9/18/11

Letërsia për fëmijë, niveli artistik i autorëve kushtëzon botimet

 

b_95_75_16777215_0___images_5KULTURE_letersia-femije.gifLetërsia për fëmijë dhe të rinj po ndeshet vitet e fundit me një sërë problemesh, sa i përket prurjeve letrare, mungesës së drejtë të përkthimit të saj në gjuhën shqipe etj. Në stendat e librarive sot shikojmë shumë botime, por sipas autorëve shqiptarë, letërsia e sotme për fëmijë ka probleme të cilat vijnë në radhë të parë nga numri i pakët i shkrimtarëve që shkruajnë për fëmijë, në ndryshim nga disa vite të shkuara, kur u krijua një grup shkrimtarësh të talentuar. Pandeli Koçi i njohur për botimet e tij në këtë fushë, tregon se në mungesë të një kritike letrare, që ndjek krijimtarinë për fëmijë,
është e vështirë të japësh një mendim sadopak objektiv, edhe pse mund të kesh lexuar një pjesë të konsiderueshme librash. “Jam i mendimit se në këta 20 vjet të tranzicionit demokratik (për të mos thënë dramatik), letërsia për fëmijë është krijuar nga shkrimtarët duke mos e pasur më të detyruar realizmin socialist, çka ka sjellë natyrshëm heqjen e skemave dhe lirimin e fantazisë krijuese të autorëve, çideologjizmin e shpolitizimin e letërsisë. Ky proces ende i papërfunduar, ka ngritur dukshëm cilësinë artistike të veprave, por problemi qëndron në nxjerrjen në pah të vlerave e antivlerave”, tregon shkrimtari. Sipas tij, sot boton gjithkush, pavarësisht se sa i përgjigjen këto botime qoftë dhe nivelit mesatar të letërsisë aktuale. “Nuk është kurrfarë paradoksi që dikush, që ka mundësi monetare dhe boton seri me libra, ai ka dhe aftësitë për reklamimin, tregtimin e mbivlerësimin e librave të tij. Por duke ia lënë kritikës së heshtjes librat pa vlera ose me vlera të dyshimta artistike, mund të themi pa hezitim dhe pa optimizëm të tepruar se letërsia jonë për fëmijë ka pasur e ka vepra që i përgjigjen denjësisht nivelit të letërsisë së huaj më të mirë për fëmijë”, pohon ai. Mes këtyre problemeve, që has sot letërsia, emra të tjerë të botimeve për fëmijë tregojnë se ngritja e nivelit artistik nga vetë autorët për fëmijë kushtëzohet nga talenti, kultura, dijet e përgjegjësia e tyre krijuese. Përballë këtij fakti, shumë botues pohojnë se letërsia për fëmijë duhet të krijohet nga autorë shqiptarë edhe për faktin se koncepti dhe botëkuptimi i tyre është më pranë botës shqiptare në ndryshim nga librat e autorëve të përkthyer, që nuk shqipërohen cilësisht.
Balet rus, në sezonin artistik të teatrit “Migjeni”
Një grup studentësh nga Shën Peterburgu (Rusi) çelën sezonin e ri artistik në teatrin "Migjeni", të qytetit të Shkodrës. Shfaqja, e cila erdhi në kuadrin e javës së kulturës ruse në Shqipëri bazohet mbi motive tradicionale ruse, duke përcjellë në të njëjtën kohë edhe mesazhin e lidhjes midis dy popujve. Drejtori i Teatrit “Migjeni”, Edmond Angoni u shpreh se këtë sezon janë programuar dhe të tjera aktivitete artistike dhe kulturore. Ai pohoi se në prag të 100 vjetorit të lindjes së Migjenit, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh, ndërkohë që kanë filluar përgatitjet për një mbrëmje poetike, me pjesët më të mira të Migjenit, me regji të aktorit të mirënjohur Bruno Shllaku. Drejtori i “Migjenit” gjithashtu tregon se ka filluar puna për vënien në skenë të një drame të autorit Fadil Kraja, e cila do të ngjitet në skenë në 80 vjetorin e lindjes së tij. Vepra do të jetë me regji të Fatbardh Smajës, ndërsa ky aktivitet pritet të shoqërohet edhe me një nderim të vetë dramaturgut Kraja. Ndërkohë, është programuar të rikthehet në skenë sërishmi “Big Brother Shkodra”, komedia e cila muaj më parë shënoi suksesin më të madh të viteve të fundit në këtë skenë.
“Amnistia” rikthehet në Tiranë
Filmi “Amnistia” me regji nga Bujar Alimani vjen sërish në Tiranë. Në festivalin “Human Right International Film Festival”, që do të zhvillohet në datë 26 shtator do të vijë sërish historia e Alimanit, por do të jetë dhe në 30 shtator në festivalin “PrimFilmFest” në Kosovë. Filmi i parë artistik i regjisorit Bujar Alimani vjen pas një suksesi në Festivalin e Filmit në Berlin dhe në Festivalin e 12-të të Filmit në Leçe, ku mori çmimin "Cineuropa". Regjisori është shprehur për suksesin që ka pasur ky film, se ne këtë dramë ai ka shfaqur realitetin shqiptar. Në këtë film, trajtohet një histori dashurie mes dy njerëzve të cilët duhet të përballen me probleme të mprehta sociale. Dy personazhet rreken të gjejnë vetveten në një lidhje jashtëmartesore, ky një veprim i pamoralshëm prej shoqërisë. Xhirimet janë realizuar mes Tiranës dhe Pogradecit. Filmi vjen nën interpretimin e aktorëve Luli Bitri, Karafil Shenës, Todi Lupi, Mirela Naskës etj. Filmi është prodhuar nga Qendra Kombëtare Kinematografike me partnerë Greqinë dhe Francën.

No comments:

Post a Comment