NEPER VEGIMET E KROJEVE POETIKE TE MARK KRASNIQIT



ZEF PERGEGA



Qëllon shpesh që në vorbullën e vetmisë dhe preses së saj të fortë hidraulike, me zë të brëndshëm flas me vete. Vetë i formuloj pytjet dhe vetë u përgjigjem. Pytja e parë që më bëhet si një re e mbarsur me korba, të cilët ndjekin coftinën e hedhur buzë kanalit, me vjen si një pllakë e bronxtë mbi rrudhat e ballit dhe me vobektëson shikimin se: përse ndjehemi të friguar të flasim për të gjallët!
E bash kjo vjen prej mediokreve që shtërzojnë nga kapslleku intelektual, duke e valvisin flamurin e tyre të shpërlarë me beze të huaj për të krijuar murrlane në dritën e udhës së shënjtë të të gjallit. Lumturia me e madhe e këtyre  soi sorollopi që kasollën me kashtë e kanë gritur mbi maje brrylash dhe e shkelin frymën e tjetrit si bërsi rrushi, për t’i mbushur kovat jo me musht por me uthull që të tërbon në thartësirë.
Pse pra ka ngurrime për të folur për njeriun që bën të mira, për njeriun që brënda botës së tij ushqehet një botë e madhe ajo e prosperitetit të kombit vet?! Mundohemi ta zhveshim nga trungu nga lekura, pikërisht nga ajo mbulesë që mban brenda lëngun e rritjës. Pse pra ky përçmim i madh për të gjallët dhe një hiprokrizi në të vdekur?! E keni vene re se fjaleët e mira ruhen të thuhen para arkivolit dhe kur të sigurohemi se ai nuk mund të ngihet më mblidhëmi dhe i çojmë letër presidentit për ta dekoruar pas vdekjës! Dhe dekoraten për të mos e marrë familja, por ata që i hodhën baltë gjithë jetën!
Përsonalisht nuk i përkas sferës akademike, sepse nuk quhet botë shkencore ajo të lash kazanat e Amerikës, për të ngrënë një copë bukë me shije artificiale, duke preferuar të ulem rrafsh në qylimin e blertë të djersës time e të thur ndonjë poezi apo të bëj ndonjë gërmim historik e jetësor që kulmon në zemër në shpirt të dheut të humanizmit në diasporë e me tej, se sa t’i ndërroj kostumet apo mimikën e fytyrës sa herë u ngordhet suflerëve!
Bash ato që na hedhin baltë sa jemi gjallë nuk duhet lejuar të nga hedhin një grusht Dhe që sado i shkrifet të jetë do ta ndjejmë si një heshtë që të vret për të fundit herë…!

Këto po mendoja me 5 gusht të vitit 2011, kur Rush Dragu me vuri në tavolinë kafen ekspres dhe një gotë ujë me akull. Pastaj ai çeli kapakët e një libri dhe na lexoi një poezi për fshatin, për vendlindjen dhe për të gjithë atë yllësi visarësh që i sillen qiellit të saj. Nuk fola dhe e lashë mikun t’i dilte në krye të fshatit dhe të lëshonte zërin për poezi të tjera.
Kështu me ra në dorë libri poetik i Mark Krasniqit “Jehona e Kohës”, të cilin autori me autograf ia kishte dhuruar historianit të diasporës Mark P. Gjokaj.
Ky ishte motivi që unë e lexova këtë libër edhe për kreshërinë që më ngjall tema kosovare, si një olimp me salvime. Vargjet e autorit kanë lindur pikërisht aty ku gjaku i martirëve ka çelur faren e lirisë, aty ku autori klithi për dashuri dhe jetë pa zaptues, në atë lëndinë, ku roje i bëhet ylberi e ku duan të mbijnë edhe ferrat e hithrat të zgjaten drejt qiellit për t’u vyshkur prej diellit. Vargu i Krasniqit mbërthehej me motive zanash, fortësi guri e luspa gruri, me kthjelltësi loti që maja majës u lëshon zë për punë të mëdha, për plugun që lëron e frymon, për trimin që lufton e mbron përvujtërinë e farës se vet nën zhgun…
Duke lëxuar poezinë e Krasniqit “Mulliri i fshatit” m’u kujtua fëmijeria e hershme. Ishim kthyer nga qyteti i vogël në fshat. Kishim marrë me vete dy bukë gruri. Sapo erdhi mbremja morem lajmin se kulla jonë kishte radhën të bluanim në mullirin e fshatit. Trimat nuk ishin në kullë. As sot nuk e di pse kalin e bardhë e thirrnim “muzak” Kështu nana me vuri mbi thasët e misrit të verdhë me një copë bukë me djathë u nisem të bluanim gjithë naten… Mulliri i fshatit të Mark Krasniqit nuk ka ndryshim me mullirin e fshatit tim me mullirin e fshatit tend!

Ndërsa mullisi i vjetër
I vinte thasët në kandar
Unë vetëm këtu pashë një botë tjetër
Që kurrë së pashë më parë

Nje gur sa lemshi i diellit
Vetë sillej pa e prekur me dorë
Nën shtëllungat e miellit
Hidheshin si floktha me borë…!

Simbolin e lëvizjes dhe të jetës që në të rallë i mbyll ciklet me vjeshtë, Mark Krasniqi na i përcjellë më një konfiguracion dhe rregullësi të imtë që njeriu i shkon tehut të natyrës si koncept dhe si veprim, të ngritur në norma zakonore të pacenueshme. Një energji e madhe djerse për të prodhur bukën, që mund të krahasohet me energjinë e rrjedhjës së ujit, për t’a lidhur me forcen e zjarit e brumit të pjekur nën kaki. Sa sy vorfanjakësh janë njomur në pritje të afshit të saj që ta ëmbëltonte shpirtin ende pa e provuar buzët dhe këtë ndjenjë e ka provuar poeti Krasniqi që na sjellë perlën e jetës së fshatit.
Nuk mund të këtë poet shqiptar që të mos këtë një vjershë për vendlindjen të përshkuar me mallin e zhuritur për te. Se atdheu për shqiptarin është mish e gjak, në çdo dasem është krushk i parë, është toka e Atit, Birit Shpirtit të Shënjtë. Në të gjitha meshat apostolike atdheu është kryemeshtari. Atdheu është si një nimfë që kurrë nuk i shuhet zani dhe shënjtërimi, as nuk plaket dhe as nuk vdes, si një margaritar që peshon sa një det! Vendlindja e Krasniqit është e njëjtë me vendlindjen time. Toka është shqiptare, vetëm pagëzimi i një trualli nuk përbën ndonjë ndryshim.

Po burrë i  forte, kush po pyet sot për atdheun?! Pa larë mire mykun e orjentit që i është ngjitur mjekrrës fallso të diplomacisë dhe pushtetit, siç i ngjitëshin dikur jeniçerët kalave tona, jemi turrur sllaganit “Drejt Europës”, siç i’u versulem depove të armëve me 1997, kur shkatërruam çdo gjë, duke vrarë vetveten, e për këtë bësë të Zotit, si e vetmja kryevlerë që na e la në kullen e karakterit s’ka më qenë e largët dita e shyqer syshë për defrime, të gdhihemi nëpër kazanat e botës me sklepa në retinë, duke mbledhur therrime dhe do të bertasim më të madhe: “Po kush ma mori tokën time?!” Amanet na lanë të parët Rilindasit dhe shkrimtarët, të renë e progreset e jetes perendimore, te mirat e saj, t’i shartojmë ne trungun e moçëm të Dheut tonë! Kohën e maskarenjëve dhe të shiturve e kanë mallkuar poetët.

Ai komb që nuk dëgjon zanin e vërtetë të shpirtit të poetit e ka pak të shqyhet prej egërsirave në fund të detit!

Po poeti legjëndë e tokës tonë Mark Krasniqi shkruan për traullin e të parëve…

Vendlindja ime nuk është veçe një fshat

Ajo është vatër e gjërë dhe e gjatë

Që nga Preveza deri në Tivar

Gjithkund motra e vëllezër shqiptar!


Krasniqi ndalet para jazit të fshatit me ujët e kthjellët që pasi ka bërë gjarperime rrjedhjësh, duke prekur e njomur çdo rrënjë kopshtësh e arash, i ka dhënë jetë e bereqet kullave e natës së zjarrëve në vatra, e poeti shikon kotjen e yjeve që ulen pezull mbi shpresën, për pak shi që vada të mos thahet e mulliri të mos e ndalë rrotullimin e gurit që gjysma e mbetur e misrit të bluhet, e rriti i rradhës së familjeve të vazhdojë…

Një natë ëndërr kështu unë kam parë
Disi tërë qielli kishte rënë në jaz brënda
Dhe ishte mbushur me ar
Lahëshin natën yjet edhe hena!


Pasi poti i njëmijë ëndërrave rinore, mbërthyer në kuriozitetin e të panjohurës që botën kërkon t’a këtë nën vete, rrukullis kush e di sa gurë nën rërë të jazit përgjatë shtratit të tij të ngushtë, duke kërkuar ndonjë yll të praruar. Ndoshta është fshehur nën shallin e valëve, ndalet në fund të ëndërrës së mëngjesit, tek kroj i katundit, për ta frekuar me faculeten e beqarit ëndërrën me ëndërrën gurgulluese, aty ku vasha me boljerë dhe bariu i tufës shkëmbejnë miklime dashurie.
Dhe në këtë gurgullimë fjalësh në besë të krojit, zemrat rriten e bëhen si malet. Nanat që e kanë provuar në rini së ç’është dashuria e krojeve, shpërthejnë pa shkak në qortime për vonesën e vashës…

…Prita sa të dalë
Nga reja hana
Të ma ndriçonte rrugën
Kështu kje lum nana!

Krojët janë shënjtër të tokës që e ushqejnë me proteina muzën e të riut e të plakut. Muza shpërthen në vargje siç gulfon kroj në gjoks të tokës. E kënga zbret si flutur mbi telat e çiftelisë, në odat e miqve, nën vrojtimet e gëzueshme të tufës me fëmijë. Në mur, bri saj, varur një lahutë dhe një kavall. Poshtë në dollapin e drunjtë, takemet e kafës e rakisë, kutia e duhanit dhe unuri me ëshkë, të cilat  përcjellin deri në traun e kulmit ritin  e traditës. Këto përjetime nuk ishin ora e muzikës, si mënyrë argëtimi, po brënda këngës lartësohej heroizmi, trimëria, dashuria për tokën dhe flamurin, respekti për mikun dhe urrejtja për armikun, një informacion dhe një formim me tharmin e krenarisë, diturisë dhe edukatës në fletët ligjeve zkonore dhe dokeve të thella, sa rrënjët e Lisit te Zjarrit dhe Krasniqi ia dridh vetë telat çiftelisë!

Kjo çifteli me tela të hollë
Dhe këngët e trimërisë në kullë të vjetër
Për mua ishin e para shkollë
Për nga kujtimi nuk zbeh tjetër!

Mark Krasniqit edhe pse i ra rasa t’i shkelë këmba në disa vende të Europës, të mësojë për modernen në perëndim, të shohë opera e teater, film dhe koncerte, edhe pse dëgjoi muzikën hyjnore të shtyllave historike, kujtimi i tij i fëmijërisë u rrit në ato dy tela të çiftelisë dhe mbresa e tij është e pashlyer në një zemër të madhe, e në një gropë të kraharorit edhe sot në moshë te epërme i bën prore.
Para syve të tij, si në një album fotografik me ikona vallëzojnë plot ngjyra hovesh që të kujtojnë themelet, bahçet e gjëra të Rrafshit të Dukagjinit me jehonën e këngës me tekst të poetit të mallëngjimit.

Madheshtore ngrihen kullat
Mbi themele të gur-çelikut
Në to është murosur
Besa e Verrave të Llukës
Koka e Mazhar Pashës
Vendimet e Junikut
Bujaria e sofrës së bukës
Zemra e Azem Bejtes
Dhe tmerri i armikut!

Ashtu siç furia e jazit e rrotullonte gurin e mulirit ashtu dashuria e ka ngroh dhe ndez mendjen e njeriut. Në çdo kohë e në çdo rrethane, dashuria mbetet ndjenja me thelbësore e shpirtit të njeriut. Seç ka një lidhje të mistershme midis dashurisë dhe krojëve.

 S’ka patur as besoj nuk do të këtë gjë me hyjnore që shpikësi i ndjenjave të dashurisë, lidhësi i tyre të jetë kroj!

Ndoshta nga se krojët burojnë nga syri i malit. Dhe poeti i këndon krojëve kur takohen me krojët.

Me kujtohen vajzat tona
Flokët e lëmuara të mbuluara me shami
Faqet si mollë lalçe
Dy ftoj të paprekur në gji

Nën këmishë të qëndisur me lara
Këmbësorës së ngushtë
Duke u kthyer nga ara
Rrugëtarit udhën kokëulur ia lëshojnë!

Kujtimet si kujtimet! Fluturojnë pa pasaporte e biletë avioni. Ndalen këtu e ndalen atje, nektarin, si bleta në zgjua ta kthejnë. Duke lëxuar poezinë “Djepi” të Krasniqit m’u kujtua fëmijëria ime. Me saktë motra e pa fat që shumë vite të shkuara ndërroi jetë pa mbushur nje vit. Xhaxhai im e prishi djepin dhe ia vuri mbi varr. Ishte një rit që e mësova pak vite më parë që fëmijët që lindnin pas një vdekje të rritëshin në djep të ri. Dhe ky fakt u bë shkak që librin tim për vendlindjen ta titulloi “Djepi i Thyer”
Po ku janë djepat tanë?! A janë thyer e braktisur apo janë hedhur nëpër hatlla të tavanëve të zeza, si folezë për marimanga?! Fëmijet nuk rritën më në djepa. Me duket mua se trupin e drejtë si pishë shqiptari e ka prej djepit. Dhe Krasniqit i rrjedhin vargjet për këtë emër që ka dalë nga përdorimi i përditshëm, për të mbetur i pa vdekshëm në vargje poetike, nga se koha nuk mbështillet më në shpërganj, por thane epshet me letër higjenike!

Si lundër e çarë e lënë në harresë
Në limanin e fshatit në prehër të vetmisë
Pushon nën tra nën pullaz të vjetër
Djepi i fëmijerisë!

Krasniqi me dorën e tij ëngjëllore dhe mendjen në kufinjt e një lëgjënde nuk e djerrë shpresën dhe hov i jep kumtit shqiptar…

Ndërsa pranë vatrës në djepin e ri
Në rreze të diellit çel buzëqeshjen një fëmijë!

Në qiellin shqip të fjalës, krijimtaria poetike e Mark Krasniqit është një yllësi me mesazhe e metafora që zbresin në lëndinen e lirisë së Kosovës me një tufë krojësh me krahasime, për t’i dhënë kohës së sotme jehonen e munguar.

libri57@hotmail.com


Comments

Popular posts from this blog

AKADEMIK PROF. DR HAKIFBAJRAMI PH.D : GRUSHTSHTETI IDYTËNDAJKOSOVËS( PAS 23 MARSIT 1989) MË 25 MARS 2020

Legjenda e Mujit dhe Halilit