Daut Gumeni: Nje liber me vezhgime dhe shqetesime qytetare

Daut Gumeni: Nje liber me vezhgime dhe shqetesime qytetare


Libri i ish-të përndjekurit politik Daut Gumeni, “Tranzicion apo Trashëgimi”, një botim voluminoz i sjellë nga shtëpia botuese “Toena”, u prezantua dje në Teatrin Metropol. Libri publicistik është në të vërtetë një histori analitike e dy dekadave të demokracisë, parathënien e të cilit e ka shkruar historiani Pëllumb Xhufi. Të ftuar në ceremoninë e promovimit ishin miq, kolegë, bashkëvuajtës, por dhe politikanë; si kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe disa deputetë të majtë. Në fakt autori i librit, Daut Gumeni, një publicist i njohur, shprehet se liderin e së majtës e ka ftuar si mikun e hershëm Edi Rama dhe si një nga publicistët më të mirë në vend, tamam ashtu si dhe u prezantua edhe vetë kreu i PS. “Së pari, unë nuk kam ardhur këtu si kryetar i opozitës, por si një ndër njerëzit që kam pasur fatin ta njoh Dautin në ditët e para të ringjalljes nga ferri, ku për afro çerek shekulli e kyçi regjimi komunist… Nga një burg makabër si ai i Burrelit, Dauti ka kaluar në një burg tjetër, që është burgu i ëndrrave të para dhe i shpresave të ushqyera në çerek shekulli errësirë dhe që sot, pas 20 vjetësh, mund t’i gjejë e ushqejë vetëm duke ndjekur frymëzimin poetik, duke shkruar poezi për të krijuar një realitet ku mund të jetojë i çliruar nga prangat mizerabël të kushtëzimeve të një shoqërie që quhet e lirë dhe demokratike, por që në fakt është një shoqëri në kalbëzim të vazhdueshëm.”- tha ndër të tjera lideri i PS, Edi Rama. Ndërsa historiani Pëllumb Xhufi u shpreh se libri është një histori analitike e shoqërisë shqiptare.

“Tranzicion apo Trashëgimi” titullohet libri. Cili është mesazhi që kërkoni të përcillni?

Që këto 20 vjet që ka kaluar Shqipëria nuk është periudhë tranzicioni, por është një inerci e diktaturës ose një trashëgimi e besnikëve të diktaturës. Prandaj them që nuk është tranzicion, por është një trashëgimi nga e kaluara. Por është edhe një libër me vëzhgime dhe shqetësime qytetare, ashtu siç i shikon autori. Mua më pëlqen fakti që janë interesuar mjaft njerëz për ta botuar dhe më vjen mirë që ato shqetësime që unë trajtoj nuk janë vetëm të miat. Dhe kur janë shumë njerëz që ndajnë të njëjtat shqetësime me ty, atëherë mund të gjendet edhe më lehtë rrugëzgjidhja. Mua nuk më pëlqen që të mos i pranojmë të vërtetat. Unë ndoshta ngaqë jam në moshë të shkuar dhe kam një të kaluar të frikshme për brezin e ri nuk më pëlqen t’i fsheh të vërtetat. Njeriu mund të gënjejë këdo, por veten e tij nuk e gënjen dot.

Çfarë të vërtetash keni thënë në libër?

Kam thënë p.sh. që ky rend që kemi ne nuk është demokraci. E di që kam dhe miq që mund të zemërohen, por kjo është e vërtetë dhe unë i them të vërtetat edhe kur më zemërohen miqtë. Njeriu duhet ta hedhë këmbën aq sa të mos shkelë këmbën e tjetrit. Por ama të mos pyes njeri se ku ta hedh këmbën. Kur është brenda ligjit, njeriu ka të drejtë të bëjë gjithçka që i krijon ndenjën e kënaqësisë, lirisë, të të ndjerit mirë.

Pra, është një libër që trajton probleme social-politike? Cilat janë ato probleme apo shqetësime që ju ngrini, që ju i klasifikoni si më të rënda në shoqërinë shqiptare?

E para është e drejta e votës. Ikëm nga një regjim mizerabël ku nuk bëheshin votime por regjistrime dhe shqiptarët u gëzuan dhe thanë shyqyr më në fund do votojmë të lirë, mirëpo nuk doli ashtu. Populli shkon në votime, votojnë ashtu siç ata duan, por kur vjen puna te numërimi pushtetarët i numërojnë si në Afrikë. Ky është problem i rëndë, sepse del dhe vë veten në pushtet një njeri që populli s’e ka votuar kurrë. Aq më tepër kur thotë unë nuk pyes për votat dhe i merr kutitë në krah. Ky nuk është shqetësim vetëm i imi, por për të gjithë ne. Tjetër shqetësim që unë ngre është cilësia e jetës. Kam 20 vjet që thuhet se do kemi 24 orë ujë dhe e vetmja 24 që është realizuar është se kemi 24 orë etje për ujë. Thonë se Shqipëria është e bukura e dheut dhe fyen edhe intelektin e shqiptarëve, sepse edhe Lura që ishte vërtet një perlë e kësaj toke është shkatërruar. Flitet për përhapje të madhe të arsimit. Ne nuk kemi vuajtur për arsimim horizontal. Dikur lufta kundër analfabetizmit ishte anembanë Shqipërisë, sot as kjo nuk është, kemi mijëra fëmijë analfabetë, sepse nuk dalin dot nga shtëpitë se ka “krisur” hakmarrja sikur jemi 400-vjet mbrapa.

A është ky libër një përmbledhje e gjithë publicistikës suaj ndër vite?

Po, është një përmbledhje e publicistikës sime, por jo e të gjithës.

Po një libër autobiografik, mbi të kaluarën tuaj në burgjet komuniste, a është në projekt?

Jo, nuk kam ndërmend të shkruaj libër autobiografik. Për autobiografi nuk besoj, sepse nuk kam ndonjë pasuri në jetën time për të treguar, por më pëlqen që një ditë të shkruaj për ato që unë kam hequr në jetë, që t’i dinë dhe të tjerët, por jo sepse i kam hequr unë, por t’i dinë që të mos pësojnë atë që kam pësuar unë. Aktualisht kam një përmbledhje me esse te Botimet MAPO, me titullin “Sa larg është Danimarka”. Marr shkas nga një novelë e Kasem Trebeshinës, ku ai thotë “Sa larg që ishte Danimarka”, ndërsa unë them sa larg që është Danimarka. Kam edhe autorë të huaj, por kryesisht kam në këtë përmbledhje autorë të indeksuar që nuk lejoheshin të botoheshin. Midis tyre ka dhe të pushkatuar si Trifonm Xhagjika, emigrant të përjetshëm si Martin Camaj etj.

Ngjarje konkrete në libër, të cilave ju i jeni referuar, dhe emra konkretë, a janë identifikuar në këtë libër?

Jo, emra konkretë nuk ka, kurse çdo shqetësim që unë kam ngritur i referohet ose është nxitur nga ngjarje të rënda që i kanë ndodhur vendit që nga viti 1992 deri në vitin 2011.

Kë klasifikoni ju si ngjarje tronditëse në këtë libër?

Kam shkruar për referendumin në vitin 1994. Kasaphana që u bë me zgjedhjet e vitit 1996, ku filloi kalvari i vjedhjes së votave. Por edhe për atë që ndodhi në vitin 1997. Të gjithë politikanët e të gjitha bojërave që ka lënë pas Partia mëmë, i referohen atij viti si vit i mbrapshtë; e ka fajin populli, ne jemi popull i egër. Por unë shpreh mendim kundër, që të mbrapshtë ishin politikanët, por ata tremben nga ajo që ndodhi më ’97-n dhe ia vënë fajin popullit.

Dhe kush është fajtori, për ju?

Politika, por jo politika si koncept, por politikëbërësit.

Këndvështrimi juaj në libër është majtas apo djathtas?

Shqipëria është e gjitha e majtë, e djathta nuk ekziston. Unë me koncepte jam i djathtë, por e djathta ime nuk ekziston. Unë shoh një të djathtë moderne, që më siguron lirinë e individit, të drejtën e pronës, punës, shkollës etj. Por nuk mund të quaj të djathtë dikë që nuk i jep pronën e tij pronarit apo që u thotë sindikatave ju jeni shoqata kriminale, sepse kërkojnë më shumë para. Por kësaj do t’i përgjigjem me një pasazh nga Remarku. Në romanin e tij “Shkëndija e jetës”: ku Remarku ngre një pyetje për një nga personazhet: Çfarë jeni ju zotëri, komunist?- Jo përgjigjet tjetri, nuk jam komunist. Social demokrat?- jo, as i tillë. Po i majtë atëherë, çfarë jeni? Nuk jam as i majtë as i djathtë, por jam njeri, nuk mjafton kjo.

Comments

Popular posts from this blog

Legjenda e Mujit dhe Halilit

Ese për Vitin e Ri