Augustin Palokaj : Kush do ta mbrojë në të ardhmen integritetin territorial të Kosovës




      Augustin Palokaj 
1








































Kosova duhet të mendojë që të lidhë aleanca ushtarake me vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që e mbështesin integritetin territorial të Kosovës.
Kosova duhet të mendojë që të lidhë aleanca ushtarake me vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që e mbështesin integritetin territorial të Kosovës. NATO-ja dhe BE-ja nuk mund të garantojnë mbrojtjen e kufijve të Kosovës, sepse këto dy organizata, për shkak të qëndrimit neutral ndaj statusit (që në praktikë do të thotë se për to Kosova nuk ka status), do të mund të thonë në rast të tentativës së Serbisë që të marrë nën kontroll me forcë ndonjë pjesë të territorit të Kosovës se „nuk është në mandatin e tyre të ndërhyjnë“. Ndonëse në këtë moment nuk mund të konsiderohet reale ndonjë tentativë e Serbisë që me forcë të hyjë në territorin e Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet përgjithmonë, ndërsa, bazuar në reagimet e mëparshme të pranisë ndërkombëtare në raste të tilla në Ballkan, as Kosova nuk do të mund të mbështesë të gjitha shpresat vetëm në NATO-n dhe BE-në


Kosova sot është shtet i pavarur dhe ato shtete të cilat e kanë njohur këtë pavarësi, e mbështesin edhe tërësinë territoriale të Kosovës. Por Kosova ende nuk është shtetformuar tërësisht. Ka një qeverisje të dobët, me dyshime serioze për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar dhe me liderë, të cilët kanë kredibilitet të dobët ndërkombëtar dhe legjitimitet diskutabil brenda vetë Kosovës. Në një periudhë prej më shumë se tre vjetësh, sa është shtet Kosova, ajo nuk ka mundur ta zgjasë autoritetin e vet në tërë territorin e Kosovës, ndërkohë që edhe vetë pavarësia e Kosovës është një lloj pavarësie nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Edhe kjo „mbikëqyrje“  është po aq e dështuar sa edhe vetë Qeveria e Kosovës, nëse jo edhe më shumë. As kjo „mbikëqyrje“ nuk ka arritur të ndikojë që të ruhet rendi dhe ligji, të zbatohet Kushtetuta në Kosovë dhe të mos manipulohen zgjedhjet. As kjo prani ndërkombëtare nuk ka bërë asgjë që Kosova të funksionojë si një tërësi territoriale ndërkohë që as incidentet e nivelit mesatar nuk kanë qenë në gjendje as t’i parandalojnë e as t’i sanksionojnë pasi kanë ndodhur, siç tregon situata e dy javëve të shkuara në pjesën veriore të Kosovës. Në fakt pranimi i KFOR-it dhe EULEX-it që për të qetësuar situatën në veri të Kosovës të ketë si interlokutor ministra dhe drejtorë politikë nga Qeveria e Serbisë dhe pranimi i Qeverisë së Kosovës e një gjëje të tillë ka legjitimuar praninë e Serbisë në territorin e Kosovës.

Përderisa Qeveria e Kosovës mund të arsyetohet se nuk ka kapacitete për ta vërë nën kontroll tërë territorin e Kosovës në rastin e pranisë ndërkombëtare, fjala është për asgjë tjetër pos për shkaqe politike. Duke qenë  se KFOR-i në Kosovë është mision i udhëhequr nga NATO-ja, ndërsa EULEX-i nga BE-ja, këto dy misione ushtarake dhe policore mund të thonë se nuk është në mandatin e tyre që ta bëjnë Kosovën shtet funksional në tërë territorin e saj. Nuk duhet fajësuar këto dy misione në Kosovë, sepse vendimet merren jo në terren, por në Bruksel. E për disa shtete të BE-së dhe NATO-s, Kosova është pjesë e Serbisë, ndonëse për shumicën e tyre Kosova është shtet sovran dhe i pavarur. Në rrethana të tilla Kosova nuk mund të trajtohet si shtet, dhe si rrjedhojë NATO-ja dhe BE-ja mund të thonë se „nuk është në mandatin e tyre ta mbështesin Kosovën si shtet“.

Kosova vetë e ka ftuar misionin e EULEX-it, duke i dhënë edhe fuqi ekzekutive, ndërkohë që asnjëherë nuk ka pasur dyshime në mbështetjen e parezervë që Kosova si shtet dhe popullata e saj i kanë dhënë dhe u japin forcave të NATO-s, të cilave ua kanë borxh edhe lirinë e tyre. Por ftesa EULEX-it i ka ardhur me supozimin se ai mision së paku do të mbështesë Pakon e Ahtisaarit, sipas së cilës Kosova ka shpallur edhe pavarësinë e saj dhe ka miratuar Kushtetutën, përfshirë edhe të drejtat maksimale për pakicën serbe dhe decentralizimin që ajo pako e propozon. Ai propozim ishte dhënë edhe në emër të BE-së, edhe të OKB-së, sepse Ahtisaari ishte i dërguar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për Kosovën, ndërsa në ekipin e tij ishte edhe përfaqësuesi i BE-së dhe vetë Ahtisaari gëzonte mbështetjen e deklaruar të Bashkimit Evropian për punën e tij. BE-ja dështoi vetë që të mbështesë Pakon e Ahtisaarit për shkak të ndasive të saja. Këto ndasi vazhdojnë në rastin e Kosovës  dhe Kosova ka të drejtë që të kërkojë rishqyrtimin e pranisë së EULEX-it në territorin e saj.

Kosova kur e ka shpallur pavarësinë ka llogaritur se prania ushtarake e NATO-s do të mbrojë kufijtë e jashtëm të Kosovës dhe të përgjigjet në çfarëdo rasti të kërcënimit të jashtëm të saj, ndërkohë që EULEX-i do të ndihmojë në vendosjen e rendit dhe të ligjit brenda territorit të Kosovës. Është vështirë të thuhet se këto dy gjëra nuk kanë ndodhur dhe se EULEX-i ka dështuar tërësisht, ndërkohë që edhe NATO-ja nuk i ka kryer në tërësi detyrat e saj duke lejuar që një pjesë e Kosovës të militarizohet aq shumë, siç është pjesa e veriut. Mund të thuhet se deri më tash as që ka pasur ndonjë tentativë ushtarakë të kërcënimit të integritetit territorial të Kosovës nga Serbia, prandaj as nuk mund ta fajësojmë NATO-n se nuk i ka mbrojtur kufijtë e Kosovës. Por djegia e një vendkalimi kufitarë ka dëmtuar tej mase imazhin e KFOR-it.

Krejt kjo situatë e vë Kosovën para një dileme, të cilën duhet zgjidhur. Kush e ka për detyrë në të ardhmen ta mbrojë integritetin territorial të Kosovës. Çfarë do të ndodhë nëse një ditë në Serbi ushtria të marrë urdhër që të „zbatojë Kushtetutën e Serbisë në tërë territorin e shtetit“ dhe të hyjë në Kosovë, e cila, sipas Kushtetutës së Serbisë, është pjesë e Serbisë.  A do të luftonin në atë rast forcat rumune, greke apo të ndonjë shteti tjetër të NATO-s për të mbrojtur kufijtë e Kosovës, apo do të tërhiqeshin, dhe një detyrë të tillë t’ua linin forcave amerikane e franceze. Apo NATO-ja do të vendoste se kjo nuk është punë e saj, por një problem politik në të cilin Aleanca nuk dëshiron të përzihet, sepse ajo është në Kosovë në bazë të Rezolutës 1244.  

 Kosova duhet të mendojë që të lidhë aleanca ushtarake me vendet që e kanë njohur pavarësinë e saj dhe që e mbështesin integritetin territorial të Kosovës. NATO-ja dhe BE-ja nuk mund të garantojnë mbrojtjen e kufijve të Kosovës, sepse këto dy organizata, për shkak të qëndrimit neutral ndaj statusit (që në praktikë do të thotë se për to Kosova nuk ka status), do të mund të thoshin në rast të tentativës së Serbisë që të marrë nën kontroll me forcë ndonjë pjesë të territorit të Kosovës se „nuk është në mandatin e tyre të ndërhyjnë“. Ndonëse në këtë moment nuk mund të konsiderohet reale ndonjë tentativë e Serbisë që me forcë të hyjë në territorin e Kosovës, një gjë e tillë nuk mund të përjashtohet përgjithmonë, ndërsa, bazuar në reagimet e mëparshme të pranisë ndërkombëtare në raste të tilla në Ballkan, as Kosova nuk do të mund të mbështesë të gjitha shpresat vetëm në NATO-n dhe BE-në.

As BE-ja e as NATO-ja nuk do të duhej të shikonin një veprim të tillë të Kosovës si diçka të drejtuar kundër këtyre dy organizatave. Përkundrazi, Kosova do të mbetej tërësisht e orientuat nga integrimi në to dhe kjo do të mbetej ndër prioritetet e Kosovës. Por BE-ja dhe NATO-ja do ta kuptonin se në rrethana të tilla, përderisa Kosovën të mos e njohin të gjitha shtetet anëtare, Kosova nuk mund ta bëjë as hapin e parë drejt integrimeve euroatlantike. Ata që thonë ndryshe ose gënjejnë, ose nuk e njohin procesin e vendimmarrjes në BE dhe NATO.

NATO-ja, për shembull,  e bën trajnimin e Forcave Kosovare të Sigurisë, por këtë e bëjnë vetëm disa shtete të NATO-s, ndërkohë që ato të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, nuk e kanë penguar një  angazhim të tillë të NATO-s. Kjo ndodh me kushtin që këto forca të mos kenë detyra ushtarake, por vetëm detyra të emergjencës civile. Tash kur as NATO-ja e as BE-ja nuk zbatojnë e as nuk e mbështesin Pakon e Ahtisaarit, Kosova do të mund të krijojë një ministri të saj të mbrojtjes dhe armatë të saj, sepse ajo nuk mund të mbetet i vetmi shtet në rajon, i cili nuk ka forca të saja të armatosura. Këto forca, me ndihmën e aleatëve që e njohin Kosovën, do të kishin detyra vetëm për të mbrojtur shtetin nga ndonjë sulm ushtarak i jashtëm dhe do të mund të ndalohej me Kushtetutë çdo veprim i tyre jashtë territorit të Kosovës, përpos pjesëmarrja eventuale në misione ndërkombëtare në një të ardhme. Krejt kjo ndoshta do t’i dukej dikujt si shumë mendim ekstrem në këtë moment, por Kosova si shtet duhet të mendojë në të gjitha elementet e shtetësisë dhe mbrojtja është njëra prej tyre.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri