Tregim nga Sami Gjoka: PJELLË AKSIDENTESH


E vetja ì ngjau më shumë me një grumbull oksidesh në rritje mbi masivitetin e hekurt të kohës, se sa krijesë e projektuar prej Zotash, marrë, prej hiçit, si një gur í imët, e sjellë për të mbushur boshlleqët e jetës, mbi mozaikun që rritej, i papërfunduar, përgjatë universit.
Ndryshk qe ai, formuar nën ndikimin e vazhdueshëm të lagështirës së lotëve të tij, që rridhnin si përrenj të nëndheshem brenda vetës, dhe reshjeve që bien përsipër, ku era e fatit e shtynte njeriun nga lindja në vdekje.
"E pse?"-qe gjithë ç’ka pyeti ai.
Ajo uli duart dhe ngriti pak kokën, e si prej instinkti thithi buzën e poshtëme, sikur po shpërndante në mënyrë të balancuar ngjyren a karafiltë që sapo pati shkuar me dorën e djathtë. Një gjest ky që e gjeti pa pritur, dhe që e ngjethi sakaq për faktin se ajo po rritej brenda syve të tij e bëhej gjithnjë më e bukur e gjithë e më plotë, rebele prej natyre, më cilësitë provokuese, që pati njohur vite me parë, në gjestet e sjelljet e motrës së vetme, Verës.
"Sepse..."
"Çfarë sepse, Dredheza?"
Emri i saj i plotë ishte LuleDredhëza. Por ky qe një emër i gjatë e i veshtirë të shqiptohej kështu që edhe ai edhe ish gruaja e tij patën adoptuar shkurtimin që kishte tani, Dredhëza, si emri i vetmi me të cilin therritej.
Madje edhe emri i saj, aksident ishte, u kujtua ai.
Gjatë shtatzanisë, Viktoria pati një dëshirë të përditeshme për luleshtrydhëza dhe qe ky shkaku që zgjodhi emrin për bebin qe prisnin të lindë, Luledredhëza. E pati menduar apo ngatërruar për Luleshtrydhëza.
Kur zbriti të mirrtë poshtë në lobi, motren qe kishte mbërritur nga Filadelfia, ai pa se si ajo ia plasi të qeshurit e nisi të tallej me të, aq sa nën kakarismat e zërit të saj, vetja i ngjau me një lolo koti.
"Luledredheza?" Ku e gjete këtë emër, pash zotin?" – qeshte ajo. "Mirë ti po Viktoria si pranoi?" Ajo nuk po ndalte së qeshuri, ndërsa ecnin drejtë ashensorit.
"Ç’të keqe ka ky emër?" Pyeti, zemëruar me të që po rrënonte gëzimin e të qenit baba per herë të parë, zemëruar me vetën që qenkësh kaq koti sa edhe një emër nuk ditka ta zgjedh, por më shumë inatosur me vetën që s’ia tregonte dot vendin motrës që qeshte e tallej.
"Ç'të keqe ka?. Luledredhëza? E pse jo Lulegjineshtra? E di ti që jo këtu po as në Shqipëri s’do ta kishte pranuar kush këtë emer? Luledredheza! "
Ajo shtypi butonin dhe dera e ashensorit u hap menjëherë.
Ndërsa Vera, po futej brenda, ndjeu dorën e tij ta zinte e ta shtrëngonte për krahu.
"Prit, një minutë!" – tha ai, - "Ti nuk po shkon të dërdellitesh atje lart?
Mënyra se si Vera ndaloi e shikoi nga ai të jepte përshtypjen e dikujt që papritur pati shkelur, këmbëzbathur, mbi akull. Qe një si reagim prej magjepsjeje që ajo nuk arriti ta fshinte dot, aty për aty. Tashmë që qe bërë baba, krejt papritur, vëllai í saj na qenkash shndërruar në një tjetër mashkull, mashkull që s’kishte qenë kurrë më më parë; burrë me bole!
"A ka mundësi," – po fliste ai- "ta çosh nëpër mend se kjo s’është puna jote?
Ai desh të thoshte diçka më tepër, diçka të tillë si: "A e di ti kur mbushet kupa moj motër?", apo "A mund ta mbash atë hunden tënde pa zhytur në bythet e botës?" Por e gjeti vetën të zbrazur nga fjalët dhe duke e njohur temparamentin e saj, frika u përhap brënda tij si errësira e reve para shtrëngatës, e, alarmuar, priti shpërthimin e rrufeve;- sharjet, mallkimet që kishte dëgjuar sa e sa herë, në raste të tilla.
Por ajo po heshtte, po heshtte, përhumbur në një lloj admirimi të çuditshëm për të.
"Mirë, mirë por duhet ta ndryshojmë menjëherë" tha më në fund ajo.
"Është regjistruar", sqaroi ai, "plus që të dyve na pëlqen" E kishte fjalën për vetën the Viktoren.
"Nëse vërtet ju deshët një emër shqiptar", foli Vera me zë të lartë e pa qeshur më, por me një zë ku gumëzhinte kritika, "ke patur plot emra që tingëllojnë Ok. në Anglisht si, Albana përshembull, apo Teuta, apo Bora, por, Luledredheza? Çfarë është kjo Luledredheza xhanëm? "
"Është për strawberries"
"Për luleshtrydhe?"
"Aha" mendoi ai "Hajde e ndale tash mortajen e saj"
E pa një pa dy vërshoi përroi i fjalëve.
"Mos u tall me mua! Luledredhëza s’ka të bëj asgjë me strawberries o rrotë. Luleshtrydhëz, ke dashur të thuash. Po e di se çfarë? Më mirë kështu qe je trap në të gjitha drejtimet ti se ndryshe do ishte edhe me keq akoma, Luleshtrydhëza!" "Tu shtrydhëshin bolet ty ishalla!" shtoi pastaj me vete ajo.
Para se të futeshin në ashensor e të ngjiteshin në katin e pestë për të parë bebin e vogël, Verës i’u desh të premtonte se nuk do të thoshte asgjë për ta vënë në siklet, akoma dhe më, para Viktorës.
Që nga ajo ditë, si për të mos i kujtuar vetës këtë budallallëk, së pari për gjetjen e një emri që s’paskësh asgjë me luleshtrydhet, sikurse tha Vera, atë ditë, e së dyti, për gjetjen e një emri që as në Shqipëri nuk do ta pelqente kush, kurrë nuk e thërriti vajzen me emrin e plotë, por shkurt Dredheza, qe shpejtë u bë kështu emri i saj i dytë.
"Babi", dëgjoi zërin e saj, si nëpër tym, "po unë s’kam nevojë për diplomë kolegji që të jem e sukseseshme në jetë. E di ti se çfarë u themë shokëve në shkollë unë babi? Jam shqiptare, u themë. A e dini ju sa e vështirë është të rritesh në Shqipëri? Atje njerëzit nuk kanë para për bukë e jo më për kolegj. Vetëm të pasurit shkojnë në shkollë të lartë por kjo s’i frenon ata të ecin përpara. Apo jo papa?"
Deshi të qeshte me fjalët e saj. Ajo s’pati lindur atje, as nuk qe rritur, as pati jetuar kurrë në Shqipëri përveç një vizite.
Atëhere pa se ajo kishte vënë buzën në gaz. Qe përhumbur brënda qeshjes së saj, e nuk ishte në gjendje të përcaktonte saktësisht se cfarë fshihej nën të, por në të njejtën kohë ai pati idenë se qeshja e saj ishte një shpreheje komplekse e vetëdijes së këndeshme të fëmijes që loz më ndjenjat dhe friken e prindit, që tremb me gjoja konceptet e saja të rrema për jetën dhe idetë e saja për të qene e sukseseshme, e prap ajo qeshje kishte mbi vete ylberimin mbi mugetiren filozofike të frikës, nga ku ke nisur shkitjen; krenarinë e të të mos patit më turp t’i thuash vetes Shqiptare, se vinte, nga nuk desh ta mohonte më gjatë, gjaku i të parëve, nga ana e të atit.
Ai ndjeu se kënaqesia e pranimit të indetitetit të saj, me një lloj krenarie që dukesh fisnike, e mbyti ndjenjen e zhgenjimit me të, për faktin që ajo kërkonte të binte në sy të shokëve e shoqeve, me një lloj filozofie feminore qe ngjitet si myshk ne vetedijen e gjithkujt por që në hedhtë rrënjë do të ngjante më tepër me shpimin e gomava, ku pa makinë, rruga që shtrihet përpara, bëhej më e gjatë dhe më e lodheshme.
Deri vetëm pak kohë më parë, Dredheza e tij pati mohuar me forcë çdo llojë lidhje gjaku me atë fis të lashtë të Ballkanit, për të cilin i ati nuk pushonte se rrahuri gjoksin e së shtyturi llafin, deri në bezdi të miqeve të tij Amerikanë, një fis që kishte nisur të përçmohej prej saj, që kur pa se ç’mall qenë ata, para disa vitesh, kur vizatoi Shqipërinë.
Ata qentë i gjunin me shqelma, zogjtë nëpër pemë i ndiqnin me gurë, vrisnin bolla e gjarpërinj me shkopinj, e hidhnin breshkat nga maja e shkëmbit, madje dhe lopët që milnin i rrihnin me drurë, e mollët e ngrëna përgjysëm i flaknin, që brënda, nga xhamat e hapur, tutje në rrugë, e shurrën, madje edhe shurren e bënin në ujrat e detit se përtonin të ecnin mbi rërën e nxehtë, mes çadrash ndanë bregut, të shkonin në banjo.
Por ajo që urrente më tepër qe fakti se si kishin qeshur me të, kur gjeti një kotele të vogël, me një këmbë të thyer, në lulishtën që kishte nisur të thahej për ujë, dhe e solli në shtëpinë e kusherinjëve të saj, se duhej ushqyer, e kërkoi pak qumësht, e mori një shishe, ndërsa këmbën i’a lidhi me një copë pelhurë, që grisi nga fustani që kusherira e saj se vishte më por qe e mbanin pa hedhur, ndër rrobat e tjera, të lanin me lecka të tilla dyshemenë e shtëpisë.
Kur bashkë me të atin, erdhi sërish në Amerikë, ndër gjërat e para që bëri, që telefonata me kusherinjtë, thjeshtë t’i falenderonte ata për kohen që kishin kaluar sëbashku e për tu treguar atyre sa shpejt e kishte zënë malli, e natyrishtë për të pyetur për macken e vogël, pa ditur, që me keqardhje do të mësonte, se maceja e saj kishte ikur nga dera e hapur e nuk ishte kthyer më kurrë.
Ajo e ndjeu se ishte gënjeshtër dhe qe e sigurt se ata e kishin lënë vetë macen të ikte apo edhe më keq akoma, ndoshta e kishin hedhur të mbytej në lum.
Dredheza e dinte qe kotelja e saj, edhe nëse, nxjerrë nga dera me forcë, prap vinte e qante pas dere. "E si mund të zhdukej ajo kësisoj?"
Dredhëza ndjeu të qe tradhtuar ende pa u larguar mirë; iu duk se mezi kishin pritur të ikë drejt aeroportit dhe që nga ajo ditë as qe deshi të mendonte më për kushërinjtë e saj në Ballkan, e sadoqe i ati u përpoq ta bindë, kurrë më se pa Shqipërinë.
Por kohët e fundit ajo pati nisur të përdorte më shumë fjalë e shprehje shqipe, fjalë e shprehje që s’i kishte ditur më parë, e atij i shkoi nëpër mend se kushedi po fliste me shokë të rinj Shqiptaro-Amerikan në linjë.
E prap brënda buzëqeshjes së saj ai që në gjendje të shohë nuancat e vetëbesimit dhe ndjeu se ajo po zbulonte kënaqësinë e të qenit në gjendje për të marrë vendime jetike për veten e se kishte arritur ta njihte kështu potencialin e vet, për të ecur përpara edhe pa patericat tradicionale të shkollës së lartë, e qe këtë e ilustrionte edhe me dukshem me pozen që mirrte, e për më tepër, dukej se ajo besonte në gjithë këto, nga fakti se ishte shqiptare, e se të qenit Shqiptar sikur nënkuptonte për të, më tepër shance ngadhnjimi, mbi sfidad që ndeshim përpara.
Por mbi të gjitha, mënyra se si po buzëqeshte ajo, fliste për përpjekjen e këndeshme të saj për të provokuar e ngarë, të atin gjërsa të ngrysej me vetullat përpjetë, e të niste kështu ligjerimin, ekzakt siç nisi të flasë:
"Dëgjo këtu Dredheza!", ai mbertheu rripin sigurisë, i hutuar, e qe gati të niste makinen, të iknin prap nga patën ardhur, edhe pse sapo kishin parkuar e Dredhëza priste të zbriznin e të futej brenda dyqanit, për të blerë dhuraten për ditelindjen e shoqes, për të cilin kishin ardhur.
"Nese nuk do të shkosh në kollegj nuk do të jetë e largët dita kur ta shohesh veten me pjata në duar tek u sherben shokeve me të cilet ke folur, që doemos do të jenë bërë avaokatë a doktorrë, pikerisht se kanë shkuar në shkollen e lartë. Nëse kjo është shqiptareja qe ke zgjedhur të jesh, të heqesh pjatat ku ata hedhin pecetat, e të numerosh fshehur diku afër derës, bakshishet që lenë, kështu qoftë, por..."
"Porbabi", - u hodh ajo, prap duke qeshur, "Shih vetën tënde përshëmbull, "ti ske ndonje shkollë të lartë, po shih a su bëre ti biznizmen i sukseseshem?"
Desh të kundërshtonte aty për aty por pa se edhe vetë zuri të qeshë.
Dredhëza, me sytë që ndritën sërish, u hodh e tha:
"Oh, bab baba, mos u bëj si bebe, se po bëj shaka" - edhe hapi krahët e u lidh pas tij.
Ai qeshte nën vetë ndërsa hynin brënda. Por ndërsa Dredhëza kalonte përmes korridoreve e shtretheve me lojra, për të zgjedhur dhuratën, ai po kridhej gjithnjë e më thellë, në mendime që ishin të trishta se kishin të bënin me zbulimin aksidental të se vertetës së madhe mbi të.
Prej kohesh e shihte vetëvetën në majën e shkallës, atje lart e mendonte se kishte lozur, siç kishte dashur me jeten në saj të intelektit dhe shkollimit që kishte, por krejt pa pritur pa se po çirrej besimi i rremë dhe ideja e gabuar; e gjithë Odiseja e jetes së tij tani ngjau me veç një pedalim këmbësh, mes ledhesh të cekët nga pati kaluar, shtyrë nga erërat e rrjedhat e fatit.
Brënda pak sekondash, shtëllungat e jetës u rishfaqen serish si xhirim së prapthi, e ai po përthithte mjegullnajat e saj, si tym duhani që ngrihet e bie, nga hundët e buzët që thithin çibukun, në mushkuritë e në gjakun tënd.
E, pas gjithë këtij tymi, prap shihte veten, si përmes kallamishtesh; atje binte ndër rrënjë e kapej ndër degë, ngarkuar me baltë e përlyer me llum, larg aq larg sa nuk dukeshin më brigjet nga ku ishte nisur të mbërrinte këtu.
Atje ku qiell e tokë, e dete treten në një horizontit, pa veten e tij, tek rrinte në këmbë, ndanë oborrit, në ditën e zisë; në vdekjen tragjike të prindërve.
Nuk duhej të shte me shumë se shtatë vjeç. Motra pak më shumë se pesëmbëdhjetë e gjysëm. Turbull, ende kujtonte turmën që ndiqte xhenazet, drejt varrezave të fshatit, e ënde dhe më thellë në harkun e kohës që tkurret nga pas, e gjente vetveten mes njerzeve qe veç mëshironin; burra që dridhnin cigare, gra me rroba të zeza, vaj, hidherim e pikëllim por kundrejt çdo përpjekje të shtynte veten pak më tej në kohë, kurrë nuk mundi të futej brënda shtëpisë, ku qahej me fjalë e me kuje, të shihte kufomat e prindreve, mbyllur në arkivolet prej druri, të vëna në mesin e dhomës, rrethuar nga gratë.
Vonë, pati mësuar se prindërit, atë natë, patën qenë për darkë tek dajo, dajo të cilen e njihte vetëm në saj te fotove, në albumin që patën harruar kur ikën nga Shqipëria.
Dajo me tërë familja e bashkë me prinderit e tij qenë shuar njëherë e përgjithmonë atë natë. Shishen ku kishin hedhur vajin e ullirit, që benin duke shkelur me këmbë, e kishin përdorur për të mbajtur helme minjsh, më parë.
Ndoshat se kishin larë mirë, mbase se kishin larë fare, ndoshta dikush tjetër i kishte mbytur. Askush s’do ta dij të vertetën, por ajo që dihej është fakti se edhe ai edhe Vera ishin gjallë, vetëm si rrjedhojë e e nje aksidenti, që nuk ksihin vajtur me prinderit tek dajo.
Ai kishte shkuar te flinte në shtëpinë e një shoku të klases së parë. Kur babai qe kthyer nga puna e i kishte thenë të ëmës të behesh gati, kishte qenë tepër vonë të ngjiteshin në maj të kodres, ku shoku i klases banonte. Vera në anën tjetër kishte preferuar të qëndrojë tek xhaxhai sepse xhaxhai i tyre ishte i vetmi në fshat, atëhere, që kishte arritur të blinte, një telivozor të tipit Filips, për të parë një film me seri që jepej çdo të premte; një film për të cilet do flitej të nesermen në ara, dhe korridoret e shkolles së natës, ndër rrugë e në stacionin e autobuzit, nga ata qe kishin patur fatit ta shihnin.
Fat apo caktuar prej zotash, të dy kishin mbetur të gjallë.
Në fillim, e gjithë përkujdesja erdhi nga xhaxhallarët të cilët jetonin pranë, por mëkimi me dashuri vinte nga syte e dhembshur të tërë fshatit gjersa një ditë Vera u rrit të bënte çfarë deshi të bënte; gjëra që skuqnin me turpe kusherinjtë dhe xhaxhallarët, dhe fqinjet që s’kishin, amdje, asnjë lidhje gjaku me ta.
Shumë shpejt mëhallja u ktheu kurrizin.
U hapen gjer edhe thashatheme të tilla se Vera çoç bente me meshkujt që ishin disa vjet më të medhenj; "lozte"- ankohej ai – "mbi byk ndër lëmenj".
Fqinjët si linin më çupat në shtëpinë e tyre.
Gojet e këqia do të mbërrinnin kulmin, kur një ditë, tërë fshati nisi çuçuritjen se Veren e kishin gjetur lakuriq me mësuesin e vizatimit, një djalë nga qyteti ky që flinte në dhomën e mësuesve sa herë që moti prishej e s’shkohej pa u lagur nëpër shi, deri tek stacioni i autobuzit, në fshatin fqinjë.
Por që nga ajo ditë, mësuesi i vazatimit nuk u duk më kurrë as në fshat e as në shkollën e tyre. Mbase qe zhdukur nga frika se klani i saj do ta hiqte qafe për të vënë nderin në vend ose kushedi e kishin rrasur brënda, për këtë akt që në atë kohë, nëse jashtë martese konsiderohej imoral e të dënonin me ligj.
Ai ishte në klasën e pestë kur të dy xhaxhallarët sulmuan shtëpinë dhe pasi kapen Veren, për flokësh e tërhoqen zvarrë në mes të oborrit, ku çirreshin më zë të lartë, sikur kërkonin vëmendjen e mehallës; me fjalët që ende kumbojne brënda tij; "Kujt i ngjave ti o kurv e ndyrë?"
Njëri nga xhaxhallarët mbante sëpatën në duar. Tjetri e vuri Veren portokë e shkeli me këmbë dhe me njëren dorë e tërhoqi për flokësh duke i’a tendosur qafen e hollë, gati për tefin e sëpatës, po qenë fqinjët ata që erdhen e i rroken të dy xhaxhallarët për leckash, i hoqen sëpatën nga duart, para se të çakardisur e lemeritur siç qenë ata, në çmendurinë e lendimit të tyre, tia hiqnin koken të motres, si lule dielli.
Ai qe endë i ri për tu dhenë të drejtë xhaxhallareve e t’i falte se kishte kuptuar se çturp pati hedhur mbi rracen e tyre e motra, por jo aq i ri sa t’i shpëtonte t’kurrjes nga shoku dhe bymimit nga revolta, për të klithur e për të kundërshtuar, veprimin barbar para syve, për të ndihmuar e mbrojtur motren e vetme që kishte, me një zë që më shumë se kërcenuas që i mbytur me vaj.
"O nënën juve çfarë keni, me ne! Mos jeni gjë ju prindrit tanë, o maskarej! "
Që nga ajo natë atë prenë çdo lloj lidhje me kusherinjte e fqinjet e askush nga i deshi më në tërë fisine tyre.
Vera qe e vetmja që përkujdesej për të, të pakten, sa hërë që ishte në shtëpi, se në më të shumten e rasteve ajo ishte larg, me me shoferët e kamioneve që mirrnin qymyr në minjeren e fshatit dhe e degdisnin diku perendimit.
Vajzat kishin frikë të flisnin me Veren, në sy të të tjereve, por sa herë që gjenin mundësinë, larg syve të botës, ata qaseshin pas gardhit, jo me mllef e neveri siç pretendonin, për të kënaqur cektesinë e prindreve të tyre, por me një admirim e kuriozitet sikur Vera të ishte një idhull i fshehtë për ta, e mësonin prej saj ca gjëra të guximeshme që zdo të mund t’i mësonoin gjetiu. Pyetjet e tyre kerkonin guxim e kurajo ose kështu i dukëj atij, nga mënyra se si komunikonin, e qeshnin ato, e skuqeshin flakë, me një lloj zakoni të përbashkët; të gjithë mbyllini gojen e vogel me gishta e njomë, sa here qeshnin, por seç kishte një lloj keqardhje nën buzegasin e tyre. Mbase zili që Veres s’ia ndinte për kënd, kur ishte fjala, për kenaqesitë e vetës.
Vajzave nuk u lejohej në atë kohë të dlinin me djem apo të flisnin vetem për vetëm me ta.
Por gjithë për çka flsinin me Veren, qenë djemtë, dhe gjëra që behen me djemtë, gjëra që e vinin atë në siklet e sa më shumë rritej aq edhe më mirë kuptonte se femrat ishin më të përdala se meshkujt, brenda rrethit të tyre e se çupkat flsinin për gjera qe djemtë kurrë s’i tregojnë njëri tjetrit. Por ajo që e shkatërronte më tepër qe fakti që ata as që e vinin re prezencen e tij. Atyre as që i hynte në sy egzistenca e tij, sikur ai të ishte për to një send i pashpirtë a një këlysh qeni qe nuk iken por ngatërrohet nëpër këmbë e tua, i pa dëmshem e krejt naiv, që do injoruar.
Me çdo ditë që ikte ai bëhej gjithnjë e më i pafuqishem, t’i thoshte të motres se nuk i pelqente këto lloj bisedash, se ata ishin pislleqe e binin kuterbime të këqia për ajo që po ndodhte ishte se sa më shumë kalonte koha aq edhe më i butë ai bëhej, e nisi të pranonte, kështu, krejt natyrshem edhe veten edhe Veren në orbiten që i mbante të lidhur, me fije të padukeshme, si vëlla e si motër.
Sa më shumë koha rridhte për të sjellur pranë, ditën e ndarjes larg njëri tjetrit, se po rritej e po bëhej burrë, aq edhe më i plogësht e më i butë bëhej ai e aq edhe me e pazemert, më e pa takt, më e rreptë, më e sertë e më e eger me të, bëhej ajo.
Ishte Vera ajo qe nuk e kishte lejuar, me menyren e saj, të bëhej njeri i zërit të vet. Ai ishte zog i dënuar të mos fluturojë. Ajo i’a kishte prerë pendet, pa i’u rritur mirë, i’a hiqte pupulat e reja pa mbirë; një qen ishte ai, i rrahur, i shtruar, që vetëm ul koken e tund bishtin ndër shalët e të zot.
E megjithatë, ajo gjithnjë do të ankohej se na paskësh vëlla një mashkull pa bole. Ishte e qartë se asaj nuk i pelqenin meshkujt e butë e jo më të kishte një të tillë nën të njetën çati si vellain e vet, por Vera qe e verbër të shihte se ishte pikërisht ajo që duhej të kishte mëkuar, karakterin prej burri tek ai, por bëri në fakt të kunderten, si e kishte veçuar nga xhaxhallarët e kusherinjtë, për ta mbyllur në shtëpi pa asnjë lloj mashkulli përreth, nga ku do të kishte mësuar cilesitë e të qenit ndryshe, nga ç’qe.
Prapseprapë ai e deshte dhe e rrespektonte të motren për gjithë çka bënte ajo. Ajo gatuante e lante, e ishte ajo që e mbulonte naten në shtrat.
Kur shkollat zunë të digjeshin ndër fshatra nga trazirat që përhapeshin, atë vit, si kolla e gripit përqark, nga turmat e tektisura që moren revan të shkojnë në Evropë, duke shkatërruar vendin e tyre e duke menduar se kështu perendimi do ti qaste në pragun e vet, me krahet e hapur, kur zyrat rrembeheshin e bëheshin banesa nga ata që s’kishin patur vend te mjaftueshem në shtëpitë e tyre për të fjetur, ai sapo kishte mbushur të njëzetat.
Shumica e shokëve ishin ushtarë, pak, fare pak kishin qenë me fat të shkonin në shkollen e lartë. Ai për vete shkonte në shkollën e natës, e cila konsiderohej ekuivalente e shkollës se meseme të ditës, edhe pse nxenesit që shkonin atje, dremisnin mbi banka, tërë kohes, lodhur nga puna e rëndë e ditës në arë.
Kishte shkuar në shkollën e mbremjes jo nga fakti se deshi deftesën, jo, as që e çante koken për të edhe pse lexonte çdo natë, libra jashëshkollor. Ai shkoi atje për shkak se disa prej vajzave, të cilat punonin fushave gjatë ditës, studionin në mbrëmje, duke shpresuar se kështu do të kishin shanse më shumë për mbleserit, tu gjenin djem nga qyteti, t’i shpëtonin punëve të renda ndër ara nën Diellit që të përvelon.
Kurrë nuk pati kurajon të ishte i drejtëpërdrejtë me ta. T’i thoshte qoftë edhe vetem njërës prej tyre sa shumë e përvelonte deshira t’ia falnin atë kurmin e bukur qoftë, edhe vetem një çast.
Kishte një shkrumburim të brëndëshem për pak dashuri. Jo, nuk ishte dashuria që njohim, ajo për të cilen vuante. Ai nuk qe me aq fat sa të provonte se çqe dashuria. Gjithë çka deshte ai ishte një prekje e dridheshme nga dora e brishtë e një femre, një shtypje nën cicka, një shtrëngim mes duarsh, ku shihen damaret blu nën lëkuren e hollë, një ngrohje epshore mes kofshash, të ndizte një zjarrë te një femer, qoftë dhe vetem një herë. Nuk kishte rëndësi për të se nga kush do të vinte përmbushja e një nevoje të tillë për aq koh sa do vinte nga trupi e shpirti i bukur i në femre, e e bukur qe në atë moshë çdo femër që shihej përreth.
Shpesh ai fantazonte një botë pa burra e djem ku, mes femrave që ngjanin në ëndërrimin e tij, me meshqerrat qe rendin tatpjetës, poshtë ku mëzati pëllet. I vetëm, në mesin e tyre, e ku nuk ish më nevoja, tu qasesh me lloj lloj mundimi, se ishin femrat ata qe do të vinin kush e kush të fitonte atë më në fund.
Që pikërisht atë verë, kur njërzit iknin, si lopet kur trëmben nga mali, e çanin gjerdhet përmes, kur Vera erdhi nxitimthi, me të dashurin e saj, Gazmendin.
Si hynë në shtëpi ata moren ca rroba të Verës e pa pikë kujdesi i rrasen në një çantë prej lekure, edhe u nisen, me ngut, në drejtim të qytetit.
Të gjithë në fshat po vraponin në të njetin drejtim. Atje prisnin anijet, që më pas do të lundronin tutje, nga vëndi i tyre, rrënojë.
Si i pa të iknin me ngut ai nise te vraponte pas tyre. Thjeshtë tu lutej,të rrinin, t’I binde ata të qëndrojnë se tashmë që vetem pleqt kishin mbetur në fshat, ishte një shans i madh për një jetë më të mirë. Tokat qenë krejt pa të zot, shtepitë pa njëri, lope e kuaj e dhi e dele, lënë vetem në natyrë, pula e rosa e pata, qe pillnin veze vetem për bollat jo më ndër furriqe por nder gjerdhet e prishura ku shumoheshin, përditë, gjarpërinjtë. Tani që shumica e njerëzve ngjante në ikje me kafshët, jeta kishte nisur të qeshte për ata që kishin sy, për ata që nuk ishin vërbuar nga deshira e marrë e ikjes.
Por askush nuk desh të qëndronte, ndanë shtyllës ku kishin qënë lidhur, tani që vargonjtë e ndryshkur ishin këputur, sakaq. Të gjithë vraponin pas diellit qe ikte e fshihej tej detit, diku për në anën tjtër të detit, në Perendim.
Duke patur frikë të fliste ai i ndoqi, i heshtur, Gazmendin dhe Veren gjersa të tre u gjenden përballë portit detar.
Një anije mallrash qe ajo që po priste me motorra të ndezur. Turma e njerëzeve, shtyhej, ulurinte, mallkonte, kërcenonte e lutej, të gjitha në përpjekje për tu futur, brënda, a thua se ajo të ishte arka e Noit.
Seç pati një lloj paniku, të futej atje.
Por Vera ktheu koken e pa nga ai. Diçka i foli Gazmendit, me sytë ngulur qëlarg brënda syve të tij. Gazmendi u hodh përsëri në bankinë, e si çau turmen mespërmes, u afrua, dhe e kapi për krahu e terhoqi pas vetës, sikur shqeu një degëz të njomë nga një trung i thatë i një pemë të madhe e të vjetër, e serish u gjenden të tre, tashmë brënda anijes.
Bile edhe në ato momente, shtyrë e tërhequr si një fije alge nga dallga e detit, ai ndjeu se ishte me fat për faktin se motra e vetme jo vetem që kishte bërë për vete një kriminel si Gazmendi, (kështu flitej për të) por kishte shkuar deri atje sa të zbuste shpirtin e tije të egër e Gazmendi tani perkujdesjej për vëllain e saj, prap duke u sjellë si harbut me të tjerët, që shtynte me bërryla, si t’i vintë pështirë që kishte të bënte me ta.
Sa kohë që Vera e Gazmendi qenë bashkë askujt s’ia mbante të tallej me të.
Edhe pse në një farë mënyre, Gazmendi kishte vjedhur Veren prej tij, në një tjetër mënyrë, kishte ofruar ca gjëra që Vera kurrë zdo të mund të ofronte.
Kur nisi lundrimi, ai ndjeu një dhimbje të thellë, tek sillte ndër mend shtëpitë e boshatisura, tokat e braktisura e bimet, e pemet, plot e përplotë që do të shkonin kot, pa një dorë për t’i vjelur atë sezon.
Çfarë pa gjatë lundrimit, qe shemtia sjelljes njerëzore që s’ka më frerë e moral. Kushdo që pati ardhur me hpresë e gëzim ndër sy, kishte tani vetem tmerr e llahtar. Turma terhiqej e shtyhej, për një copëz vend, britmat ngriheshin në qiell por humbinin në buçimen e detit, ku flakeshin si lecka gra e femijë, disa me plaga thikash në trup.
Burrat vrisnin të hakmarreshin për gratë e theruara, prinderit për femijet që i përpinte deti, diku pas kiçit të anijes. Ai do të tmerrohej kur pa se Gazmendi që goditur me thikë në ije, e mbahej pa thenë asnjë fjalë tek Vera, e me gjakun që rridhte erdhi e u bë dyll i verdhë e nisit të shkiste kështu, si bora qe tretet e bie, e pa thënë as edhe një fjalë, u shtri në kuverten e anijes, nga ku pastaj e shtynë, në detë si ushqim për peshqit.
Ai dhe Vera mbeten sërish vetëm.
Kur mbërriten në bregun tjetër i dërguan në një fushë të madhe futbolli, u dhanë bukë e ushqime, e rroba të ndërroheshin, rrethuar nga policia italiane.
Sapo kishin arritur të komunikonin pak në italisht, u doli visa të iknin serish në SHBA, si refugjatë politikë. I kishte sponcorizuar një kishë katolike. Në Amerikë ì dërguan të jetonin në qytetin e Buit, diku në lindje të Washingtonit.
Për disa vite, Vera nuk do të sillej ndryshe nga ç’ishte sjellë në fshat, përveçese meshkujt që sillte në shtëpi e me të cilet dilte tani, nuk ishin më të gjithë të një ngjyre si në Shqipëri.
Disa nga ata, sidomos ata që vërtetë qenë të vjetë, u kujdesen jo pak për të dy ata, si Billi për shembull. Billi ishte një burrë i martuar, rreth të pesëdhjetave. Në fillim ai vinte në shtëpinë e tyre bashke me të shoqen. Emri i tij i plotë ishte Wiliam, por e shoqa e thërriste Billi, e kështu nisen ta thërrisini edhe ata.
Bashkë me të shoqen, Billi sillte ushqime e rroba e nganjherë u jepte atyre edhe para, të bënin pazarin. Por shpejt, Billi, nis të vinte gjithnjë e më shpesh, pa gruan e brënda një kohe të shkurtër, kurrë më me të.
Billi e Vera shkonin shpesh në kinema e Vera e mirrte edhe atë nga pas sikur ta kishte fëmijë të mitur e jo vëlla mbi njezet e ca vjeç, gjersa një ditë u lodhen me praninë e tij e nisen te shkonin vetem, kudo qe kishin në plan.
Por në vend që Billi e Vera të afroheshin më shumë, tani që ai s’ishte më në praninë e tyre, ata nisen të grindeshin, e grindja behej gjithnjë e me e ashpër.
Billi pati nisur të flinte në dhomen e saj. Ishte Billi në fakt që paguante qiranë, dritat dhe gazin, dhe ujin e telefonin dhe kabllin e televizorit.
Një natë dëgjoi se si Billi po çirrej, duke u ankuar se ai ksihte lënë familjen e se nuk e meritonte këtë lloj sjellje prej saj. Kohët e fundit, kishte parë shpesh Billin tek i hidhte, dorën Veres për supi, tek tentonte ta puthte, po ajo e largonte, siç largojmë merimangat kur bien ndër flokë.
Por atë natë sherri arriti kulmin, u grinden gjatë e më zë të lartë sa Vera më në fund therrit policinë, që ta nxirrnin jashtë.
Nga ajo ditë, u zhvendosen në Uashington, ku gjeten një apartament me një dhomë gjumi. Ai do të flinte në kolltukun që konvertohej në shtrat, në dhomen e ndenjes, por i kënaqur që s’kishte më Billin nëpër këmbë.
Për një arsye a tjetër, se kishte dashur asnjëherë atë njëri, bile pati krijuar një lloj apatie për të, qëkur Billi braktisi familjen për të jetuar me ta.
Por ja që nuk do të mirrte gjatë kur Vera e Billi do të flinin bashkë, prap në të njetin shtrat. Kjo, kishte konstatuar ai, ndodhte çdo herë që duhej paguar qiraja e shtëpisë apo kur Vera kishte nevoj, të blinte rrobat e reja të stines.
Aty bashkohu, aty ndahu, e bashkohu prap e ndahu prap, mardhenjet e tyre do të zgjasnin deri diten që Vera u njoh me Markun, një djalë nga Filadelfia, që tani ishte burri i saj. Marku kishte diçka që të kujtonte Gazmendin. Mbase trupin me muskuj, mbase krenarinë e moskokçarjen se si ecte me motroçiklet, mbase tatuazhet, që ai mësoi, të ishin sëmundje ngjitese, sepse shpejt një ditë, kurrizin e Verës do ta mbulonte tatuazhi i Shqiponjes dy krerëshe, me krahet që hapeshin mbi të dy shpatullat, e kokat që shihnin nga secili drejtim mbi supe, vetem pak fare poshtë qafës së saj të hollë.
Nuk i pelqente ta sillte nëpër mend, po ja që se shqiste dot nga sytë, imazhin e keq. I ngjante se simboli shqiptar, që ajo kishte damkosur mbi vete, dukej me kthetrat e zgjatur poshte belit, ku niste llastiku i brekeve, sikur dilte prej bythe. E urrente veten që mendonte kështu po prap nuk mund ta ndihmonte veten të mendonte ndryshe, deshte t’i thoshte të motres të shkonte e ta hiqte diku, po s’kishte guxim ta kritikonte atë.
Më vonë mësoi se edhe këtu në Amerikë, femrat si yje kishin të njeten marrëzi të çmendur, sipas tij, të mbulonin prapnicen e bukur me yjet ngjyrat e flamurit të tyre.
Kurrë nuk e kishte pëlqyer këtë e kurrë se kishte kuptuar ku ishte bukuria e një gjëje të tillë. Ishte Ok. për të ta mbaje flamurin si bluze a si sitjene mbi gjoks përshembull, por të mbuloje bythen me të, kjo kalonte çdo masë. E, sipas shijeve të tij, ishte përdhosje e flamurit por e fshehu, brënda vetvetës edhe këtë mendimin.
Kur Vera u largua për të jetuar me Markun e ai mbeti fillikat, për çudi, nuk e ndjeu aspak veten i vetmuar, mbase ngaqe kishte filluar punen në një Makdonalld, aty afër. Në fillim lante banjot, dyshemenë e tavolinat e ngrënjes, më vonë përgatiste sandviçat e fërgonte patatet, e kur e moren në punë në pallatin ku jetonte, në kompleksin "Dorçestër" që ngrihej në një kodër të butë, në rrugën 16-të, nga ku shihej poshtë, Shtëpia e Bardhë, sapo kishte filluar të mirrte porosite e klienteve dhe qe i kënaqur e kreanar me kaq.
Duke qenë vetëm në shtëpi, ai do të zbriste në hollin e ndërtesës, thjeshtë për të kaluar kohen. Dilte jashtë portës kryesore, ku ndalonin makinat e taksitë që linin aty para derës vajzat, të cilët buzëqeshnin e shkonin në punën e tyre. E vetmja gjë që i krijonte bezdi ishte portieri, i ulur prapa tavolinës, brenda hollit, që e shihte vëngëra, që pertej deres së xhamtë, thua se do të vidhte punen.
Në një prej ditëve, kur mberriti poshtë pa se portieri mungonte e i pelqeu të ulej në karrigen e zbrazur, ngjitur me porten, por brënda hollit e i’u duk si lojë e këndeshem të hapte deren për qiraxhinjt që vinin, pa shtypur ende butonin e ziles.
Banorët e pallatit falenderonin ëmbël e disa prej tyre ndalnin e flisnin pak më gjatë. Për herë të parë shumica e tyre po pyesnin se nga vinte e çfarë gjuhe flsite apo ku punonte, e madje edhe disa pyetje private si në kishte të dashur, apo atë pyetjen e zakoneshme që u bëhet të huajve, në raste të tilla; "A të pelqen këtu?".
Disa prej tyre, do të ndalnin më pas, në dhomen ku ishin kutitë postare, ballëpërballë me zyren e menexhmentit, e do t’i shprehinin menaxheres së pallatit, kënaqesinë, për portierin e ri, duke menduar se ai ishte atje kot.
Menaxhereja, një vajzë zeshkane e me flokë të dredhura, me të cilen ai kishte fantazuar disa herë, i vetëm, në shtrat, pati ardhur nga zyra për ta pyetur nëse donte të punonte si portier.
Si nisi nga puna, ai nis të praktikonte anglisht me cilindo që kishte kohë e deshirë të bisedonte.
Zakonisht, neteve të fundjavës, do të rastiste një femer, qe kthehej fillikat nga klubet e natës, e do ta ftonte lart, në banesen e saj.
Kurrë jeta s’kishte qenë kaq e begatë!
E gjithshka vetem për një gjest krejt të rastësishem, për një akt uljeje në një karrige të zbrasur. Rastesi apo caktuar prej zotash?
Shpejt ai u rrit në detyrë e punonte si sportelist, në thellesi të korridorit të gjatë. Me rritjen e rrogës e la fare punen në Makdonalld e çdo mengjez nisi të shkonte në shkollë, të mësote anglisht. Pasi kthehej nga Kardoza, shkolla e anglishtes, lexonte libra e gazeta me fjalor në dorë. Në një kohë të shkurtër, ndjeu se kuptpnte çdo fjalë që flisnin qiraxhinjtë me të, e kuptonte pa vështirësi tani çdo llojë filmi që shihte.
Ndanë sportelit, një mbremje po rrinte një djalë që, sapo kishte kaluar provimin e jurisprudencës, por që ende nuk kishte gjetur punë. Emri i tij ishte Tod.
Babai I Viktores kishte një firmë avokaterie në periferi të Washingtonit, në Arlington.
Kishte disa jave që dilte me Viktoren e nuk shkonte më e as nuk kishte dëshirë, të shkonte me femra të tjera, që prap vinin dehur nga klubet e natës. Mbase edhe nga shkaku qe menaxherja e kishte thërritur në zyrë, një ditë e me një zë tepër serioz, i kishte thënë:
"Nuk e di në vëndin tënd, por këtu në Amerikë njerëzit nuk e futin atë gjënë e tyre atje ku punojnë, përndryshe kusurët i heq kompania që të merr në punë!"
Ai nuk kishte kundërshtuar vertetësinë e fjaleve të saj. Në fund të fundit mashkull qe ai e as i qe lutur e as i pati kërkuar kujt të flinte me të. Ata e kishin ftuar e ai nuk ishte pa gjak; por i pelqente puna që kishte më shumë se sa argumentimi, e megjithatë prap s’kishte mundur ta fshinte nje tis buzeqesheje në fytyrë, sepse aty për aty i qe kujtuar Presidenti dhe mezi e kishte mbajtur nëpër dhëmbë e pa thenë fjalinë: "Po, po. Këtu në Amerikë ne fusim cigare në vënd të asaj gjësë, po unë për veten time preferoj të fus atë gjënë time me parë." E më zë kishte premtuar se kurrë më nuk do të kishte lidhje me qiraxhinjtë e menexherja e kishte besuar.
Kur babai i Viktores e kishte marrë Todin në punë, si shenjë vlersimi, Todi i kishte dhenë dy bileta për në parkun e madh të lojrave, në "Kings Dominion".
Ishte hera e parë për të që hipte në një rollerkoaster dhe nëse nuk do të kishte qenë me Viktoren, do të ishte çjerrur me sa fuqi që kishte, ta ndalnin e të zbriste e zdo hidhte më, kurrë, këmbë në atë gjë koti e të frikshme.
Ndërsa çdo njëri bërtiste gjithë eksitim, tek binin si raketa drejtë tokës, me kokën tëposhtë e këmbët përpjetë, ai mbyllë sytë, duke u mbajtur fort, në shufrat prej hekuri, mbi gjoks e duke lutur Perëndinë të mos niste të vjellat apo me keq akoma, mos flakej e binte përdhe, i bërë copa-copa. Por sa herë Viktoria e pyeste "Hë, si tu duk" ai do të thoshte, "Mrekulli o Zot, o Zot. sa mirë."
Tek ktheheshin atë natë nga qyteti i Frederikut, ai vetëm mendonte sa lehte është në këtë botë të besh ndere që stë kushtojnë asgje e të shpërblehesh për to, si gjetja e një pune për Todin, për shembull.
Kjo, kjo qe e gjitha!
Krejt pa pritur ai kishte zbuluar diçka grandioze. Diçka madheshtore sapo kishte shkrepur brënda trurit të tij. Ishte shperthim aksidental i "big bangut" të madh që tjetrsoi qënësinë e tij.
Me të mberritur në shtepi, si i kishte thenë naten e mirë Viktores, kishte telefonuar Veren në Filadelfia, t’i tregonte se ç’kishte në plan.
"Ti je i çmendur" – qe hedhur ajo, - "Kush është ai rrotë të të paguaj ty që ti gjeke punë? Po ti s’mund të gjesh një copë punë për vete o qyq!"
Por kjo nuk e ndali atë. Jo tani, jo në këtë rast.
Në shkollë, ku mësontei anglisht, qe bërë tashmë gjithë sy e veshë. Sikur shkonte atje të mësonte se çfarë profesioni kishin secili e çfarë pune bënin këtu.
Atje, për shembull, ishte një djalë nga Mongolia. Ai tha se kishte qene kuzhinier në ushtri, në vendin e tij dhe që nga ajo kohë ai kishte përftuar një lloj dashurie për kuzhinën.
Kshte patur idenë se Mongolitet vetëm të rrinin maj kalit dinin e jo të gatuanin, por ja ku ishte një mongolit tani me një profesion për të bërë një dollar më shume, nëse ai do të vepronte me ngut.
Një natë më parë së bashku me Veren, kishin shkuar për darkë në "Spageti Garden", jo larg baneses së tyre. Darka qe vonuar më shumë se zakonisht. Atëhere pronari i restorantit qe afruar në tryezen e tyre, për të kërkuar ndjesë për vonesën, duke thënë se pijet ishin të paguar prej tij, dhe duke i falënderuar për mirëkuptimin.
"Jemi mangut në kuzhinë" kishte shpjeguar ai, sepse njëri nga guzhinjerët ishte larguar nga Amerika.
Ekzakt çfarë ai do të kishte dashur të ishte. Bashkë me shokun klases u nis per tek restauranti, pasi kishte marrë premtimin se Mongoliti do ta paguante 100 dollar, si kosto e gjetjes së punës, nëse do ta mirrnin në punë, natyrisht. E nuk u habit aspak që e moren në punë direkt. Që nga ajo ditë filloi të gjente pastruese për qiraxhinjtë e pallatit, që jetonin vetëm dhe bënte pazarët e marrëveshjes mes tyre. E bëri këtë punë për rreth pesë – gjashtë muaj, derisa një ditë babai Viktores do të ulej me ta, t’i mbushte mendjen më shume vajzes së vet se sa atij se kishte ardhur koha që tashme të kishin kompaninë e tyre; të hapnin një zyre temporare të punës.
Ishte babai i Viktores që u huazoi 40.000 dollarë, një kredi që ata e shlyen brenda vitit.
Kryesisht punonin me kompani të vogla ndertimi me jo me shume se 100 punonjes, e u gjenin atyre murator a hidraulikë të përkoheshem, sipas llojit të punës, punonin me hotele të pamvarur e restorante lokalë, por aty këtu kishin lidhur disa kontrata me ca firma të vogla avokatësh e zyra të vogla kontabilitetit, e u gjenin atyre, sa herë kishin nevojë, daktiligrafistë e sekretare, e ndihmes të kësaj natyre për punë të tilla, klerike.
Shpejt ai nisi të ndiqte kalsa menaxhimi, administrime pune, klasa elementare të kontabilitetit, mësoi me hollësi programin e Quik Books, dhe mund të mbante vete tërë llogaritë e kompanisë, të kontrollonte me një shkelje butoni tabelat e fitimeve e te ardhurave e të priste çeqet e të gjithë punëtoreve të tij, nëse ishte e nevojeshme.
Ndërsa rritej e fuqizohej kompania që kishte krijuar, ai nisi të shoqerohej me avokatë të cilet formulaonin kontratat e punës për të e shpejt harroi se madje edhe diplomen e shkollës së lartë e kishte blerë me para, nepërmjet disa kontakteve që Vera kishte me disa sekserë në Shqipëri, ku me para të gjenin edhe qumesht dallendyshje e pa kaluar shumë koha nga larja e banjove ne Makdonalld, nisi ta kujtonte veten si një njeri i një rangu të lartë.
Kur Viktoria e braktisi atë edhe Dredhezen, më në fund, ajo qe e lumtur vetem të dilte nga martesa. Gjithë çka deshi ajo qe, të ishte e sigurtë se Dredheza kishte dikë të kujdesej për të; asgjë tjetër.
E gjithë kompania do t’i mbetej atij.
Ata munden të ruanin marrëdhënie të mira me njeri tjetrin pa plasaritje lendimesh divorci, sepse të dy kishin dashur të ishin pa tjetrin.
Kompania vazhdonte të rritej...
Dukej sikur, brenda sekondit, jeta që pati jetuar bëri paradën para syve të tij. Ndërsa Dredheza ende kërkonte dhuraten për ditëlindjen e shoqes ai prap dëgjonte zërin e saj të jehonte zhurmshëm: "Shih vetën tënde baba, ti s'ke ndonje shkollë të lartë, po prap a s'u bërë ti biznesmen i sukseseshem"
"Po", - foli me vete ai, me një zë të trishtë që theri gjerë në palcë, - "Unë jam vetëm një produkt aksidentesh, një pjellë rastësish edhe vetem kaq!"
E nëse Dredheza nuk do të ishte aty, tek afrohej me qeshjen ndër sy, ta përqafonte me doçkat e saja të vogla, përpara se ai të kundershtonte, për gjërat që deshi të blinte, perveç dhuratës për shoqen, ai do të ishte ndjerë, tmerrësisht, keq, do t’i vinte keq për veten, dhe për tërë jetën e tij, gjer edhe për tërë universin.
Sepse gjithçka, mendoi ai nuk qenka gjë tjetër, vetem - pjellë aksidenti.

samigjoka@yahoo.com 

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri