Frojdi dhe ndikimi i tij në letërsi

image Spiro Mёhilli


A është pavetёdija mbeturinё e shpirtit ?!
Frojdi dhe ndikimi i tij në letërsi  
“Frojdi u ulё kёmbёkryq dhe te tregimi “Mёsuesja e Pianos”, ku një grua  në moshë të avancuar dashurohet marrëzisht me një adoleshent, të cilit i jepte mësime në piano, ose  te novela “Hakmarrja e Penelopёs”, ku ndodhin perversitete të tilla seksuale, të cilat vajza Filomenë i percepton në mënyrë dramatike. I tillё ka qenё ndikimi i Frojdit në botkuptimin tim shkencor dhe  nё veprat e mija.”
                                     Nga Spiro Mёhilli

Sa herё kujtoj të  kaluarën, para syve mё del biblioteka modeste  e tim eti. Tё shumtё ishin librat qё mbushnin raftet. Midis tyre “Tre contributi alla teoria sessuale” i Zigmund Frojdit, shkruar nё vitin 1905,  dhe botuar nё italisht nё vitin 1921. Im at e kishte blerё nё librarinё e Lumo Skendos. E kisha tё vёshtirё ta kuptoja atё libёr, pasi jo vetёm njohuritё e mija nё gjuhёn italiane ishin nё hapat e para, por dhe e pamundur  tё  kapja thelbin e problemeve.  Megjithatё ai  hyri nё subkoshjencёn time pёr tё  qёndruar nё pёrgjumje  deri nё vitet e fakultetit. Por asnjё pedagog nuk merrte kurajon  t’na sqaronte  rrolin e madh qё luante Frojdi dhe psikoanaliza frojdiane  nё zbulimin  dhe mjekimin e njё sёrё  sёmundjesh, qё lindnin nё thёllёsi tё materjes trunore dhe qё  manifestoheshin  nё trajtёn e neurozave. Nga ana tjetёr, asgjё nuk mё pengonte tё kёrkoja e tё thelloja dijet e mija, por ishte e pamundur tё shtija nё dorё  libra tё tij apo tё psikoanalistёve tё tjerё si Fromm, Serain, Morgan, Jung, Breuer, Maeder, Bahofen, Sharko, Niçe, etj. Frojdi nё kohёn e tij donte tё provonte  se neurozat (dukuri qё çonin  nё disekuilibёr individual)  vinin nga ndrydhja e dёshirёs  seksuale, sepse seksi ishte tabu, dhe sikundёr thotё Cvajgu “instiktet  nuk lejojnё t’i shtypёsh dhe ёshtё e kotё tё supozosh  sikur i shtyp. E shumta mund t’i ndrydhёsh duke i kaluar nga vetёdija nё pavetёdije. Por ato duke ju nёnshtruar  kёsaj shmangje tё rrezikshme, grumbullohen nё thellёsi tё shpirtit dhe duke fermentuar vazhdimisht, krijojnё shqetёsim nervor, çrregullime dhe sёmundje.”Sa herё e kam takuar neurozёn histerike nё praktikёn mjekёsore. I joshur nga Frojdi dhe teoritё e tija, duke e parё histerizmin  si pengesё tё jashtme ose tё brendshme, si njё mangёsi nё  plotёsimin  e vёrtetё tё kёnaqёsive  erotike,  qё Silvia V. Finzi   e konsideron patologji tipike femёrore, kёtё aspekt interesant tё jetёs e trajtova nё dy tregime. Njё fshatare nga rrethi  L, rreth njёzetedy vjeçe, prej katёr vitesh e martuar,  shfaqte shenja  tё çuditshme. Ku e kishte bazёn ajo dukuri neurotike? Tek  i shoqi, minatorё nё njё minierё kromi. Ai  vinte rradhё nё shtёpi, i lodhur  sa nuk kishte fuqi tё qёndronte nё kёmbё dhe harronte qё gruaja e priste. Kёshtu nusja e re e gjeti rrugёn  e zgjidhjes, manifestime  e shenja neurotike, tipike pёr klinikёn e histerisё. Ajo mori kurajon, dhe ashtu sikundёr e pёrshkruan tradhёtinё e gruas  Anton Çehovi  te tregimi “Hakmarrja e njё gruaje”, iu dha mjekut,  duke plotёsuar nevojёn fizike dhe kёnaqёsinё shpirtёrore.Rasti i dytё  ishte njё grua  nga Azia e Mesme, qё  qёndronte mbyllur  brenda katёr mureve tё apartamentit ku banonte.  Ajo ishte e re nё moshё, ndёrsa i shoqi midis tё pesёdhjetave ose tё gjashtёdhjetave dhe  nuk arrinte tё kuptonte  se çfarё ajo donte,  e i trembur  kёrkonte ndihmёn e mjekut.
Nё rastin e parё  kishim tё bёnim me njё çift  nё moshё  deri tridhjetё vjeç, kur seksi bёhet   çdo natё dhe çdo mёngjes; kurse nё rastin e dytё, gruaja ishte nё moshёn qё e kёrkonte  bashkimin gjinor  dy herё nё ditё, ndёrsa i shoqi qёndronte midis dy periudhave kohore, kur seksi  bёhej sipas mundёsisё ose Zoti e di se kur. Kёtё aspekt tё jetёs nuk e kam pranuar  si stimulim, por sikundёr thotё Frojdi “si sёmundje tё shpirtit, si mё interesanten, sepse ёshtё  mё plastikja  nga tё gjitha  dhe dёshmon se krizat  e kulmet e saja janё pasojё  pёrmbysjesh tё brendёshme  dhe duhet tё kenё shkaqe objektive”.Rasputini, fshatari nga Pokrovskoje  nё Uralet e largёta, mё mbёrthente  me forcёn e tij hipnotizuese. Momentin kur ai do tё hipnotizonte  njёrin nga mё tё pasurit e Rusisё, princin Jusupov, qё mё vonё do bёhej vrasёsi i tij, e pata tё vёshtirё ta pёrshkruaja nё romanin “Dritёhijet e njё perandorie”,  sepse nuk  gjeja fjalёt e duhura, shprehjet, mёnyrёn e realizimit. Pikёnisja ishte parisieni Sharko, qё nё  gjysmёn e dyte tё shekullit XIX,  pёr tё kuruar pacientё  me paraliza tipike histerike, futi nё pёrdorim hipnozёn. Ai mbёshtetej nё pёrvojёn e tij se tёrё aktet psikike  janё para sё gjithash produkte tё pavetёdijes, pra kjo botё pavetёdije  sipas tij ishte  nё vetvete pasive, e palёvizёshme dhe pёrfaqёsonte njё jetё tё jetuar  e tё vdekur, njё tё kaluar tё varrosur dhe rrjedhimisht  pa asnjё lloj gjallёrie, pa asnjё ndikim nё ndjenjat tona. Pra ai, si dhe Mesmeri, Frojdi e tё tjerё,  donin me forcё  pavetёdijen ta detyronin  tё fliste  duke e magjepsur dhe detyruar nё mёnyrё subkoshjente, sepse  sipas tyre, nё gjendje gjumi hipnotik mund tё nxjerrёsh nga njeriu  mё shumё sesa  kur ai ёshtё i zgjuar, megjithёse  Frojdi mё vonё hoqi dorё nga ky mjet i  dhunshёm depёrtimi  nё vetёdije,  nga ky mjet i pamoralshёm, duke u shprehur se: “pavetёdija nuk ёshtё nё asnjё mёnyrё  mbeturinё e shpirtit, por lёnda e parё  nga e cila  vetёm njё pjesё fare e vogёl  arrin deri nё sipёrfaqe e ndriçuar tё vetёdijes”.Kush ishte Frojdi? Njё njeri i thjeshtё e mё pas njё gjigant, qё ishte lindur  nё Fribor (Freiberg) tё Moravisё  mё 6 maj  1856, nё njё familje hebreje, qё merrej me tregtinё e leshit. Ai u largua  nga qyteti i lindjes nё moshёn 4  vjeçare, pasi  prindёrit, Jakob dhe Amali Nathansone u transferuan nё Vienё.  Nё vitin 1881, sapo mbushi  njёzetepesё vjeç, u diplomua mjek. Nuk donte tё bёhej kirurg, kardiolog, okulist, otojatёr, obstetёr-gjinekolog, por thjesht psikiatёr dhe filloi tё merrej  me anatominё e trurit. Shumё shpejt ngjiti shkallёt e karrierёs dhe nё moshёn 29 vjeç u bё pedagog  dhe mori titullin docent  nё lёndёn e neuropatologjisё. Nё moshё 30 vjeçare fitoi njё bursё dhe shkoi nё Salpetiere nё Paris  pranё profesor Sharkos, neurolou mё i madh evropian nё atё kohё. Aty ai pa ndёrhyrjen e dhunshme tё hipnozёs  pёr tё nxjerrë nё dritё pavetёdijen. Ai, me tё shoqen dhe 6 fёmijёt,  pas pothuaj  69  vjet  banimi nё Vienё, qytetin e tij tё dytё, Vienёn magjike, u largua nё vitin 1938 nё Londёr, pёr t’i shpёtuar pёrndjekjes sё regjimit tё Hitlerit, dhe  aty u  nda nga jeta nё 23 shtator  1939.  Do vinte viti 2006 e unё do shkoja nё Vienё. U vendosa nё rrugёn Josefstadt, nё “Teatёr Hotel”. Ditёn e dytё, nё rrugёn Nr.9 “Berggasse” u ndodha  para njё ndёrtese ku shkruhej: “Sigmund Freud–Museum”. Kalova derёn dhe ngjita shkallёt. Numёroja: njё, dy....dhjetё...tridhjetё...plot 74 shkallare mermeri ngjyrё gri tё hapur, e pёr çudi, nё vazhdim  dhe 19 tё tjera, por tashmё prej druri. Nё anёn e majtё ndodhej apartamenti  i gjeniut tё psikoanalizёs, vendi ku ai  kishte banuar nga viti 1899. Aty ndodhej dhoma ku ai bёnte konsultime, tavolina e punёs, kolltuku ku ulej,   e pasi mendohej, shkruante leksionet qё do mbante, apo librat qё do botonte. Ishte njeriu, qё asnjёherё nuk e tradhёtoi kujtesa. Qindra pacientё  janё ulur para tij dhe ai me durim  e pёrkushtim, pyeste e dёgjonte pёrgjigje, krasiste e krahasonte tё dhёnat pёr tё kapur  njё detaj  ose dhe njё fjalё tё vetme nga ku do niste betejёn,  qё lindte nё trurin e tij dhe i “vёrsulej” kundёrshtarit  me qetёsi, dashamirёsi dhe kompetencё. Nё atё apartament tё zakonshёm ndodheshin  rafte tё shumtё, ku ishin ekspozuar  tё gjitha veprat e tij, artikujt dhe korespondenca me miq e shokё.  U gjёnda nё dhomёn e madhe ku nё tё katёr faqet e murit  ishin ekspozuar foto, postera tё tij ose me shokё e personalitete. Burrё i pashёm,  me tipare tё rregullta, me vёshtrim tё pёrqёndruar, buzё tё holla e tё shtёrnguara, shikim tё thellё,  dёpёrtues, dyshues e kёmbёngulёs, me mjekёrr tё bardhё  e tё prerё bukur. Ja, pёr kёtё dyshim kёmbёngulёs, kundёrshtarёt e  kanё quajtur Dogmatik. Nuk e dija  qё ai  vuante nga neuroza e pagjumёsisё e nё moshёn dyzet vjeç dhe nga ipotenca, gjё qё i shkaktonin vuajtje shpirtёrore qё mundohej me gjithё forcёn  tё gjente rrugё  pёr tё dalur   nga vorbulla ku ishte futur. Ishte Frojdi ai qё u gjёnd pёrballё  njёrёs prej shfaqjeve  mё tё shpeshta tё jetёs sonё psikike, qё shikohet si absurde, madja si model i absurdes, ЁNDRRA, qё me tё drejt Cvajgu e quante: “vizitore tё pёrditёshme tё gjumit tonё”.  Mё 4 nёntor 1899 ai  botoi librin “Interpretimi i Ёndrrave”, qё konsiderohet kryevepra e tij,  dhe futi  artin e zbulimit, psikoanalizёn,  duke u nisur nga fakte,  ankesa nё dukje tё parёndёsishme nga jeta e pёrditёshme e pacientёve, pёr tё kapur ndonjё fjalё, shenjё apo ankesё, qё dilte padashur  nga goja e tyre, e thёnё ndryshe, kur ata diçka i tradhёtonte. Frojdi nёpёrmjet ёndrrave  kёrkonte tё kaluarёn e njё njeriu. Figurat simbolike tё ёndrrёs sipas tij fshihnin  nё shumicёn e rasteve dёshira tё ndrydhura  ose tё paplotёsuara, tё cilat  meqё nuk kanё mundur tё realizohen  gjatё ditёs, pёrpiqen tё hyjnё nёpёr shtegun e ёndrrave. Kёtё dukuri ai e quante  tё nevojshme pёr  tё stabilizuar ekuilibrin psikik, pra si valvul  shpёrthimi tё ndjenjave tona. Ajo ёshtё e pranishme si te tё rriturit, ashtu dhe te fёmijёt.  Si tё gjitha produktet komplekse, ka motivet e veta, vargonjtё e veta tё shoqёrimeve tё mёparshme. Ajo ёshtё si çdo sjellje e matur, rezultat i njё procesi  logjik, i njё lufte midis  tendencave tё ndryshme nё garё mes tyre, ku nё fund fiton njёra. Sipas Frojdit,  çdo ёndёrr paraqet  realizimin e njё dёshire tё ndrydhur. Thelbi ndryshon  nё varёsi tё moshёs dhe seksit.  Ai e shtyn mё tej atё, kur te fёmija paraqet  instiktet seksuale, ose disa shenja tё tyre. Si mund ta anashkaloja njё dukuri tё tillё  nё romanin tim  “Zjarret e natёs”. Andrea i vogёl, akoma pa mbushur katёr vjeç, dashurohet sipas mёnyrёs sё tij, me bebisiten Klarita.  Xhelozia ёshtё dukuria e parё neurotike. Ai nuk dёshiron qё Klaritёn ta preki njeri. Ai e konsideron tё tijёn. E shikon nё ёndёrr, e pёrfytyron  si Sirenё, si njё qёnie gjysmё njeri (nga mesi e sipёr) dhe gjysmё peshk (nga mesi e poshtё). Nё ёndёrr ai shikon Klaritёn Sirenё, qё marinarёt e sollёn nё anije dhe e lidhёn me litarё. Nga mungesa e ujit, ajo qenie mistike u shndrrua nё njeri, nё vajzё, nё Klaritё tё bukur. Ai u xhelozua nga veprimi i marinarёve. Nёn efektin e ёndrrёs, çohet, shkon  te krevati  ku flinte Klarita, shtrihet pranё saj e ndjen ngrohtёsinё dhe aromёn e trupit tё vajzёs dhe nё mёnyrё  instiktive luan me gjinjtё e mё nё fund kёrkon  tё kapё thumthat qё ngriheshin pёrpjetё. Ajo nё fillim refuzon,  por mё pas thyhet nga  kёmbёngulja e tij, duke menduar se ai do qetёsohej dhe do flinte.  Por ç’ndodhi? Nё gjumё, ai zbret poshtё, drejt barkut  të saj, dhe qёndron nё Kodrёn e Bukurisё. Janё hormonet estrogene  qё e çuan atje. Klarita e largoi. Sa para bёnte? Ai çdo ditё e mё shumё dashurohet, dashuri fёminore, sa njё natё, pёrsёri i zgjuar  nga njё ёndёrr e frikshme pёr moshёn, çohet i trembur  dhe kёrkon tё shkoj te Klarita. Kur afrohet te  dera, qё ёshtё gjysmё e hapur, pa dy persona  qё lёviznin ritmikisht nёn çarçaf. E perceptoi skenёn si njё akt dhune, sikur dikush  po rrihte  tё dashurёn e tij. Shkoi nё kuzhinё, mori thikёn  dhe qёlloi “armikun”. Çёrçafi skuqet. Klarita e zhveshur, e rrёmbeu djalin  nё krahёt e saj dhe e çoi nё dhomё. Ai nuk e dinte se kishte qёlluar tё atin.Frojdi u ulё kёmbёkryq dhe te tregimi “Mёsuesja e Pianos”, ku një grua  në moshë të avancuar dashurohet marrëzisht me një adoleshent, të cilit i jepte mësime në piano, ose  te novela “Hakmarrja e Penelopёs”, ku ndodhin perversitete të tilla seksuale, të cilat vajza Filomenë i percepton në mënyrë dramatike. I tillё ka qenё ndikimi i Frojdit në botkuptimin tim shkencor dhe  nё veprat e mija.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri