e të pashfrytëzuar, ujë të kulluar, me një rezervat gjuetie. Velipoja është plazh i ri me vlera kurative dhe me kushte klimatike të favorshme.Nëse ju preferoni të pushoni në plazhin e Velipojës, ai të afron mundësi të shumta argëtimi, aty mund të laheni, të bëni shetitje me varkë, të gjuani lepuj e derra të egër, fazana e rosa të egra etj. Për amatorët e peshkimit, deti e lumi i Vilunit pranë plazhit, të afrojnë mundësi peshkimi për qefull e levrek. Nëse dikush udhëton drejt Velipojës ska se si të largohet pa frekuentuar Rezervatin e Velipojës.
Shiroka
Fshati turistik Shirokë shtrihet buzë Liqenit të Shkodrës, poshtë malit të Taraboshit, vetëm 7 km larg qytetit. Ky fshat i vjetër përmendet në burimet e shkruara qysh në shekullin XV. Ka kushte të shkëlqyera klimaterike dhe është qendër pushimi. Ajri i freskët, që vjen nga thellësitë e Alpeve, filtrohet në ujërat e liqenit dhe vjen i shëndetshëm këtu, rrëzë malit të Taraboshit. Shiroka të afron variacione, mund të bëni plazh, të merreni me peshkim, të bëni shëtitje me barkë e të ngjiteni në mal.
Razma
Në rrëzë të malit të Veleçikut, rreth 41 km larg qytetit të Shkodrës, ndodhet një nga vendet më të bukura dhe me klimë të shëndetshme të Alpeve, Razma. Këtu, në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peizazheve malore, është ndërtuar një kompleks banesash të tipit alpin. Në këto mjedise, vizitorët gjejnë vend të përshtatshëm për ekskursione alpinistike, për ndeshje sportive, gjuetie etj. Në Razëm prania e vizitorëve është gjithëvjetore, pasi, përveç verës, ajo është tepër e lakmueshme edhe në dimër kur çdo gjë e mbulon dëbora.
Thethi
Turizmi malor po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuar pas tij, sidomos turistë të huaj.Thethi është fshati më në veri të luginës së Shalës, në mes të Alpeve me një bukuri të radhë, në Veri të Shqipërisë. Shtatëdhjetë kilometra nga qyteti i Shkodrës e lartësi mbi 2500  mbi nivelin e detitme një sipërfaqe prej 2630 hektarësh.Mbështetur në të dhënat historike te grumbulluar, në toponimet që janë në këtë fshat dhe të dhënat gojore të banorëve, origjinën e këtij emri mund ta kërkojmë nga emri “thep”,nga emri “thekër” , apo nga fjala “thellë”. Pasuritë natyrore të kësaj zone janë të lidhura së bashku edhe me trashëgiminë kulturore dhe historike të banorëve vendas, duke formuar kështu, bazat më të rëndësishme për zhvillimin e turizmit. Lidhur me këtë fakt ka shkruar edhe alpinisti Georg Heinshemer, i cili e ka konsideruar Thethin, padyshim, vendin më të përshtatshëm për turizëm ndër Bjeshkët e Veriut të Shqipërisë, duke e krahasuar atë me viset e bukura të Tirolit, Austri. Ndërsa për banorët e kësaj zone, Dr. Franc Nopca ka shkruar se ”po t’u biesh në besë, në asnjë vend tjetër të botës nuk do të ndihesh më i sigurt”. Resurset natyrore i dallon çdo vizitor, sa lë Grykën e Ndërlysës dhe ballafaqohet me mrekullinë e kanionit të Grunasit që është rreth 2 km i gjatë, 40 deri 60 m i thellë dhe vetëm 2 deri në 3 m i gjerë. Përveç kanionit, në Theth gjenden një numër i konsiderueshëm shpellash, por ato që kanë tërhequr vëmendjen e shumë alpinistëve, speleologëve, gjeografëve etj, janë Shpella e Harapit dhe Bira e Rrathëve, të cilat me përmasat e tyre dhe dukuritë interesante që mbartin brenda tyre si liqenet nëntokësore, galeri, sifone etj., janë bërë shkak i shumë legjendave të krijuara nga vetë banorët e zonës. Një bukuri natyrore, të veçantë, të bjeshkëve të veriut, shpalos në këtë zone, Ujëvara e Thethit me lartësi 25 m, ku së bashku me cirqet përreth dhe Mullirin e Blojës, formojnë një nga vendet më interesante për t’u vizituar. Por jo më pak tërheqës është edhe vendburimi i lumit të Shalës në Okol, burimet e të cilit nxjerrin 2.5 deri në 3 m kub ujë në sekondë, që vë në punë një hidrocentral të vogël dhe 12 mullinj, që shërbejnë për ujë të pijshëm, cilësia dhe pastërtia e të cilit është për t’u admiruar.Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar”.
Gastronomia
Një imazh të mirë për Shkodrën jep dhe gastronomia. Një numër i madh restorantesh, picerish, bufesh e hotelesh janë ngritur në qytetin tonë, ku kultura e shërbimit tradicionalisht është prezente. Arti i shijes është i ndjeshëm, por sot ekonomia private është e aftë të mbështesë e të sigurojë garanci për ushqime të freskëta natyrore e për të rritur nivelin e turizmit. Thuhet se gastronomia e qytetit të Shkodrës e ka prejardhjen nga ajo turke, por, tradita mijëvjeçare ka adaptuar ushqimin me të cilin prezantohet në tryezë, pra ka preferencat e traditën e vet të gatimit e të shijes. Vera “Kallmet” (fituese e disa çmimeve ndërkombëtare), rakia e rrushit (dhuratë e rrushit me cilësi të kultivuar në zonat për rreth) si dhe menyja tradicionale, përgjithësisht është e pëlqyeshme për të huajt, që provojnë shijen tonë. Por në tryezat tona nuk mungojnë specialitetet e ndryshme dhe nga kuzhinat mund të plotësohen edhe porosi sipas shijeve. Të huajt, që kanë provuar ushqimet karakteristike të qytetit, dhe, ato sipas kërkesave, kanë mbetur të kënaqur për gatimin dhe servirjen e tyre. Edhe ju mund të jepni shpejt një opinion për to.Në fakt Shqipëria është shpallur si vendi numër një  për vitin 2011 për tu vizituar nga turist të huaj. Shqiperia eshte rekomanduar si destinacioni i pare qe duhet te vizitohet nga turistet per vitin 2011. Klasifikimin e 10 vendeve me atraktive e ka bere uebsajti Lonley Planet kompani qe merret me publikimin e guidave turistike dhe qe zoterohet nga BBC. Duke e konsideruar si vendin e pare ne top-listen e dhjete te tilleve per tu vizituar per 2011-n Shqiperia vleresohet per alternativat qe paraqet duke lënë pas vende të tilla ekzotike si  Brazili, Cape Verde, Panama, Bulgaria, Vanuatu, Italia, Tanzania, Siria dhe Japonia.


Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri