VEJUSHA E ARKANIT DHE KULTURA SHQIPTARE

image Ceca Razhnjatoviq



Nga EMIN AZEMI


Rënia e ngadalshme e barrierave kufitare në kuptimin e këmbimit të ideve, vlerave e kapitalit, është një favor që duhet vënë në lëvizje. Maqedonia ka të nënshkruara disa protokolle bashkëpunimi me shtete të ndryshme, duke përfshirë edhe ato të rajonit. Por, nga ajo që mund të shohim në praktikë, pak po bëhet që këto dokumente bashkëpunimi të bëhen realitet. Ekzistimi i një hapësire kulturore te shqiptarët, ka qenë me vite të tëra një ëndërr. Të qenit të ndarë në pikëpamje shtetërore-administrative, shqiptarëve nuk ua mohon ambicien që të ngrenë në një nivel më të lartë bashkëpunimin kulturor.
Jo se atyre ua ka ndaluar dikush, por fitohet përshtypja sikur shqiptarët, sidomos ata në Maqedoni, janë bërë peng të politikave ditore që prodhojnë konjunkturat politike, ato që janë tash në pushtet dhe ato që dikur ishin. Një diplomat i huaj që shërben në Shkup ishte mahnitur nga performanca artistike e një grupi muzikor nga Tirana, të cilin kishte pasur rast ta shikojë në verën (e shkuar) të Ohrit. Por, atij i ishte dashur të shkojë në Ohër që të bindet se te forcat krijuese shqiptare ka vlera të krahasueshme edhe me ato botërore.
Lajmet e fundit nga Tirana e Prishtina tregojnë për disa paraqitje dinjitoze të artistëve të teatrit, muzikës e pikturës, në metropolet e ndryshme të botës. Ndonjë prej tyre madje është kthyer edhe i shpërblyer brenda një konkurrence të rreptë vlerash e afinitetesh krijuese të përmasave të përbotshme. Në Shkup si më dendur na rastis të shohim pllakate që lajmërojnë ardhjen e ndonjë ylli të folkut nga hapësirat e ish-Jugosllavisë. Madje, thuhet se dhjetëra taksi të Shkupi kishin bartur tifozë të çmendur nga Kosova, që kishin ardhur për ta dëgjuar vejushën e Arkanit, Ceca Razhnjatoviq.
Që të jetë absurdi më i madh, ishte Ministria e Kulturës e Maqedonisë ajo që ndau një shumë marramendëse parash për organizimin e këtij koncerti. Për vejushën e Arkanit u çua në këmbë tërë një ministri dhe mijëra shqiptarë për ta mbajtur gjallë frymën e një arti të deplasuar dhe të mykur. Aferim! Në Shkup kemi harruar kur është organizuar ndonjë koncert i Filarmonisë së Tiranës, ndonjë shfaqje teatrore e Prishtinës, apo është ftuar ndonjë shkrimtar shqiptar i kalibrit të Kadaresë, ndonjë artist i formatit të Belushit. Ne sikur jemi bërë pjesëmarrës të një histerie kolektive për të përtypur jovlerat që na i servon çarshia maqedonase dhe injoranca shqiptare (e injektuar në politikë). Sikur të kishim prurje më të shumta të vlerave krijuese shqiptare në Shkup, me siguri do të zbeheshin edhe stereotipet për shqiptarët që janë të ngulitura te një pjesë e opinionit maqedonas dhe te shumë diplomatë të huaj. Këta të fundit madje nuk do të kishin nevojë të shkojnë në Ohër "ta shuajnë etjen" për të dëgjuar a shikuar një trupë të shkëlqyeshme artistike shqiptare.
Një shërbim të keqafirmimit dhe bashkëpunimit kulturor ndërshqiptar po i bëjnë edhe disa kasnecë të bajraktarizmit nga Maqedonia, të cilët vetëprezantimin e tyre në Tiranë a Prishtinë e vendosin mbi do farë linjash monopolizuese, duke i mëshuar telit të përjashtimit të gjithçkaje që nuk është e rrethit a lobit të tyre krijues. Tashmë është bërë e modës që kasnecët e tillë t’i kenë "mediet e tyre", "kritikët e tyre" dhe "lavdëruesit e tyre" që prodhojnë "yje të vegjël" në orbitën e madhe rreth së cilës rrotullohet vetëm ylli i tyre i preferuar. Mediokriteti i tillë që paketohet si vlerë përfaqësuese është një ushqim i përkohshëm që mund të shuajë urinë e rastit, por kulturës shqiptare në përgjithësi i krijojnë tejngopje me pompozitete që janë shumë larg të qenit realiste e të paanshme. Shqiptarët në Ballkan nuk kanë vetëm politikanë dhe krijues mediokër. Për t’i ofruar ata të tjerët që kanë pak më shumë vlera, nevojitet një qasje tjetër, një menaxhim tjetër kulturor, i cili në asnjë mënyrë nuk do të duhej të ishte në duart e aparatçikëve partiakë.
Është mirë që CV-të e aparatçikëve t’i lëmë pa këtë pjesë të punëve shqiptare.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri